E premte, 29.03.2024, 10:18 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Bill Klinton, Njeriu i historisë

E shtune, 08.08.2009, 10:55 AM


Ish-presidenti kundërthënës i SHBA-së angazhohet për ta zgjidhur një krizë, e cila u nxit nga një diktaturë e çoroditur, e cila është në shpërputhje me realitetin e Gadishullit të Koresë. Shumica e njerëzve janë të lehtësuar, por ka edhe skeptikë të cilët shtrojnë pyetjen se cili është çmimi i cili është paguar për këtë depërtim. Bill Clinton, jo vetëm që e ka parë këtë film edhe më herët, por ai edhe ka aktruar në të, edhe pse në një rol të ndryshëm nga ai të cilin e ka luajtur këtë javë, me diplomacinë e tij lëvizëse në Korenë e Veriut. Suksesi i presidentit të 42 të SHBA-së në arritjen e marrëveshjes prapa skenave për lirimin e dy gazetareve të arrestuara amerikane, në shkëmbim të paraqitjes së tij të papritur në Pyongyang, mund të sinjalizojë fillimin e një kaptine të re në njërën prej marrëdhënieve më të tendosura dhe më të rrezikshme të SHBA-së. Apo, sërish mund të dëshmohet si një fillim tjetër i dështuar me një regjim të izoluar dhe paranojak. Sido që të jetë, kjo javë shënon përmbylljen e qarkut në jetën e Bill Clintonit, i cili deri më tash shihej si një burrështetas veteran, pa identitet të qartë dhe pa ndonjë rol të dobishëm për presidencën e Barack Obamës. Një këshilltar i Clintonit theksoi se ish-kryetari amerikan është i gatshëm dhe i etur për të kryer edhe misione të tjera për Obamën.

Clinton për herë të parë u përball me Korenë e Veriut në pranverën e vitit 1994. Atëbotë, ai ende ishte president i ri dhe konsiderohej relativisht i papërvojë kur bëhej fjalë për krizat e jashtme.

Përkundër ngurrimit të madh, Clinton ishte gati për dhënien e urdhrit për një grumbullim të madh ushtarak, si reagim ndaj vendimit të Koresë së Veriut që t’u japë fund inspektimeve ndërkombëtare dhe ta fillojë programin për prodhimin e armëve bërthamore. Brenda Qeverisë së Clintonit, të shumtë ishin ata që mendonin se ky grumbullim mund të provokojë luftë në Gadishullin e Koresë. Koreja e Veriut, delikate si gjithmonë, kishte tërhequr vërejtjen për një “stuhi të zjarrit”. Në vitin 1994, ish-kryetari që doli në skenën koreane ishte Jimmy Carter. Shtëpia e Bardhë e Clintonit nuk kishte kërkuar nga ai që të shkonte në Korenë e Veriut, por pasi Carter tashmë kishte marrë vendim për këtë, ajo nuk tentoi ta bindë që mos ta bëjë vizitën. Në momentet e fundit, pikërisht në kohën kur Clinton po e zhvillonte takimin për ta miratuar grumbullimin ushtarak, Carter arriti marrëveshjen në kuadër të së cilës Koreja e Veriut u pajtua që t’i japë fund programit të vetë bërthamor, në shkëmbim për negociata të drejtpërdrejta me SHBA-në.

Për dallim nga Carteri, Clinton në misionin e tij për lirimin e dy gazetareve amerikane, Laura Ling dhe Euna Lee, nuk veproi si “diplomat i pavarur”. Edhe pse ai në Pyongyang qëndroi si “qytetar i thjeshtë”, ai për misionin e tij e kishte miratimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të bashkëshortes së tij, sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Clintoni, njëjtë si Carteri, është duke kuptuar se vendi më i mirë për ta shfaqur rëndësinë si ish-president, janë vatrat ndërkombëtare të krizave. Adhuruesja e Clintonit, komentatorja demokrate, Donna Brazile, theksoi se vizita në Korenë e Veriut dëshmon se Clinton ende i posedon aftësitë e duhura. “Shpresoj se kjo është një shenjë për gjërat që do të pasojnë, duke pasur parasysh zjarret e shumta me të cilat po përballet SHBA-ja. Njerëzit i besojnë dhe ai duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Kjo dëshmon edhe për vendosmërinë e presidentit Obama për t’i provuar të gjitha llojet e diplomacisë, duke përfshirë këtu edhe diplomacinë e ushtruar nga pala e tretë”, tha ajo.

Madje edhe para se të zgjidhej kryetar i SHBA-së, Bill Clintoni gjithmonë ka shpalosur prirjen e tij për të qenë në qendër të aksionit. Një këshilltar i lartë i Clintonit pati deklaruar: ”Nuk është çështja se ai është ftuar për të ndërmjetësuar paqen në Lindjen e Mesme. Por, lirimi i gazetareve dëshmon se Clinton ende gëzon një respekt jashtëzakonisht të madh. Shpresojmë se ai do ta shfrytëzojë këtë, për të lëvizur përpara”. Ish-negociatori amerikan për Korenë e Veriut, Robert Galluci, theksoi se Clintoni ka qenë njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë fund kësaj krize, duke pasur parasysh përvojën e tij me Pyongyangun dhe famën e tij. “Bill Clinton ndoshta e ka profilin më të lartë në planet, prandaj nuk ishte aspak e vështirë përzgjedhja e tij për këtë funksion”, theksoi Galluci.

Debati tani po zhvillohet në lidhje me atë nëse do të turpërohet SHBA-ja për shkak të përpjekjeve për t’u angazhuar me një shtet për të cilin skeptikët besojnë se është i paaftë që të ndërmerr reforma. Pas krizës në vitin 1994, Koreja e Veriut nënshkroi “Marrëveshjen për Kornizën”, në kuadër të së cilës Pyongyangu u zotua se do të heqë dorë nga ambiciet e veta bërthamore, në shkëmbim për miliarda dollarë të ndihmave të huaja. Por, në fund marrëveshja u shemb si rezultat i akuzave se Koreja Veriore po e mashtronte bashkësinë ndërkombëtare dhe po e vazhdonte programin e vetë. Vizita e Clintonit do të ringjallë debatin në SHBA për atë se a duhet joshur apo konfrontuar këtë shtet. “Koreja e Veriut e bënë këtë gjatë gjithë kohës. Ata provokojnë dhe nevrikosin të gjithë, deri në momentin kur vjen dikush për t’iu ndihmuar që të dalin nga gremina”, thotë Victor Cha, nga seksioni për Korenë Veriore të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Dan Senor, ish-zyrtar në administratën e George Bushit, që tani punon në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thekson: ”Gjasat janë të vogla që Kim Jong Il do të ishte pajtuar t’i falë dy gazetaret, pa marrë në shkëmbim diçka konkrete. Ndonëse në lojë kanë qenë jetët e njerëzve, ky mision i ka nevrikosur disa, sidomos aleatët tanë në rajon”. Megjithatë, Joel Wit, i cili ka qenë këshilltar i Gallucit, ofron një interpretim më optimist. Sipas tij, Koreja e Veriut ndoshta është duke sinjalizuar se është e gatshme që t’i përgjigjet presidentit të ri amerikan, duke e ringjallur kështu edhe diplomacinë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora