E premte, 29.03.2024, 12:22 PM (GMT)

Editorial

Fundi i udhëkryqit

E enjte, 06.09.2007, 08:42 PM


Nga Franko EGRO

Po bëhet përherë e më e vështirë për t'u kuptuar se përse nevojiten negociatat shtesë prej 120 ditësh. Raundi i parë i tyre u zhvillua në 30 gusht dhe sërish nuk ofroi asnjë zhvillim që do të nënkuptonte fillimin e gjetjes së zgjidhjes përfundimtare, që do t'i kënaqte palët e përfshira. Protagonistët vazhdojnë të qëndrojnë stoikë dhe krejtësisht të palëkundur në qëndrimet e tyre tërësisht antagoniste. Këmbëngulja për mbrojtjen e tezave të tyre respektive është kaq ekstreme saqë lehtësisht krijohet bindja se do të jetë krejtësisht e pamundur që ndonjëra prej tyre të tërhiqet, të lëshojë terren në kuadrin e përgatitjes së kushteve për gjetjen e ndonjë kompromisi. Fryt i insistimit rus, për më shumë hapësirë dhe kohë në përpjekje për të gjetur zgjidhjen e pranueshme si për kosovarët, ashtu edhe për serbët, duket si një tjetër iniciativë boshe, që nuk do të ketë asnjë rezultat konkret. Pikërisht, kjo është edhe arsyeja se tani vështirë se ka qoftë edhe një individ të vetëm, që e njeh sadopak këtë realitet, të mendojë se ekziston qoftë edhe mundësia më e vogël për një rrugëdalje kompromisi.
Të ballafaquar me një realitet të tillë, të dy protagonistët direkt po marrin masat sigurisht në funksion të mbrojtjes së interesave të tyre, që kanë qenë, janë dhe do të mbeten diametralisht antagoniste. Të ndërgjegjshëm se negociatat sërish do të dështojnë, drejtuesit kosovarë po bashkëbisedojnë me partnerët dhe "udhërrëfyesit" e tyre të besuar për hapin e radhës; pra, për atë që do të ndodhë pas datës 10 dhjetor, në fund të periudhës 120-ditore. Teza që po dëgjohet përherë e më qartë është ajo e shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme që do të njihej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si sponsori kryesor politik i shqiptarëve të Kosovës. Nuk ka dyshim se, nëse ndodh, një akt i tillë do të pasohej edhe nga vende të tjera të fuqishme. Dhe argumentet në këtë drejtim janë më shumë se domethënëse. Presidenti amerikan Xhorxh Bush është mëse i prerë. Deklaratën e tij të paekuivok në Tiranë sipas së cilës Kosova është e pavarur, shpallja e saj tashmë mbetet vetëm çështje kohe, e kanë përsëritur edhe të gjithë vartësit e fuqishëm, si dhe emisarët e tij.

Fatmirësisht, për Kosovën këtë linjë po e mbështesin edhe shtete të tjera që kanë peshë dhe zë të fuqishëm në Bashkimin Evropian. Ishte ministri i Jashtëm i Italisë, Masimo D'Alema dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung, që u deklaruan se vështirë se e ardhmja e Kosovës mund të ketë zgjidhje tjetër të qëndrueshme veç pavarësisë së plotë, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht dhe që respekton maksimalisht të drejtat e minoriteteve. Deklarata erdhën në çastin e duhur. Njehsimi i qëndrimit politik të shteteve kryesore që formësojnë njëkohësisht edhe politikën e jashtme të BE është jetik. Ato kanë edhe një tjetër funksion mjaft të rëndësishëm pasi zbehin deklaratat që ndonëse sporadike mbeten shqetësuese, si të Presidentit të Rumanisë. Nuk ka dyshim se, nëse të gjitha shtetet anëtare të BE- së do të mbështesin linjën e qartë amerikane dhe britanike, vështirë të mos kuptohet skenari i pas datës 10 dhjetor. Kosova ndodhet më pranë pavarësisë se kurrë ndonjëherë.

Drejtuesve të politikës ruse duket se gradualisht po u shteren alternativat, madje edhe ato më boshe duke u izoluar thuajse tërësisht në intransigjencën e vet. Teza e saj se zgjidhja më e mirë është ajo e negociuar mes Prishtinës dhe Beogradit po riprovohet katërcipërisht se ndonëse logjike, është krejt e pakuptim dhe e pazbatueshme konkretisht. Në këtë kuadër, këtë mesazh të artikuluar mijëra herë Rusia është e destinuar ta pranojë, ndonëse vështirë të mos jetë e ndërgjegjshme. Pesha e saj në rritje në politikën globale, mbi të gjitha falë arsyeve ekonomike është respektuar deri tani maksimalisht. Ndoshta autoritetet në Moskë, po kthjellohen se insistimi i pafund i saj nuk po bën gjë tjetër veçse shton presionin dhe tensionin e brendshëm në Kosovë duke i shtuar mundësitë reale për përkeqësim, apo pse jo edhe shpërthim të situatës. Nuk ka asnjë hije dyshimi se stërlodhja e opinionit të gjerë kosovar është mëse e pranishme dhe e prekshme. Deri më tani shtyrjet janë motivuar, por sigurisht edhe ato e kanë një kufi dhe për hir të së vërtetës ai është fare pranë.

Nga ana tjetër dirigjentët e politikës së Beogradit janë më të angazhuar se kurrë në këto ditë të fundit, për ta shtuar presionin ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje që bie ndesh me interesat e veta politiko-nacionaliste. Ata kanë kërcënuar se do jenë të ashpër me këdo që "do të synojë të legjitimojë cenimin e tërësisë territoriale të vendit". Nuk ka dyshim se ecuria e zgjidhjes së kësaj çështjeje ka mbërritur në pikun e saj. Raportet diplomatike nuk mund ta shtyjnë më përpara; ose thënë më saktë, nuk mund t'i japin asnjë zgjidhje dhe kjo për arsyen e thjeshtë se asnjë zgjidhje nuk do të mund të jetë e pëlqyeshme për të dyja palët. Perëndimi, shumë më realist, kjo edhe për shkak të angazhimit të tij të shumëfishtë dhe shumëplanësh në Kosovë, është mëse i qartë.

Por, në këtë situatë, ndonëse mesazh i stërpërsëritur mbetet sërish real dhe konkret. Drejtuesit e politikës kosovare, pavarësisht presionit dhe tensionit që e ndjejnë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë vendit, dhe në të cilën ndodhen prej kohësh për shkak të kompleksitetit të momentit, duhet të punojnë për të ruajtur unitetin dhe stabilitetin e brendshëm. Ekipi i Unitetit, që drejton bisedimet, nuk duhet për asnjë çast të tregojë shenja përthyerje. Kjo do të ishte gjëja më e pafat dhe më e trishtë që do të mund të ndodhte. Këtë kohezion ata duhet ta konfirmojnë edhe tani, në prag të zgjedhjeve politike dhe vendore. Është e kuptueshme se në këto momente sa historike dhe përcaktuese, po aq edhe delikate dhe komplekse, kërkohet vizion dhe maturi. Zgjedhje në Kosovë ka patur dhe do të ketë shumë, por moment si ky kur do të sqarohet përfundimisht statusi është një dhe vetëm një. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora