E diele, 23.02.2020, 02:57 PM (GMT)

Aktualitet

Shkurorëzimet - Kanceri i Shoqërisë Kosovare

E merkure, 08.08.2007, 07:45 PM


Nga: Valentin Batalaku

Në familjet kosovare ka filluar një krizë e hapur,ka ndodhur një çoroditje e jetës sociale shqiptare, e cila është e panatyrshme dhe abnormale.Dyndja e njerëzve në qytete,jetesa nga ndihmat humanitare,braktisja e punës në bujqësi dhe blegtori,ka krijuar një krizë morale të familjeve,ku konflikti i akumuluar brenda përbrenda martesave shpërtheu fill pas lufte dhe si pasojë e gjithë kësaj kemi shkurorëzimet që janë duke u shkallëzuar vit pas viti.

Shoqëria kosovare është shëndruar në shoqëri konsumuese,ku tashmë gruaja është bërë simbol dhe protagoniste e këtij mentaliteti konsumues.Janë paraqitur disa dukuri artificiale, trende,si për shembull, problemi i pamjes së vijës së trupit, bukurisë,lirisë seksuale,famës,modelit bashkëkohor të femrës.Shumë gra shpresat e tyre i kanë përqëndruar në pamjen fizike dhe tërheqjen seksuale,duke i vizituar si të hallakatura ”sallonet e bukurisë” nëpër qendra të qyteteve. Energjia e tyre po përqëndrohet në imitimin e ”vlerave kulturore” të shteteve perëndimore. Fëmijët po i përjetojnë mosmarrëveshjet ndërmjet prindërve, në të shumtën e rasteve bëhen dëshmitar të grindjeve të prindërve të tyre. Mbretëron një pasiguri dhe ankth familjar. Rezultati:paraqitja e konflikteve martesore-shkurorëzimeve në shoqërinë kosovare!

Lidhur me shkurorzimet dhe ndarjet në këto rrethana logjikisht parashtrohen disa pyetje që duhet përgjigjur: Cilët janë faktorët apo arsyet e ndarjes së çifteve? Kush ngritë padinë për shkurorëzim, gruaja apo burri? Pas ndarjes, kujt i besohen fëmijët për përkujdesje të mëtutjeshme, nënës apo babait? Në favor të kujt bëhet ndarja e pasurisë së çifteve? Në rastet kur fëmijët i besohen nënave, cili është arsyetimi i organeve kompetente nëpër gjykata dhe Qendrat për mbrojtjen socilae? Nëse fëmijët i besohen nënës, a ju realizohet atyre e drejta e alimentacionit? Cilat janë arsyetimet më të shpeshta të organeve kompetente për mos ndarjen e alimentacionit? Gjatë procesit të shkurorëzimit, nga kush bëhet përfaqësimi ligjor për gruan?

Është një dukuri shumë e përhapur,se po të tregohet afekt ndaj gruas mund të përceptohet si ”tradhëti” ndaj prindërve.Prindërit dëshirojnë ta ”kenë” të birin në çdo mënyrë dhe pa kurrfarë kushti,me një dashuri tepër ”posesive”,e cila e kufizon pozitën dhe lirinë e gruas në familje.Sa familje janë shkatërruar për këtë arësye,sepse prindërit nuk e durojnë nusen dhe ndikojnë në fëmiun e tyre,se nusja nuk vlen pesë pare,nuk është për te dhe është shkaku i grindjeve familjare.

Në rrethin familjar krijohet një rivalitet absurd në mes të nënës dhe gruas.Nëna ”befasohet” se si e ”huaja” t'ia marrë djalin,ajo të mos jetë më qendër e dashurisë së tij,pra e ka sjellur deri te gjendja që të ndahet edhe prej nënës.Bashkëshortja, në anën tjetër,mbetet e vetmuar,e tensionuar,e grindur,e pasigurtë dhe paperspektivë.Kjo është sindromi i familjes patriarkale,që fatkeqësisht ende është prezentë në shoqërinë kosovare.

Sipas evidencës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në periudhën kohore 2000-2003 ka pasur 1.971 shkurorëzime.Viti 2003 shënon një rritje marramendëse të numrit të shkurorëzimeve prej 89 %.Kjo krizë familjare njëherit shkakton pasoja edhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Shkaku kryesor i konflikteve martesore është prezenca e dhunës psikike dhe fizike në jetën bashkëshortore.Viktimat në të shumtën e rasteve janë gratë,të cilat zakonisht e heshtin dhunën për shkak të traditës dhe paragjykimeve të vjetra, se ”problemet jashta shtëpisë nuk guxojnë të dalin”,bindja e viktimave se nëse zbulohet dhuna ekzistuese brenda familjes njolloset familja dhe zbehet imazhi i familjes së shëndoshë.

Frika nga ushtruesit e dhunës se do t'iu hakmirren dhe se dhuna do të merr përmasa edhe më të mëdha është një nga faktorët e heshtjes.Edukimi tradicional se gruaja në familje të burrit duhet të punoj,të duroj dhe se nuk ka të drejtë të merrë pjesë në vendimmarje ndikon në heshtje.Shumica e grave viktima nuk gjejnë përkrahje për të drejtat e tyre as nga familjet e tyre në gjini.

Në momentin kur si pasojë e ushtrimit të dhunës së vazhdueshme paraqesin padi për shkurorëzim,ose kërkojnë ndarje ato duhet të llogarsin se fëmijët sipas traditës i takojnë familjes së burrit,dhe se fëmijët e tyre edhe në gjini nuk iu pranohen dhe janë të padëshirueshëm ”si gjak i huaj”.Duke marrë parasysh mungesën e infrastrukturës ligjore në Kosovë, edhe nëse arrijnë gratë të marrin fëmijët me vete, e kanë të pa rregulluar dhe të pa definuar çështjen e ndarjes fizike të pronës dhe çështjen e strehimit.Shumica e grave janë të papunësuara dhe me nivel të ulët të shkollimit dhe perpsektiva e tyre është e zymtë.Kur iu bashkangjiten këtyre faktorëve edhe implementimi jo i drejtë i ligjeve në fuqi mund të kuptohet lehtë edhe heshtja e viktimave dhe hezitimi i tyre per të kërkuar drejtësi.

Faktorët kryesor që shkaktojnë çrregullime në jetën bashkëshortore janë: pozita favorizuese e burrit në familje në proceset e vendimmarjes, epërsia e burrit në menaxhimin e buxhetit familjar,primati i burrit dhe familjes së tij në rregullimin e jetës së përditshme të anëtarëve të tjerë të familjes, mungesa e të drejtës së graus në planifikimin familjar, ndërhyrja arbitrare e anëtarëve të familjes së burrit në jetën e çifteve qoftë atyre që jetojnë në bashkësi familjare apo edhe të atyre që jetojnë ndaras nga bashkësia familjare, ndërhyrja e anëtarëve të familjes së burrit në edukimin e fëmijëve, konsiderimi i gruas dhe të fëmijëve si pronë private e burrit-pronë kjo me të cilën ka ”të drejtë” të bëjë çka të dojë,pamundësia e komunikimit të ndërsjelltë,gjendja psikofizike jostabile e bashkëshortit/es, papjekuria e çifteve për jetë martesore, mungesa e dëshirës për bashkëjetesë,sindromi postraumatik si pasojë e luftës, mungesa e dëshirës për të pasur marrëdhënie seksuale, tradhtia ndërbashkëshortore etj.

Fenomeni i trekëndëshit të famshëm, bashkëshorti-bashkëshortja-i/e dashura(i) është shumë aktual në Kosovë. Me ardhjen e ndërkombëtarve, bashkë me institucionin e martesës është zhvilluar paralelisht gjatë këtyre pesë viteve edhe tendenca për cenimin e besnikërisë.Shkaqet janë të shumta,duke nisur nga nevoja për një komunikim të thellë deri tek mërzia e jetës në çift.Tradhëtia zakonisht zbulohet,por shpesh mbetet e fshehtë nga vetë karakteri intim dhe tepër konfidencial që kanë marrëdhënie të tilla.Gruaja ose burri që tradhëtohet,ndijhen të vetmuar dhe të lënë mënjëanë,të pavlerësuar dhe të pakonsideruar.Pra,çdo braktisje shkakton një lëndim të imazhit tonë që ndodhet tek secili prej nesh,duke ndikuar drejtpërsëdrejti në vetëvlerësim të çifteve martesore.Mirëpo,përkitazi me femrat ato e mbajnë më të fshehtë lidhjen me personin e tretë.

Në këto rethana jeta bashkëshortore bëhet e padurueshme dhe si pasojë lind konflikti martesor, ku në të shumtën e rasteve manifestohet si degradim i personalitetit të çifteve, humbja e kontrollit, vetëbesimit, perspektivës, sigurisë, depersonalizimi, çrregullimet psikosomatike, viktimizimi në hallkë të dhunës dhe përcjella e gjendjes së elektrizuar tek fëmijët. Fatëkeqësisht, në familjet ku mbretërojnë këso farë lloj raportesh zakonisht çiftet zgjedhin rrugën më të lehtë,duke futur në jetën e tyre personin e tretë-jaranin ose jaraneshën.Këtu, pra, fillon mllefi dhe erupcioni i urrejtjes të bashkëshortëve! Natyrisht,vendet më të frekfentuara të çifteve bëhen avokatët, qendrat sociale,gjykatat dhe stacionet policore.

Në Kosovë është paraqitur një dukuri specifike- shkurorëzimi me marrëveshje për shkaqe ekonomike,kur meshkujt emigrojnë në botën e jashtme dhe lidhin kurorë me gra të huaja,vetëm e vetëm për të sigurauar vizën.Me gjithëse ndarjet janë me marrëveshje,e ardhmja e grave dhe fëmijëve është për tu brengosur.Burrat e tyre nuk lajmërohn pas largimit të tyre nga Kosova.Barra në përkujdesjen e fëmijëve mbetet në nënën pa kurrfarë të ardhurash finansiare.

Shkurorëzimet kanë kaluar në kompetencat e Gjykatave të Qarkut,ndërsa veprimtaria i Qendrave për Punë Sociale është fokusuar kryesisht në punën që lidhet me parapërfundimin e shkurorëzimit si organ i kujdestrarisë për të dhënë mendimin lidhur me mundësinë e parë të pajtimit të çifteve dhe të besimit të fëmijëve nëse arrihet deri te shkurorëzimi.Ndarja dallon nga shkurorëzimi në faktin se kjo lidhet kryekëput me QPS-të dhe gjykatat nuk kanë kurrfarë kompetence.Është interesante se procedura e ndarjes së çifteve pa kurorë fillon dhe mbaron nëpër këto qendra.Ndërsa, ndarja e pasurisë së çifteve hudhet në përgjegjësinë e Gjykatave Komunale.

Shpjegimet e gjykatave kosovare për shkurorëzimet janë:se këto paraqiten për shkak të dhunës familjare, posedimit të karaktereve të ndryshme të çifteve bashkëshortore dhe për shkak të kushteve ekonomike.Kërkesat për shkurorëzim parashtrohen nga të dy palët. Megjithatë, ka një dallim në baza gjinore.Vetëm një e treta e kërkesave për shkurorëzim parashtorhet nga gratë. Gjykatësit janë më analitik në besimin e fëmijës. Këta deklarojnë se kjo varet nga rrethanat, kushtet e jetesës dhe vet kërkesave të fëmijës mbi moshën 10 vjeç, por përgjegjësinë e hudhin në shportën e qendrave sociale, sepse këto e kanë detyrën e përcelljes së kushteve të jetesës dhe të kualitetit emocianal të prindit për fëmijën. Ndarja nga fëmija bëhet edhe me marrëveshje që quhet një ”braktisje me marrëveshje” nga nëna.

Sa i përket respektimit të vendimit për ndarje të alimentacionit, palët nuk e respektojnë, e quajnë “një copë letër”, e cila në të shumtën e rasteve vështirë aplikohet. Pala që nuk respekton këtë, janë burrat. Përfaqësimin ligjor të gruas gjatë procedurës së shkurorëzimit e bëjnë vetëm avokatët zyrtar. Është interesante, se në gjyqësinë kosovare nuk përzihet procedura e shkurorëzimit me procedurën e trashëgimisë.Kohëve të fundit padinë për shkurorëzim po e ngrisin gratë. Alimentacioni është çështje e kushtëzuar me gjendjen materiale të bashkëshortit të ndarë. Varfëria e madhe është duke cunguar të drejtën në alimentacion, e me këtë rast edhe cungon të drejtën e besimit të fëmijës tek nëna.

Duke marrë parasysh atë që është theksuar më lartë, a ia vlen të flasin bashkëshortët me njëri-tjetrin? Problemi qëndron të falin apo jo?Marrëdhënia bashkëshortore është tepër e rëndësishme,duhet ushqyer vazhdimisht,dhe kur nuk është fjala për një tardhëti të përsëritur,falja është nderi më i madh që mund t'i bëjnë lidhjes bashkëshortore.Përndryshe, do të përballen me drejtësinë,e cila është e ngadalshme por goditjen e ka të fuqishme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT