E merkure, 24.04.2024, 07:07 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjiganti gjerman “Axos”, lobing kundër qeverisë ”Berisha” për Albtelekomin në Bruksel

E enjte, 06.09.2007, 08:54 PM


Shaban Sulçe

Pasojat e skandalit të shitjes së Albtelekomit duket se do të vazhdojnë edhe më tej për qeverinë shqiptare dhe ministrin Ruli, i cili u cilësua si përgjegjësi kryesor. Firma gjermane “Axos”, e cila u përjashtua pa të drejtë nga gara e privatizimit të kompanisë telefonike shqiptare, duket se është e vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Dhe një nga hapat “hakmarrës” të kompanisë “Axos” është ankimi pranë komisionerit europian për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn. Ky i fundit pritet që shumë shpejt të reagojë me kritika ndaj qeverisë shqiptare dhe në veçanti ndaj ministrit Ruli për mënyrën se si u veprua me privatizimin e “Albtelekom”-it dhe për mënyrën se si u injorua oferta e një kompanie të fuqishme si “Axos” në tregun e telefonisë. Burime konfidenciale pranë Brukselit bëjnë të ditur se pas skualifikimit nga gara e privatizimit, përfaqësuesit e firmës “Axos” kanë vënë në lëvizje të gjitha potencialet dhe pikat e kontaktit pranë Brukselit për ta transmetuar shqetësimin e tyre në strukturat më të larta dhe pikërisht te komisioneri europian për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn. Duke shfrytëzuar njohjet dhe lidhjet me disa europarlamentarë, njohje të cilat kanë marrë trajtën e një lobingu të vërtetë, përfaqësuesit e “Axos” kanë mundur të sigurojnë një takim me z. Rehn. Një takim në të cilin, nëpërmjet provave të qarta, ata kanë treguar se si u skualifikuan nga ministri Ruli edhe pse kishin ofruar 200 milionë euro më shumë se firma turke “Çalik”, e cila tashmë ka privatizuar Albtelekomin. Gjithashtu, ata nuk kanë nguruar të denoncojnë këtë aferë korruptive pranë zotit Rehn si dhe të shprehin vlerësimet e tyre negative ndaj qeverisë shqiptare. Informimi që i është bërë dhe lobingu i krijuar nga disa europarlamentarë duket se nuk do ta lënë indiferent kryekomisionerin Rehn ndaj kësaj çështjeje. Madje, shumë shpejt pritet që Rehn të reagojë enkas për këtë çështje, ku nuk do të ngurojë të adresojë kritikat e tij në drejtim të qeverisë shqiptare dhe ministrit Ruli për keqadministrimin që i bën privatizimit të kompanisë shtetërore të telekomunikacionit si dhe të hapësirave të dukshme që hedhin hije dyshimi për aferë korruptive në rastin konkret.

“Axos”: Privatizimi ishte një farsë
 
Skualifikimi i padrejtë nga gara për privatizimin e Albtelekomit i ka acaruar përfaqësuesit e kompanisë telefonike gjermane “Axos”. Edhe pse kishin ofruar 200 milionë euro më shumë se kompania turke “Çalik”, së cilës iu “dhurua” privatizimi, “Axos” iu mohua e drejta nga ministri Ruli për të arritur këtë synim. Një gjë e tillë u prit me pakënaqësi dhe replika të mëdha nga përfaqësuesit e kësaj firme. Madje, përfaqësuesi i kësaj firme, Jan Budden, në një intervistë për një të përditshme shqiptare nuk do të nguronte ta quante privatizimin një farsë. “Nga pikëpamja komerciale, ligjore, strategjike dhe teknike, nuk kemi asnjë shpjegim. Kreu i qeverisë aktuale, kur ishte në opozitë e cilësoi shitjen e Albtelekomit te kompania "Çalik" si korruptive dhe në kundërshtim me interesat e vendit. Që nga ajo kohë (2005), qëndrimi zyrtar i qeverisë ndryshoi me 180 gradë, duke rezultuar në një garantim ekskluziviteti ndaj "Çalik" dhe injorancë ndaj ofertave më tërheqëse (jo vetëm nga "Axos", pavarësisht se oferta e "Axos" ishte më tërheqësja) në një proces artificial. Tenderi në fjalë "u ndot" pas deklaratave zyrtare të qeverisë së mëparshme. Kjo është arsyeja përse rezultoi vetëm një garues i pakualifikuar; ai që tani bleu "Albtelekomin", - do të deklaronte Budden.

Takimi me Rulin dhe Berishën
 
Burime të sigurta tregojnë se pas shpalljes së fituesit të tenderit për Albtelekomin, përfaqësuesit e “Axos” u kanë kërkuar përfaqësuesve diplomatikë të vendit të tyre në Tiranë që të mundësojnë një takim sqarues dhe ballafaques me palën shqiptare. Me ndërmjetësinë e tyre është siguruar zhvillimi i një takimi, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e firmës “Axos” Jan Budden, ambasadori dhe zyrtarë të lartë të Ambasadës së Gjermanisë, ndërsa nga pala shqiptare kryeministri Berisha dhe ministri Ruli. Sipas burimeve, në këtë takim zyrtarët e lartë të ambasadës gjermane nuk janë shprehur për çështjen, duke qëndruar vetëm në rolin e dëgjuesit. Të njëjtin qëndrim të heshtur ka mbajtur kryeministri Berisha, ndërkohë që debatet janë zhvilluar midis ministrit Ruli dhe përfaqësuesit të firmës gjermane. Sipas burimeve mësohet se Budden i ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për mënyrën e veprimit të ndjekur nga ministri shqiptar i Ekonomisë. Madje, ai nuk ka nguruar ta akuzojë Rulin për korrupsion. “Ne vërtet kemi bërë një ofertë disa herë më të madhe se kompanitë e tjera, 200 milionë euro më shumë, por kushti ynë është që të gjitha këto para të shkonin në buxhetin e shtetit dhe të mos bëheshim pre e abuzimeve. Por ju nuk e keni pranuar një gjë të tillë, sepse nuk ju ka interesuar që të bënit privatizimin pa përfituar. Prandaj mos mendoni se ne do ta lëmë me kaq”, - mësohet të ketë qenë deklarata e përfaqësuesit të firmës “Axos” në drejtim të ministrit Ruli.

Reagimi i shtetit gjerman

Hapi i radhës i përfaqësuesve të kompanisë “Axos” ishte ankimi pranë qeverisë gjermane. Pikërisht një muaj më parë, sekretari i Shtetit i Gjermanisë, Bernd Pfaffenbac, me anë të një faksi drejtuar ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, shprehte shqetësimin e shtetit gjerman për aferën e privatizimit të Albtelekomit, duke i kërkuar një proces të drejtë dhe transparent privatizimi. Konkretisht, në këtë letër shkruhej: “I dashur ministër Ruli. Unë ju shkruaj mbi privatizimin e mbetur pezull të operatorit kombëtar Albtelecom. Siç jeni në dijeni, Axos Capital, një kompani gjermane investimesh, shprehu interesin e saj në privatizim dhe dorëzoi një ofertë pranë qeverisë suaj. Duke qenë se privatizimi i suksesshëm i infrastrukturës kombëtare është një faktor kyç i zhvillimit të mëtejshëm të çdo ekonomie, jam i bindur se duhet ta zgjidhni partnerin tuaj në këtë proces me shumë kujdes dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Axos Capital dorëzoi një ofertë indikative, e cila, sipas informacionit tim, është financiarisht dhe konceptualisht me peshë. Në interes të zhvillimit të ardhshëm të Shqipërisë dhe të një prej infrastrukturave të saj më të rëndësishme, unë dua të shpreh interesin tonë të fortë për një proces të drejtë dhe transparent privatizimi. Në këtë kuptim, ne presim që ju të merrni parasysh ofertën e Axos Capital me imtësi dhe vëmendje të veçantë”.
Por sigurisht që ky veprim nuk ka qenë i vetmi, pasi një tjetër reagim, pse jo edhe të fortë dhe tejet kritik, do të ketë shumë shpejt nga kryekomisioneri i BE-së për zgjerimin Oli Rehn.

Deklarata–gafë e Rulit

Si të mos mjaftonte refuzimi i kërkesës për privatizim, ministri Ruli në atë kohë do të lëshonte një deklaratë bombë për gazetën “Albania”, duke e cilësuar firmën “Axos” një kompani fantazmë dhe anonime. I pyetur për reagimin e tij ndaj letrës së sekretarit të shtetit gjerman, Ruli do të deklaronte: “Po, e kam letrën, është në zyrën time. Meqenëse ju thoni që është botuar, unë po të them se me anë të asaj letre gjermanët kërkonin të favorizonin një firmë fantazmë. Po, po, është firmë fantazmë. Shikojeni edhe vetë, kërkoni për këtë firmë dhe do ta kuptoni dhe vetë që bëhet fjalë për një kompani fantazmë. Ne e kemi kontrolluar dhe nuk kemi gjetur asnjë transaksion të kësaj firme”, –është shprehur ministri Ruli. Në të vërtetë, të dhënat e firmës “Axos Capital” tregojnë krejt të kundërtën. Gjatë 20 vjetëve të fundit, “Axos” ka kryer 200 investime në sektorin e telekomunikacioneve me një vlerë prej 4 miliardë dollarësh. Nisur edhe nga oferta prej 320 milionë eurosh për Albtelekomin, si dhe nisur edhe nga influenca në shtetin gjerman, por edhe në Bruksel, minimalisht del në pah mungesa e përputhjes midis deklaratës së Rulit dhe potencialit të kësaj firme.

Oferta e "Axos" për “Albtelekomin”

Në ofertën e paraqitur, "Axos" ka për qëllim ta zhvillojë Albtelekomin në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohej të ofronte shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe ËiMax) për 50% të popullatës deri në vitin 2012. Përveç 200 milionë eurove shtesë, krahasuar me ofertën fituese të "Calik", marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit nga niveli 8% që është sot në 25% brenda pesë vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti ËiMax, duke qenë se licensa për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, në ofertë parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t'u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohet në 15%, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohet se do të jetë në gjendje të lidhë në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. Duke folur për partnerin e saj strategjik, "Axos" thotë se bëhet fjalë për një operator lider në tregun europian, duke theksuar se partneri rezervon të drejtën e blerjes së shumicës së aksioneve të Albtelekomit. Por gjithçka është hedhur poshtë nga qeveria shqiptare, e cila preferoi 120 milionë eurot e turqve përballë 320 milionë eurove të gjermanëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora