Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Jeta me vrap dhe kafshimi i gjarprit...!

| E enjte, 06.08.2009, 05:55 PM |


E S E

Sejdi BERISHA:

JETA ME VRAP DHE KAFSHIMI I GJARPRIT...!

Është interesant, jeta me vrap gjithnjë të shpie në gabim. Mirëpo, edhe ngadalësimi gjatë rrugëtimit sjellë dergjë dhe ilet. Në këtë rast, njeriu është në siklet se si duhet ngritur e hapur rrugë, nëse duhet bërë kështu?! Është vështirë. Vështirë është. Por, për këtë, gjithnjë duhet bartur me vete së paku një fener për të bërë dritë, edhe pse dritë ka me bollëk. Por,... mungon drita! Edhe pse, kjo është njësoj si të pyesësh, a është më lehtë pa dhimbje apo më mirë pa lot, kurse që të dyja këto kompozohen dhe koordinojnë bukur njëra me tjetrën për ta forcuar lumturinë...! Po të lexohen kujdesshëm por edhe me alegori gjërat e thjeshta, nga to do të krijosh pasqyrën e tmerrit të jetës, e cila gjithnjë fshihet mu në gjerat, të cilat duket se nuk kanë vlerë as rëndësi... Ky është udhëtim si i pazakontë por i përcjellë me kërshërinë e madhe për dashurinë për jetë!  

1.
Kishte kohë që nuk kisha kthyer kah hoteli “Grand”, por, ashtu edhe rastisa atypari duke u përpjekur për t’i kryer disa punë. E shikoj këtë objekt, dhe mendja më thotë: sa objekt kapital, kurse zemra ma kthen ndryshe, ma kthen mbrapsht mendimin duke më detyruar t’i kujtoj shumë gjëra përkitazi me këtë objekt hotelier e pse jo edhe ekonomik, i cili tani thuaja se qanë e vajton nga pavlera dhe nga papërgjegjësia,... të themi e askujt! Por, para hyrjes aq joshëse e grandioze, janë të vendosura ca vazo të mëdha si dekor e vend për lule. Por, ato i kishte mbuluar bar i vjetër, kurse lulet,... ndoshta vijnë një ditë. Por, çfarë dua të them. Sipër barit të një vazoje, dikush kishte hedhur,... po de, dikush kishte hedhur bërllok dhe shishe plastike. Dhe, pa një pa dy, u afrua një njeri duke lëshuar një dihamë mu si ta lëshonte idhshëm frymën e fundit, kështu që me hidhërimin më të madh, një nga një i flaki shishet dhe bërllokun nga vazoja. Pa asnjë fije kontrolli i shpërndau nëpër asfaltin e nxehtë nga vapa e verës duke murmuruar e duke sharë kallon më kallon.
Se kë e shante, nuk di. Por një gjë e mora vesh se tha: Pisat! Me bërllok ia kanë zënë frymën gjelbërimit! -kurse, në vazo kishte vetëm bar si i vramë lie, siç thotë populli.
Një kohë nuk lëvizi. Si duket e priste reagimin e ndokujt nga kalimtarët, por askush nuk e kishte mendjen tek ai. Njerëzve nuk u ha palla për asgjë, e më së pakti për këtë që po e shpjegoj. Por, të them të drejtën, unë e përqafova veprimin e këtij njeriu të mllefosur dhe veç sa nuk u kyça edhe unë në këtë “shfrenim”! Por, për “imtësi” të tilla, shpeshherë jam ngatërruar me shumë kë, e edhe me vetveten, e cila gjë më shkaktonte mosmarrëveshje mendjeje, sa që ndonjëherë pa lidhje më kujtoheshin njohjet e miqësitë, të cilat njerëzit i kanë ndërtuar lehtë, por edhe më lehtë i kanë rrënuar.
Në këtë pikënisje, apo mes nisje apo edhe fund nisje, gjërat ngatërrohen sa që e humbasin e po e harrojnë formulën e drejtë të qenies, dhe e përfundova këtë “ekses” duke e përqafuar mendimin se nuk duhet lejuar që një gabim apo keqkuptim, edhe më i vogli qoftë ai, ta rrënojë miqësinë dhe dashurinë si pjesë jete. Por, prapë them, po ç’lidhje ka kjo me rastin e këtij njeriu të cilin nuk e njoha, po ç’lidhje ka kjo me kulturën dhe tek e fundit edhe me hotelerinë?! Ani, se si ngushëllim është jeta me vrap...!

2.
Bisedat me njerëz, nganjëherë i ngjajnë lojës së leximit. Leximin e bën dhe e kupton ashtu si ta do vetvetja. Po ashtu, edhe bisedat, ose i kupton drejtë ose nga to mëson për përjetimet dhe për të bëmat e individit apo edhe të komunitetit, ose, bisedën e lidh, e bën nyje dhe vrer për gjërat që rrëfen. Është keq, kur njeriu këto i merr ngatë zemrës, e këso llafesh e meselesh ka nga më të ndryshmet të cilat krijojnë histori, dhembje, ndërtojnë metaforë e bëjnë satirë. Por, çfarë janë këto, ore?! Asgjë!
Dhe, bisedat,... Bisedojnë dy të moshuar, të cilët duken se pas vetes kanë dhënë e lënë intelektin e tyre, e tash sikur qenia e tyre u duket tërësisht e parëndësi, tërësisht boshe. E zbrazët!
-Po, pse bezdisesh kaq shumë, kur edhe tani në pleqëri i ke të gjithat. -njëri ia kthen bashkëbiseduesi të vet, i cili kishte etje për t’ia rrëfyer të gjitha, tërë romanin e jetës së vet. Ama, bash të gjithat. Por, nuk ia rrokte dot, sepse, dëshironte t’ia thotë të gjitha përnjëherë, të gjitha t’i përbirojë për birë të gjilpërës, t’i shpreh me dufin e dufit të shpirtit!
-Më dukesh si të mos kishe kaluar nëpër tërë ato motmote të jetës... Më bëhet se çdo gjë më është mohuar dhe, vepra as puna ime nuk kanë vlerë. A beson ti, se fjalët më janë kalbur dhe ndrydhur këtu,... këtu brenda...! -e kishte bërë dorën gusht dhe i kishte ra gjoksit.
Kjo bisedë e pa fije vlere, më hyri në kokë dhe tani e hapa atë tabelën e shahut tim për t’i gjetur fushat e veprimit. Po, sa keq është kur të pedatur mendja, e cila, gjatë tërë kësaj kohe mbarësohet dhe infektohet me gjithfarë gjërash. Historia e njeriut është lara-lara! Hë,... ku mu kujtua historia, tash. Edhe në këtë drejtim, perceptimi i mençurisë dhe i diturisë është diçka madhështore, ose diçka më se e domosdoshme. Në kuadër të kësaj ecjeje, debatet janë një prej pasqyrave më adekuate dhe të besueshme të jetës, por, ndoshta edhe e kornizave të karakterit, të karakteristikës së mendjes dhe e sëmundjes së saj!...
Një rast, duke shikuar një emision për figurën e Skënderbeut, nga debati që u zhvillua, mendja më iku tek loja e leximit, tek jeta me vrap dhe tek libri që kisha lexuar për “rrëmbimin” e figurave historike. Po, si tek rrëmbimi i figurave historike?! Po. Thjeshtë. Kur popujt tjerë përpiqen të t’i rrëmbejnë figurat historike dhe të kulturës të kombit dhe vendit tënd, dhe i bëjnë si të vetat, më fal, i bëjnë të vetat! Ky është pra, rrëmbimi. Dhe, më shkoi mendja, pse tani edhe kjo ngarkesë mbi mua. Dikush, edhe ato figura që i ka, përpiqet t’i zhvlerësojë, ose t’ia mëvesh të së kaluarës,... Pra, të mos merremi me to, të mos merremi me të kaluarën, sepse nuk është racionale. Tani na paskan ndryshuar gjërat?!
E tërë kjo, duke më përftuar mendja e hidhërimit, thash është guxim, ose sikur vetvetiu të imponohet apo të vjen mendimi: atëherë, e kaluara mund t’i ngjajë vdekjes! Për këtë, ka vend edhe për ju për ta komentuar këtë rrjedhë, apo edhe për të qeshur, sepse, siç ka thënë Çaplini, e qeshura lind nga kontradikta...! Ndoshta, unë them, edhe nga marrëzirat.

3.
Tri sekuenca të jetës, të cilat duken cukla por që në thelb kanë diçka që reflekton shpërputhjet dhe përplasjet, të cilat ngadalësojnë rrjedhën e përjetimit të natyrshëm të orëve, të ditëve, të muajve e viteve që kalojnë, që duken se kanë ecje të qetë por përbrenda kanë zjarr, hi e gjurmë nga më të ndryshmet të shndërruar në pasqyrë, e cila është marramendëse dhe hakmarrëse. Çfarë është kjo?!
Një ditë, pas një kohe të gjatë që më kishte ikur disponimi, për habi kisha dalë i gëzuar në qytet. Duke kaluar qendrës, u ndala për ta shikuar tërë atë panoramë mahnitëse të qytetit plot histori, plotë dhembje e lumturi, plot arritje e madhështi, të cilën panoramë kisha dëshirë ta shndërroj në një ëndërr ashtu siç njeriu ka dëshirë. Tërë atë bukuri, e shikova dhe e analizova, e komentova si me atë peshën e merakut dhe amanetit... Përgjatë lumit ëndërroja gjelbërimin e mahnitës, i cili do t’ia kthente pamjen e vërtetë pranverës me lule! E shikova atë grimë, të vockël fontanë, të cilën e kujtova si një thesar freskie e uji të kthjelltësisë. Po, po. Edhe të kthjelltësisë të mendjes së njeriut. Dhe, gjatë tërë kësaj përralle, diçka ma rëndonte shpirtin. Unë nuk di se çfarë,... por, edhe askush nuk e di. Ndoshta historia, ndoshta njeriu...! Ku ta di sot.
Duke ecur i hutuar, vërej, trup në trotuar ishte rrëzuar një fidan lisi që ishte mbjellë për t’ia shtuar bukurinë qytetit. Një ditë përpara, ai qëndronte vertikalisht duke vështruar lartësitë e qiellit dhe të vetë njeriut. E kishte thyer dikush me inatin e rrënimit mu aty ku i mbarojnë rrënjët! Pamasë u zemërova dhe, ngadalë, si njeriun e plagosur e largova nga trotuari. Por, që do. Ika duke murmuritur, nuk e disa as vetë se çfarë. As njëzetë metra më larg, hasa edhe në një fidan tjetër. E kishin shituar në mes të shtatit. Po, pse kështu or Zot?! Askush nuk më dha përgjigje, por thua se të gjithë ata që rastisen aty duke shkuar në punë të veta, zërin tim ma përdhunuan me shikim injorues dhe duke qeshur. E mbylla edhe këtë dhembje, nëse iu duket se është dhembje, duke e kujtuar Çaplinin e pavdekshëm: e qeshura lind nga kontradikta...!
Tjetra. Provimet për tu regjistruar në fakultete; duhet treguar njohuri të mjaftueshme për tu bërë student. Gumëzhijnë fakultetet për zënë dituri me meritë! Ama, menjëherë i vura çelës mendjes edhe për këtë. Por, vetvetiu mu kujtua terri e ferri, pasuria e varfëria, ëndrrat e gjithçka tjetër. Ec, i thash vetvetes, ani pse, aty për aty hasa në të gjitha këto që i përmenda. Por, jeta ecën kështu,...ose, nuk ecën! Sikur e bëra qafën e gjatë që fjalën e mendimin ta qes sa më ngadalë e më pjekur. Zor... është!
Dhe, tre. Duke kujtuar në të njëjtën kohë marrinë dhe madhështinë, e bëra një çik mendim për rebelimin tim në shkrim dhe për përpjekjen për ruajtjen e madhështisë e të dëlirësisë shpirtërore. Duke u frikësuar nga vetvetja, duke e njohur shpirtin tim të padëgjueshëm, thashë se në jetë njeriu duhet të jetë i pastër! Bilur. Dhe, shtova mendimin që më dukej “konfuz”: gjeneratat që po vijnë të mos më akuzojnë për punën që kam bërë dhe për atë që po përpiqem ta bëj. Sepse, unë jam me të gjithë e për të gjithë të rinjtë. Sepse, koha ikën e ndërron, por zëri, vargu e shkrimi është për njeriun...! Bash për njeriun.
Në këtë moment, m’u bë se sikur i isha drejtuar një turme të madhe njerëzish: më kuptoni,... të tillë më kuptoni, kështu si jam. Sepse, kështu dhe si të tillë përgjithmonë do t’më mbani në zemër, shpirt e mendje. Posa mbarova këtë “fjalim”, turma qeshte me të madhe, kurse unë,... u stepa me disfavorin e jetës...!


4.
Tani e sa vite kisha vendosur që një libër me vargun tim t’ia kushtoj bashkëshortes sime, e cila ishte dhe është faktori përkushtues i ngritjes dhe i çiltërsisë së familjes. Këtë vepër e realizova dhe e botova këto ditë me “Fjalë e pathënë”. Ishte ky obligim imi shpirtëror, të cilin mendoj se e shpreha shumë ngrohtë: Duke e rikujtuar për të njëmijtën herë rrugëtimin tim aq të gjatë, aq të shkurtër, aq të lumtur, aq të tmerrshëm e të shoqëruar me dritën, me terrin dhe flakën, ku bashkudhëtar kurrë i pandarë ishte shoku im i jetës, bashkëshortja ime, këtë libër ia kushtoj asaj, e cila, gjithherë kur u dashtë dhe në çdo kohë, më trimëroi; kur ishte theqafje, ishte shtyllë e pa rrënuar; kur ishte zjarr, zemrën dhe shpirtin ma flladiste me fjalën e madhështisë së dritës dhe të shpresës, dhe kështu ndërtuam diçka më të madhe se piramidë, që arkitekt, themel dhe çati ishte madhështia dhe çiltërsia e saj.
Kjo është shumë shumë pak çfarë mund të bëj për te, për historinë e ndritur të familjes sime...!
Pra, kjo më mbanë, kjo më bën të fortë, edhe pse nganjëherë ligem me përcëllimin e lotit të burrit...!
 
5.
Kafshimi i gjarprit është histori e vjetër. Kësaj historie, gjithnjë i janë ruajtur të gjithë, por nganjëherë shpërfillja të kafshon më shumë se gjarpri. Këto ditë vape, dëgjoj e lexoj për një ngjarje tragjike në një vend të tokës sonë se si një fëmijë e ka pësuar nga kafshimi i gjarprit. Kishte qenë në fillim të rritës i bashkuar me ëndrra e buzëqeshje, me dashurinë ndaj prindërve edhe ndaj diellit e qiellit. Dhe, në këtë kohë, në këtë fillim shekull, kafshimi i gjarprit del ngadhënjyes, sepse, në spital për momentin nuk kishte pasur ilaç adekuat për ta evituar tragjedinë. Aman, kujt t’ia themi këtë për të na besuar?! Kjo është dhembje me peshën e kohës, me turpin e njeriut.
Duke e shpjeguar këtë trishtim, dikush më tha, kafshimi i gjarprit si mund të jetë sot,... mos është kafshimi i njeriut....! Njësoj, e mos më keq, më tha dikush. Dot nuk thotë kush gjë tjetër.
Edhe diçka. Ka kohë që një mik imi duke ngarë makinën më kishte parë duke kaluar qendrës së qytetit, dhe pas një kohe u takuam, ngrohtë u përshëndetem. Nuk u durua pa më thënë: atë ditë të kam parë me atë çantën tënde plot letra dhe përnjëherë m’u rrotullua andej e këndej jeta. Beso, me zë thash: more Zot, po sa borxh të kemi more njeri!
Kthyem për ta pirë nga një kafe mëngjesi. U stepa me fjalët e tij. Ai, ngriti dhunshëm filxhanin me kafe deri tek goja dhe në atë moment lotët ia përlanë të tërin. Unë, mbaja shikimin në drejtim ku asgjë nuk shihja. Dikur, ktheva shikimin kah ai duke i thënë: kafja e mirë, apo jo?! Të dytë u stepëm. Nuk e di pse...!