E premte, 19.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Thani Naqo

E hene, 03.08.2009, 06:51 PM


Mëmëdhe

Mos kisha marrë rrugët e kurbetit,
Në vendlindje mbretërinë do ta ngrija.
Gjoksin të nxirrja e mburresha si mbretërit,
Zot i asaj vatre me prush e shkëndija.
Mbret i pyjeve dhe mbret i maleve,
Asnjë burim s’do e lija pa e puthur.
Mikut t’i hapesha kur të kisha halle,
Në mëmëdhe askush ka humbur!
Qejflinjtë mblidhen ku pikon rakia,
Zëlartë t’ia marrim këngëve tona të vjetra.
Princave tu themi ç’ligj bën dashuria,
Ç’janë iluzionet e ç’është e vërteta.

Dherave të largëta, tej oqeaneve të kripur,
Për mbret e princ s’ka një këmbëdhe.
Mbretëri e paqësisë është ku linde e rritur,
Kjo mbretëri, shqiptarçe, quhet Mëmëdhe.

Unë dhe Lukreci (1)

Më shfaqet sa herë i lashti Lukrec,
“Atdheu im është ku jetohet më mirë.”
Njëmijë pandehma ngre për ty, o poet,
I lëshove këto fjalë kur ke qënë i pirë!
Unë s’jam i pirë, të ftohtë kam kokën,
Pirat i verbër qofsha do të çaj oqeanin.
Kombi im ka hartëzuar botën,
Varret e tij dallgëzojnë Ballkanin!
Mbushëm gotat. Me Lukrecin po pi,
Në e teprofshim, flasim nga dëshira.
Ajo gishtëz tokë bën grurë, verë e raki...
Ngritëm velat dhe fryu erëmira!

1) Lukreci= ( Titus Lucretius Carus) poet roman, fundi shek. IV-
fillim i shek. V

Brohoras dhe qesh

I harbuari dem flak plisin e dheut,
Marrok gërryen tokën, marrokçe pëllet.
Ngre bishtin kopan si demat e zegut,
Xhufk’e bajguar mbi shpinë i godet,
Duket trimosh. S’ka me kë ndeshet!
Shkreptijnë sytë e brirët hark,
Triumfin e ndeshjes kërkon me hak.
Kodrinave përplaset zëri buçimtar,
Nën tinguj bilbili demit zemërak,    
Brirët t’ia prek mos i mbetet merak!
Uji i lumit fërkohet pas ledheve,
Porsi djalosh u hodha gur mbi gur,
Arbitroj demin me trungjet e shelgjeve,
Brohoras e qesh njëlloj si dikur.

Kur jam i gëzuar

Kur jam i gëzuar bari bëhet më shumë jeshil,
Lulen e kaltër e gjej ku është fshehur.
S’më dhimbset koha kur vëzhgoj një kërmill,
Me jargë mjekon trungun e shembur.
Kur jam i gëzuar, dyshimet marrin arratinë,
Fantazinë time s’e vë dot në fre.
Fëmijërive u jap shpresë, të shtypurve lirinë,
Kombin e copëtuar e mbledh një Atdhe.
Kur jam i gëzuar shkurtohet rruga e gjatë,
Sa shpejt mbërrij për ku jam nisur!
S’më dhimbset koha e të fundmes dekadë,
T’i shoh e prek ato që kam pritur!...

Kur jam i mërzitur

Kureshtjen mënjanoj nga ngjarjet tragjike,
Përgjoj xhezven kur ende s’ka marrë valë.
Shikimi im vëngërosh merr veti magjike,
Mbi orendi, gjymtyrë e kulprat përballë.
Mendjen më thëthin vetiu vendlindja,
Gjurmoj numra në telefonat e tejshme.
Me kafen kapërdij lajmet e këqija,
Ndërlikoj bisedat me vitet e hershme.
Kur jam i mërzitur, derdh dufin në vargje,
Mendime të mërzitshme në fraza prozaike.
S’ka ndrim stinësh, as kapërcim pragjesh,
Porta të mbyllura, boshllëk e braktisje.

Dëgjoj daulle e s’marr vesh nga vijnë,
Hapësirave verdhashe, të largëtave dete?
Lumenjtë kthehen prapthi, pyjet oshtijnë,
Këngë paslufte dëgjoj e ngjethje klarinete.
Kur jam i mërzitur zemërohem me veten,
Çaj dete dyshimesh ku mbytet shpirti.
Mjafton përkëdhelia e trungjeve të pemëve,
E ndjehem i gatshëm t’ia filloj nga hiçi!

Rini

Nuk të ndjeva kur më ike,
Vjeshtë a, pranverë ish.
Në djalëri t’i numëroja vitet,
Tani, dimërimi më grish.
Ishe stina më e bukur,
Stinë që s’kthehet, kurrsesi.
Hapat e tua në zemrën e rrudhur,
Rrallëherë t’i dëgjoj tani.
Mos më dil krejt nga zemra,
Mos më ler cung një shekull.
Zemra e braktisur fashohet me brenga,
E dheu s’ka për ta tretur.

Gazmorja e natës

Magjistare je, gazmorja e natës,
Beldredhur, ndjellëse përherë.
Thëthive shikimet e tingujt e kitarës,
Krise, e ike si erë!
Ike si erë, si erë ke për të ardhur,
S’ jeton pa këngë asnjë çast.
Ojnat e tua s’kanë për t’më grahur,
nuk të ndjek më nga pas.
Mëngjesin e qelqtë cifluan këndesat,
I dehur lëngoj në sofat.
Dufin e nxora me këngën për krelat,
E të dashurës time në fshat.

1973

Ku mbollëm puthjen e parë

Qindra herë këtë burim kam puthur,
Kaq herë e ke puthur dhe ti.
Llangosëm gjunjët para tij përulur,
Në puthjen e parë aty.
Erdha sot të shoh ujin e kulluar,
Pasqyrën kristal s’ia preka.
Nën gjethet e vjeshtës lashë mbuluar,
Një të qeshur nën flokët e verdha.
Pylli fëshfërin, degët pikojnë gjethe,
Era palë-palë i ngjesh.
Vjeshta më shkuli urimin prej zemre,
Paç fat kudo që të jesh.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora