E premte, 29.03.2024, 01:48 PM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Xhemë Karadaku (Xhemail Halili)

E shtune, 01.08.2009, 01:45 PM


 Xhemë Karadaku
Xhemë Karadaku
Karadaku është një ylber


Nga Bilall MALIQI

Xhemë Karadaku (Xhemail Halili),  i lindur më 1964 në Ranatoc të Karadakut të Preshevës, në periodikun tonë letrar është i pranishëm më shumë se dy dekada. Në krijimet e tij zë vend njeriu ynë halleshumë dhe krenar. Dy elemente, ashtu si te shumë krijues të tjerë, janë të pranishme në botën e tij artistike: vendlindja dhe fëmijëria. Prandaj lirisht mund të themi se në shkrimet e tij kemi jetën e karadakasit nëpër kohë.
Është autor i trembëdhjetë përmbledhjeve me shkrime: “Legjendë e re” (1992), “Natë mbi mua” (1994) , “Gjej e qesh” (1994) , “Pse iu kall mjekra gjyshit” (1995), “Zvarranikët” (1995) dhe “Trimi më i madh në botë” (1998), “Kalikuse, kalikuse a ma gjen një nuse” (2000),  “Ëndërr me ëndrra” (2000), “Feniksi nuk është ndryshe” (2000),  “Lavjerrësi i kohës” (2002), “Histori për një dashuri” (2003), “Lojë në Trojë” (2003), “Nipi i Don Kishotit” (2005).
Ka  fituar mbi tridhjetë shpërblime letrare për vjersha dhe tregime. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është botues i Shtëpisë Botuse “Ura” në Prishtinë. Jeton në Gjilan e punon në Prishtinë.
    Intervistën me shkrimtarin, për ju fëmijë të dashur, e bëmë ashtu duke parafrazuar titujt e librave të tij për fëmijë. Besojmë se do të ju pëlqejë…

Si të krijohet Legjendë e Re ?

Legjendën e re e krijojmë me punë. Me një punë të ndershme dhe të drejtë. Ndoshta pikërisht përmes artit mund ta krijojmë atë urën të cilën nuk do ta rrënojë asnjë kohë. Por për të bërë Urën (njësoj si Urën e Fshejit) duhet të sakrifikojmë diçka nga vetvetja. Duhet të sakrifikojmë  një pjesë të jetës e ndoshta edhe të tërën ashtu siç bënë trimat e pushkës dhe të penës që ne tash të frymojmë më lehtë. Në vjershën e parë të këtij libri them: me besa-besë ta ndreqim urën. Vërtetë jemi në rrugë të mbarë të krijojmë këtë urë që na bashkon si komb, si popull i civilizuar. Njëherë ta bëjmë bashkimin shpirtëror, pastaj  do ta kemi shumë më lehtë…

Vërtet Pse iu kall mjekra gjyshit?

Kur gjyshi e ka një nip Lazdran që këmbët i ka në dysheme e kokën në tavan, që nuk lë dy gurë bashkë, kur ky dai i ngjesh maçokut allti dhe e bën me armë rrush por s’i tutet askush, kur tërë fshatin e ngrit në këmbë dhe hekurin e ha me dhëmbë, ç’është mjekra e gjyshit për këtë trim? Kështu ai ( mos harroni në lojë, sepse gjyshin e do shumë) ia ngjesh një shuplakë dhe mjekra të shkretit i kallet flakë…

Kush është Trimi më i madh në botë ?

Trimëritë janë të shumta. Për mua fëmija është njeriu më i sinqertë. Prandaj edhe është më trimi. T’i thotë gjërat pa dorëza. Ai në vete mendon se është qendra e botës, se gjithçka duhet të sillet rreth tij, prandaj e konsideron veten mbret.  Por është edhe një kategori njerëzish që mund të quhen trimat më të mëdhenj në botë !. Cilë janë ata? Janë krijuesit e mirëfilltë që kanë guximin t’i dalin përballë letrës së bardhë. Një fjalë e urtë nuk thotë kot: ajo që shkruhet mbetet, të tjerat i merr era! E shihni, është një përgjegjësi ndaj fjalës së shkruar. Jo vetëm njëherë. Përjetë. Prandaj a ka trimëri më të madhe?!

Si lindi Historia për një dashuri?

Një çun i vogël shumë, tek po truponte rrugës me mamin përdore, pa një kukull në shitore. Dhe u dashurua? U bë si u bë dhe mami u detyrua t’ia blinte kukullën. Me të çuni flinte, me të dilte në shetitore, me të hante e pinte. Ishte një dashuri e marrëzishme. Mirëpo çdo gjë vjen ose ikën me kohën. Ditë prej ditësh djali u rrit. Nisi të shikohej në pasqyrë gjithnjë e më shumë. Dhe një ditë tha: dua të shkoj në shkollë se i mbusha gjashtë vjet. Pastaj e harroi dashurinë e parë: kukullën. Lindi një dashuri tjetër: abetarja… Vërtetë ishte një histori inetersante.

Po me Kalikusen… ç’u bë?

Një djalosh, bukurosh, kishte dëgjuar se andej nga do të flutuornte kalikusja (mollëkuqja), andej do ta mirrte nusen. Dhe një ditë papritur një kalikuse u ndal në dorën e tij të vogël. Djaloshi u zverdh. Iu duk se përralla për kalikusen do të bëhej realitet. Pastaj i  këndoj asaj: “Kalikuse, kalikuse, a ma gjen mua një nuse? Po ma gjete çfarë e dua, mik për jetë më ke mua. Unë nuk jam çfarëdo djalë, qe kapelën në vend ta falë…” Dhe hoqi nga koka kapelën t’i falte kalikuses. Ajo, e trembur, hapi krahët e vegjël dhe fluturoi. Mbase shkoi t’ia gjente nusen djaloshit…

Ç’do të bëjë Nipi i Don Kishotit?

Le ta dinë mirë prej sotit, Unë jam nipi i Don Kishotit. E kam Kalin xhamboxhet, asnjë furtunë nuk më pret. Ky kali im për Perëndinë, nuk  do ujë as bar, veç kerozinë. Do t’i bie botës rreth e qark, se u bë e shkreta si një thark…Nuk e koris Gjyshin kurrë, do ta ndreq botën o burrë.

Në fund ç’është Karadaku për ty?

Karadaku për mua është më shumë se vendlindje. Është një Ylber, një vetull harkore që pi ujë në shtatë burime, me shtatë ngjyra, çdo ngjyrë zemër që rrah për këtë emër. Karadaku është plak, me mjekër deri në brez, Karadaku është djalë i ri, i fortë me shtatë zemra. Karadaku për mua është më tëpër se një simbol, se një metaforë. Është një drangua për trojet shqiptare. Prandaj sa herë e kujtoj ndiej mall e krenari përnjëherë dhe shi për këtë e kam vënë mbiemër.


(Vota: 4 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora