E shtune, 04.04.2020, 12:55 PM (GMT+1)

Personalitete

Mvehtësia e Shqipëniës - Nga Luigj Gurakuqi

E shtune, 03.03.2007, 06:06 PM


Nga Luigj GURAKUQI

Luigj Gurakuqi

E andërruar nga vjershëtorët e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin e dirgjeshin nëpër burgjet e errata e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekun e të dëbuar nga Atdheu i dashun, mvehtësia e Shqipënisë na dukej të gjithëve si një dëshir i paarijshëm, si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë t'onë, si një pemë e ambëlë e shijëshme, të cilën Perëndia u a kishte ndaluar shqipëtarëvet të mjerë. Me gjith dëshirën e nxehtë, me gjith adhurimin e thellë, që kombi i ynë ka ndëgjuar kurdoherë për lirinë vehtore, robënia e gjatë e zgjedha e dredhimet e Turqisë, që për aqe shumë kohë kishin randuar mbi qafën e Shqipëtarëvet, kishin shutitun edhe, ndë mos shuar, idhenë e bashkimit e te mvehtësiës në zemrat e tyne. Po! Edhe ata që përpiqeshin e që punonin, edhe ata që vuanin e që luftonin nuk e shihnin tepër t'afërme, nuk e prisnin shpejt për shpejti ditën e bardhë të mvehtësisë s' atdheut. Dëshirin e tyne të flaktë e ruanin e ushqenin në thelbin e zemravet të veta, andërrën e tyne të lulëzuarë e fshihnin në thellësinën e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t'a arrinin ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mëndjen, qetësinë e trupit e gjanë, e jetën e vet!
Kështu punonin e përpiqeshin atdhetarët tanë: mundimet e të vishtirat, që pësonin, i hiqnin e i vuanin për bijat e nipat e tyne; e me gjakun e vlefshëm, që derthnin pa pushim e pa kursim, e dinin mirë se nuk do të vaditnin e nuk do t'ushqenin një lule, me erën e të cilës, do të kënaqeshin e do të dëfrenin. Mirë po në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerësvet ndodhin hera-herë di-sa rasa të papandehuna, që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i prisnin as nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimeve e të ligavet të panjehuna, na solli edhe një të mirë të pashpresuarë e të paçmuarshme, dom-ethanë, lirinë, bashkimin, mvehtësiën e Atdheut!
E mësyeme e rrahunë në të gjitha anët, e mundënë e shtypunë, në të gjitha luftat, Turqia po hiqte frymën e fundit n'Europë. Shqipënia, që, po m'ato ditë, kishte dalë nga një kryengritje e rrebtë e përgjakshme, ndodhej e lodhunë e papregatitunë e gjendej në rrezik të math. Viset e saja u shkelën, pothuaj të gjitha nga të huajt e bijat e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t'ia mbanin. Po Perëndia nuk e kishte thanë që të shuhej fare plangu jetik i Burrit e i Skanderbeut, që të shdukej nga faqja e botës kombi shqipëtar i vjetër, e po m'atëherë, kur anmiqët tanë na kishin dënuar për vdekje e po pregatiteshin të ndanin copa-copa Atdheun t'onë të shtrenjtë, ata, që ushqenin në zemrat e tyne idealin e mvehtësisë, rrokën flamurin të kuq e të zi në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët e ardhunë prej të gjitha viseve t'ona nxorën Shqipërinë më vehte të lirë e të bashkueme. Nuk asht sot dita të përmendim nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtonj se në këtë ditë fatëbardhë, që do të mbetet e paharruarshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqipëtarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.
Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziket e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin t'onë të çuditshëm, t'a forsojmë dashuninë e vëllezëninë e t'i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.
T'a dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësinë tonë; u shtojnë rreziket vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipërisë së lirë.
Të betohemi pra edhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë; t'i bajmë therore përpara altarit t'Atdheut anmiqësitë e smirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemrë që të përpiqemi e të punojmë tok, si vëllezër që jemi, për të shëruar plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne, që qajnë e rënkojnë mbi brenget e visevet të veta, që u ndanë nga trupi i Atdheut të përbashkëm.

Botuar më 1913



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT