Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder R. Hoxha: Poezia për fëmijë e Hasan Hasnait - tema e motive

| E enjte, 06.08.2009, 06:59 PM |


(Rilexime me shkas)

 

        POEZIA PËR FËMIJË E HASAN HASANIT

                  - TEMA E MOTIVE

       

Nga PROF. SKËNDER R. HOXHA

 

     Përveç zhanresh dhe tematikash të shumta që ka lëruar në krijimtarinë letrare të tij, Hasan Hasani i ka dhënë një kontribut të çmuar edhe letërsisë për fëmijë, e cila krijohet për të vegjëlit dhe të rinjtë dhe ka për detyrë kryesore edukimin e tyre. Në opusin e gjerë letrar, Hasani deri më tash botoi këta libra poetikë për fëmijë: 1. “Ajkuna e Rugovës”, Rilindja, Prishtinë, 1978; 2. “Mici e topi”, Rilindja, Prishtinë, 1980; 3. “Tali i Budalinës”, Rilindja, Prishtinë, 1986; 4. “Vallja e shkrimtarëve”, Pionieri, Prishtinë, 1993; 5. “Ezopi e breshka”, Pionieri, Prishtinë, 1995; 6. “Ylberi i shkronjave”, NGB Druekart, Prishtinë, 2000; 7. “Shqipet e shqiponjës”, Vatra, Prishtinë, 2000; 8. “Abetarja e UÇK-së, Vatra, Prishtinë, 2005; dhe 9. “Princesha e Shalës” (dorëshkrim). Këto vepra të Hasan Hasanit  për fëmijë, janë të një rrethi të gjerë tematik, që joshin, jo vetëm lexuesit e vegjël e të rinj, por edhe të rriturit. Laryshia e tyre tematike e motivore, bredhjet e imagjinatës së poetit rreth hulumtimit dhe zbulimit të botës së brenshme të fëmijëve, nxisin interesimet e kritikës letrare për t’i studiuar dhe sheshuar vlerat e këtyre veprave të këtij shkrimtari. Në anë tjetër, shihet qartas se shumë vepra për fëmijë të këtij poeti janë të lidhura ngusht me tematika e motive për vendlindjen, njerëzit dhe fëmijët e saj, me psikologjinë e tyre, pashmangshëm me natyrën, historinë, traditën e atjeshme, me qëndresën dhe luftërat e popullit për liri etj. Ndaj, veprat për fëmijë, të H. Hasanit, kërkojnë analizë të hollë semantike e tematike – motivore, e pse jo edhe estetike e stilistike. Unë, jo pa shkas, do të merrem me to në këtë shkrim timin, me përpjektet që të hulumtoj e zbardh tematika e motive të kësaj begatie letrare për fëmijë. Të them atë që nuk u tha deri më sot, të plotësoj atë boshllëk që i mbeti, si borxh, këtij shkrimtari, përkatësisht krijimtarisë së tij letrare për fëmijë.(?!)

 

Hasan Hasani
Hasan Hasani
1. Frymëzimet dhe natyra

  

     Në krijimtarinë letrare për fëmijë, të Hasanit, sikundër edhe te shumë krijues të tjerë, natyra është ajo bukuroshja që hijeshon e madhëron vargjet me atë bukurinë e saj unikate. Në vargjet për natyrën Hasani kryesisht shtrihet në natyrën e vendlindjes dhe asaj i mbetet besnik, duke i kënduar dhe rikënduar nga vjersha në vjershë. Ai përzgjedh pamje e tablo të asaj natyre (të Rugovës) me të cilat ngusht kishte lidhur frymëzimet, e që për shumëkë ishin mahnitëse, si:

“I mahniti bukuria

 Vezirë e pashallarë,

 Kroje, lisa e tëbana

 Bjeshkët plot me barë” (“Ajkuna e Rugovës”, f.6)

     Ndërsa kur përshkruan natyrën, respektivisht pamjet e peizazhet, poeti shpesh përmend oronimet: grykat, thepat, lugjet, kodrat, kreshtat, shpellat, që janë karakteristike për natyrën e Rugovës, kah vargëzohet për heroizmin e Bike Alisë prej Rugove. Gjithashtu, për poetin janë të paharruara pjesët e bukura të natyrës: Livadhet e Gjakut, Livadhet e Egra, Kroi i Akullit, Kroi i Bardhë, Kodra e Ujkut, Guri i Shkallës, Guri i Kuq, vende këto me të cilat e lidh shumëçka nga fëmijëria, sepse: “Livadheve t’Gjakut me ëndrra jam rritur, (…), Në këto lëndina fëmijëria më mbeti si vesë,” (Përmbledhja “Mici e topi”, vjersha Livadhet e Gjakut, f. 19.); “Çdo ditë n’Livadhe t’Egra dallga buçitte/ …, Delet kullotnin livadheve të pafund/ Bari i gjelbër ta kënaqte surin gjithkund” (Po aty, vj. Livadhet e Egra, f. 20.). Në tërë ciklin “Kroi i Bardhë”, ku vjershat lidhen edhe me gojëdhëna popullore, shquhet tematika e natyrës dhe bukurive të saj, bashkë me mallin e autorit për fëmijërinë e rininë e tij të kaluar atje. Lidhja e frymëzimeve të poetit me natyrën idilike të vendlindjes së tij, shihet edhe në vijim, në vjershat e ciklit “Tinguj fëmijërie” të kësaj përmbledhjeje:

     “Jehon fyelli n’shkrepa

     N’maja, lugje, brigje,

     E unë mallshëm ëndërroj

     Vetveten n’ato shtigje” (vj. Fyelli, f. 35).

     Në vargjet e këtij motivi vërehet raporti simbolik i lidhjes së ngushtë të emocionalitetit të fëmijëve me natyrën dhe fenomenet e saj.

 

2. Vendlindja – djep frymëzimesh                                 

    

     Edhe në mënyrë përshkruese edhe duke shprehur ndjenjat e thella poetike, në poezinë e tij për fëmijë, H. Hasani i këndon vendlindjes me të gjitha nuansat e saj. Vendlindjes me bukuritë e saj, njerëzve dhe dashurisë e respektit ndaj tyre, u këndon me mall e devotshmëri që rrjedhin nga raporti real i poetit me vendlindjen, nga përjetimet dhe mbresat që nuk shlyhen as harrohen lehtë: “Te Guri i kuq ishte ulur mixha Ukë,/ E disa barinj me kavalla në shokë;” (“Mici e topi”, vj. Guri i Kuq, 26).                                      

     Vendlindja për poetin është ai djepi e ëndrrave më të ëmbla, është vendi më i bukur ku edhe vetë, nëpër ato fusha, nëpër ato kodra, rrugë e male të saj, ka lënë lojërat fëmijërore, gëzimet e para, mësimet e para, shokët e fëmijërisë dhe ja se si i kishte evokuar ato:

Me Fijen e Skënderin

Can voglushi i qeshur,      

Vraponte kah shkolla

Torbën krahut ngjeshur.

    Te vjersha “Gjyshi dhe nipi” në përmbledhjen “Ajkuna e Rugovës”, f. 30, poeti Hasani kishte kënduar për lidhjet qytet – vendlindje: “Nga kryeqyteti/ Për në Dukagjin/ Niset Lim Vocrraku/ Andej kah lumi Drin.”, sepse atë: “Atje n’fshatin Pishë/ Thellë në Malësi,/ E pret gjyshi Malë/ Në stacion të ri”. Vogëlushin që kishte shkuar në vendlindje për të kaluar pushimet verore, edhe mixha Musë e kishte përshëndetur me: “A ke mujtë Blerim?/ Mixha Musë i tha;/ Po kthente nga ara/ Me një shat n’krah!” (Po aty, f. 40). 

    Mund të thuhet se vargjet e Hasan Hasanit që flasin për vendlindjen jepin mesazhin e qartë se poeti ishte i lidhur me çdo gjë të vendlindjes. Për të gjitha këto ai këndoi në vargje dhe i paraqet si të përjetuara, si tema të jetës fëmijërore të tij. Së këndejmi, vërehet se poeti i është përkushtuar edhe bukurisë së vargut për të paraqitur edhe më mirë dashurinë dhe mallin e zjarrtë të poetit për vendlindjen.  

 

3. Poeti dhe prindërit

 

Në vargjet për fëmijë, poeti Hasani, në mënyrë karakteristike u këndon prindërve. Nuk gjejmë te Hasani vjersha të kësaj tematike që u kushtohen prindërve në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo vjersha përkushtuese për ta, por vargjet për prindërit janë të ngërthyera gjatë përshkrimit dhe evokimit të ditëve të fëmijërisë të vetë poetit, pra nga jeta e përditshme. Ato jepin njëfarë ditari poetik të asaj pjese të jetës, me realitetin e vendlindjes, ku bashkë me atë realitet portretizohen edhe figurat e prindërve. Vjersha të këtij tipi, në të cilat spikaten figurat e prindërve, në poezinë për fëmijë të këtij autori, gjejmë sidomos në ciklin “Tinguj fëmijërie” të përmbledhjes “Mici e Topi”:

”Uleshim rreth sofrës,

 N’pluhurin e shtëpisë,

Sytë – n’duart e nënës –

N’kallinjtë e dashurisë.”

                      (Vjersha “Sofra”, f. 27)

     Në dy vargjet e fundit të kësaj strofe, shihet se fëmijët drejtonin sytë kah duart e nënës, se çka do t’u sillte në sofër, e në anën tjetër, vargu i fundit, madhështon figurën e nënës, është metaforë që shëmbëllen dhe tingëllon fuqishëm. Në evokim të fëmijërisë, poetit i parafytyrohen momente nga më të ndryshmet, natyrisht, të lidhura me prindërtit e tij, që mund të kuptohen edhe si prindër të atyre brezave:

“Para syve më rri im atë

 Kur nga qyteti ktheu,

 I kërrusur me një trastë,

 Me sy na mbërtheu.” (vj. Kthimi”, 7 28). Ndërsa, kur përshkruan punët e fushës me të cilat i merrej i ati, thotë: “Djersën derdhi im atë/ N’rrahun te shtëpia,/ Shkulte conga, rrënjë/ Dhe ferra e lajthia” (shih, vj. “Rrahu”, f. 30); apo: “Pas larojave babai/ Ngadalë ndanë hullitë,” (vj. “Lavra”, f. 34). Këto vargje mund të lexohen dhe interpretohen edhe ndryshe. Mund të lexohen e kuptohen edhe si vargje që trajtojnë temën e punës, temën e asaj pune të mundimshme. Në mesin e prindërve, poeti kishte portretizuar edhe figurën e gjyshit: “Gjyshi ulur n’odë/ e vështron sharkinë,/ I kujtohen ditët,/ E mallkon pleqërinë.” (vj. “Sharkia, f. 36), i cili ishte në moshë të thyer, por që i kujtohej koha e ikur, gjatë atij vështrimi që i bënte sharkisë, etj., gjithashtu, vargje këto që zgjojnë kërshërinë e lexuesit të vogël. Edhe në këto vargje, vërehet se poeti, gjatë vargëzimit, kujdesshëm i përshtatet psikologjisë së fëmijëve, duke ua bërë të afërt dhe të lehtë për ta kuptuar edhe atë realitet përmes figurave të prindërve, personazhe këto më të dashura dhe më të preferuara për të gjithë fëmijët.

 

4. Qëndresa e popullit shqiptar dhe luftërat për liri

  

     Letërsia jonë për fëmijë është e pasur me vepra që kanë për temë rezistencën dhe luftën e popullit tonë kundër pushtuesve gjatë historisë. Historia e së kaluarës sonë është përplot tema e motive, që janë burim frymëzimesh për t’u shkruar vepra zhanresh të ndryshme për të: (sundimi osman, sllav, të qenit e popullit tonë nën thundrën e tyre për shumë shekuj etj.), në anë tjetër bëmat heroike të figurave tona kombëtare të njohura, tema këto që tingëllojnë edhe si tema historike. Edhe H. Hasani qysh herët iu kishte qasur kësaj teme në poezinë e tij për fëmijë. Te përmbledhja “Ajkuna e Rugovës”, kemi gjetur se dy poemat: “Ajkuna e Rugovës” dhe “At e bir në çetë”, të cilat kanë nga dhjetë këngë, trajtojnë dy periudha historike: atë të luftës së shqiptarëve kundër sundimit turk dhe periudhën e së ashtuquajturës Luftë Nacionalçlirimtare. Në ato raste, krahu rezistues ishte vetë populli, “fuqia e heronjve ishte fuqia e popullit, ideali i tyre ishte ideali që udhëheqte popullin dhe këngëtari s’kishte se si ta hipërbolizonte e ta bënte hero fantastik”1) Ndaj, edhe Hasani nuk pati nevojë të imagjinojë personazhe, por këndoi për qëndresën reale të popujllit dhe heronjtë e tij, për mbrojtjen e trojeve të veta, që i njohin brezat dhe historia.

     Poema “Ajkuna e Rugovës” është një thurinë poetike që rrëfen për trimërinë heroike të Bikë Alisë, malësore nga krahina e Rugovës, të cilën poeti nuk ishte kursyer ta krahasojë me Ajkunën. Ajo bëhet sinonim i një guximi e heroizmi të rrallë të treguar kundër pushtuesve osmanë: “Kjo malësore prej Rugove/ Si Ajkuna pret me shpatë,/ Nder i shkrepave, gjak Kosove/ Mbi nizamë me sopatë” (“Ajkuna e Rugovës”, f. 14),  e cila bashkë me shumë vëllezër e motra u del përballë hordhive të egra turke:

“Të gjithë: gra, fëmijë e burra

Zunë pusi përballë rrezikut

Se ç’ia kthyen shpinën shkëmbit

Se ç’i hapën gjoks armikut…” ( po aty, f. 9).    

    Në mënyrë të kuptueshme, në këtë poemë paraqitet heroizmi i popullit tonë, i gërshetuar me besën e malësorëve të lidhur për të mbrojtur vendin, për çlirim nga turqit. Por, gjithsesi, kryepersonazh mbetet Ajkuna, përkatësisht Bike Alia. Ndërkaq, poema e dytë “At e bir në çetë” ka për temë Luftën Nacionalçlirimtare, ku poeti vijëzon gadishmërinë dhe trimërinë e popullit tonë në luftë kundër fashizmit, temë kjo që, jo rrallë, ka gjetur vend në krijimtarinë letrare shqipe për të rritur dhe për fëmijë. Te kjo poemë e Hasanit gjejmë edhe vullnetin specifik të një vocrraku partizan, i cili, i frymëzuar nga ideali për të luftuar armikun, ishte përgatitur dhe iu kishte vënë prapa të et, që ishte nisur për në çetë, ku dalin maleve dhe bashkohen  në “çetën e plakut Tale”. Dhe, ja se si i kishin pritur atje: “Mirë se vini n’çetën tone/ Ju, o trima – at e bir!/ Partizanët buzagaz/ Vështrojnë Musën plot hir’” (Po aty, poema “At e bir në çetë, f.18). Përveç këtij çunaku, poeti Hasani, në këtë poemë, kishte hedhur në luftë edhe fëmijë të tjerë, përkatësisht edhe dy vajza që ishin bërë pjesëtare të kësaj çete: “Voglushi hapi sytë/ Mos është ëndërr vallë/ Në çetën e Mato Lisit/ Dy vajza me yll në ballë.” (po aty, f. 23). Musës së vogël, partizanit të vogël, iu vra babai me të cilin kishte shkuar në lufë, e me të përfunduar lufta, ai kthehet në shtëpi dhe i drejtohet nënës: “- Nëno, ne krenohemi,/ E kujton brezi i ri;/ Babai ra dëshmor/ Maleve për liri!” (f. 28).

     Ndërkaq, ato pak fije lirie, të një lirie nën okupim, Hasani i kishte paraqitur në dy poemat e fundit të librit “Ajkuna e Rugovës”: “Gjyshi dhe nipi” si dhe “Kënga ime”, në të cilat paraqitet jeta në atë farë lirie, në atë farë jete të re. Fëmijët lëvizin lirshëm dhe shijojnë bukuritë e vendit:

“Nga kryeqyteti

Për në Dukagjin

Niset Lim vocrraku

Andej kah lumi Drin.”

                  (“Ajkuna e Rugovës”, vj. “Gjyshi e nipi”, f. 30)

Poeti, duke evokuar fëmijërinë e tij, nxjerr vargjet joshin fëmijët për të dashur vendin e tyre, shkollën, librin etj., sepse pas pushimeve verore:”Shtatori plot shkëlqim/ Kishte rënë mbi vreshta,/ Portat e shkollave/ Me zile i hapi vjeshta” (Po aty, vj. “Kënga ime”, f. 43).  

     Me motiv nga LNÇ Hasani u kishte kushtuar vargje edhe disa fëmijëve të tjerë, ku do përmendur vjershat për Shaniun dhe Fitneten, të cilat përbëjnë qerthullin e parë të përmbledhjes me poezi për fëmijë “Tali i Budalinës” të këtij autori. Këtu, vjersha me titull “Ylli i kuq” i kushtohet dëshmorit Shani Nushi, nga Gjakova, të cilin fashistët italianë e vranë në Çabrat në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare: “Ishin t’shtëna kobi ato/ Për gjashtëmbëdhjetë pranvera;” (Tali i Budalinës, f. 14), si dhe: “Të shtrinë Shani Nushi,/ Mbi Çabrat të shtrinë;/ Plumbat e tradhtarëve/ Të zunë, por s’ta vranë lavdinë.” (Po aty, f. 16). Ndërsa vjersha “Fitnetja” flet për një heroinë të vogël, e cila kishte shkuar në çetë me babain e saj, me babën Rexhë dhe ajo: “Dhe u rrit Fitnetja nëpër male…, me luftëtarë…, ua qepte rrobat…, ua pastronte plagët…” siç kishte thënë poeti. Fitnetës, në luftë, iu vra babai dhe ajo: … “Ajo e vazhdoi jetën me partizanët/ Derisa nkëto troje lulëzoi liria” (Po aty, f. 24). Pasqyrohet, pra, këtu, pjesëmarrja e fëmijëve në UNÇ, bashkë me të rriturit, si argument që dëshmon gatishmërinë e tyre për ta mbrojtur vendin nga armiqtë. Kemi të bëjë me fenomenin, që jo rrallë thuhet, të burrërimit të parakohshëm të fëmijëve, zëvendësimit të lojërave e lodrave me armë e aksione luftarake.

     Temën e luftës për liri ky autor e vazhdon në poemën “Mici e topi”, në librin me po këtë titull. Poeti këndon me dashuri për shkëmbin e tokës sonë: “Shkëmbi i kësaj toke u rrit me gjakun tonë”, kishte thënë poeti në vargun e parë të vjershës me titull “Shkëmbi i tokës sonë”, (f. 7). Vetë subjekti i poemës është lufta e armatosur dhe rezistenca e vendosur e popullit shqiptar në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo poemë është e frymëzuar nga idetë e zjarrta të dashurisë ndaj atdheut, nga qëndresa heroike dhe sakrifica e popullit tonë për liri, andaj tek lexuesit e vegjël shton dashurinë për atdheun dhe lirinë. Këtu përmbledhen morali patriotik, ideali për luftën për të dalë nga robëria, aktiviteti revolucionar, aksionet, procesi revolucionar që bartej nga njëri në tjetrin dhe situatat e tjera të motivuara nga ai ideal, të cilat bëjnë sintezën e sublimës kombëtare. Ndaj, për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke të atdheut: “Dëgjoni, o shokë lufte,/ Mbledhi u bë n’Prizren,/ Asnjë pëllëmbë toke/ S’e lëshojmë për kend.” (Mici e topi, f. 55). Kjo është porosia me vlera universale kombëtare. Heroizmi i Mic Sokolit zë vendin e merituar. Ai ëashtë kryepersonazhi i kësaj poeme. Për këtë figurë historike dhe trimat e tjerë, gjyshi mjekërbardhë, i rrëfen nipit: “Duke dredhur mustakun/ Ngrihet Mic Sokoli,/ Ngjante në kreshtë mali,/ Shokëve kur u foli” (Mici e topi, f. 54), si dhe numëron bashkëluftëtarët e tjerë të lëvizjes: “Haxhi Zeka i Pejës/ Ali Pasha prej Gucije,/ Smajli, Ali Ibra/ Avdyli prej Taskërie./ Sylë Vokshi, Ymer Prizreni, Shallbardhët, malësorët./ Zbritën maleve tona/ Si qiellit meteorët…/” (Po aty, f.56). Por, Mici: “…Eh, Mici… Mici o nipçe/ E kishte gjoksin bjeshkë” (f. 65). Ai kur kishte marrë vesh që iu kishin vrarë disa shokë, vërsulet mbi armikun:

“Gjoksleshur si div

Armikun përdhe shtrin,

Vë gjoksin n’grykë topi - 

Prapa mbjell lavdinë.” (Mici e topi, f. 70)., vargje këto që tregojnë një shembull të rrallë të trimërisë e të vetëflijimit. Për këtë, në një shkrim të tij, Sh. Galica kishte thënë: “poema “Mici e topi” është një krijim inventiv që të bën për vete. (…) Një vogëlush e dëgjon këngëtarin duke interpretuar një këngë për Mic Sokolin.”2) Gjithashtu: “N’ballë t’malësorëve tanë -/ Sulejman Vokshi n’kali,/ Mustakun si degë lisi,/ Ballin si shpat mali.” (po aty, f. 59), vargje me të cilat jepen pjesë të portretit të atdhetarit Sulejman Vokshi. Një rrëfim interesant, në bashkëbisedim me të vegjlit,  del edhe ai i xha Lamit, i cili në çdo betejë kishte lënë nga një gjymtyrë të trupit. (Shih, në përmbledhjen “Mici e topi”, vj. “Rrëfimi i xha Lamit”, f. 12 – 13). Kështu, duke vargëzuar për shumë luftëtarë të Lëvizjes, duke dhënë përshkrime realiste të ambientit të bukur, edhe vetë tematika merr dimesione të gjera dhe del më interesante për lexuesit e vegjël.

      Është kjo mënyrë e vargëzimit mbi rrëfimin e rrëfimtarit për ngjarjet historike, ku poeti iu kishte kthyer momentit tonë të rëndësishëm historik dhe specifik. Edhe këtu shihet se H. Hasani, edhe në krijimtarinë e tij për fëmijë, ka mënyrën e vet të zgjedhur e të projektuar të këngëtimit, ku për realizimin e saj shpesh ndihmojnë edhe metoda e komunikimit dhe ajo e rrëfimit, qoftë ai rrëfim i drejtpërdrejtë a i tërthortë. Shikuar në këtë rrafsh, të shumtën e herave, poezitë për fëmijë, të Hasan Hasanit, sidomos poemat, marrin karakter rrëfimesh e tregimesh, por ato bëhen të ngrohta kur përshkohen me ngjyra të freskëta të peizazheve. Objektivat kryesore të vargjeve të kësaj tematike janë që tek lexuesit e vegjël të lindin dhe forcohen dy ndjenja: adhurimi ndaj luftëtarëve dhe luftërave çlirimtare, si dhe urrejtja kundër pushtuesve.       

 

5. Ëndrra e madhe për liri dhe sakrifica

 

Robëria e gjatë, e egër, klasike, kurrë nuk fshiu tek shqiptarët ëndrrën për liri, kurrë nuk fshiu ndjenjën e qëndresës, rezistencës për t’u dalë zot trojeve të veta dhe për të luftuar kundër pushtuesve e tradhtarëve. Kjo reflektohet edhe në poezinë e Hasan Hasanit, për fëmijë dhe të rriur, të cilën e krijoi gjatë dhe pas Luftës së lavdishme të UÇK-së. Në librat e këtij zhanri që botoi, pas përfundimit të luftës: “Shqipet e Shqiponjës” (2000), “Abetarja e UÇK-së (2005), si dhe libri në dorëshkrim “Princesha e Shalës” (por e botuar në revistën “Pionieri”, me titull “Erjona e gjyshi nëpër Kosovë”), Hasani me përkushtim i kthehet temës së luftës.

     Në vëllimin poetik “Shqipet e Shqiponjës”, fund e krye kemi të bëjë me temën e luftës. Janë aty vjershat përkushtuese për dëshmorët e fshatit Shqiponjë (ish-Jabllanicë) e Dushkajës: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Sadri Zeneli, Dritan Zeneli, Naser Brahimi dhe Luan Smajli, të cilët, si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhanë jetën në fushë të nderit me armë në duar për çlirimin e nga hordhitë barbare serbo-çetnike, - si dhe Lokemadhen e Shqiponjës, Azë Brahimaj, e cila ishte NËNË për të gjithë ushtarët e anembanë Kosovës që kaluan nëpër shtëpinë dhe sofrën e saj për vite me radhë.

     Heroizmi i këtyre luftëtarëve është shembulli më i mirë se si mbrohet atdheu dhe si luftohet kundër armikut. Tiparet e tyre, idealin e lartë për t’i dalë zot atdheut etj., poeti Hasani i tha në vargje të gdhendura mirë poetikisht, duke gërshetuar dhembjen dhe krenarinë për ta: “Myrta i Rexhës ky shkëmb bjeshke/ Për Kosovë u dogj flakë eshke” (vjersha “Myrta i Rexhë Binak Zenelit”, f. 15). Ai ishte sypatrembur dhe: “Rroku armën drejt maleve mësyu/ Me një çetë djemsh nga Dushkaja” (po, aty, f. 16). Mirëpo, rënia e luftëtarit të lirisë te poeti përjetohet dhe shprehet me atë dhembjen që lëshon jehonë, që ngritet deri te mitika, siç e thotë në vjershën kushtuar dëshmorit Driton Zeneli: “Thonë u ndal dielli atë ditë/ Mbi tokë rreze nuk po lëshonte” (f. 24); Vdekjet për liri, nuk janë vdekje. Këtë e thotë edhe poeti Hasani kur vargëzon për dëshmorin Agim Zeneli, i cili kishte rënë heroikisht në Rogovë të Hasit, gjatë rrugëtimit për armatim: “Burrat vriten por nuk vdesin/ Në ballë Kosove ata mbesin!” (f. 30). Po në Rogovë të Hasit, bashkë me Agimin dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, që u tradhtuan, ra edhe luftëtari tjetër nga Shqiponja, Luan Smajli, i cili: “Krah për krah me bacë Agimin/ Për Kosovë ky dha betimin” (f. 31). Këtu del edhe ofshama dhe mallkimi i poetit: “Has i Thatë o Has i Thatë/ Drini nuk ta falë tradhtinë” (vj. “Luani i Avdi Januz Smajlit”, f. 31). Në po këtë vjershë, poeti, me dhembë e me krenari përfundon:

“Ç’u mbush Shqiponja me lapidarë

          Dit’ për dit’ ia shtojnë hijeshinë,

 Këta petrita do t’i prarojmë me ar

         Nëna Azë n’ballë t’tyre prinë,

Myrta, Agimi, Sadria legjendarë

          Dritani, Naseri, Luani me rininë” (f. 33).

     Heroizmi i luftëtarëve të Shqiponjës ishte i pashoq, që shquhet edhe në vargje: “S’dal nga istikami, atdheun nuk e shes/ Duke vra çetnikë këtu do të vdes” (…), apo: “Hajde Naser Rexha rrufe e korrikut/ I le nam atdheut, kudo Dukagjinit” (f. 37). Trimat e Shqiponjës s’e njohin frikën, ata: “E bëjnë dekën s’e njohin ikën -/ Sadri trimi me shqipe mali/ Që Kosovës gjakun ia fail” (f. 41). Heroizmi i Sadriut, bashkë me trimat e tjerë nuk do të harrohet: “Heu, Sadri trimi, o mjekërbardhë/ I le nam krejt Jabllanicës/ Shokëve trima në aradhë/ Feronikelit dhe Drenicës,” (f. 43). Lufta e tyre solli lirinë, ndaj poeti shpreh edhe bekimin për ta, në strofën e fundit të vjershës “Shqipet e Shqiponjës” të këtij libri:

    “Gjaku juaj u bëftë dritë

               Dhe Kosovën ma ndriçoftë,

     Këtë me shekuj e kemi pritë

              Nami juaj kurrë mos u shoftë,

     Këndojnë poetët dhe çiftelitë

               Gjaku juaj prore u rinoftë –

     Ballin lart ju mori nëna

               T’u rrezojë Dielli e Hëna.” (f. 48 ). 

 

  Temën e luftës për liri, përkatësisht Luftës Çlirimtare të UÇK-së, poeti Hasani ka vazhduar ta trajtojë edhe në poezitë e librit të tij për fëmijë “Abetarja e UÇK-së”, ndërsa në pjesët teatrale për fëmijë, të po këtij libri, Hasani prapë iu kishte kthyer  tematikës së Luftës së Dytë Botërore, me luftëtarët, dëshmorët, tragjikat individuale e familjare që kishin pësuar familjet shqiptare në atë luftë, si ajo e Sokolit, e Fitnetes, etj.

     Autori niset nga shkronja A - simbolikën e fillimit të shkronjave, fillimin e historisë sonë më të re që identifikon me Adem Jasharin: “Adem Jashari/ Me ty zu fill historia,/” (“Abetarja e UÇK-së”, f. 7), e për të këngëtuar, sipas rendit alfabetik, për dëshmorët, si: Edmondi, Fehmi Lladrovci, Xheva, Halit Asllani, Elton Zyerka, Permet Vula, Bekim Berisha, Bedri Shala, Sali Çeku, Agim Ramadani, Lokemadhja – Azë Brahimi, Mujë Kapuçi, Njëzet e dy dëshmorët e Jasharajve, trim Adriani, Zahir Shkaba trim i Llapit, Ukshin Hoti, Vesel Demaku, Luani dhe Shkëlzeni, Myrtë, Agim, Dritan e Sadri Zeneli; për vendbanime (ojkonime e toponime) shqiptare nëpër të cilat u bënë shumë beteja për liri: Bajgora (“Bajgora n’këmbë/ Me armë mat burrërinë”, f.7), Dukagjini (“Dukagjin baroti/ Fytas shekujve me Serbi”, f. 8), Gllogjani (“Gllogjani si Kruja/ Nga zemra nxjerr prushin”, f. 10), Gjakova (“Gjakova u la në gjak/ Çabrati veshur me flamur”, f. 10), Izbica (“Izbicë moj shqipe/ Serbbarbarët të masakruan”, f. 11), Juniku (“Junik i lashtë – Çerdhe trimash nga Kosova”, f. 11), Kosharja (“Koshare-pellg gjaku/ Jetë a vdekje fyt me fyt”, f. 11), Llap e Gallap (“Llap e Gallap/ Djegin si rrufetë”, f. 12), Prekazi (“Prekaz ngjyrëgjaku/ Diell hyre në legjendë”, f.14), Reçaku (“Reçak e gjak/ Tmerrove zemrat nëpër botë”, f. 14), Smolicë (“Smolicë vigane/ Struke n’gji djem petrita”, f. 15), Sukë e Cërmjanit (“N’Sukë t’Cërmjanit/ zana n’majë”, po aty, f. 15), Shqiponjë (“Shqiponja n’Dushkajë/ U dogj dhe u poç tri herë/ … S’dorëzohet jo, Shqiponja burra.”, f. 15), Gllogovci (“Tym e flakë vie nga Gllogovci”, f. 17). Në këto poezi gjejmë edhe pamje të trishta, banga shkollore të zbrazëta, nxënës të vrarë, pamje robërie, masakra, emra kullash, pragje të lara në gjak etj., por mbizotëron emri Kosovë dhe fjala liri. Ndërkaq, një këngëtim i fortë elegjiak me titull “Malli për poetin” kushtuar shkrimtarit Ymer Elshani, të cilin kriminelët serbë në pranverën e vitit 1999 e vranë bashkë me nënën, gruan dhe katër djemtë, shenjon një nga aktet e shëmtisë së dorës gjakatare serbiane dhe një nga rastet e shumta që shqiptarët përjetuan në luftën për liri. Ja një strofë e kësaj elegjie të shkruar gjashtë vjet pas:

“Shpirtvrarë vizitojmë Poklekun, Drenicën

Ne, miq e shokë, stepur nga murlani

Shtatë varre stolisin tokëkuqen – mornicën

                                             Ymer Elshani.”

                                                          (“Abetarja e UÇK-së”, vj.“Malli për poetin”, 33)  

     Por, lufta, siç dëshmon historia, është vula më e fuqishme që siguron lirinë, ndaj, Hasani, temën e luftës, edhe në këtë tufë vjershash, e bëri brum lirie për t’ua afruar fëmijëve në vargje, për t’ua mësuar atyre atë, po sikurse i mësojnë shkronjat dhe abetaren. Është një evokim i një të kaluare të afërt, ku breza fëmijësh tanë përjetuan tmerrin, krismat e armëve, barbarinëe serbiane… Por, edhe shquhen porositë – detyrat për ta mbrojtur atdheun.      

     Paksa më ndryshe, temën e luftës Hasani e kishte projektuar dhe realizuar në përmbledhjen në dorëshkrim “Princesha e Shalës”. Një cikël të këtij libri përbën poema “Erjona e Gjyshi nëpër Kosovë”, që në fund mban vitin e shkrimit 2005. Poema është interesante dhe është një bashkëbisedim i disa vogëlushëve për luftën, kryeprotagonistët e saj, vendet e luftimeve të UÇK-së etj., e konceptuar mbi bazë të vizitave të Erjonës, bashkë me gjyshin e saj, nëpër disa vende të Kosovës, apo siç e thotë edhe poeti në ballë të poemës: “Erjona, një ditë e ulur në lëndinë, u rrëfen vogëlushëve më të vegjël: Drenit, Oltës, Dafinës dhe Erit për vizitën që bashkë me gjyshin Can kishte bërë nëpër disa vende të Kosovës, në disa fshatra ku ishin zhvilluar luftëra të ashpra me serbët gjatë vitit 1998 – 1999, me ç’rast kishin ra shumë dëshmorë, por edhe shumë viktima, meqë forcat serbe nga humbjet që përsonin nga forcat e UÇK-së, hakmerreshin ndaj civilëve të pambrojtur duke vrarë pleq, plaka, gra dhe fëmijë, njëherësh duke djegur fshatra e qytete rrafsh me tokë”. Pra, rrëfimi bashkëbisedues (përmes pyetjesh dhe përgjigjesh), ku disa shokë e shoqe dialogojnë me Erjonën, lexuesve të vegjël u jepin tablo imagjinative dhe reale për Luftën Çlirimtare të UÇK-së: “Aty seç na priti/ Baca Shaban i pari./ Hamza si vigan/ Shqiponja Adem Jashari.”, (Përmbledhja në dorëshkrim “Princesha e Shalës”).Pastaj vargjat: “I vizituam kullat”, …, “Arritëm n’Skënderaj”, …, “Rrugës nuk harruam? Kthyem te Xheva – Fehmiu”, … “Një vizitë të shkurtër/ Izbicës ia bëmë”, …, “Vizituam dhe Qyshkun/ Lypeniçin rrëzë bjeshke”, …, “Diku para drake/ Arritëm në Gllogjan/, …, “Luani, Shkëlzeni, Enveri/ N’ballë t’atdheut ushtarë”, …, “Ndërsa në Koshare/ 117 luftëtarë ranë/ Agim Ramadani/ Shqiponjë në këto anë”, …, “Edhe një dukagjinas/ I thonë Sali Çeku/, …, “Kur arritëm n’Dushkajë/ Te lisat mijëvjeçarë/ Aty n’Zabel t’Gojanit/ Preheshin shumë legjendarë./ Myrta dhe Sadriu/ Naseri dhe Agimi/ Dritani dhe Luani -/, …, Më tutje heroina Azë”, …, “Në rrugë e sipër kaluam/ Nëpër Krushën martire/, …, U ndalëm n’Landovicë, …, Vazhduam për në Kleçkë”, …, “Një vizitë të shkurtër/ Ia bëmë edhe Reçakut…”3) etj., vërtet janë një histori dhe një gjeografi në miniaturë, e thënë në vargje. Secili lexues mund t’i përjetojë  këto vargje, sikurse edhe vetë të kishte qenë bashkudhëtar me Erjonën dhe gjyshin e saj, sikur të ishin protagonistë të asaj drame. Duhet thënë se kjo mënyrë e vargëzimit të Hasan Hasanit, është mënyrë e rrallë e vargëzimit dhe është pasuri për letësinë tonë për fëmijë.

   

6. Shtresimet sociale të fëmijërisë

    

     Poezia për fëmijë e H. Hasanit, gjithnjë lë përshtypjet se frymëzimet e autorit, kryesisht, janë të lidhura me natyrën idilike të vendlindjes. Në atë shumësi temash e motivesh, gjejmë fëmijërinë e poetit me vuajtje e varfëri, vuajtje që nënkupton dimensione sociale të shumë brezave me fëmijëri skamnore. Vargjet e këtij motivi janë simbolikë e transponim i shtresimeve reale të kohës, sidomos shtresimet sociale të një jete të vështirë që kanë përjetuar shumë e shumë breza edhe në një të kaluar jot ë largët. Shih për këtë, në vjershën “Postaja”, në librin “Mici e topi”, 29:

“Mbi një copë postajë

Të shkyer në betejë,

Mbet fëmijëria ime

Për t’cilën ju rrëfej.”

Ndërsa në vjershën “Sofra” (Po aty, f. 27), pasqyrohet sofra e varfër që simbolizon atë përditshmëri të varfër, ku fëmijët hanin bukën me lëng (lëng djathi):

”- Hani ju pastë nëna,

Lëngu faqet jua skuq!”

Kokën e kthente anash,

Loti s’i shkonte huq!”. Pra, në atë jetë të rëndë sociale, nëna s’kishte sesi të mos qante kur s’kishte çka t’u qesë fëmijëve të hanë në sofër. Janë këto vargje që përgjithmonë ruajnë vulën dhe domethënien e kohës, të asaj kohe që i këndohet.

 Është kjo ndër temat më të vështira për t’u realizuar, sepse në sajimin e kësaj tematike që iu dedikohet fëmijëve, poeti duhet pasur parasysh veçoritë e imagjinatës së tyre dhe detyrë kryesore ka mosndërlikimin e marrëdhënieve sociale dhe të ndërlidhet me çështje e probleme historike, për aq, sa fëmijët mund t’i kuptojnë dhe t’iu përgjigjen interesave të tyre.

  

7. Poeti dhe përralla

     Letërsia shqipe për fëmijë është krijuar shekuj më parë dhe ka një traditë të pasur, e cila, më së shumti është mbështetur në letërsinë gojore apo folklorin popullor dhe pikërisht aty gjejmë burimet e letërsisë sonë për të vegjlit.

     Hasan Hasanin e gjejmë të ketë marrë tema, motive e subjekte nga letërsia popullore, të cilat, në krijimtarinë e tij për të rritur dhe në atë për fëmijë, falë imagjinatës dhe talentit të tij krijues, i ka strukturuar, përshtatur, aktualizuar dhe u ka dhënë ngjyrime poetiko-estetike e stilistike, si dhe edukative. Duke bërë përpjekjet e tij të vazhdueshme që sa më tepër të futet në botën e fëmijëve, Hasan Hasani, sikurse edhe shumë poetë të tjerë, kishte marrë edhe përrallën, pra përrallën poetike, që edhe përmjet saj të komunikojë me të vegjlit. Në krijimtarinë e tij për fëmijë, Hasani, këtë motiv e realizoi me sukses në përrallën “Tali u Budalinës”,  përrallë kjo që është edhe te vëllezërit Grim, me titull “Rrobaqepësi guximtar”. Te Hasani, kryepersonazhi i përrallës në fjalë, Tale Budalina, jetonte diku në krahinën e Dushkajës. Nga atje ai nis aventurat, ndërsa për bashkëudhëtarë merr fëmijët, të cilëve edhe u dedikohet përralla: “A nisemi të dashur fëmijë/ Së bashku me këtë përrallë?/ Do hasim në aventura/ Të Tales “trim” të rrallë!” (“Tali i Budalinës”, f. 37). Aventurat e Tales, i cili “n’sy kish marrë arratinë”, sikur i shëmbëllenin atyre të Don Kishotit. Rrëfimi përrallor është dinamik, me fantastikën që është karakteristkë e përrallave, por që nga strofa në strofë ndeshim skena e veprime interesante të cilat zgjojnë kërshërinë e lexuesve të vegjël. Në të shumtën e herave ato janë qesharake. Tale, në një dollap, me shpatën e tij i kishte mbytur shtatë minj, e për këtë i kishte shkuar te farkatari dhe i kishte thënë: “ – Usta, ma shkruaj në shpatë/ Me shkronja ari një fjali: “Ky trim me një të rame/ I ka mbytur shtatë mi’!...” (f. 45) dhe kur mbreti Tul kishte qitur një patrullë të shikonte kasabanë, ata kishin gjetur Talen tek po flinte në Zabel të Gojanit dhe: “Kur ia vërejtën shpatën/ Dhe të shenjtën fjali:/ - Ky trim me një t’rame/ I ka mbytur shtatë mi’!” (Po aty, f. 48). Kur i tregojnë mbretit, ai mobilizon ushtrinë dhe e zënë Talen, i cili prapë ishte ballafaquar edhe me aventura e peripeci të tjera. Ai arriti të jetë edhe në oborrin mbretëror, meqë “aventura” dhe “trimëria” ende i shkonin mbarë, falë njëlloj mençurie e shkathtësie, njëlloj “fati” për të kapërcyer situata e sprova të ndryshme, Tale arrin që mbreti t’ia japë për grua bijën e tij, Bardhën, ndërsa atë ta emërojë për trashëgimtar, pra bëhet mbret:

“Nga ditë e sotme n’mbretëri

Tale do të sundojë si mbret,

Time bijë, t’bukurën bardhë

Sonte do ta fusë në xherdek!”

                                      (Tali i Budalinës, f. 72)

     Kështu edhe kishte përfunduar përralla për Talin e Budalinës, e cila, gjithsesi mbetet e preferuar për lexuesit e vegjël, me porosinë se njeriu duhet të bëjë përpjekje për zgjidhje dhe mos të ligështohet para situatave të ndryshme, por të dalë fitimtar, pra të ngadhënjejë e mira. Ndërkaq, zhdërvjelltësia, puna , e mundi, kurdoherë jepin rezultate pozitive. Në një plan të përgjithshëm, rëndësia e saj qëndron edhe në faktin se përralla është gjinia më e përhapur e folklorit popullor që e lexojnë fëmijët. Apo, siç kishte thënë B. Dedja: “Baza e shëndoshë mbi të cilën lindi dhe u zhvillua letërsia artistike për fëmijë, është folklori popullor.”4)

Përndryshe, Hasani, në këtë përrallë, përdori vargun e shkurtër e melodik, tregoi mjeshtërinë e tij imagjinative e krijuese, pra bëri këtë realizim artistik shumë të mirë të këtij zhanri.

     

8. Përrallëzat mbi kafshët, apo Ezopi në Kosovë

    

     Temën e të bërit të përrallës krijim artistik për fëmijë, Hasan Hasani e vazhdoi edhe në shkrime të mëvonshme që i botoi në librin “Ezopi e breshka” (1995). E veçanta e kësaj përmbledhjeje me 52 vjersha për fëmijë është se si poetit i kishte ardhur ideja që ta sjellë në Kosovë Ezopin, “përrallëtarin e njohur nga Helada, që të qëndrojë një verë në mes të plisbardhëve, që t’u mësojë atyre fshehtësi e përralla”5). Për këtë, vjersha e parë e këtij libri i kushtohet ardhjes së autorit të njohur të përrallave:

“Sihariq! Na erdh Ezopi

Ai përrallëtari mendjendritur,

Nën gunë i vezullon shkopi

Ndër shekuj urtiskalitur!”

                      (vj. “Mirë se vjen, Ezop”, f. 5)   

       Është e njohur se interesimi i fëmijëve për jetën, veprimet dhe sjelljet e kafshëve është joshës dhe vazhdimisht tërheq kureshtjen e tyre. Në këto fabula janë përfshirë një numër i madh kafshësh të buta e të egra, për çka edhe interesimi i fëmijëve për jetën, veprimet dhe sjelljet e kafshëve është i madh, joshës dhe tërheq kureshtjen e tyre. Nga kjo kureshtje, fëmijët shpesh pyesin prindërit dhe mësuesit, se si jetojnë kafshët, si komunikojnë ndërmjet veti, me çka ushqehen? etj. Duke u bazuar në tema e motive të përrallëzave, poeti Hasani ka shkruar vjersha për të vegjlit, për t’ua bërë atyre të afërta veprimet e ujkut, të dhelprës, të luanit, të arushës, të gjarprit etj., në raport me shtazë të tjera, si me breshkën, lepurin, kaprollin, delet, qenin, kalin, gomarin etj., e ndonjëherë edhe në raport me njeriun. Ezopi e kishte mallkuar breshkën që ta bartë përgjithmonë shtëpinë mbi supe, ngase ajo nuk i kishte shkuar në dasmë: “Thonë Ezopi u zemërua/ Dhe mallkoi me urti:/ - Tërë jetën mbi supe/ E bartësh atë shtëpi!” (vj. “Ezopi e breshka”, f. 38). Apo rasti kur breshka e lut shqiponjën ta marrë në fluturim, e gjatë fluturimit ajo kishte kërkuar nga shqiponja ta lëshojë e të fluturojë vetë. Breshka, në pamundësi fluturimi,  përplaset në kreshta, por duke dhënë shpirt, e qorton shqiponjën: “ – Motër, pse ua vure veshin/ Budallëqeve të mia?!” (f. 40). Janë këto porosi të poetit që të jemi të matur para çdo veprimi, por, fundja, nga pësimet të mësohet. 

Dhe më në fund, Ezopi ishte larguar nga Kosova: “N’atë fund vere u bë gati/ Mori shkopin e fyellin magjik!”, vargje nga vjersha “Lamtumirë, Ezop”, (f. 62), me të cilën Hasani e përmbyll këtë libër  me përrallëza poetike – dhuratë e çmuar për fëmijët.

     Në këto vjersha për fëmijë të kësaj përmbledhjeje, pra, bëhet fjalë për bëmat e kafshëve. Në to, diku ka mençuri, diku ka pamaturi, diku ka tradhti, diku ka mashtrime, diku ka lajka, diku ka besnikëri, diku miqësi etj., elemente këto të përrallave e përrallëzave, por që bartin mesazhin e vet. Këtu lexuesit e vegjël kuptojnë temperamentin e shtazëve, mësojnë për karaktere, sjellje e veprime  të tyre që mund të krahasohen edhe me ato njerëzve, pra, nxjerrin mësime të dobishme për jetën, si: zgjuarësinë, zhdërvjelltësinë, gjeturinë, sinqeritetin, si dhe për shumë gjëra me të cilat mund të të ballafaqojë jeta. Përndryshe, shfrytëzimi mjeshtëror e i matur i subjektit të përrallës, ashtu siç e bëri Hasani, rezulton me ndërtimin artistik me vlera që kënaq nevojat e lexuesve dhe përmbush edhe atë që shpesh thuhet se përrallat janë ushqim shpirtëror e mendor i fëmijëve.

 

9. Loja dhe dimensionet e saj

      Loja është pjesa më e ëmbël e fëmijëve. Pa lojë s’do të kishte kuptim as bota fëmijërore, ajo është ushqim i jetës së tyre. Poeti Hasani, disa vjersha të tij për fëmijë, lojën e vuri në konstelacion me kuptime të shumta, si: me zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve, mësimin, shkollën, shokët, shoqet, dashurinë ndaj prindërve, relaksimin psikik të tyre etj. Të këtij motivi janë disa vjersha në përmbledhjen poetike për fëmijë “Tali i Budalinës” (1986), në ciklin  Fëmijët dhe shokët e tyre”. Në disa vargje, aty, lojërat ndihmojnë edhe në mësime:

“Edhe shoqet e tjera

N’lojëra i pranojnë,

Me lodra e katrore

Abecenë e mësojnë…”

                                    (Vj. “Lumja”, f. 33).

Natyrisht, se shoqërimi midis fëmijëve vjen kryesisht gjatë lojërave. Ja se ç’bëjnë shoqet Violeta e Dafina: “Të dyja kokë për kokë/ Hedhin lodrat para;/ Kukullën e bëjnë nuse,/ Sytë ia bëjnë me lara./, (vj. “Violeta”, f. 34). Apo, kur Saranda e vogël ishte shoqëruar me Butrintin, saqë gjatë lojërave: ”U përkundën në një luhajë/ As gjumi s’i ndante dot”… dhe ajo, kur pak ishte rritur: “Në lojë me vashëzat e lagjes/ Butrintin e thërret më rrallë”, (vj. “Saranda, f. 35). Ndaj, loja bëhet si pjesë e rëndësishme e poezisë dhe merr karakter të afërisë, të njohjes, të dashurisë reciproke të fëmijëve, por edhe edukativ-arsimor. Valoni e Blerimi janë shokë. Një ditë Valoni i drejtohet babait të Blerimit:

“Unë atë e kam shok

Ashtu edhe ai mua;

Ju flisni për vjersha,

Unë lodrat i dua.”

                           (vj. “Valoni”, f. 31).

Pra, janë këto poezi të Hasanit ku tregohet dashuria ndaj lojës. Nga këto vargje, gjithashtu, shihet se loja e fëmijëve në poezi, përveç argëtimit dhe gjuhës së komunikimit, i jep hijeshi vargut dhe sintetizon bukurinë e artit.      

 

10. Poeti gjysh dhe mbesa

     Gjyshi dhe gjyshja janë shumë të dashur për nipa dhe mbesa. Ata u tregojnë përralla, shëtisin me ta, bëjnë shaka, i përqafojnë, i edukojnë dhe i duan shumë. Qëllon që ndonjë gjysh të jetë edhe shkrimtar, atëherë, ai, do të shkruajë vargje e tregime për ta.

      Disa vjersha të kësaj tematike, ku poeti Hasani vargëzon nga pozita e gjyshit, vargëzon për mbesën e tij Erjonën, të cilën herë e quan princesha Erjonë, herë e quan princesha e Shalës, i gjejmë në përmbledhjen “Princesha e Shalës”. Relacionet mbi të cilat kanë bazën frymëzimet poetike janë: ardhjet e Erjonës nga Shala në Prishtinë (te gjyshi – poeti Hasan):

“Në ballkon shikoi 

Gjyshin duke pritur,

Ëmbël e përshëndeti

Dorën duke ngritur.”

                      (vj. “Nga Shala në Prishtinë”)

Ndërsa, nga gëzimi që kishte ardhur mbesa Erjonë: “U gjallërua pallati/ Që erdhi Erjona,/ Gëzimi hyri n’shtëpi/ Gjer në orët e vona.” (Po aty). Por ndonjë shqetësim i gjyshit ndodh (kur ajo qan): “U shqetësua gjyshi/ Sonte në Prishtinë/ Princesha e Shalës/ Vaje mbush shtëpinë.” Dhe nga ai shqetësim: “Gjyshi s’gjente prehje/ Sytë heshtur i lotonin.”, (Po aty, vj. ”U shqetësua gjyshi”). Pastaj telefonatat me celular, gjyshi e thërret Erjonën dhe Erjona Ghyshin: “Gjyshi nga Prishtina/ Shpesh me celular/ E thërret Erjonën/ Ta dëgjojë duke qarë” (vj. Gjyshi me celular”). Janë këto edhe refleks i një dashurie të gjyshit ndaj mbesës, ku edhe thotë: “Unë gjyshi tekanjoz/ E dua pa kufi,” (vj. “I këndoj te veshi”). Por, tash edhe Erjona, paksa është rritur dhe e thërret gjyshin:

“Cingëron celulari    

Aty afër, n’tavolinë

- Gjyshi im i mirë

Nesër vij n’Prishtinë.”

                             (vj. “Gjysh, nesër vi në Prishtinë)

Kështu, ndodh edhe ndonjëherë kur: “Erjona në Shalë/ Gjyshi në Prishtinë/ Bisedojnë së bashku/ Të heshtur kur rrijnë.”, (vj. “A i ke vizatuar shqipet”). Kur Erjona shkon nga Prishtina në Shalë, gjyshi e përcjell me vargjet: “Shko dhe mos m’harro/ Mbesa ime Erjonë,/ Gjyshi për çdo ditë/ Me telefon të fton.” (vj. “Shko Erjonë, shko”). Kurse nga malli, gjyshi e thërret: “Eja Erjonë, eja/ Gjyshin ka marrë malli./ N’ëndërr t’ka pa mbrëmë/ Dhe e rroku zavalli” (vj. “Eja Erjonë, eja”. Në përshkrim të ndonjë telefonate, rrjedhin vargje të preferuara për fëmijë, vargje të paidealizuara, vargje që shenjëzojnë realitetin dhe dialektikën e fenomenit kohor: “Alo Erjonë, alo/ Gjyshi n’telefon.”…, “Alo babagjysh, alo/ Po të flet Erjona.”, apo: “ Kështu Erjona e gjyshi/ Flasin në telefon,/ Nuk di kush më shumë/ Njëri tjetrin e don.” (vj. “Alo Erjonë, Alo”). Erjona e thërret gjyshin edhe kur shkon në det: “Gjysh i dashur gjysh/ T’përshëndes nga Durrësi,” … dhe: “Në fund gjysh i dashur/ Nga Durrësi t’përqafoj/ Se shpejti vij n’Prishtinë/ Për t’gjitha do t’tregoj”, (Po aty, vj. “Pëshëndetje nga Durrësi”).   

Ndërkaq, në një udhëtim nëpër Kosovë që bëjnë gjyshi Can (kupto: Hasani) me mbesën Erjonë, ndeshim vargje që shprehin dashurinë e poetit gjysh ndaj mbesës së tij, si: “Tok me gjyshin tim”, …, “Gjyshi vetëm ty/ Përherë të mban ngat.”, …, “Edhe gjyshi Can”, …, “Shtëpinë e gjyshit Can”, …, “Gjyshi i përqafoi” etj., (Nga vjersha “Erjona e Gjyshi nëpër Kosovë”). Në anën tjetër, janë këto disa nga vargjet që reflektojnë edhe mënyrën e komunikimit të drejtpërdrejtë të poetit gjysh me mbesën e tij, që shpreh afërinë midis tyre, pa idealizime, por me gjuhën e kuptueshme dhe bisedën në nivel të fëmijëve, detyra këto që duhet t’i plotësojë çdo krijim i letërsisë për fëmijë.

 

11. Poeti dhe përkushtimi për shkrimtarët

    

     Nuk janë të pakta poezitë përkushtuese kur poeti i këndon në vargje një poeti a një shkrimtari tjetër, qoftë për së gjalli të tij, apo pas vdekjes. Mirëpo, të shkruash  vjersha për 57 shkrimtarë, gjejmë te poeti Hasan Hasani, në përmbledhjen poetike për fëmijë më titull “Vallja e shkrimtarëve”(1993). Është kjo një punë e rrallë përkushtuese, ku poeti ka paraqitur, sit ë thuash, një leksikon në vargje, meqë, në këto vjersha,  për çdo shkrimtarë janë dhënë edhe titujt e veprave të tyre. Pra, janë vjersha me elemente biografike e bibliografike. Edhe këtë tematikë, Hasani e ka realizuar sipas një skematizimi të caktuar: niset nga shkrimtarët e vjetër, vazhdon me ata të traditës e të letërsisë bashkëkohore dhe përfundon me një vjershë kushtuar vetvetes.  Secila prej këtyre vjershave ka karakteristikat e veta, sikundër që secili shkrimtarë ka të veçantat e veta, ndaj edhe tek fëmijët zgjohet kureshtja që nga vjersha në vjershë të mësojnë diçka të re, diçka që nuk kanë pasur rastin ta dinë më parë. Kureshtjen e lexuesve të vegjël, poeti Hasani e provokon që nga vjersha e parë me titull “Vallja e shkrimtarëve”, me të cilën edhe niset ky libër, ngase:

“Voglushët këndojnë n’kor gazmor, 

Kënga dridh dyer e dritare,

Shëmtia zhduket si uji nëntokësor –

Kur hedhin valle shkrimtarët!”

                                     (vj. “Vallja e shkrimtarëve”, f. 3)

Poeti në vargun e parë të vjershës kushtuar Gjon Buzukut thotë: “Të parin libër na dhurove, …, Dhe nga Meshari e filluam!” (f. 4), ndërsa në vjershën për Pjetër Budin jep sublimën në dy vargjet e para: “Në Guri të Bardhë të Matit/ U lind i pari vjershëtor”, për të mos harruar edhe martirizimin e tij në vargun e fundit: “Valë e Drinit kur t’rrëmbeu”. Për Pjetër Bogdanin: “Në Guri të Thatë të Hasit/ U lind i pari prozator” (f. 6); Gjon Nikollë Kazazit i atribuohet me: “I pari që e zbuloi Mesharin” (f. 7), kurse me: “Të parin Fjalor në shqipe/ E shkrove o bir shkëmbor, poeti i jep vlerën kur vargëzon për Kristoforidhin ”(f. 8), e për të vazhduar me de Radën: “N’valle Milosao – hedh shaminë Rina/ Këngë arbëri rron – edhe Serafina”(f. 9), ku përmenden edhe titujt e ndonjë vepre. Hasani, fëmijëve ua bën të afërt Naum veçilharxhin me vargjet: “Fare i ri Ëvetar shqip”/ Ishte Abetarja jonë e parë.” (f. 10).

“Zëri i tij si zë bilbili”, kishte thënë poeti për naim Frashërin, e më tej:

“I këndoi Gjonit – Skënderbeut

N’Lule t’verës tok me fyell,/

Qërbelsë – hijes tradhtisë/

Që t’na ngrohi ne një diell!” (vj. Naim Frashëri, f. 11).

    Rrugëtimin vargëzues për shkrimtarët, Hasani e vazhdoi me Zef Seremben, të cilin në një varg e quan: “Zef Serembe – zjarr Gjeniu” (f. 12); për Çajupin thotë: “Fëmijët i desh me zjarr e bujë./ U rrëfeve për bjeshkët e larta/ Për Baba Tomorrin, kreshniken Krujë/ Ku balta është e ëmbël si mjalta” (f. 13). Në vazhdim, vjersha të kësaj tematike fëmijët i gjejnë ato për Ndre Mjedjen, Luigj Gurakuqin, Filip Shirokën, Hil Mosin, Asdrenin, Fan Nolin, Migjenin, Ali Asllanin, Qamil Guranjakun, Hivzi Sulejmanin, Tajar Hatipin, Kolë Jakovën, Anton Çettën, Bedri Dedjen, Mark Krasniqin, Rexhep Hoxhën, Selman Vaçarin, Mehmedali Hoxhën, Mojsi Zaloshnjën, Ali Huruglicën, Naum Priftin, Qamil Batallin, Ismail Kadaren, Maksut Shehun, Adelina Mamaqin, Rrahman Dedajn, Abdyl Bunjakun, Vehbi Kikajn, Shpresa Vreton, Rifat Kukajn, Agim Devën, Odhise Grillon, Hajro Ulqinakun, Xhevat Beqarajn, Fejzi Bojkun, Anton Berishën, Muhamet Kërveshin, Ramadan Pasmaçiun, Zejnullah Halilin, Gaqo Bushalën, Ibrahim Kadriun, Ymer Shkrelin, Ymer Shabanin, Abdullah Thaçin, Gani Xhafollin, Rushit Ramabajën dhe në përmbyllje të vjershave për shkrimtarët, është vjersha autobiografike, ku jep një pjesë të fëmijërisë, me titull “Këngë për vete” (f. 62), të cilën e nis me vargun: “Fëmijërinë e lash në malet e Dushkajës”, ndërsa në strofën e fundit të kësaj vjershe, pjesa e jetës së poetit si student e shkrimtar,  thotë:

“U njoha me Buzukun, me Budin, De Radën

Naimi m’foli me gjuhën e të parëve,

Me Esadin, Agimin e belbëzova baladën

T’hyj edhe unë n’vallen e shkrimtarëve!”   

 

12. Figurat stilistike, struktura e vargut dhe gjuha poetike

    

     Duhet të theksohet se veprat e Hasan Hasanit përshkohen me vlera të shumta ideoedukative, ideoestetike dhe ideoartistike. Te Hasani kemi krijime të bukura me tematikë nga fëmijëria, me vlera të duhura estetike, edhe kur i këndohet luftës, edhe kur i këndohet lirisë, edhe kur u këndohet prindërve, shkrimtarëve, lojërave të fëmijëvë etj., në natyrën e asaj jete të thjeshtë .

     Varësisht nga tematika e vargjeve, te Hasani, në mënyrë më të theksuar, ndeshim figurat stilistike, siç janë: krahasimet, metaforat, simbolet, personifikime, por të përdorura me vend dhe pa i stërtepruar: “Kjo malësore pre Rugove/ Si ajkuna pret me shpatë” (“Ajkuna e Rugovës, f. 14). Përdorimi i figurave stilistike, rimat e ndonjë element tjetër që poeti, përkushtimi i poetit ndaj fjalës poetike, bëjnë që të shquhet edhe bukuria e vargut. Figurat stilistike të përdorura ndodh që të bashkëfunksionojnë midis tyre, ngase kanë edhe karakteristika të përbashkëta, p.sh.: metafora me simbolin, personifikimin etj.: “Rëndë rëndë gjëmon bjeshka’ (po aty, f. 11); “Bjeshkë e gurë se ç’lëkunden” (po aty, f. 22); apo: “Duke dredhur mustakun/ Ngrihet Mic Sokoli/ Ngjante në kreshtë mali” (“Mici e topi”, f. 54).

Ndërkaq, “Sa i përket strukturës metrike e stilistike për poezinë e H. Hasanit mund të themi sa vijon: poeti përdor dhe e çmon rimën me disa lloje të saj, përqendrohet në katrena që rimohen se i duket se ashtu arrin efekte të duhura ideo-emocionale. Mjeshtëria poetike që ka ndjekur është e natyrshme dhe e kapshme për të vegjëlit. Leksiku është i pasur ndërsa figurat, ato më të preferuarat. Kualitetet artistike janë prezente dhe manifestohen në bukurinë kuptimore, në fuqinë e fjalës dhe afërinë e saj që nuk e cenon as nuk e varfëron anën artistike”6)

      Hasani Hasani, në vargje të përmbledhjeve poetike për fëmijë është i kujdesshmëm edhe në disa rregulla të metrikës së vargut, ku vlen të veçohen: përputhja e vargjeve, rima të cilën e formon me pjesë të ndryshme të ligjëratës, numri i rrokjeve, pastaj gjuha e pastër dhe e kuptueshme, komunikimi i qartë e i lehtë për të vegjlit etj.

     Në krijimtarinë e Hasan hasanit për fëmijë:vjersha, poema, pjesë teatrore, kemi edhe porositë e poetit: Fëmijët ta duan atdheun, ta duan lirinë, t’i  urrejnë armiqtë, t’i duan luftëtarët e lirisë, t’i duan prindërit, ta duan shkollën, librin, etj.    

 

13. Në vend të përfundimit     

      Mund të përfudojmë me vlerësimin se poezia për fëmijë e Hasan hasanit karakterizohet me tema të qëlluara dhe artistikisht të realizuara, qoftë ato nga historia më e largët, qoftë nga historia më e re, apo edhe ato që kanë motive nga përditshmëria – frymëzime spontane e të rastit.     

     Përmes këtyre vargjeve, fëmijëve iu jepet mundësia që ta kuptojnë të kaluarën tonë, të largët dhe të afërt, por tek ata bartet edhe kujtimi i hidhur i të qenit të një populli i robëruar me shekuj, siç ishte populli ynë. Vargjet kanë edhe rolin tyre edukues dhe porositë e shumta e humane për botën e fëmijëve, të cilat me një procedim dhe transponim artistik, poeti e ka realizuar këtë temë  të së kaluarës. Por, do theksuar se Hasani vazhdimisht i qaset kërkimit të frymëzimeve të reja, të cilat, gjithashtu, i ka realizuar me sukses, ashtu siç e ka kërkuar natyra e tyre.   

     Duke rrokur një spektër të gjerë tematikash, duke kënduar me vargje të bukura për to, vepra për fëmijë e Hasanit mbetet një begati  letrare ku bashkëjetojnë temat interesante e të qëlluara dhe vargjet e ëmbla e ligjërimet poetike të pranuara. Ndaj, poezinë e Hasan Hasanit për fëmijë, lexuesit e vegjël, lehtë e kuptojnë dhe lehtë komunikojnë me të.

Përmbledhjet poetike të tij, sidomos ato që kanë për tematikë luftën e popullit tonë për liri, kanë rëndësi sepse në poezinë shqipe për fëmijë, të asaj kohe, bëjnë vend të veçantë për motivet e rrëfimeve për luftën dhe lirinë. Ato mbesin metaforë e rrëfimit për rezistencën dhe luftën për të dalë nga robëria, qoftë nga e kaluara më e largët, ajo e mëvonshme dhe koha më e re. Vlerat e tyre mbajnë në vete edhe veprat me motive e tematika të tjera. 

  Ndaj, duhet të thuhet se krijimet e H. Hasanit për fëmijë, të botuara si libra, e të tjera të botuara nëpër faqe gazetash e revistash, nuk kanë merituar të kalojnë (bukur) heshtazi nga faqet e kritikës, apo të shkruhet, relativisht, pak për to, siç ka ndodhur. 

                                                                                                         (Qershor – korrik 2009)

Referencat:

1) Rrustem B e r i s h a ,Vëzhgime për poezinë popullore, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 81.

2) Shyqri G a l i c a, Madhështia e figurës së heroit kombëtar, “Rilindja” (Rilindja për fëmijë), 1980

3) Këto vargje u morën nga poema “Erjona e gjyshi nëpër Kosovë

4) Bedri D e d j a, Burimet e letërsisë shqipe për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 15

5) Ali  J a s i q i, Përralla për kafshët, “Shkëndija”, 1995

6) Xhavit A l i ç k a j, Krijimtaria  poetike e Hasan Hasanit për fëmijë, “Jeta e re”, Prishtinë, nr.2, 1987