E marte, 16.04.2024, 06:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Kulla e Torontos dhe Stambolli

E shtune, 01.08.2009, 02:02 PM


Tregim

Vangjush Ziko

KULLA E TORONTOS DHE STAMBOLLI
 
Kur e shpuri djali për herë të parë në qendër të Torontos,Viktorisë i ranë në sy ndërtesat shumëkatshe prej qelqi,që vezullonin e shkrepëtinin nga rrezet e diellit.Ato iu dukën si pallate gjigante të ngritura për të bujtur ëngjëjt e qiellit kur zbresin në tokë.Por ajo që i mbeti në mendje,ishte kulla e lartë e cila dukej sikur gërvishte me majën e saj retë.Në fillim iu duk si një minare e stërgjatë.Por e largoi atë mendim.Këtu ishte në Amerikën e Veriut dhe jo në ndonjë vend të Lindjes së Mesme.
-Qënka si një lapidar,-tha duke ngritur sytë e duke parë lartësinë e saj sa iu morën mentë.
I biri qeshi nën buzë.
-Akoma me lapidarët në mendje,ti!Kjo është ,thjesht,një pikë panoramike,një belvedere.
-Po atë unazë si çallmë ç'e ka pranë majës?
-Ajo është belvederja.Do hipim dhe do ta shikosh.
Pritën radhën.Kishte plot vizitorë.Prenë biletat dhe morën ashensorin.Nuk ishte ndonjë gjë e këndshme ngjitja.Bile,ishte e frikshme.Asaj iu drodh zemra nga shkundja e parë.Por nuk arriti të mendojë gjatë për rrezikun.Kishin arritur në belvedere.
Belvederja ishte një lokal i rrumbullaktë me mure prej xhami.U ulën në një nga tavolinat bosh dhe porositën kafenë.Kafe turke nuk kishte.Viktoria kishte filluar ca nga ca të mësohej me lëngun e zi kanadez.Duke surbitur kafenë,ajo hodhi vështrimin përtej xhameve të lokalit.Nuk po e mblidhte dot mendjen.Po i merreshin akoma mentë nga ashensori,apo po rrotulloheshin ngadalë!
-Po rrotullohemi,-i tha i biri,që e priste habinë e së ëmës.Nuk ia kishte thënë.Ia kishte lënë si të papritur.
-Po pse?-pyeti ajo akoma kureshtare.
-E kanë bërë që,duke ngrënë drekë e duke pirë kafenë,të shikosh tërë horizontin.
Dhe vërtet.Tutje kaltëronte liqeni si det i Ontarios,që shkrihej dhe bëhej një me qiellin.Një re e bardhë,që ishte tutje në horizont,filloi të mbetet pas,anash.Doli përpara syve një sheshtinë pa fund,që puthitej si fiston diku larg me qiellin.Shtëpitë e panumurta të qytetit gjigant të Torontos ngjanin si lodra të vendosura tërë rregull dhe hijeshi.Viktoria e ndjeu veten për një çast porsi zog që fluturonte qetë me krahët e nderë e të palëvizur i shtyrë nga era.Ishte një bukuri fluturuese.Mbase,po të kishe një dylbi të fortë,dukej jo vetëm Amerika,por edhe Europa dhe Azia.Viktoria qeshi me vete.Kjo nuk ka mundësi se globi është i rrumbullaktë.Ajo surbiti kafenë dhe mendja i vajti prapë në lapidarët.
-Edhe po të ishte lapidar kjo kullë,do të ishte për të gjithë të rënët e Botës.
-Është,gjer tashi,kulla më e lartë në botë.Katërqind e shtatëdhjetë e tre metro.
-Të gjorët,nuk kanë male dhe ngrenë kulla për të parë botën,-qesëndisi Viktoria.
I biri vazhdoi të pijë kafenë dhe të shikojë indiferent panoramën që e kishte parë edhe herë të tjera.Sa herë vinte ndonjë emigrant i ri apo vizitor,ishte bërë zakon që ta sillnin këtu.Dhe të gjithë bënin ca pyetje të tilla të çuditshme.
Kurse truri kurioz dhe ngacmimtar i së ëmës po bluante një mendim që i shkrepi papritur.Nuk u përmbajt dot dhe pyeti me një buzëqeshje të lehtë në buzë.
-Mos e kanë ngritur që ta shikojnë tërë hallexhinjtë e Botës,të papunët?
I biri qeshi me zë me fantazinë e çuditshme të së ëmës.
-Ashtu është.Edhe ne këtë pamë dhe u sulëm.
Viktorisë iu kujtua atë çast shprehja popullore: hipë këtu të shikosh Stambollë.
Ajo mbaroi kafenë dhe i tha të birit duke vazhduar mendimin e saj.
-Ngrihemi,djalë!E pashë dhe Stambollë.
-Toronton,-e korrigjoi i biri.
-Stambolli është i pari që u bë sebep për kurbetin nga anet tona,mor bir,-psherëtiu Viktoria.
 


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora