E shtune, 20.04.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Afrika e Jugut, ka futur Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1921

E premte, 07.09.2007, 09:48 PM


Nga Përparim HALILI

Tre ditë më parë, në një speciale të transmetuar në një nga mediat shqiptare, shkrimtari dhe studiuesi komplementar Nasho Jorgaqi, i angazhuar si potencial në debatin për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, deklaroi: "Noli ka futur Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1921".

Po cila është e vërteta? Noli ka kërkuar me këmbëngulje, që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe ka bërë gjithë përpjekjet që kjo të realizohej, duke manifestuar atdhetarinë e tij prej shqiptari. Fuqia e Nolit ishte fuqi e një personaliteti, zëri i të cilit edhe pse kualitativ nuk dëgjohej për shkak interesash lakmitare të ndërkombëtarëve, të cilët ashtu si në vitin 1913, vazhdonin të mbanin në "tepsi" hartën e Shqipërisë duke e "vizatuar" me thikën e copëtimit të mëtejshëm. Noli e dha kontributin e tij, por në fakt, "vulën" e fundit këtij pranimi, ia ka dhënë qëndrimi dhe vetoja e Afrikës së Jugut. Po sjellim argumente historike ashtu siç janë.

Meqenëse zgjidhja përfundimtare e problemit të kufijve shtetërorë po vonohej nga Fuqitë e Mëdha, në shtator 1920, qeveria e Sulejman Delvinës kërkoi anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 12 tetor, në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes, Pandeli Evangjeli e përsëriti kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë Lidhje. Në përgjigjen e datës 20 Tetor 1920, nëpërmjet Pandeli Evangjelit, Lidhja e Kombeve i kërkoi qeverisë Shqiptare paraqitjen e dokumentave rreth Statutit të Kongresit të Lushnjës, që e përcaktonte Shqipërinë "Shtet Sovran", kërkesë kjo që ishte kusht bazë për të filluar procedurën e këtij pranimi. Në qëndrimin e saj të 8 Nëntorit 1920, qeveria shqiptare iu përgjigj kështu Lidhjes së Kombeve: "Pavarësia e konsakruar në Lushnje, bazohej në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe dokumentat e Pavarësisë, ishin të njejta me ato të konfirmuara nga ky vendim dhe aktet përkatëse të njohjes së Sovranitetit të shtetit shqiptar dhe Protokollit të Firences të vitit 1914, të nënshkruara e të publikura nga gjashtë Fuqitë e Mëdha".

Njëkohësisht, në notë argumentohej se nuk bëhej fjalë për një shtet të porsaformuar, por për një shtet që kishte ekzistuar që para Lidhjes së Kombeve dhe që, gjatë konfliktit botëror kishte qëndruar neutral, ndonëse kish vuajtur pasojat tragjike të përplasjes së blloqeve ndërluftuese.

Vendimet e Kongresit të Lushnjës

1. Kongresi nxori jashtë ligjit Qeverinë e Durrësit dhe abrogoi të gjitha ligjet dhe vendimet e saj në dëm të interesave kombëtare.

2. Hodhi themelet kushtetuese të Shtetit të ri Shqiptar, të Pavarësisë dhe tërësisë së tij territoriale, ashtu sikundër u vendos në Kuvendin e Pavarësisë më 1912.

3. Statuti Themelor i Shtetit Shqiptar, i miratuar në këtë kongres, përcaktonte që Shqipëria të kishte si formë regjimi Monarkinë kushtetuese. Deri kur shqiptarët të zgjidhnin vetë Mbretin e tyre, të drejtat dhe atributet e tij do t'i ushtronte Këshilli i Lartë i Regjencës, i përbërë nga 4 regjentë, të zgjedhur nga Asambleja e Kongresit.

4. Kongresi miratoi 4 regjentët, që ishin Monsinjor Luigj Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi bej Toptani dhe Dr. Mihal Turtulli.

5. Këshilli i Lartë i Regjencës, emëroi Qeverinë e re me kryeministër Sulejman Delvinën, ministër të Jashtëm Mehmet Konicën dhe ministër të Brendshëm Ahmet Zogun.

6. Dërgimin e një delegacioni në Konferencën e Paqes në Paris në mbrojtje të të drejtave sovrane të popullit shqiptar.

Dëshmi nga arkiva jugosllave për Konferencën e Ambasadorëve

Ja çfarë theksohet në disa nga "letrat diplomatike jugosllave", lidhur me njohjen e Pavarësisë së shtetit Shqiptar, nga Konferenca e Ambasadorëve:

1. "Meqenëse me evakuimin e trupave italiane nga Shqipëria situata në terren ishte spastruar, Konferenca e Ambasadorëve, në nëntor të vitit 1921 mundi të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha i njohën Italisë vetëm interesin e saj special për ruajtjen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila kërkoi për t'u pranuar edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më tepër pavarësinë e saj.

2. "Para Konferencës së Ambasadorëve, provuam më kot edhe një herë, që të fitonim të drejtën e korrigjimit të kufirit në drejtim të Shkodrës dhe në drejtim të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, ndërsa për Drinin theksuam shkaqet ekonomike dhe ato të komunikacionit".

3. Eksperti francez në Konferencë, z.Larosh, na ngushëlloi kështu: "Qeveria mbretërore jugosllave ka gabuar që në kohën e duhur, pra kur u propozua, nuk e ka pranuar propozimin për ndarjen e Shqipërisë. Z.Pashiq qe pajtuar me këtë propozim tonin, por qeveria e Beogradit e pati refuzuar".

4. "Që të mos i lejonim italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufijtë deri në Drin. Meqenëse ne e përkrahnim gjithnjë idenë për mosndarjen e territorit shqiptar, që ishte caktuar në vitin 1913, si dhe Pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve ishte e kënaqshme për ne. Ndërkaq, kjo nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë, për shkak të Shqipërisë - po rëndohen më tutje pas shpalljes së Shqipërisë si Shtet i Pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve".

5. "Në mbledhjen e 11 dhjetorit të Lidhjes së Kombeve, delegati francez, Viviani, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë, me pretekstin e shfuqizimit të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve dhe të Protokollit të Firences, për t'i dhënë kështu mundësi Jugosllavisë e Greqisë që ta coptonin Shqipërinë dhe për ta vënë Lidhjen e Kombeve, përpara faktit të kryer, duke nulifikuar kështu kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, sepse nëse shteti shqiptar do të copëtohej e gllabërohej, Lidhja nuk do të kish çfarë të prononte në gjirin e saj. Propozimi i Vivianit, u pranua pas votimit që rezultoi 13 me 8".

Afrika e Jugut: Shqipëria të futet patjetër në Lidhjen e Kombeve

Përfaqësuesi i Afrikës Jugut, Lordi Sesil, dashamirës i shqiptarëve, propozoi dhe insistoi që kërkesa e Shqipërisë të shqyrtohej e të votohej në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, pasi në votimin e parë kishin marrë pjesë vetëm 21 vende. Në mbledhjen e Asamblesë, fitoi kërkesa e përfaqësuesit të Afrikës së Jugut dhe Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, pasi fitoi 35 vota, kundrejt 7 abstenimeve, ndonëse njohja me dokumenta u shty deri në afatin e përcaktimit përfundimtar të kufijve, pas shqyrtimit të pretendimeve të fqinjëve. Menjëherë pas pranimit, Shqipëria kërkoi njohjen formale të kufijve shtetërorë dhe rregullimin e njëkohshëm të mosmarrëveshjeve me Jugosllavinë dhe Greqinë për çështjet kufitare të mbetura pezull, deri në ratifikimin përfundimtar të kufijve shtetërorë konformë vendimeve të Fuqive të Mëdha në vitet 1913 dhe 1914, kërkesë që u përsërit nga kryeministri Vrioni edhe në muajin maj të vitit 1921.

Këshilli i Lidhjes së Kombeve e futi kërkesën shqiptare në rendin e ditës së punimeve më 25 qershor 1921, duke ftuar dhe përfaqësuesit jugosllavë e ata grekë për të paraqitur pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare. Në këtë seancë, përfaqësuesi shqiptar kërkoi emërimin e një komisioni nga Lidhja e Kombeve, për studimin në vend të kufijve dhe për respektimin e vendimeve që i përcaktonin ato. Përfaqësuesit jugosllavë dhe ata grekë, në unison me njeri-tjetrin, kërkuan hedhjen poshtë të kërkesës shqiptare, me preteksin se Konferenca e Ambasadorëve, ose Këshilli Suprem i Lidhjes së Kombeve, kishin kompetencë për caktimin përfundimtar të kufijve ndërshtetërorë me Shqipërinë. Por ndërkohë, kish shpërthyer kryengritja e Mirditës, e cila ishte organizuar enkas për të krijuar pretekstin e ndërhyrjes jugosllave për pushtimin e trojeve shqiptare.

Fan Noli, delegat shqiptar në “Lidhja e Kombeve”

Më 16 gusht 1921, delegati shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli, i kërkoi Lidhjes të ndërhynte për rivendosjen e paqes midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Më 2 shtator 1921, Noli dhe delegati jugosllav, Jovanoviç, dolën përpara Këshillit të Lidhjes. Noli dëshmoi me prova kërcënimin e paqes midis dy vendeve, për shkak të intervencionit të bandave jugosllave brenda territorit shqiptar, për të ndihmuar në krijimin e "Republikës së Mirditës" dhe kërkoi largimin e trupave jugosllave nga territori ynë. Por Jovanoviç, lexoi shkresat drejtuar qeverisë Jugosllave nga presidenti i "Republikës së Mirditës", ku pretendohej se qeveria e Tiranës nuk njihej si përfaqësuese e popullit dhe nuk kishte autorizim, apo mandat për ta përfaqësuar atë dhe për këtë shkak, si përfaqësuese legjitime e shqiptarëve duhej të njihej "Qeveria e Mirditës në ekzil" (në Jugosllavi). Nisur nga ky "argument", delegati jugosllav kërkoi dërgimin në vend për verifikim, të një komisioni të Lidhjes.

Reagimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve

Në reagimin e tij, Noli iu përgjigj Jovanoviçit: "Qeveria e Mirditës" e kishte selinë në Prizren, pra në një territor që ndodhej brenda kufinjve administrativë të Mbretërisë SKS dhe si e tillë, ishte një qeveri e krijuar nga serbët, duke qenë larg shqiptarëve të krahinave që pretendonte se qeveriste. Kjo qeveri, natyrshëm nuk mund të përfaqësonjë asgjë. Por Jovanoviç, i vënë me shpatulla pas murit, kaloi në sulme agresive, duke akuzuar Shqipërinë si "shtet që nuk ekziston", " si shtet që "është akoma në fazë embrionale dhe anarki të plotë" dhe se për këtë arsye, "meqenëse ndodhej pa kufinj të përcaktuar, shteti shqiptar nuk kish territore të përkufizuara dhe nuk mund të pretendonte për cënim kufinjsh e territoresh, sepse nuk mund të kish dhunim të kufinjve që nuk ekzistonin".

Kjo marrëzi serbe e abandonuar dhe e denoncuar haptazi e me argumente nga Noli, detyroi Këshillin e Lidhjes së Kombeve, t'i tërhiqte vëmendjen Jovanoviçit, që të mos i ngrinte më problemet e mosekzistencës së kufijve të një shteti sovran dhe anëtari të Lidhjes. Më 15 shtator, Lordi afrikano-juogor, proshqiptari Sesil, i kërkoi Këshillit të Lidhjes së Kombeve, kalimin për shqyrtim dhe votim, të vendimit në Konferencën e Ambasadorëve. Madje duke përdorur veton e duke kërcënuar me bojkot të punimeve. Pas një seance, ku Noli shkëlqeu me polemika të mprehta dhe argumenta të shkëlqyera, më 2 tetor 1921, Konferenca e Ambasadorëve vendosi të dërgojë në Shqipëri një kontroll për verifikimin e problemit në vend. Më 6 tetor 1921, Konferenca përzgjodhi Komisionin me përbërje prej tre anëtarësh, me në krye finlandezin Thefleff, kolonelin Schaeffer nga Luksemburgu dhe majorin norvegjez, Meinich. Konferenca i kërkoi Komisionit që të shkonte në Shqipëri brenda datës 1 nëntor 1921, ç'ka u realizua me sukses, duke shënuar arritjen më të madhe diplomatike për shtetin e ri shqiptar. Delegati britanik Fisher, në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, që u mbajt në Paris më 16 nëntor 1921, akuzoi Jugosllavinë kështu: "Kishte nxitur dhe ndihmuar kryengritjen e Mirditës".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora