E merkure, 24.04.2024, 01:29 PM (GMT+1)

Shtesë » Shkenca

Parashikimi i astronautit të parë, në 2031 shkelim Marsin, Toka e rrezikuar

E diele, 02.08.2009, 11:57 AM


Buzz Aldrin
Buzz Aldrin
Buzz Aldrin e njohin të gjithë. Qe "njeriu i dytë" në Hënë nga Lem-i i Apollo 11, në atë korrik të lodhshëm të vitit 1969


Buzz Aldrin e njohin të gjithë. Qe "njeriu i dytë" në Hënë nga Lem-i i Apollo 11, në atë korrik të lodhshëm të 1969. Historinë e mënyrës se si dhe pse e preku rërën hënore i dyti në vend që të ishte i pari, tashmë të analizuar në detaje minimale, nuk ka arritur ta përtypë ndonjëherë. Duhej të kishte dalë ai, për të lënë në bord komandantin e misionit, Neil Armstrong, dhe sidomos do të kishte dashur shumë të kishte qenë ai protagonisti i arritjes së madhe. Kurse NASA, në mënyrë të ngutshme, vendosi që Neil shkonte më mirë si imazh i "all-American boy", edhe pse iu deshën shumë vite për ta pranuar. Për disa kohë thanë se kishte ndodhur një gjë e tillë pasi në atë moment Armstrong ishte civil dhe jo ushtarak si Aldrin; pastaj provuan që të justifikohen me portën e daljes, më komode për Neil sesa për Buzz. Të gjitha shfajësime. Në realitet, e mendonin Neil më të përshtatshëm si imazh, por edhe më të aftë që të duronte stresin e popullaritetit të pafundëm (sa të pafundëm, nuk mund bile as ta imagjinonin). Ndoshta, me ngjarjen e kryer dhe me kalimin e kohës, patën të drejtë. Buzz, një karater i vështirë, dy avionë MIG të rrëzuar në Kore, nuk e mori veten asnjëherë mirë, pati probleme fizike (edhe alkoolizmi) dhe afektive (raporte të vështira me gra, bashkëshorte të ndryshme). Por sot, të paktën për Hënën, Neil nuk flet më në publik, kurse Buzz, që është tani në moshën 80-vjeçare dhe jeton në formë të plotë në Kaliforni, duke shfrytëzuar një miqësi të lindur në terren, revista Wired ka arritur që të ketë një bashkëbisedim magjepsës ekskluziv.

- Pas lajmërimit të Presidentit Kennedy në vitin 1961 bëhej fjalë për të vendosur si të arrihej vërtet të shkohej në hënë. Tri vjet nga sateliti i parë shumë i vogël amerikan dhe nga lindja e NASA-s, askush nuk kishte as idenë më të vogël. A kërkuan edhe mendimin e juve astronautëve, të cilët qetë ata që vërtet rrezikonin?

Buzz Aldrin ne Hene
Në fillim unë isha akoma në MIT, duke bërë një doktoraturë në astronautikë. Kur u përzgjodha në vitin 1963, dëgjova që të flitej për tri mundësi: Von Braun donte të realizonte një raketë shumë të madhe, në gjendje që të nisej nga Toka, të ulej mbi Hënë me marsh prapa, të rinisej dhe të kthehej në shtëpi. Një ide madhështore në thjeshtësinë e saj, por jashtëzakonisht shumë e rrezikshme. Pastaj ishte mundësia më e sigurtë, ajo e një rendez-vous në orbitë tokësore të segmenteve të ndryshëm me mision të nevojshëm për të shkuar e kthyer nga Hëna, të gjithë të vënë në orbitë me dy Saturn V (raketa më e fuqishme e pandërtuar ndonjëherë nga NASA). Por ajo që fitoi qe ideja e një rendez-vous në orbitë hënore. Ishte shumë më pak e sigurtë se ajo në orbitë tokësore, por mund të bëhej vetëm me një Saturn V. Natyrisht, NASA zgjodhi këtë opsion: bënte të kurseheshin 2 miliard dollarë dhe 2 vite në kohë. Ishte edhe mënyra e vetme për të respektuar premtimin e bërë një Presidenti të vrarë.


- Përveç se më e sigurtë, një infrastrukturë në orbitë tokësore do të kishte mbetur edhe pas Apollo. Shumë mendojnë se sikur të kishte ndodhur kështu dhe me Von Braun akoma në lojë, sot do të ishim tashmë mbi Mars.

Për t'u tallur, më quanin "Dr. Rendez-Vous": doktoratura ime ishte pikërisht mbi kapjet në orbitë, që në atë kohë ishte një gjë e rrallë dhe e vështirë (jo se sot janë për t'u marrë më lehtë…). Pikërisht si ekspert, dhashë megjithatë miratimin tim ndaj kapjes në orbitën hënore, edhe pse ishte më e rrezikshme. Ne donim të shkonim sa më shpejt në Hënë, me çdo kusht.

- Le të vijmë në një çështje mbi të cilën edhe BBC-ja ka këmbëngulur shumë në kohën tuaj: është e vërtetë se patë një UFO duke shkuar drejt Hënës?

Qeshë unë ai që pashë një dritë, si atë të një ylli të shkëlqyeshëm, e cila lëvizte kundër qiellit plot me yje të palëvizshme. Ishte dita jonë e parë e shkuarjes tonë drejt Hënës. Ia thashë edhe Neil dhe Mike (Collins), të cilët e panë menjëherë. Dukej sikur po na ndiqte në distancë. I drejtuam teleskopin tonë të vogël, me pak vështirësi për ta vënë në qendër. Kishte një formë L-je, ishte në mënyrë të dukshme një prej katër paneleve që përshtatnin anijen tonë në stadin e fundit të lëshuesit. Në momentin e shkëputjes nga lëshuesi dhe të nisjes për tri ditët e rrugëtimit Tokë-Hënë, kishim vënë në veprim shkëputjen e këtyre paneleve, të komanduar me susta. Por, përderisa qenë ngritur tashmë, panelet mbetën në trajektore të ngjashme me tonën dhe ne po shikonim më të afërtin. Një shpjegim banal, natyrisht asnjëherë i pranuar nga fanatikët e UFO-ve, veçanërisht nga BBC-ja. Qenë tepër të magjepsur nga ideja e një objekti të panjohur që na ndiqte. Shkova deri në Larry King Show duke sjellë me vetë një prej atyre paneleve në televizor, por nuk mund të bindet kush pëlqen të ëndërrojë.

Buzz Aldrin - Gjurma e tij ne Hene, fotografuar nga vete ai
- Nuk keni parë asgjë tjetër të habitshme mbi Hënë?


Vetëm të famshmet "flicker flashes" (kështu i quan Buzz). Qenë shkreptima shumë të shpejta drita që unë dhe të tjerët i shikonim herë pas here, pa asnjë arsye të dukshme. Më pas na kanë shpjeguar se bëhej fjalë për korpuskula rrezesh kozmike, që përshkonin me shpejtësi shumë të lartë syrin tonë dhe na jepnin atë ndjesi, pa dëm të dukshëm. Ndoshta, por duhet mbajtur parasysh nëqoftëse duam të udhëtojmë për një kohë të gjatë në hapësirë.

- Duke rimenduar sot, braktisja e Apollo dhe fillimisht ndërtimi i Shuttle dhe më pas të fillohej Stacioni Hapësinor qe vërtet një ide e mirë?

Shuttle pati një menaxhim shumë të gjatë, nga 1971 deri më 1981. E kisha lënë NASA-n dhe e dhashë mendimin tim vetëm nga jashtë. Isha kundër strukturës së Shuttle ashtu siç dhe u realizua më pas. Do të kishte qenë shumë më mirë të nxirrej në orbitë Skylab1, stacioni i parë hapësinor, së bashku me stacionin e dytë rezervë që nuk fluturoi kurrë, dhe të përdoreshin si module bazë për një stacion që do të mund të mbante edhe 8 astronautë njëherazi.

- Po Stacioni Hapësinor?

Stacioni kishte filluar si bazë për Strategic Defense Initiative të viteve '80, e njohur edhe si Star Wars në kohërat e Presidentit Reagan. Duhej të quhej Freedom dhe të përfaqësonte alternativën ndaj hapësirës sovjetike. Në vitet e fundit të tij, Bashkimi Sovjetik nuk e pranoi sfidën dhe vendosi që ta flakë fshirësen hapësinore. Pastaj ranë si ai, ashtu dhe Muri i Berlinit. Strategic Defense Intiative nuk kishte më arsye të ekzistonte, por Stacioni ishte i pandalshëm. Duhej të ishte tashmë në orbitë qysh nga viti 1984 dhe të kushtonte maksimumi 8 apo 10 miliard dollarë. Kurse as Shuttle, as Stacioni Hapësinor, jo akoma i përfunduar dhe që kish kushtuar ndoshta 100 miliard dollarë, janë në lartësinë e shpresave.

- Le të flasim për të ardhmen, NASA u bindet urdhrave të George W. Bush (deri më tani të konfirmuar nga Obama) dhe thotë se do të kthehet në Hënë. Një kthim i tillë do t'i shërbejë eksplorimit?

Rikthimi në Hënë që NASA është duke planifikuar nuk është eksplorim.

- Vërtet? Po atëhere a ka kuptim sot, për Shtetet e Bashkuara, që të kthehen në Hënë?

E përsëris, të shkosh në Hënë sot do të thotë të bësh zhvillim, jo eksplorim. Vizioni im është shumë më i gjerë dhe është shumatorja e eksplorimit, plus sipërmarrjen private, plus zhvillimin e satelitëve me shtytje diellore (një koncept të cilin Buzz nuk e shpjegon më në detaje), plus turizën hapësinor.

- Si mund të zhvillohet kjo ideja juaj?

Parasëgjithash duke ndërtuar një XM (Exploration Module), një modul eksplorimi, i cili, ai po, mund t'i ngjitet Stacionit Hapësinor për një seri të parë testimesh. Një projekt alternativ do të ishte ai i dy Skylab-ëve të vënë afër njëri tjetrit, gjithsesi duhet të jetë novator. Në projektimin dhe realizimin e tij mund të marrë pjesë edhe industria italiane me Alenia-s (sot Thales Alenia Space Italia), e cila di t'i bëjë modulet më mirë se Boeing (thotë pikërisht kështu Buzz, duket i bindur në atë që thotë, nuk duket se e thotë për kompliment). XM-ja mund të jetë gati për vitin 2016.

- Po pastaj?

Duhet lëshuar dhe vënë në pikën e "libracionit" midis Tokës dhe Hënës, domethënë pikën ku dy fushat gravitacionale të Tokës dhe Hënës anullojnë njëra tjetrën dhe çdo masë qëndron e palëvizshme, tamam si në ekuilibër. Rinisja nga aty kushton zero energji, jo si të nisesh nga sipërfaqja e Hënës dhe, në këtë pikë, the sky is the limit.

- Ndonjë shembull konkret?

Në vitin 2018 do të kalojë një kometë afër Tokës, e cila mund të arrihet dhe të ndiqet për pak kohë, për ta shikuar dhe për ta studiuar nga afër. Në fakt, në bordin e XM-së duhet të jenë astronautë ekspertë trupash ndërplanetarë. Por edhe në vitet 2020 e 2021 do të kalojnë objekte interesante, domethënë dy asteroidë të popullsisë, orbita e të cilëve përshkon atë të Tokës. Natyrisht, janë më të rrezikshëm për ne, por edhe më intriguesit. Edhe lidhur me këta të dy mund të imagjinohen misione zbulimi dhe trajnimi, me kohëzgjatje prej rreth një vit, me nja 20 ditë me fazë "aktive", domethënë në kontakt me objektin - shënjestër.

- Magjepsëse. Ky po që është eksplorim …

Në këtë pikë, rreth vitit 2022, do të ishim të gatshëm për hopin e vërtetë ndërplanetar, do të ishim të aftë që të tejkalonim distanca të matshme me minuta - dritë, jo me sekonda - dritë. (Hëna është larg pak më shumë se 1 sekondë - dritë, Dielli është larg 8 minuta - dritë dhe Marsi pakashumë po aq). Në vitin 2025, parashikoj uljen mbi Phobos, një prej satelitëve të Marsit, gjithmonë me qëllimin për t'u stërvitur me distancat dhe me misionet e gjata. Së fundi, në vitin 2031, uljen mbi Mars.

- Me pak fjalë, pas pak më shumë se njëzet vjetësh në Mars. Nuk ka kohë për të humbur…

Buzz Aldrin, 2009
Buzz Aldrin, 2009
Jo dhe pikërisht për këtë Shtetet e Bashkuara duhet të thonë në mënyrë të qartë se nuk do të kthehen në Hënë. Të paktën deri kur partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë demonstruar se kanë të njëjtat kapacitete që kishim në mbarimin e projektit Apollo. Shtetet e Bashkuara duhet në fakt të bëjnë eksplorim të ri përtej Hënës.


- Po sikur do të donim të ecnim më shpejt?

Sikur të donim, për vitin 2019 do të jemi teknikisht të gatshëm të shkonim në Mars, por jo të ktheheshim prej tij. Kështu, do të ishte e mundur të ulej një ekuipazh me shumë furnizime dhe shumë vullnet të mirë, i armatosur me shpirt të vërtetë pionieristik. Mund të bënin maksimumin për të mbijetuar, duke kaluar nga Robinson Crusoe në pionierë të aftë që të nxirrnin resurse nga vendi ku ndodhen dhe pastaj të procedonin me riprodhimin në vend. Në harkun e 20 viteve, popullsia mund të fillojë të stabilizohet. (Këtu Buzz duket fuqimisht i frymëzuar në vizionin e tij nga historia e pionierëve amerikane, të gjithë të vdekur, për një arsye apo për një tjetër, pasi kanë arritur në Botën e Re).

- Buzz, le të kthehemi në gjëra më realiste: çfarë të bëjmë me Ares-in dhe sistemin e ri të quajtur "Apollo on steroids" (Apollo në stereoide) për t'u kthyer në Hënë?

Motoja ime është e qartë. Qenie njerëzore përtej Hënës, drejt Marsit, përpara se qenie njerëzore sërish në Hënë. Kështu, konvertim të programit "Constellation" në prodhimin e moduleve XM dhe më pas drejt pikës së vibracionit. Pastaj më tej.

- Për të konkluduar, si t'ia bëjmë të fusim edhe në këtë ëndërr një bashkëpunim Europë - Shtetet e Bashkuara dhe si mund të dimë më shumë?

Është e vërtetë, duhet të bashkëpunojmë më shumë, edhe në ndërtimin e moduleve XM që mund të bëhen një specialitet italian... Do të doja të flisja më shumë me miken time Simonetta Di Pippo, drejtore e programit të fluturimeve të Agjencisë Hapësinore Europiane. Ndërkohë sapo ka dalë libri im, i titulluar "Magnificent Desolation", në të cilin natyrisht që tregoj aventurat e mia, por i kushtoj një pjesë finale përgatitjes së një të ardhmjeje të vërtetë eksplorimi njerëzor të hapësirës.

Intervista është realizuar nga Giovanni Bignami, astrofizikan, i cili ka zbuluar yllin e neutroneve Geminga dhe kryeson Agjencinë Hapësinore Italiane.

Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora