Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Në çarkun e një krijuesi

| E premte, 07.08.2009, 06:49 PM |


NË ÇARKUN E NJË KRIJUESI

Nga Vangjush Ziko

Arti i krijimit është aq i lashtë sa dhe lashtësia e pasionit dhe e mençurisë njerëzore.

 Në të njëjtën kohë, ai është aq i ndryshëm, sa të ndryshme janë natyrat, karakteret njerëzore.  E rëndësishme është të gjesh në krijimtari vetveten dhe të kumtosh me lexuesit me zërin tënd, qoftë dhe me zë bretkoce, kur thoshte Esenini.  Në fund të fundit, çdo krijues është interesant për të veçantën e tij në të ndjerë, në të menduar dhe në të shkruar,veçori e cila përbën "çarkun" me të cilin ai e "kap" lexuesin e vet.
    Agim Bacelli ka vite që shkruan dhe boton në vendlindje dhe në mërgim.  Së fundi,ai doli me dy libra të rinj:"Një kauboj në Nju Jork" dhe"...në çarkun e puthjeve";botuar nga "D.I.J.A. - Poradeci".  Në të dy librat, për mendimin tim, kemi të njëjtin "kauboj".
    Emri i kaubojt,në botë, është i lidhur me hobin e tij për aventura trimërie dhe dashurie.Të paktën, brezi im, që nuk pat qenë ndonjëherë në Teksas, kështu i njeh kaubojtë nga filmat bardhezi që shfaqeshin në kinemanë "Majestik" të qytetit tim juglindor.  Këtu në kontinentin amerikan po njihemi dhe po shijojmë folklorin e tyre, muzikën country. Kështu që një kauboj i guximshëm në veprime dhe në fjalë, apo i kapur në "çarkun e puthjeve" është një gjetje realiste dhe me humor.
    Heroi lirik i vëllimit me poezi "...nëçarkun e puthjeve" është vërtet një kauboj që nuk i trembet syri nga asgjë," sido të jenë puthjet, të jem rob i tyre qenka thënë/s'mendoj aspak se në çarkun e pabesë jam zënë' ("Në çarkun e puthjeve").  Dashuria për të është si era që s'pyet asnjë pengesë edhe "në se kalon në flijim"("Si është dashuria").  Për të dashuria është "hëm lule e bukur/hëm njeri" (" Kush je ti?")."Mendjen e kam OK, për dreq/e më thotë, tek zemra mos shko!/Shpirti, një meteorolog i keq,/i thotë zemrës,dashuro!"("Kontradikta ime") sepse shpesh herë "gruaja ndërron/është i marrë kush e beson" ("Gruaja").
    Intensiteti i ndjenjave të këtij kauboj shqiptar ka një diagramë plot zigzage:adhurim, flijim,mosbesim,revoltim, pendim...Ai e kalon kohën duke kalëruar nëpër "prairie" të jetës me llason e tij në dorë duke gjuajtur dashurinë, por, shpesh,e hedh lakun e kësaj llasoje në qafën e vet ("Femër").  Pra, kemi një hero lirik dhe të dashuruar dhe të penduar, fitimtar dhe viktimë.
    Edhe në temat e tjera (veç asaj të dashurisë) ky hero lirik mbetet po ai:dhe beson dhe dyshon në miqësinë apo virtytin, në të papriturat e çarkut të jetës.  Vetëm në një gjë ai nuk lëkundet, në besimin në Zoti,"jam premtim i Zotit/jam mirësia e tij në stuhi"(Fjalët e ylberit") dhe në rolin edukues të artit "si një xhaketë shpëtimi"(Poeti alkimist").  Në krijimet e këtij vëllimi mbetet në qendër njeriu me kërshërinë, naivitetin, habinë apo zemërimin për vete dhe për të tjerët.
    "Njeriu është vëlla binjak/Me të uruarën ujë.../Njeriu dhe uji marrin formë sipas vendit"(Njeriu & uji").  Ai nuk gjen qetësi dhe ekuilibër as në vetvete,"dora e majtë shan dorën e djathtë"("Duart").  Në këtë bashkëjetesë të kundërtash "qëndron kuptimi i jetës"("Kundërshtitë e jetës");"cirkut të jetës nuk i largohemi dot"("Të lidhur pas hunjve të jetës").Paradoksi qesharak qëndron në atë se njeriu nuk i kupton këto (pabesinë, tradhëtinë,ligësinë, zemërimin) dhe vazhdon t'i përsëritë sepse, fatalisht,"mëkati trashëgohet" dhe kauboj i Bacellit bën fajtore për këtë Evën biblike ("A jemi mëkatarë").Gjëja më e bukur për këtë kauboj mbetet ajo që njeriu s'e ka arritur akoma ("Më e bukura") dhe më e keqja është se njeriu e kalon çdo kufi të sjelljes dhe të moralit kur e flak tutje frerin që "i vihet njeriut/të mos bëhet kafshë"("Freri").
    Autori, duke përsiatur për individin, nuk rri pa e mprehur satirën edhe për vetë bashkësinë shoqërore,"populli që vjedh dhe vidhet/është një popull i ashpër dhe fatkeq"("Vendi im").Humori i autorit kalon kështu në një autokritikë të dhimbshme fataliste kur heton realitetin e vendit të vet dhe vë re se monstrës së përmbysur, diktaturës "katile,mizore...xhelate pa maskë" nuk i janë shkulur akoma rrënjët dhe ajo, duke u strukur në ndërgjegjen e pashëruar të njerëzve, ironizon sfiduese,"jam mes jush,nuk më shikoni?!"("Ku shkove,diktaturë?").
    Rrënjët e së keqes,mendon autori, duhen kërkuar,në radhë të parë,në vetja (individ dhe kolektiv), në perversitetet dhe në cenet e natyrës njerëzore, në "njerëzit si derra...që kënetave lahen chdo mëngjes" dhe, nga ligësia e tyre, fëlliqin edhe të pafajshmit ("Njerëzit si derra") dhe në njerëzit "e mirë",të cilëve u hedh krahun për t'i ndihmuar në nevojë dhe, kur bëhen të zotë të fluturojnë vetë, në vend të mirënjohjes,"të lenë një glasë" në pragun e dritares mikpritëse ("Zogu që mbajta në shtëpi").
    Librin në prozë,"Një kauboj në Nju Jork", mund ta quaj, pa ngurim, një vazhdim ideotematik të librit në poezi.Vetëm me një ndryshim. Ndryshimi ka të bëjë me formën e krijimtarisë dhe me mjetet stilistikore të të shprehurit dhe me distancimin e këndvështrimit emocional.  Kauboj i Bacellit, në këtë vëllim në prozë, nuk kap më me llason e tij vetveten, por personazhe të ndryshme të shoqërisë, të shtresave të ndryshme të saj (qytetarë,fshatarë, pleq e të rinj, meshkuj dhe femra, politikanë dhe njerëz të thjeshtë, punonjës të rendit dhe shërbëtorë të fesë, njerëz të ligjit dhe të shkencës,pijanecë dhe leshko) pra, një galeri të tërë personazhesh jetësorë.  Këta me fjalët apo me veprimet, me mënyrat dhe me bëmat e tyre naive apo perverse, me karakteret e dobëta apo djallëzore,me dinakërinë apo me ligësinë e tyre e venë veten në pozita dhe situata qesharake në familje, në shoqëri, në kafene apo në parlament.  Autori, në këtë libër, zotëron artin e këndshëm të ritregimit, ku ndjehet ndikimi i stilit të tregimtarit gojor të meseleve.  Ai ka ditur jo vetwm të krijojë anekdota dhe tregime humoristike të shkurtëra,por edhe të tregojë ndodhi reale e të përshtatë ose të përkthejë materiale humoristike nga gjuhë e huaj, duke sendërtuar një "album" harmonik.
     Të dyja këto vepra (në gjini të ndryshme) janë vazhdim i njëra-tjetrës për nga lënda estetike, këndvështrimi emocional dhe për nga nervi qytetar.  Ato i lidh filli i përbashkët, mënyra se si autori e percepton kategorinë estetike të së shëmtuarës në jetën personale dhe në atë shoqërore.  Për të, burimi i së shëmtuarës do kërkuar sa në karakterin e njeriut aq edhe në cenet dhe veset e fosilizuara shoqërore.  E shëmtuara tek ai përfton gjithmonë,sipas lëndës dhe shkallës, të qeshurën (humorin) ose të përqeshurën revoltuese (satirën).
    Por vëllimet kanë, sigurisht,veçoritë e tyre stilistikore,që varen nga raporti midis subjektit edhe objektit të krijimit.  Në prozë autori na "tregon" indiferent, kurse në vjershat na "tregon" nëpërmjët përjetimeve të heroit lirik.  Në prozat, humori dhe satira përcillen drejtpërdrejt nëpërmjet ghuhës narative të autorit ose dialogeve dhe situatave konkrete, që janë të pasura plot aforizma dhe shprehje plot kripë të folklorit të jetës së përditshme.  Në fund të cdo pjesë, në prozë, kemi gjithmonë një mendim edukues që i bën jehonë filozofisë popullore dhe moralit të shëndoshë.
    Edhe në vjershat, jo rrallë, autori e zgjidh qëndrimin ideoemocional nëpërmjet moralizimit në mbyllje të tyre, gjë që i afron më shumë këto krijime me fabulën se sa me poezinë lirike të mirëfilltë.  Duke mbisunduar në këto vjersha humori apo satira, ndodh ajo që, për mendimin tim (kam parasysh vetëm këtë vëllim në poezi), ajo që ndodh dhe në natyrë me aromën e lule manushaqes që mbin pranë hithkës së hidhur.  Kjo,sigurisht, është zgjedhja stilistikore që ka bërë vetë autori në këtë vëllim, zgjedhje e cila, për mua, është sa subjektive aq edhe objektive.është subjektive sepse lidhet me natyrën e karakterit letrar, karakter i cili çastet intime i shikon me një sy vetëqesëndisës, duke i mbetur besnik kredos së vet, që përmenda më sipër. Ai e kërkon të shëmtuarën më parë në vetja e vet, pastaj në tjetri apo në shoqëria.  Ndërsa, ana objektive lidhet me misionin që i ka caktuar vetes, fshikullimin e së shëmtuarës në jetë.  Ai e di që "plagën" e shëron jodi dhe jo parfumi; prandaj dhe "manushaqka" mbetet kokëmënjanë nën hijerëndën dhe erëhidhurën "hithkë".  Kjo është "terapia" që ka zgjedhur autori.
    Të dyja këto vepra janë arritje në krijimtarinë e Agim Bacellit.  Dhe, për mendimin tim, shprehin një preferencë potenciale të krijimtarisë së tij, e cila po e tërheq për nga "korja humorndjellëse" në procesin e tij krijues, "kore"e cila të bën të qeshësh, të kënaq artistikisht dhe të shlodh shpirtërisht.
    Kjo "kore" më joshi dhe më "kapi" edhe mua në "çarkun" e krijimtarisë së tij.