E hene, 18.10.2021, 10:05 PM (GMT+1)

Lajme

Serbët sulmojnë shqiptarët

E marte, 04.08.2009, 09:01 PM


Nga Hysni Syla, Bota Sot

Ekstremistët serbë rinisin provokimet në ‘Kroin e Vitakut’

Serbët në veri vazhdojnë të dhunojnë të drejtat e shqiptarëve. Ata të martën kanë sulmuar shqiptarët në pronat e tyre me qëllim që të mos i lejojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Një numër i vogël familjesh shqiptare kanë filluar rindërtimin e shtëpive të djegura nga forcat serbe militare dhe paramilitare gjatë luftës. Protestuesit serb jo që nuk janë penguar nga policët serb të Kosovës, por ata kanë ndihmuar protestuesit thonë zyrtarët.

Pas rreth një muaj e gjysmë qetësie, është trazuar sërish lagja “Kroi i Vitakut”, në veri të Mitrovicës. Si zakonisht, për këtë janë përkujdesur “kujdestarët e përhershëm” të incidenteve, ekstremistët serbë të kësaj lagje. Një grup sish prej rreth 30 vetash, kryesisht të rinj, të martën rreth orës 15:00, kanë sulmuar me gurë punëtorët shqiptarë që kishin filluar punët për rindërtimin e disa shtëpive në thellësi të lagjes “Kroi i Vitakut”, diku rreth 200 metra larg shtëpive të para shqiptare që janë në përfundim të rindërtimit dhe shumë afër shtëpive serbe. Kësaj radhe nga gjuajtja e gurëve, nga ana e rebeluesve serbë, nuk janë kursyer as punëtorët shqiptarë që po punonin, pastaj banorët e lagjes, zyrtarët komunalë, policët, si dhe gazetarët. Nga gurët janë lënduar një gazetar, i cili qëndronte vetëm në një distancë prej rreth 20 metrash, pastaj një polic boshnjak, një zyrtarë komunal dhe disa të tjerë. Si pasojë e kësaj, procesi i rindërtimit në atë pjesë të lagjes nuk ka mundur të zhvillohet normalisht, përderisa në pjesën tjetër, atë shqiptare, punonin pa problem punëtorët serbë, në afërsi të punëtorëve shqiptarë. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kryesisht të komunitetit serb, nuk e kanë kryer si duhet detyrën e tyre. Rasim Veseli, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, ka deklaruar se pas sulmit më gurë nga ana e grupeve serbe, përfaqësuesit e EULEX-it dhe administratës së UNMIK-ut kanë kërkuar që dy palët të ndërpresin punimet. “Nesër pritet të mbahet një takim për të gjetur një zgjidhje”, tha Veseli. Zyrtari komunal Veseli tha se rindërtimi është në baza ligjore, ndërsa kanë dështuar policët e Kosovës të stacionit veri që si tha ai, më shumë ishin asistent të sulmuesve. Zyrtarë të EULEX-it kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve fillimisht tek pala shqiptare dhe më vonë kanë kërkuar edhe nga pala serbe, si tha ai, për shkaqe të sigurisë. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, togeri Besim Hoti, tha se incidenti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 15.20 min, në kohën kur banorët serbë të veriut të Mitrovicës të tubuar në lagjen Kroi i Vitakut, kanë filluar të hedhin gurë në drejtim të punëkryesve dhe mjeteve të punës në terren me pretekst të kundërshtimit të tyre për rindërtimin e shtëpisë dhe se për arsye të krijimit të rrethanave të rrezikshme në vend ngjarje, autoritetet përkatëse kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve në terren me qëllim të stabilizimit të situatës së krijuar. Sipas tij, një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i stacionit veri në Mitrovicë, ka pranuar një goditje në dorë nga gurët e hedhur, ndërsa i njëjti konsiderohet të ketë pësuar lëndime të lehta trupore në dorën e tij. “Një gazetar gjithashtu në vend ngjarje është raportuar të ketë pësuar lëndim të natyrës së lehtë trupore si rezultat i goditjes nga gurët. Veç lëndimeve të personave nga gurët e hedhur, dëme materiale janë raportuar të kenë qenë të shkaktuara në së paku tri automjete. Policia e Kosovës ka iniciuar rastin për shkaktim të dhunës, shkaktimit të lëndimeve trupore dhe dëmtimit të pronës së luajtshme. Protestuesit janë larguar nga vendi i incidentit, ndërsa njësitë policore të stacionit veri të përkrahura nga forcat policore të EULEX-it, vazhdojnë të monitorojnë për së afërmi situatën në lagjen Kroi i Vitakut”, tha Hoti.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora