E enjte, 25.04.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Vilhelme Vranari: Letërsia ndryshe kërkon rivlerësim...

E diele, 02.08.2009, 12:25 PM


LETËRSIA NDRYSHE KËRKON RIVLERËSIM DHE GJITHËPËRFSHIRJE

NË ANTOLOGJINË E LETËRSISË SHQIPE

Nga Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

Ka 17 vjet që u rrëzua diktatura, kohë gjatë së cilës kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në politikë, në ideologji, në ekonomi dhe si rrjedhojë, këto u pasqyruan edhe në kulturë. Për gjysmë shekulli çdo individ me intelekt, i pajisur me dhunti krijuese, i prirur për të bërë art dhe për të dhuruar vepra të bukura, që pasurojnë shpirtrat njerëzor, qëndronte i verbër para dritës së diellit, i shurdhët para thirrjes së zërave të bukur të jetës dhe memec për të thënë atë që duhej. Të heshtësh para realitetit, të mos e paraqesësh atë ashtu siç është, me ngjyrat dhe dritë-hijet që e karakterizojnë, do të thotë të mohosh të vërtetën.. Sa ëndrra poetësh u tretën pamëshirë varreve, kënetave, llagëmeve, qelive, minierave, brinjave apo edhe sirtareve! Këto, si pjesë e jetës, si përditshmëri gjysmëshekullore, kjo gjithpërfshirje krijuese, jo vetëm u la në harresë por u anatemua! Autorët e veprave reale, në një farë mënyre të liberalizuara, ishin “shkaku apo pengesë” të mosrealizimit të programeve komuniste. Sa dëshira artistësh u shuan qysh në embrion, duke ngelur vetëm iluzione. Sa shpresa dramaturgësh u vranë ende pa lindur, sepse të bëheshe dramaturg, poet, shkrimtar, artist, gazetar etje…duhej të ishe i pajisur me një dhunti që s’e gëzonin të gjithë shqiptarët. Duhej të ishe i besuar i pushtetit, i partisë dhe të besoje verbërisht 2në jetën e bukur, në mirëqënien që të kishte siguruar diktatura”.

    Njëlloj si të drejtat e studimit që u  imponoheshin të rinjëve, (edhe “të bëheshe shkrimtarë”, duhej të aprovoheshin nga partia vetëm ata që në krijimtarinë e tyre artistike pranonin ta IDEALIZONIN, ta MITIZONIN sistemin, udhëheqësit dhe të krijonin PERSONAZHE  IDHUJ. Letërsia dhe arti në përgjithësi që lindi gjat diktaturës u quajt “Realizmi socialist”, një dukuri që përfshiu gjthë vendet e Lindjes. Kësisoj lexuesëve të çdo moshe iu imponua për gjysmë shekulli një letërsi tejet e politizuar. Ashtu si njëanshmëria e politikës së ndjekur, që e meritonte vetëm gjysma e shqiptarëve të përkrahej nga ajo; si historia e ndritur e një kombi, e larë me gjak të pafajshëm shqiptari në shekuj që “u takonte vetëm fitimtarëve”, u përdhos, u gjymtua, u sakatos, u tjetërsua për breza të tërë; ashtu edhe letërsia me artin, në lidhje me paraqitjen e personazheve u nda në dy kampe proparti dhe antiparti. Ishte pikërisht letërsia ajo që çoroditi mendjet e shiptarëve që kur mësonin shkronjën e parë të Abetares. Ishte arti dhe letërsia që ngjallën urrejtjen e klasës punëtore dhe fshatare ndaj gjysmës së shqiptarëve, të cilët u quajtën të përndjekur, armiq të betuar të klasës në fuqi. Duke i parë me një sy nënvleftësimi, përçmimi e inferioriteti, i denigronin deri në atë masë , jo vetëm të rriturit që mbanin mbi supe “përgjegjësitë e fajeve, e krimeve të pandodhura”, por edhe fëmijët, të cilëve ua vrisnin ëndrrat ende pa lindur . Atyre ua vranë buzëqeshjen, ndaj ishin gjithë jetën shpresahumbur.

    Vetëm kujt i ka ndodhur, i beson lotët ëngjëllor të fëmijës 7 vjeçar, kur i thanë: Ty nuk të takon “Fletë Nderi , për poezinë e bukur, sepse je reaksionar”. I gjori, e dinte se ishte diçka e keqe, po se çfarë donte të thoshte fjala “Reaksionar”, jo… Vallja e një koreografi të talentuar vlonjat, kërcehej në skenat jashtë trojeve tona, kurse autorit në çastin e fundit të nisjes, i thanë: “Ti nuk ke të drejtë të dalësh jashtë shtetit…”

 Këto ishin dy aspekte gati të papërfillshme, kur “Epopeja e Ballit Kombëtar”, “Këneta” “Mërgata e Qyqeve” etje, bënin kërdinë. Helmonin trurin e njomëcakëve dhe i ndanin shqiptarët me një hendek të thellë, duke i shndërruar në armiq të betuar të njeri-tjetrit: të vëllait ndaj vëllait; të djalit ndaj babait, të gruas ndaj burrit. Arritën deri aty që me soj e sorollop ta shohin njeri-tjetrin me shpinë. U thernin sytë kur u dilnin përpara. Këta personazhe, “armiq të sajuar, lyer duart me gjak, shkatërrues të ekonomisë socialiste”, krijonin neveri dhe urrejtje, madje edhe atyre që vinin nga klasa e të të njëjtit gen u ndillnin krupën. Kjo tregonte se sa të ideo-politizuar ishin tekstet dhe librat artistikë.

     Lind pyetja: Cili është ndryshimi sot? Dje çensurohej çdo fjalë, librat dekadent u ndaluan dhe çdo libër e përshkonte si një fill i kuq ideologjia marksiste -leniniste. Kurse sot mbahet qëndrim kritik ndaj politizimit të letërsisë, ndaj veprave të këtij lloji. A janë pastruar e pasuruar tekstet shkollore dhe letërsia nga ideoligjizmi, kur këto vepra pa u hequr asnjë presje gjenden ende në Antologjinë e letërsisë shqipe? Ndërsa emri i autorit të libri që na ndau për gjysmë shekulli, ende është i nderuar, emërtohet një institucion i rëndësishëm. Brezi i ri vazhdon të edukohet me letërsinë e  realizmit socialist. A nuk është e njëjta gjë, kur lexon në hyrje të shkollës emrin e një njeriu që s’ka pasur as një gram shkollë? Qysh aty nis moskoregjimi i politikave socrealiste në kulturë.

   Të gjithë e dimë se s’ka fshat në Shqipëri që të mos ketë pasur së paku një njeri që është pëpjekur për përhapjen e gjuhës amtare. Përse të mos vihet emri i tij apo i mësuesit të parë të gjuhës shqipe? Më vjen keq kur dëgjon nga goja e një intelektuali, kur thotë:”Jo shkolla e ka emrin e dëshmorit”. Askush nuk e mohon gjakun e tyre, por ka lapidar, rrugë, sheshe dhe vende të tjera publike që mund të mbajnë emrin e tij të nderuar, para të cilit të gjithë përulemi me nder dhe mirënjohje. Paralelizova të dyja rastet, për të kujtuar Ministritë përkatëse, se ende po ecim me mendësi komuniste.  Madje edhe në listën e librave për lexim jashtë klase të vitit 2008-2009, janë të gjithë autorët e socrealizmit.

     I lutem Ministrit të Arsimit, Z. Fatos Beja, me gjithë respektin që kam, t’i rishohë po të mundet librat  për fëmijë të shkruara pas 1990-ës. A nuk ka autorë për fëmijë që t’i përgjigjen kërkesave të kohës? Sigurist që ka. Nuk di cila është arsyeja e mosvlerësimit. Më shqetëson fakti se tekstet janë të politizuara, kanë nivelë të ulët ideo-artistik,s’janë bashkëkohore dhe u mungon edukimi pedagogjik? Duhet të shihet  nga ekspert të letërsisë për fëmijë dhe të seleksionohen  me vëmendje. Fëmijët janë të dëlirë. Duhen lënë që të  formohen intelektualisht dhe individualisht si njerëz të mirë dhe jo me një ndërgjegje të mbarsur me ide politike.

     Ç’dinë Institucionet shtetërore të kulturës dhe arsimit për letërsinë pas viteve 90-të? Po për poetët, shkrimtarët dhe gjithë artistët që u burgosën, u internuan dhe u vranë se ishin kundër rrymës socialiste? Asgjë. Ju betohem për të vërtetën që është po aq e shenjtë sa liria, se po t’i pyesësh për një autor të ri që ka botuar një numër të konsiderueshëm veprash letrare në këto vite, të cilat janë shumë herë më tepër se veprat e ndonjë autori të diktaturës, të cilit “s’i dilte koha,” sepse duhej të recensonte mendimin e lirë të autorëve që donin një liri pa kufi, sepse ishin bijtë e Shqipes.

    Po ju drejtohem komisioneve që japin çmime; çfarë njohin dhe a kanë lexuar ndonjë nga veprat e autorëve që koha ua kishte mohuar të drejtën për të shprehur mendimin e tyre përmes fjalës së lirë? Kurrë. Madje bëjnë edhe gjënë më të ultë, duke i vërvitur tej me mospërfillje. Me ç’të drejtë morale vlerësojnë, japin çmimin “Pena e Artë” apo “Pena e Argjentë”, pa i njohur librat që kokurojnë me ta. Nuk di mbi ç’ kriter jepen çmimet në Panairin e librit. Mendoj se edhe në vlerësimet e letërsisë, ka njëanshmëri politike. Në përgjithësi vlerësohen autorët e socrealizmit.

    Një gjë e tillë u vu re edhe në Antologjinë shqiptare me autor Nasho Jorgaqin. Përmes medias  theksohej se kishte nga të persekutuarit nja dy emra, sigurisht të nderuar. Përse duhej theksuar prejardhja e tyre vallë? Pastaj a nuk kishte shkrimtarë të tjerë nga kjo shtresë e përvuajtur që të përfshiheshin në të? Çudi! Të ndarë në diktaturë, të ndarë edhe në demokraci. Por në Antologjinë e Plagëve të Komunizmit kishte edhe nga ata, të cilët paçka se u burgosën, por kishin qenë shkakëtarë të këtyre plagëve.  

      Me të drejtë lind debati Shqipëria-provincë dhe një letërsi provinciale. Si term e kundërshtoj, por them se me këtë opinion u japim mundësinë të vjellin vrer njerëzit cinik, dashakeqës, që e shohin Shqipërinë me teleskop që prej vendeve ku bujtin. Shesin vendin e tyre për një vend si shërbyes nate të moshave të treta. Ata kanë harruar se Kombin nuk e karakterizon sipërfaqja. Veç veçorive fizike, Kombin e karakterizon kultura e vet, tradita dhe historia e tij. I vogël është kombi ynë, por asnjëherë provincë e askujt. Që të thyhen mitet na duhet të evidentojmë emra të tjerë në botë, jo vetëm  të dy-tre autorëve. A ka shkrimtarë që ia vlejnë të njihen nga lexuesi i huaj? Sigurisht që ka. Sot ka prurje të një letërsie ndryshe, një realizëm real që s’ka asgjë të përbashkët me diktaturën, me realizmin socialist. Një letërsi e tillë duhet të analizohet, të shoshitet dhe të vlerësohet. Botës nuk i intereson vend  i vogël apo i madh, por sa është në gjendje letërsia  e tij ta paraqesë me vërtetësi realitetin shqiptar .Këtë kërkojnë dhe përkëthyesit dhe kritikët e huaj.     

    Pyes: Kështu do të vazhdojmë të ndarë? :-1 Antologji për të persekutuarit dhe një për realizmin socialist. Atëherë, si mund ta kuptojmë që jetojmë në demokraci? Në shkollat tona duhet të futen autorët më të mirë, prej të cilëve brezi i ri mëson rrugët e jetës dhe të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Letërsia Ndryshe, kërkon një Vlerësim Ndryshe.. Për këtë duhet bashkëpunim i Ministrive të Kulturës, Arsimit, Shtëpive Botuese, Kritikës dhe një Debati Televiziv, ku të ballafaqohen veprat letrare para se të konkurojnë. Shteti, me politikat kulturore,  duhet ta njohë  lexuesin si brenda dhe jashtë vendit me letërsinë e re të këtyre viteve. Kjo lejon një përfaqësim më të gjërë si në vepra letrare, me më shumë autor, por paraqet edhe një letërsi dinjitoze. Kushtojini pak vëmendje dhe do të shihni se si do të ndryshojë opinioni për vendin tonë, që edhe pse s’ka hapësira të mëdha, edhe pse me një popullsi të vogël, ka një numër të konsiderueshëm autorësh, si brenda dhe jashtë vendit që mund të ballafaqohen denjësisht në botë. Atë që bënë Vatra Arbreshe në Torino, duke organizuar Konkursin letrar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,ku në dicionin e tetë kinkuruanedhe autorë shqiptarë që jetojnë në vend, mendoj se diçka të tillë duhet të organizojnë edhe shoqatat letrare të emigrcionit.Le të shpresojmë, sepse në Antologjinë e letërsisë Shqipe do të  përfshihen si ata autorë që jetojnë brenda kufijëve tanë shtetëror,edhe ata që jetojnë në emigracion apo në trevat shqiptare jashtë tyre.   


(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora