Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Zhurmë çmendurie

| E marte, 04.08.2009, 07:35 PM |


Frymëmarrja dhe vapa verore në qytetet tona :

ZHURMË ÇMENDURIE
        
Vapa tropikale, mungesa e ujit dhe ndotja e ajrit

Nga Demir KRASNIQI

Kriza e thellë ekonomike, papunësia , varfëria deri në skajshmëri , janë vetëm disa nga segmentet e jetës , me të cilat përballet popullata jonë në përditshmëri dhe dekada , segmente këto që e ngufasin frymëmarrjen dhe i ngushtojnë kanalet e mbijetesës prej asaj që mund të quhet jetë normale .
    Kur këtyre segmenteve të jetës t’ i  shtohen edhe reduktimet enorme të rrymës elektrike , mungesa dhe reduktimet e pakontrolluara të ujit të pijshëm , ndotja e ajrit dhe ambientit që nxitet nga shumë faktorë , temperaturat e larta të vapës tropikale , atëherë na del një rezultat i mbijetesës së dhunshme në këtë botë !
    Të gjitha këtyre segmenteve që ngufasin frymëmarrjen tonë normale , sidomos gjatë sezonit të pushimeve verore , po i ndihmojnë më të gjithë mekanizmat e mundshme edhe organizimet e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare .

Dasmat si në kohën e Selman Litës

 “Eu, Selman Lita , ni burrë azgan ,
Darsëm t’ madhe qi po banë ,
Ka dy djem po m’ i marton ,
Treqin krushqi po i tubon ,
Tri parë surrla e tupana i ka nxanë ,
Bajraktari po tfillon ,
Treqin krushqi mas po i shkojnë,
Treqin krushqi mas janë vargue,
Shkojnë  binxhijtë - atllarët  tuj lue ,
Shkojnë shejtarët – sheja tuj gjue ,
Po shkojnë krushqit tanë tuj knue ,
Shkojnë tupanet tuj bumllue !”...

    Edhe pse jemi në shekullin e 21-të, të Epokës së Re, si duket , mentaliteti i vjetër ende frymon mbi nën-qiellin tonë , ku as se si nuk mund të lirohemi nga disa doke dhe zakone , të cilat nuk kundërmojnë asgjë më tepër se sa një primitivizëm klasik .
    Në shumë veprime tona të përditshme , sikur jemi të prirë që të bëhemi kopje e tretë e shablloneve të vjetra . Shembull më tipik i kopjeve të këtilla , janë dasmat dhe ahengjet tona popullore , të cilat shumë kush mundohet t’i organizojë në stilin: ”Alla Selman Lita” dhe t’ i kopjojë skenarët e asaj dasme të përgjakshme të asaj kohe !
    Për derisa dikur dasmori Selman Lita, i kishte ftuar në dasmën e djemve të tij, hiq më pak se 300 krushq , të cilët do të shkonin në dasmë me kuaj e atllarë – sot , imituesit e tij, në vend të 300 kuajve dhe atllarëve, do t’ i  ftojnë në dasmë 300 vetura dhe 300 shoferë të tyre !
Derisa Selman Lita , i kishte angazhuar atëherë tri palë surle e tupanë për argëtimin e dasmorëve të tij, sot  imituesit e tij, do t’i angazhojnë nga tri palë grupe e orkestrina popullore: surle e tupanë, rapsodë popullor , defatore  dhe solistë me orkestra të muzikës popullore .
    Me rastin e nisjes së dasmorëve për marrjen e nuses , në dasmën e Selman Litës , krushqve iu printe vetëm një bajraktar me një flamur kombëtar, ndërsa në dasmat e sotme, në ballë të kolonës së dasmorëve mund t’ i shohim edhe nga dy e tre flamurë... ?!
    Derisa në dasmën e djemve të Selman Litës, radhiteshin në kolonën e dasmorëve 300 krushq , të cilët bënin gara e lojëra gjatë rrugës me kuajt dhe atllarët e tyre – sot , dasmorët e “modernizuar” dhe të “motorizuar” , bëjnë gara e lojëra të rrezikshme, duke i ngarë veturat, duke bërë gara se cili do të zhvillojë shpejtësi më të madhe dhe duke e tejkaluar njëri – tjetrin , pa e llogaritur rrezikun e mundshëm, incidentet e ndryshme dhe bllokadat totale të cilat ua bëjnë të tjerëve, si në rrugët lokale, ashtu edhe nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit!
    Për dallim të krushqve të Selman Litës, të cilët shkonin  përgjatë rrugës për ta marrë nusen , duke gjuajtur në shenj me armë të zjarrta, sot dasmorët e kësaj kopje do të shtinë me armë zjarri nëpër rrugë e sheshe të qytetit dhe do të gjuajnë shenjë nëpër odat, apo tavanet e kafeneve dhe restoranteve ku organizohen dasmat !
    Derisa në dasmën e djemve të Selman Litës, gjatë rrugës deri tek marrja e nuses dhe anasjelltas , këndonin burrat – dasmorë me këngë për krye krahu , sot në vend të burrave këndojnë gratë dhe vajzat e azdisura , të cilat pa fije turpi , rrezikojnë që të hipin mbi dritare dhe karoseri të veturave, të këndojnë e të çirren me zëra trishtues dhe t’ iu mëshojnë defeve për mbulojash të veturave , pa e llogaritur rrezikun në komunikacion, pa e llogaritur shkeljen e rendit dhe ligjit për komunikacion dhe pa e llogaritur zhurmën e pa kontrolluar deri në çmenduri !
    Zhurmës së vajzave këngëtare me defe , iu bashkëngjiten edhe zhurmat e tupanëve dhe surleve të cilat nuk kanë të ndalur mbi rimorkiot e kamionetave , kombi-busëve, apo të traktorëve speciale, ku krahas zhurmës së tyre janë të vendosur edhe altoparlantë të fuqishëm, të cilët transmetojnë dhe reklamojnë incizimet e këtyre instrumentistëve popullor !
    Kur të gjitha këtyre zhurmave dhe ulërimave t’iu shtohen edhe zhurmat e sirenave të 300 veturave, të cilat nuk pushojnë asnjëherë së rëni që nga nisja për rrugë e deri tek kthimi i tyre, atëherë mund të merrni me mend se çfarë kaosi bëhet në rrugë, në qytet e në sheshe, sa duhet mbyllur veshët me pambuk për t’i shpëtuar shurdhimit fatal !
    Kur të kihet parasysh fakti se gjatë sezonit të pushimeve verore , organizohen aq shumë dasma,  sa kolonat e dasmorëve nuk kanë të ndalur duke defiluar para dhe pas dite nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, ku defilojnë me dhjetëra dasma e me qindra e  mijëra dasmorë, me qindra e mijëra vetura, me qindra e mijëra sirena, defe, surle e tupanë, atëherë tërë kjo zhurmë do të kalonte në një çmenduri shfrenimi !
    Në këso rastesh, çdo turist i huaj i cili do të ndodhet rastësisht mysafir tek ne, do të përfitonte përshtypjen se ky popull po jetuaka vetëm me dasma e ahengje, me lukse të mëdha dhe se këtu nuk mund të bëhet fjalë për papunësinë dhe varfërinë?!
    Bllokimit total të rrugëve dhe shesheve nëpër qytetet tona, nga ana e dasmorëve, shpeshherë i shtohen edhe kortezhet apo funeralet e njerëzve të vdekur, të cilët hasin në pengesa dhe rezistenca serioze për të arritur me kohë deri tek varrezat e qytetit dhe për ta varrosur me kohë të vdekurin !
    Ndërkaq, zhurmave të mëdha të kolonave të dasmorëve, sirenave të veturave, defeve, tupanëve dhe surleve iu bashkëngjitën edhe sirenat alarmuese të zjarrfikësve , të policisë dhe të veturave të emergjencës . Atëherë, shkaktohet një kakofoni aq e madhe e zërave, alarmeve, sirenave, ahengut... sa më nuk dihet as se çfarë është duke ndodhur nëpër qytet?!
    Në anën tjetër, qytetarëve – kalimtarë të rastit ua shurdhojnë veshët zhurmat e gjeneratorëve të cilët  e zëvendësojnë mungesën e rrymës elektrike , duke ua ngulfatur edhe frymëmarrjen nga lirimi i gazrave të derivateve të naftës !
    Zhurmës së çmendurisë nëpër qytetet tona , i bashkëngjiten edhe dhjetëra altoparlantë shumë të fuqishëm, të cilët jehojnë nga të katër anët e qytetit nga minaret e xhamive , përmes të cilëve hoxhallarët nga disa herë në ditë, që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes, paralajmërojnë kohët e faljeve të namazeve , këndojnë ezane e temxhite për të vdekurit, faljet e namazeve të xhenazeve, ceremoni të tjera fetare, ndër të cilat pas luftës përmes altoparlaneteve ditëve të premte, mbajnë ligjërata publike hiq më pak se një orë, para se ta falin drekën, kështu që ato ligjërata ua mbushin veshët me zhurma edhe kur janë shumë larg xhamive !
    Të gjitha këto zhurma anormale që u përmendën këtu dhe shumë të tjera që nuk u përmenden , lënë pasoja të pa parashikueshme tek njerëzit e lodhur, njerëzit e moshuar, njerëzit e sëmurë, të cilët kanë nevojë për pushime dhe çlodhje, por që kjo e drejtë iu cenohet nga të gjithë ata të cilët nuk japin përgjegjësi as para ligjit, as para njeriut e as para Zotit !
    Ndoshta do të vjen një kohë , kur edhe tek ne do të mbisundojë rendi, qetësia publike dhe ligji !

Gjilan, më 04.08.2009.