E enjte, 28.03.2024, 11:06 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Policëve të vrarë

E diele, 09.08.2009, 07:30 PM


Dëshmorët e Atdheut
Policëve të vrarë


Nga Edison Ypi

O miqtë e m’i të dashur që s’jetoni më, o Ju që  respektin për Ju dhe punën që Ju kryenit e kam të pafundëm, Ndjemëni që duke j’u shkruar kokën e kam të turbullt, dora më dridhet, sytë po më erren, këmbët s’më mbajnë. Dhe fjalët ndoshta nuk do jenë në lartësinë që Ju sigurisht meritoni. Por edhe për këtë j’u lutem dhe j’u përgjërohem të më ndjeni dhe të më kuptoni. Sepse sigurisht askush nuk do gjente fjalë për hatanë që j’u ndodhi Ju, familjeve tuaja, të afërmve tuaj, miqve tuaj. As më të mëdhenjtë mjeshtër të fjalës nuk do mundeshin e jo më unë.
Ç’ju ndodhi Ju o miqtë e mi që s’jeni më, nuk e shprehin dot kujat e të gjithë ne të gjallëve, nuk e kapin as e kuptojnë dot vajtojcat, nuk e zbusin dot as gjëmimet as lotët e të gjitha qiejve bashkë po të binin në formë shiu sa edhe botën ta mbytnin. Nuk e përcjellin dot as ngjyrat as sfumaturat as fantazitë e piktorëve më të mëdhenj. Nuk e zbusin dot as notat më të zgjedhura dhe më delikate të kompozitorëve më gjenialë. Nuk e justifikojnë dot as fjalët e oratorëve më të shquar. Nuk e justifikojnë dot as arsyetimet e mendimtarëve më të stërholluar.
Sado delikat ky mort, dihet pse, ka një spjegim, madje boll bindës.
Sepse, që të flasësh me përgjegjësi, të qash me dhimbje, të pikturosh me pasion, të arsyetosh me shkak, për një fatkeqësi të tillë duhet të ekzistojë të paktën një fajtor. Por, o miqtë e m’i që s’jeni më, në rastin tuaj të lemeritshëm, mund të duket e habitshme dhe ndoshta e pabesueshme, rasti është i tillë që autori dihet, por fajtori jo.
Ishte sikur duke kaluar diku të shkelësh pa dashje mbi një minë të vjetër ende të pa plasur me barut të thatë mbetur nga luftërat e kaluara. Gjindet dot fajtori në një eventualitet të tillë sado fatkeq ?! Jo ! Ashtu ndodhi edhe me Ju.
Po, miqtë e m’i që s’jetoni më, po. Është pikërisht ashtu. Shqiptaria ka ende plot të tilla mina tinzare të fshehura gjatë udhëve të saj të vështira. Mina të rrezikshme të padukshme me autorë të njohur dhe fajtorë të pa njohur. Mjerë ai të cilit i qëllon të kalojë mbi to. Jo vetëm në punën dhe detyrën tuaj të nderuar. Edhe në të gjitha punët dhe marrëdhëniet tona, në cilëdno punë, cilindo biznes, cilëndo veprimtari, ka plot nga këto mina të verbra të harruara, me autor por pa fajtor.
Shoqëria jonë, gjatë luftës për mbijetesë, por sidomos përgjatë ngutjeve të kuptueshme për progres dhe pasurim, prodhon vetvetiu xhepa, hendeqe, skuta, të tilla të padukshme, tejet të rrezikshme, me depozitime energjie, nëse më lejohet ta quaj atë energji “të tepërt” që shpërthejnë hera herës duke krijuar viktima të pafajshme. Janë depozitime të verbra energjie negative në formë mbetjesh të grumbulluara pak nga pak ndër vite. Pakashumë si krijohen lagunat fundosëse pasi deti tërhiqet.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë spjegim shterrues për fenomenin. Është fatalitet që rrjedh nga një tërësi faktorësh, të cilët faktorë dhe të cilat rrethana, nuk i rrok dot, jo një mendje e vetme njerëzore, por as të gjitha mendjet bashkë.
Prandaj askush prej nesh të mbeturit gjallë nuk mund të cilësohet fajtor për të tilla mënxyra. Asnjë pushtetar sado shpirtzi dhe i korruptuar. Asnjë politikan sado budalla, as i djathtë as i majtë. Asnjë burokrat sado i keq dhe leshko, askush.
Jo se s’kemi faj. Por sepse faji është i shpërndarë tek të gjithë ne një mënyrë të tillë të pa deshifrueshme, të pa kuptueshme, të pashprehshme, dhe në një masë aq të vogël, sa as nuk shihet, as nuk dëgjohet, as nuk matet, as nuk konstatohet dot.
Para pak ditësh në Lushnje më ndali një kolegu juaj polic rrugor. Këmbyem dy fjalë. Kishte lindur dhe ishte rritur në internim në një fshat të vogël të buzë Semanit. Unë, ish të internuarin që i gëzohej profesionit të ruajtësit së rendit, nuk mund të mos e takoj përsëri. Por çfarë do t’i them të lindurit në internim?! J’u betohem, e kam më të vështirë t’i spjegoj atij diçka, se juve që s’jeni më. E pra t’u drejtohesh më me lehtësi të vdekurve se të gjallëve, ja ç’na gjet. Po policit lezhjan, që edhe ai ka qënë vite i burgosur në Spaç, po me atë ç’të llafos kur ta takoj?! Po këtyre policëve të lagjes që sa herë kalojnë me furgon para pallatit u shkel syrin dhe u them me shaka’; Hë mo trima, a keni kapur ndonjë keqbërës ? Po me ta si do shihem tash e tutje në sy ?! Po policëve shkodranë, atyre me të cilët këmbej gjithnjë shaka’ tek kthesa e Vaut të Dejës, për shoferët e ngathët, gallatat me gjobat, rrezikshmërinë e shofereve femra, si do t’u dal përpara atyre tani ?! Por pa dyshim më vështirë se me të gjithë do ta kem me policët kosovarë. Pavarësisht sa do më kuptojnë, atyre do tu them se ishte një katastrofë e tillë e llahtarëshme dhe e pa spjegueshme e ngjajshme me atë që ndodhi para do kohësh kur një kosovar hodhi një bombë në oborrin e qeverisë së tij.
Ishte pra një krim i paralajmëruar të cilin e përgatisim me duart tona secili nga ne ç’do ditë nga pak. Prandaj s’ka as duhet të ketë njeri që të thotë atë e këtë, ashtu e kështu, jo po ky e jo po ai. Sepse s’ka asnjë arësye kush kujt t’i kërkoj llogari, cili cilin ta bëjë fajtor.
Dhe ja ! Tani në fund, s’desha, por boll u mbajta; Një lot po më bie nga syri. Le të bjerë. Ju miqtë e m’i të shtrenjtë që s’jeni më, meritoni shumë më tepër.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora