E enjte, 25.04.2024, 01:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Ikonë vetëdijësimi

E shtune, 01.08.2009, 01:57 PM


                           Ikonë vetëdijësimi   

                                             Mehmetali Rexhepi

           (Shefik Shkodra: “Albania” e Konicës - pergamenë shqiptare”, Rilindja, 1995)

 

Le t’i shpalojmë vetëm disa fletë të librit të pashkruar që i parapriu këtij, të cilin ka vite e kemi të shkruar, të botuar dhe në duar të lexuesve.

Interesimet për figurën dhe veprimtarinë e Faik Konicës të Shefik Shkodrës, autorit të librit “Albaniae Konicës - pergamenë shqiptare” kanë qenë të hershme dhe, madje edhe para viteve tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ato interesime frymëzuese qenë të këmbëngulta, të pandërprera, të gjithanshme dhe të vijueshme, ndonëse situatat e kishin shtyrë në dëshpërime jetësore etninë dhe autorin.

Të gjitha mynxyrat e çfarëdollojshme, i përballi vullneti i pashkruar, me një frymëzim të pashuar i studiuesit, për t’iu qasur figurës së anatemuar për gjysmë shekulli, Faik Konicës. Dhe, përmes kësaj figure, Shkodra ka depërtuar në kënde të pandriçuara të periudhës së vetëdijësimit kombëtar dhe evropizimit qytetar, të emërtuar me të drejtë Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Në këtë vepër, që del e rudhur, me peshore të masës, veçmas spikatet përmasa dhe roli i veçantë e i pazëvendësueshëm, i themeluesit e prijësit vizionar të “Albanisë”, për vetëdijësimin e shqiptarëve në sferën qytetare, për përkatësinë e tyre në gjirin e kulturës e të qytetërimit evropian.

Ngjajshëm me studiues të mirëfilltë, me gjithë mangësinë materiale, gjakimi pas “Albanisë”, të cilën e çmoi si pergamenë shqiptare, përpos në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e shpuri në Zagreb, në Francë, në Paris, në Bruksel ku e kishte selinë e daljes, pastaj në Zvicër dhe në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës.

Një dilemë e mbrujtur në modestinë e Shkodrës, sa vinte e po i shtohej, kur po e përgatiste këtë libër për ideatorin e adhuruar të Rilindjes. Në atmosferën e rrjedhave të ndryshuara shoqërore, kur Faik Konica po i rikthehej botës shqiptare, pasoi një “vërshimë” në kuptimin rivlerësues, qasje për dhe rreth Faik Konicës, të studiuesve të shumtë, të mirëfilltë, shterues a të përciptë, të guximshëm a frikamanë, të çiltër a përfitues. Dilema përkonte me drojën për ngjajshmëritë në qasje dhe përsëritje të mundshme me studiues të tjerë, gjithnjë në rritje të kësaj trashigimie, që po rivlerësohej në dritën e shumëmendësisë.

Përkitazi me këtë, Shkodra shmangien e bëri digë për ndikimet a tautologjitë e mundshme, reflektimet e tyre në rezultatet e zbërthyera me rreptësinë e dijes. Burimeve që iu referua për të argumentuar pikëpamjet për “Albaninë” janë të dorës së parë…

 

* * *

 

Se “Albania” e Konicës ishte “Anatomi e kulturës shqiptare” mbi dhjetë vjetët e daljes e  të shpërndarjes, herë si mujore, herë si e përdyjavshme e javore në gjuhët shqip e frëngjisht për opinionin e paktë të ngritur shqiptar dhe atë evropian, në shkrimet e saj ngjizej etnia, pleksej, identiteti kulturor e shpirtëror i shqiptarëve mes Skilës e Haridbës… Mprehej çështja ekzistenciale mes kudhrës e çekanit, gjysmëhënës, kthetrave të shqiponjave të bardha, drapërit e çekanit…

Shkodra pasi ngulmoi të vilte anë të panjohura të mendësisë, solli shumëçka për “Albaninë”dhe ideatorin e saj, Faik Konicën.

Ky libër qartëson gamën e gjerë të gjetjeve, interesimeve, kërkimit, zbulimit, argumentimit e krahasimit, konstatimeve brengosëse e mospajtimit, ripërtëritjes e rigjenerimit përmes risjelljes së vlerave të shkapërderdhura etnisë, duke ushtruar kritikën për flakje dogmash e vesesh të shartuara imponueshëm…

Konstatimet e Konicës që i rinënvizoi Shkodra, si roli çlirimtar i shqiptarëve për Greqinë e të tjerët, anashkalimet, përbuzjet, kurthat ballkanike në aleancat e fqinjve, paragjykimet shëmtuese për t’i arsyetuar grabitjet e trojeve përmes zhbërjeve tragjike, të pashkruara dhe, për veshët evropianë të padëgjuara e të pandëshkuara!

A nuk janë këto këndshikime tjera pa perde, nga asosh të servuara prapa perdeve të aleancave fetare e politike, të ideologjive të qytetërimit evropian?

In medias res” i librit është pikërisht qasja kritike, qortuese e Konicës për shqiptarët lehtë të përdorur në luftëra e shërbime për të tjerët, por pa përfitime për veten e tyre.

Libri “Albaniae Konicës - pergamenë shqiptare” riaktualizoi vizionet e Konicës për akëcilën dukuri, personalitet e ngjarje zhvlerësuese të etnisë  në fillim të shekullit të njëzet dhe, moderniteti është duke ia përtrollit.

Në pikëpamjet për gjuhën dhe nivelin profesional, “Albania” ishte strumbullari i rilindësve shqiptarë, ca nga të cilët Konica i përqeshi dhe i ironizoi, me a pa të drejtë? Përmes “Albanisë” ai vuri në spikamë konstatimin, se pa një gjuhë unike “…kemi mbetur të ndarë njëri nga tjatri”. Shqipja, duke mos qenë e lavruar, nuk e thithte dot, sipas Konicës, nektarin e gjuhëve e të kulturave të pasura.

Avokati më i shquar i shqiptarëve: në Evropë, në Amerikë, Lidhjen e Kombeve e gjetiu, Konica përfaqësoi pasqyrën e gjallë modeluese të zëdhënësit “gjentelmen”, të një populli të nëpërkëmbur që meritonte tjetër trajtim. Dhe, ai me dijet enciklopedike në fusha të ndryshme të kulturës e komunikimit perëndimor, me argumente: qofshin arkivore a të gjalla, të atypëratyshme, me stil të hollë e të mprehtë polemik, ironik e satirik, me të dhëna të dorës së parë, “sui generis”, kur e lypte interesi i atdheut ambientohej në një diplomat “par exelans”, si me fjalor, takt diplomatik e retorik dhe logjikë të papërsëritshme.

Në “Albania” intuita e Konicës identifikonte ngjyrat e ambientuara të kameleonëve politikë e shpirtërorë serbë, sado të kamufluar… Prapa të viktimizuarëve të shpifur fshihej krimi i tyre grabitqar. Për taktika të tilla, të pavjetëruara për ta, a nuk jemi edhe sot dëshmitarë?       

 

* * *

 

Në studimin “Albania e Konicës - pergamenë shqiptare” të Shefik Shkodrës, është për tu nënvizuar kujdesi i këtij shkrimpasionanti për një ndërtim sintaksor të rrjedhshëm të fjalëve, të shijes përzgjedhëse për kapërdirje vetëm të asaj që është lëndë e njëmendtë, fjali të ndërthurura me kumte e kuptime të logjikshme. Përdorimi dhe renditja e fjalive të ndërmjetme, duke iu shmangur ndërhyrjeve kalkore të frëngjishtes, e bëjnë të lehtë rrjedhën e komunikimit të përceptuesit me receptuesin. Për ta pikasur këtë ngre stome sintaksore, që të mos vërshohen qartësia e mendimit dhe e thënieve me dyzime termash, të hasur në letrat e diskurseve të pasprovuara shkencore.

Ajo çka e bën këtë libër të përdorshëm e praktik, janë të dhënat e larmishme, informacionet që jep, është kronologjia e jetës dhe ngjarjeve historike e kulturore, e dhënë përmes datave dhe emrave të personaliteteve, të cilat reflektojnë kontekste të fushëveprimeve të gjithanshme të Faik Konicës e të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

 

* * *

 

Saktësia e pikëgjykimeve të para një shekulli, mendjemprehtësia parashikuese e sintetizuese për akëcilën dukuri për dhe rreth kulturës shqiptare, organizimit të organizmit shtetëror në kontekstin evropian, me prani tiparesh anadollake, nuk ia luhati, as zbehu moderniteti.

 

* * *

 

Pikërisht këto veçanti admiruese, mëtoi t’i sintetizonte studimi përgjithësues i shtjelluar në “Albania e Konicës - pergamenë shqiptare”.

Nga ky autor, për këtë trashigimi të denjë, me reflektime nga e djeshmja në të sotmen, presim  këndvështrime më  të qëmtuara edhe më shteruese.

 Me këtë trashigimi nuk kemi arsye të ndjehemi inferior para të tjerëve: as si studiues, as  si   kulturë, as si mendësi e përshkuar evropiane.

 

 

      GJILAN, korrik 2009



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora