Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Poezia e mirfilltë duhet të ketë gjak e shpirtë...

| E enjte, 06.08.2009, 07:14 PM |


POEZIA E MIRFILLTË DUHET TË KETË GJAK E SHPIRTË...

Nga Bilall MALIQI

Kalosh Çeliku, i lindur më 1951, për 45 vjet me rradhë, luftoi me penë, duke shkruar një mori veprash me motive të larmishme dhe me vlera të çmuara letrare.Si shkrimtar i kompletuar Çeliku preki të gjitha zhanret letrare, duke ju servuar lexuesve:poezi, poema, tregime, satira, novela, drama dhe romane.Ishte kjo një nga arsyet që zhvilluam këtë intervistë, e që z. Kaloshi me kënaqësi pranoi t'iu përgjigjet disa pyetjeve tona…

Me interes të lexuesve të revistës "Perspektiva" është të njihemi më përsëafërmi me shkrimtarin  Kalosh Çeliku, me çfarë zhanri të letërsisë merret dhe kur ka filluar të merret me shkrime?

Kalosh Çeliku
Kalosh Çeliku
-Unë i krijoj të gjitha zhanret e letërsisë duke filluar nga poezia, proza dhe kam botuar mbi 30 libra poezi dhe prozë dhe kuptohet kam filluar qysh në moshën e re si nxënës i shkollës fillore.Kuptohet në fillim sikurse edhe shkrimtarët tjerë edhe unë kam krijuar për fëmijë,poezi, romane, janë mbi dhjetë libra për fëmijë, kurse të tjerat janë, prozë romane, drama etj.Është një veprimtari mjaft e ngjeshur që i përfshinë të gjitha gjinitë letrare.


Një aspekt i rëndësishëm i jetës është kultura, çfarë mendoni për kulturën e shqiptarëve në përgjithësi?

-Mendoj se shqiptarët kanë një letërsi mjaft të pasur, kuptohet se kanë krijuar në kufijt politik, mirëpo ajo është  një pasuri, mvaret prej sistemeve që kanë mbretëruar nëpër ata kufinj, mirëpo megjithate letërsia shqipe është mjaft e pasur dhe nuk është kufizuar vetëm brenda kufinjve politik, por letërsia shqipe është krijuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë.Kufinjtë politik tashmë janë hequr, kultura letrare frymon lirshëm, kontaktet mes veti janë të frytshme dhe mendoj se në kohën e fundit letërsia jonë ka dhënë shumë emra  që njihen edhe në botë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj., pra mund të themi lirishtë se kultura letrare shqiptare është e pasur.

MOTIVET POETIKE

Botimet tua me çfarë motive përbëhen, çfarë tema më tepër trajtoni në shkrimet tuaja?

-Shihni krijimtaria ime letrare mund të ndahet në tre faza: faza e parë mund të jetë dikund letërsia për fëmijë, kuptohet e krijuar në një kohë kur kemi qenë pak më të kufizuar , më të shtrënguar dhe më të ngulfatur, kuptohet përt shkak të rrethanave të ndryshme.Në atë kohë kam shkruar më tepër për fëmijë ngase atëbotë nuk iu është vurë veshi dhe aty kam patur një prestizh të mirë se më leht e kam patur të shprehem, nuk kemi qenë të ndjekur aq shumë për shkak se ishte letërsi për fëmijë, megjithëse vargu im ka patur tri kuptime , kjo pra është ajo mjeshtria ime që kam mundur të depërtoj te letërsia për fëmijë dhe që kam bërë emër kuptohet në Kosovë atëkohë ku i kam kryer edhe studimet.Vërtetë vargu im ka patur tri rrugë tri kuptime për ti ikur atyre ndjekjeve, asaj cenzure që ka ekzistuar te ne në atë kohë të komunizmit, megjithate lexuesi e ka gjetur atë rrugën e vërtetë.Më vonë pas viteve të nëntëdhjeta pak të ndihet njëfarë lirie të themi në thonjëza ,më ndryshe pak të komunikojmë me Shqipërinë edhe pse ende ishin prezent kufijt politik, por megjithate frymonim më lirë tamam unë kam edhe fazën e dytë të krijimtarisë, kur merrem kështu me poezi për të rritur, romanit edhe dramës, këtu tash jam shum më i ashpër dhe kuptohet se është një fazë e dytë e krijimtarisë letrare, kur te unë përsëri ekziston ajo poezia e mendimit, e protestës, vargu i thellë, d.m.th., sa më i thjeshtë , sa më i thellë dhe jo aq shumë i ngulfatur, njëkohësishtë te romani  dhe drama do të jetë më tepër një shenim ngjarjeve që ndodhin te ne si kulturore, politike, do të jetë një fishkëllimë sidomos të elementit që unë e përdori të satirës, pra edhe ironinë dhe filozofinë, këto janë elemente që hasen në prozat, poezinë dhe në letërsinë time.Natyrisht pastaj lindin librat "Lamtumirë bërllog" , "Zorra qorre" , "Imzot lehin qentë"  dhe nëntë dramat e mia etj., të cilat janë dhënë në skenë atë kohë, ku shkollohen me të madhe dobësitë tona, sidomos te "Zorra qorre", e marr si ngulfatje, politika si është zhvilluar te ne, flas më tepër në Maqedoni kultura është si një zorrë qorre, d.m.th., është komplet një krijimtari, një shënim i këtyre ngjarjeve kulturore edhe politike te ne që ndodhin e që zgjasin 17 vite me rradhë.Kuptohet është një kohë shumë e gjatë që ballafaqohemi me këto probleme, me këta njërëz që e zgjasin këtë proces.

FIGURAT  LETRARE

Me anë të vargjeve poetike shprehet mesazh drejtuar lexuesve, opinionit të gjërë, na thuani sa po arrini që me anë të figurave metaforike të drejtoni porosi lexuesve?

-Njëherë piksëpari poezia është mjet që shumë vështirë krijohet.Një poezi që është e mirë duhet  të ketë gjak e shpirt, po i ka këto dy elemente është poezi e mirë, po të mos i ketë këto dy elemente atëherë është poezi patetike, poezi e parollave të thata.Zakonishtë rrethanat e ndryshme neve na kanë hedhë në trysni qoftë politike, ekonomike, ku shqiptarëve më së tepërmi i ka munguar liria ku në Kosovë më së tepërmi i shkruhet lirisë, për heronjtë kombëtarë, sepse ajo na ka munguar.Shumë pak shkrimtarë  i kemi të njohur ne  në Kosovë që shkruajnë për dashurinë.Mirëpo në kohën e fundit  ndryshojnë gjërat, Kosova veç më fitoi pavarësinë, njërëzit filluan tash ti kthehen lirikës së pastër, i kanë ikur vargjeve patetike dhe parollave të thata.Unë mendoj se letërsia shqipe tash është në rrugë të mbarë dhe është një letërsi shumë e pastër dhe përbënë trungun e lëtërsisë së pastër shqiptare.

Në bagazhin e shkrimeve tuaja kemi edhe romane dhe një antiroman, çfarë tematike ka  ky antiroman meqenëse te ne në bibliotekat tona nuk i kemi shumicën e botimeve tuaja?

-Është e vërtetë se  në kohën e ish Jugosllavisë shqiptarët e Maqedonisë kishin më tepër kontakt me shqiptarët e Kosovës.Shumica e personaliteteve të Maqedonisë janë të shkolluar në Kosovë, ku edhe unë një kohë  kam studiuar në Kosovë dhe shumë mirë e njohë kulturën, letërsinë e shqiptarëve të Kosovës.Përpara më rrallë furnizoheshim me libra të autorëve të Shqipërisë sepse kufiri e bënte të veten, tash pas pavarësisë në vend që të hiqen kufijt, ne vumë edhe kufirin e ri me Shqipërinë.Ne në     Maqedoni jemi paksa më të izoluar sepse atëkohë më lehtë qarkullonte libri Kosovë-Maqedoni, revistat letrare në pëgjithësi qarkullonin më lirshëm në relacionin Maqedoni-Kosovë, Kosovë-Maqedoni.Tash me    ndoj se nuk do të kemi më probleme.Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe  bibliotekat  do të   furnizohen me tituj të ndryshëm të librave.Është shumë e vërtetë se ne nuk mundemi ti përcjellim të gjitha botimet e autorëve të Kosovës sepse letërsia kohëve të fundit po zhvillohet me një hap shumë të madh qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe është shumë vështirë të përcillen të gjitha botimet.Përpara janë përcjellur botimet sepse kanë qenë me një numër më të vogël, kurse tani kemi botime të shumta, kemi  një shpërthim më të madh krijuesish, sepse në atë kohë kanë qenë më të cenzuruar, ndërsa tani jo.Pra tani është shumë vështirë të përcillen botimet.Të kthehemi te romani im gjegjësisht te antiromani, është  roman i kohës, është lindur në këto rrethana, në këto trysni, në këto probleme.Zakonishtë krijuesi kërkon një shteg për të dalë prej vetvetes, të ballafaqohet për ti ikur përditshmërisë, monotonisë.Mendoj se  antiromani im "Kulturofagu" më tepër mirret zakonishtë me këtë kohë të ndryshimeve, kur në çdo hap i kemi politikanët të paaftë, kemi njerëz të tyre, shërbëtorë "Kulturofag", janë servil dhe zënë vendet e para   qofshin në politikë, qofshin në kulturë, janë pra të dëgjueshëm.Këto dobësitë e kësaj pjese të shoqërisë janë të paraqitura në antiroman.

KRITIKA

Çka mendoni për kritikën letrare kohëve të fundit?

-Fatkeqësishtë ky është një problem shumë i madh te ne kohëve të fundit ngase në, atë kohë kemi patur gazeta shumë më pak, kuptohet në përgjithësi flas për shqiptarët qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni ose Mal të Zi, megjithate deri dikund ka arritur të përcillet botimi i një vepre letrare, vlerësimi  i një libri, kemi patur kritikë letrare më në nivel, kohëve të fundit si duket Kosova ka problemin e kritikës,  por edhe Shqipëria e ka të njejtin problem sa i përket kritikës së mirfilltë.Fatëkeqësia më e madhe është  se na mungon një kritikë e mirfilltë, kemi kritikën miqësore, kritikën klanore, kritikën sipërfaqsore, kritikën partiake e kështu me rradhë.në këtë mënyrë vetëmse ngulfaten vlerat e arrira letrare, mendoj se duhet patjetër të shmanget kjo.Kritiku dhe shkrimtari janë dy kahje të kundërta se nuk do të kishim kritikë pa shkrimtarë, kritiku është lexues që jep mendime pozitive apo negative për librin e lexuar.Kohëve të fundit  dalin libra të shumta pa vlera letrare, kritikët heshtin, në anën tjetër librat me vlera të larta artistike  ngulfaten, ngase mungon një kritikë e mirfilltë që i mbronë vlerat e arrira letrare.

Çka presim në të ardhmen nga Kalosh Çeliku?

-Kuptohet krijuesi asnjëherë nuk pushon, është i vetmi ai që edhe kur nuk krijon ai krijon, është i vetmi që nuk ka orar të punës 24 orë është në punë, edhe kur flen ai përsëri mendon etj., megjithate unë tash jam në vlugun më të madh të krijimtarisë sime letrare, këto ditë pres të dalë nga botimi libri im më i ri me poezi, kam edhe disa libra për fëmijë, ngase më duket se i kemi harruar pak fëmijët, iu kemi borgj mjaft fëmijëve, mendoj se tri libra me poezi dhe dy romane mund të dalin këtë vitë për fëmijë.Kemi harruar një gjeneratë ku ardhmëria është e tyre, ata  mund ta vazhdojnë punën tonë qoft në arsim, qoft në kulturë, për atë arsye them se mjaft borgj iu kemi fëmijëve…

Nga libri me intervista “Ide të trazuara”