E merkure, 24.04.2024, 05:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Naser Aliu: Në Mbretërinë e Krishtit; Gjashtëqind vjet i pagjumë; Shkodra në sytë e mi

E premte, 07.08.2009, 08:54 PM


Naser Aliu

Në Mbretërinë e Krishtit
(Shën Mërisë)

Merreni me mend
Ju lutem
Krishtin
Në Vatikan
Në zyrën numër Një
Duke firmosur akte zyrtare
Dhe duke pritur
Përcjellë
Kryetarë, këngëtarë, artistë, princa e mbretër
Dhe milionerë
Dhe miliarderë
Në audiencë!

Merreni me mend
Ju lutem
Krishtin
Shtathedhur
Flokëlëshuar
Mjekërbardhë
Me unazë prej ari
E këpucë të kuqe
Në papamobil
Duke përshëndetur vegjëlinë
Dorën ngritur
Fshehur pas xhamave të trashë
Nga frika!
Paramendoni këtë
Ju lutem!

Ju lutem
Përfytyroni edhe këtë:
Shën Palin
Shën Gjonin
Shën Pjetrin...
Me Fiat Uno, Golf e Panda
Duke shkuar në kishë për të marrë rrogën

Imagjinoni edhe këtë ju lutem:
Shtetin e Krishtit
Ushtrinë e Krishtit nga Zvicra
Bankën e Krishtit
Pax Bank!
Që blen aksione të prodhuesve të armëve
Aksione të prodhuesve të barnave kundër shtatzënisë

Imagjinoni vetëm edhe këtë:
Krishtomobilin
E Krishtoavionin
Domethënë
Air Force Krishti One

Përfytyroni
Vilat
E Jezu Krishtit
Ku ai do t' i kalonte pushimet verore
Shtrirë në zall
Me dishepujt e tij

Dhe merreni me mend
Ju lutem
Dhe mos pushoni ta respektoni veprën e Krishtit
Dhe dashurinë e tij
Ndaj njeriut
Dhe sakrificën
Për të sëmurët, të gjorët, të braktisurit...
Deri në vetëmohim!
Kujtoni Nënë Terezën,
Vetëm për një çast!

Shkëlqesi
Krishti do ta kishte njohur i pari
Kosovën e gozhduar
I shëmbëllente atij...
Imazh i tij ishte!

Gjashtëqind vjet i pagjumë

Ka gjashtëqind vjet

Nuk kam fjetur sa duhet
Nuk kam bërë gjumë të rehatshëm
Nuk kam dashuruar me kënaqësi
Nuk kam bërë seks të këndshëm
Dhe nuk kam ngrënë
Dhe pirë sa duhet
Dhe si duhet

Ka gjashtëqind vjet

Nuk jam ngopur
As me liri
As me dashuri
As me sedër vetjake
As me krenari kombëtare
As nuk kam qeshur e buzëqeshur nga zemra
Gjashtëqind vjet jam shtirë se po jetoj
Dhe tani
Tani më dhemb koka
Vuaj nga plogështia

Mirëpo
Edhe kur më merrte gjumi
Në njëqindepesëdhjetë vjetët e fundit
Ma prishnin ëndrrën
Herë fqinjët
Herë miqtë e fqinjëve
Herë tanët

Ja pse jam dobësuar
Zbehur

Humbur peshë
Dhe jam zvogëluar
Aq shumë
Sa mezi shihem
Dhe mezi vihem re

Para gjashtëqind vjetëve

Atëherë isha akoma arbër
Më kujtohet mirë
Si sot
Po shihja një ëndërr shekullore
Rilindjen
Por erdhën me daulle
Dhe ma prishën gjumin
Dhe ma prishën ëndrrën
Dhe me ferman
M' i ndaluan ëndrrat
Me shkrim

Unë firmosa
Edhe pse sapo ia pata nisur ta mësojë shkrimin!

Kur u siguruan
Se unë nuk shoh më ëndrra
As kam zell për mësimi
Kur m´i ndërruan edhe personazhet
E gazmoreve dhe përrallave
Emrin dhe mbiemrin
Ikën
Ikën dhe më lanë
Si bonjak e fajtor

Ka balash
Shëndetlig
Dhe invalid
Dhe me aftësi të kufizuara

Shumë të sëmurë
Mirëpo
Vrapuan pas
Për tu shkrirë në sherbetin e tyre!

Mirëpo
Edhe sot
Gjashtëqind e ca vite më vonë
Nuk më merr gjumi!
Edhe nesër nuk do bëjë gjumë të qetë
Sepse tani ëndrra
Dëshirat
Dhe zelli
Dhe detyrat nuk më lënë të flejë rehat

Shumë punë kanë mbetur pa u mbaruar
Në gjashtëqind vjetët e fundit
Shumë gabime duhet ndrequr
Dhe ja, e sheh, pse më pëlcet dhe digjet koka
Tym e zjarrmi!

Shkodra në sytë e mi

Shkodra me karakterin e saj aristokratik
Si Venediku
Shkodra me gjenialitetin e saj
Si Napoli
Herë si një principatë
Si Monako për shembull
Herë si San Marino
Dhe,
Shkodra gjithmonë shtatzënë
Nënat shkodrane kanë detyra
Aty gjenitë linden
Njëri pas tjetrit
Në Shkodër e rrethinë!

Sepse nanat shkodrane e kanë për obligim!


(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora