E enjte, 28.03.2024, 10:43 PM (GMT)

Faleminderit

Përshpirtëria eukaristike te Nëna Tereze

E merkure, 05.09.2007, 06:19 PM


Nga Mag. Don Kolë Gjergji

Përmbledhje

E lumtura Nëna Terezë është bërë simbol i bamirësisë në botë. Veprimtaria e saj e pakursyer ndaj të varvfërve ndër më të varfër, ndaj më të mjerëve nëpër rrugët e Kalkutës, ka mahnitur mbarë njerëzimin. Vallë, prej nga buron ajo forcë e saj për një veprimtari kaq të madhe? Pa mëdyshje, Nëna forcën do ta gjënë në Eukaristi, që do të bëhët qendër e jetës së saj dhe pikënisjë e veprimtarisë së saj vetëmohuese. Sepse Krishtin eukaristik ajo e gjenë në rrugë; atë mund ta prek, përkatësisht në euharisti e kemi Jezusin në trajtën e bukës, ndërsa këtu në sheshet tona, e kemi atë në të varfër, në trupat e thermuar, në fëmijë e shofim dhe e prekim Krishtin. Pra, pa eukaristi ajo nuk mund ta paramendonte jetën, nuk mund ta përballonte atë dhe nuk mund t’ia gjënte kuptimin. Në Jezusin eukaristik dhe atë ndër të varfër Nëna Tereze e ndërthurte jetën e saj të përshpirtërisë, ditë e përditë, duke u ngrituar deri në piedestalin e Nënës më të nderuar të shekullit dhe në altarin e shenjtërisë.

Hyrje

Nënë Tereza është bërë simbol i bamirësisë në botë. Ajo u bë dritë për tërë humanizmin. Ajo u bë dritë për tërë botën. Ajo me veprimtarinë e vet për dashuri ndaj Zotit dhe të afërmit e shëndriti mbarë njerëzimin. Kjo Nëne, sot e lume, është porsi yll në errësirën e mjerimit. Ajo u jep mbështetje në vuajtjen e tyre të lodhurve, të lënduarve e të harruarve. Ndonëse ajo ka vdekur, jeton në çdo vend e për gjithkënd.

Ajo është dhe u bë „shpresa e kishës“ dhe për kishën. Pra, ajo është poashtu një simbol i mirësisë, drejtësisë, i dashurisë dhe i solidaritetit për të gjithë njerëzit. Ajo i mori njerëzit në fill të vdekjes nga rrugët e Kalkutës dhe u ndihmoi të vdesin, që vdekja e tyre të jetë më denjitoze. U ndihmoi në këtë akt të rëndësishëm të jetës njerëzore. „Ajo, pra, është fryti më i bukur, lulja dhe trëndafili më i lezetshëm „në kopshtin e Zotit“, dhurata më e madhe, që ne, Ipeshkëvia jonë, populli i jonë ia dha Zotit, Kishës, botës dhe njëkohësisht dhurata dhe ngushëllimi më i madh që Zoti na i dha neve sot, në ditët tona“.

Siç është e njohur, ajo ishte personaliteti  më i madh dhe më i njohur i këtij shekulli.

Secili prej nesh besimtarëve në një mënyrë është adhurues i eukaristisë dhe jemi pjesëmarrës në eukaristinë shenjte. Nënë Tereza ishte një motër nderi, një njeri kushtuar Zotit me jetë dhe me vepra të veta. Për të jeta pa Shenjtërueshmin Sakrament e pamundshme dhe e pakuptueshme. Ajo gjithmonë, si të thoja, shpirtin e vet e ka ripërmbushur me kungimin shenjt, që t’mund gjithmonë e më tutje ta udhëheq jetën me Krishtin. Thjeshtë, të jeton me të, për të dhe në të, por edhe për të afërmin që gjindet në rrugë para vdekjes. Një jetë pa Krishtin për të do të ishte një asgjë. Ajo nuk mund të jetonte dhe të punonte asnjë minutë pa Krishtin.

„Unë jam një asgjë. Për mua s’ka asgjë për të shpallur dhe shkruar. Jeta e Krishtit gjatë jetës së tij nuk ishte poashtu e shënuar. Dhe unë jam megjithatë vetëm një vegël në duartë e Zotit. Për këtë arsye nuk keni nevojë të shkruani për mua, por për veprën, që Zoti vet më ka thirrur“.

Në jetën e vet ishte ajo e thirur në shërbim të Zotit dhe të njeriut, vëlla e motër pa dallim feje e nacionaliteti. Thirrja dhe shërbimi janë të lidhura ngusht me durimin dhe me ndëgjesën, ku ajo një herë theksonte: „unë isha e bekuar me ndëgjueshmëri“.

I. Misteret e Nënës Tereze

Sot kur përkujtohet ky personalitet, e lumtura Nënë Tereza, mund të shtronim pyetje, vallë a nuk jetoi ajo kështu, që la gjithçka pati dhe shkoi në shërbim të Zotit? Ne mendojmë ndoshta që kjo nuk është e mundshme, por e dimë se Zoti është Ai, që bënë prë t’u realizuar të gjitha. „Për Zotin është gjithçka e mundshme“.

Ne e dimë të gjithë se ajo ishte personaliteti me i madh dhe me i njohur i shekullit të kaluar. Nuk është ashtu thjeshtë që t´mund t’a njohësh dhe t’a përshkruajshë për të parën herë aq saktë esencen e Nënë Terezës dhe misionarëve dhe misionareve të dashurisë së afërme.

Nënë Tereza në fjalimin e dytë me rastin e pranimit e Çmimit Nobel për Paqe në Oslo në vitin 1979 thoshte: „Unë besoj, që ne me të vërtetë nuk jemi punëtore të sistemit social. Ne dëshirojmë që këtë ta bëjmë në sytë e njerëzve, sepse ne e prekim Korpin e Krishtit për çdo ditë 24 orë . Ne jetojmë 24 orë në prezencën e tij.“ Gjatë jetës dhe në jetën e saj të përditshme u zbuluan tri mistere apo fshehtësi, që luanin një rol të madh gjatë jetës së saj në shërbim të Zotit dhe njeriut:

A. Fshehtësia e saj e parë ishte Jezusi

Ajo ishte e vetëdijshme, që e kishte zgjedhur Hyji Atë, që të veprojë për Mbretërinë e Birit të tij. Ajo edhe për këtë qëllim e themëloi edhe Rendin e vet në kushtim Zotit e njeriut, për ta gjetur sa më lehtë vet Zotin e për t’i shërbyer krijesës së tij. I parapëlqente fjalët e shën Palit apostull drejtuar Galatasve: "… jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti …". E vërteta ku mbështetet besimi i gjallë, u bë për të e përjetueshme. Ajo kishte pjesëmarrje në Hyjninë e Krishtit nëpërmjet hireve, sepse Ai jeton në zemrat e njerëzve, të cilët i kushtohen Atij tërësisht dhe në të shpresojnë.

B. Fshehtësia e saj e dytë ishte besimi në Zotin.

Ajo ishte shtatvogël, por besim-madhe në Zotin dhe e madhe me veprat e veta. Ajo e kishte pronë vetëm një, besimin e patrandshëm në provaninë e Zotit. Pasi që për të e në jetën e saj lutja e luan një rol të madh vendimtar, ajo e themeloi posaqërisht një bashkim-lutjeje të „Sick und Suffering“, „të sëmuarve dhe të munduarve“. Ajo thoshte: "Ne mund të veprojmë vetëm, atëherë kur na bekon Zoti".

C. Fshehtësia e saj e tretë ishte shërbimi ndaj të varfërve për hir të Jezusit.

Ajo theksoi: "Në euharisti e kemi Jezusin në trajtën e bukës, ndërsa këtu në sheshet tona, e kemi atë në të varfër, në trupat e thermuar, në fëmijë e shofim dhe e prekim Krishtin“. Fjala e saj e shpeshtë ishte: "Të varfërit janë për ne vet Jezu Krishti", dhe ky është programi i spiritualitetit të tyre.  Le të jetë dhe jeta e jonë një vegël në shërbim të Zotit!

II. Përshpirtëria eukaristike – nderimi dhe adhurimi i Jezusit

Sot në botë eksistojnë shumë religjione dhe secili e ka mënyrën e vet të veçantë për ta ndjekur Zotin. Unë shkoj pas Jezusit, dhe ai është Zoti im, e gjithë jeta ime: „Për mua Jezusi është Zoti im, Jezusi është i fejuari im, Jezusi është jeta ime, Jezusi është dashuria ime e vetme. Jezusi është çdogjë në gjithçka. Jezusi është i imi Një, gjithçka.“ „Unë jam buka e jetës. Kush vjenë tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje“. Me këto fjalë të ungjillit sipas Gjonit Jezu Krishti kërkon prej nesh dhe na fton të gjithëve, që ta hamë Korpin e tij dhe ta pimë Gjakun e tij, kështu që jeta e jonë, ta ketë mbështetjën dhe bazamentin në këto mistere të shenjta. Jezu Krishti e bënë vetveten „Bukë të jetës“ dhe ai është më të vërtetë ushqim i ynë jetësorë, sepse neve na dhurohet për çdo ditë nëpërmjet trajtës së bukës dhe verës, që të kemi jetë në Të. Pasi, që Jezu Krishti e mbanë në vetvete më të madhën dashuri, atëherë mundet ai të na i falë të gjitha. Për këtë arsye duhet që edhe ne ta tregojmë dashurinë tonë që është e fshehur në ne, për të mundur edhe ne të falim. Edhe në ne rrjedh Gjaku i Krishtit. „Po ju – u tha atyre - ç´thoni: kush jam unë?“. „Jezusi është fjala. Nëpër fjalën e tij e lajmëroi ai të vërtetën. Jezusi është drita. Unë e ndezë atë dhe ajo ma shëndritë rrugën time. Jezusi është dashuri. Dashuria e tij bënë që unë të jetoj. Jezusi është gëzimi. Vetëm, atëherë kur zemra ime është e gëzueshme, u dhuroi, atëherë njerëzve paqën … Jezu, ti je fara në arën e pafund të Zotit. Jezu, ti je fara, që prej saj e pjekim bukën tonë të jetës. Ti je mishi i bërë Fjalë, sepse ti ke vdekur për mëkatet tona në kryq. Unë ty të dua“. Sa i përket jetës shpirtërore të Nënë Terezës, kremtimi dhe adhurimi i euharistisë e zërë vendin qendror. Në eukaristi përjetohet përcaktimi për varfërit në kuptimin e jetës religjioze: “Flijimi euharistik është ushqim shpirtëror, që mua më mbanë në jetë. Pa të nuk do të kisha mundur të jetoj asnjë ditë, po, asnjë orë nuk do të kisha mundur ta përballoja. Në euharistinë shenjte e marrim ne Krishtin në trajtën e bukës. Ndërsa në sheshet e varfëra e në trupat e thermuar dhe në fëmijët bonjak e shohim dhe e prekim Krishtin vet.“

Nënë Tereza thoshte një herë: “Neve na nevojitet eukaristia, neve na nevojitet Jezusi, për ta thellësuar fenë tonë. Nëse mund ta shofim Jezusin në trajtën e bukës, mundemi poashtu ta shofim atë në trupat e lodhur e të lënduar të të varfërve tanë në rrugët tona të mjerërve ndër me të mjerë. Për këtë arsye neve na nevojitet uniteti me Krishtin, kemi nevojë për një fe të rrënjosur në Krishtin. Kjo është shumë bukur. Nëqoftë se e posedojmë dhe e mbajmë përgjithmonë një lidhje të thellur me Krishtin, dhe atë plotësisht e pranojmë, atëherë mundemi ta prekim në trupat e lodhur e të lënduar të të varfërve. Njeriu po këroj të gjejë forcë dhe ushqim në euharisti, atë ta t’ia dhuroj edhe kur njeriu është i fortë, por dëshiron ta përdorë këtë fuqi. Jeta e jonë është e gërshetuar me Jezu Krishtin në euharisti sikur që është e lidhur me fe dhe dashuri, të cilat na i dhuronë euharistia. Ajo na bënë të aftë, atë ta njohim përmes të varfurve të shtypur. Kështu gjindet një dashuri tek Jezusi, sikur ekziston vetëm një person në varfëri, Jezusi“.

Kur një herë Nënë Tereza u takua me Frère Roger, nga Taize-a e Francës, në Kalkuttë në vitin 1976, i’a tha këto fjalë: „Jezu Krisht ne të falënderojmë për këtë, që kisha katolike, është kishë e euharistisë, e rrënjosur në fjalët e tua ”Ky është Korpi im”, „Ky është Gjaku im“, që dhuron jetën prej pranishmërisë sate të mrekullueshme“.

Nënës Tereze gjatë një bisedë tjetër ia kishin shtruar këtë pyetje:

Pyetje: Nga e merrni ju fuqinë?

Nënë Tereza: “Mesha shenjte është ushqimi im shpirtëror, që më mbanë dhe më forcon. Unë nuk do të kisha mundur të isha pa të asnjë ditë e asnjë orë të jetës sime. Në Darkën e Mbrame e njohë Krishtin në formë të bukës. Në rrugët e të varfërve e shof Krishtin në formën më të mundimshme të të varfërve, në trupat e dëmtuar, në fëmijë, në ata që janë në fill të vdekjes. Vetëm në këtë kuptim kjo punë është e mundshme.”

Për Nënë Terezën feja është lidhja më me personale me Zotin dhe me Krishtin mishëruar; ...Kisha është diçka, të cilës ajo i takon, i shërben dhe e ndëgjon, sepse ky është vullneti i Zotit në tokë që e zbulon dhe e plotëson. Në kungimin shenjt e kemi Krishtin në trajtën e bukës. Në punën tonë e gjejmë atë në trajtën e mishit dhe të gjakut. Ky është i njëjti Krisht. Ajo e takon Jezusin për çdo ditë; më së pari në meshë, prej së cilës rrjedh mbështetja dhe fuqia për punë, atëherë në çdo të varfër, në secilin shpirt të vujatur, që i gjenë dhe i mbron. Ai është një dhe i njëjti Krisht, në altar dhe në rrugët me plotë të varfër. I pari nuk mund të jetë pa tjetrin. Kështu do t'i përmbushim dy urdhërat, atë që ta duam Zotin dhe të afërmin tonë; këto janë të pandashme.

Në jetën dhe në veprën e saj tregohet lidhja intime ndërmjet të dyve: nëse ne nuk e duam Zotin, nuk mund ta duam edhe të afërmin tonë, dhe nëse nuk e duam të afërmin tonë, nuk mund ta duam Zotin. Rregullorja e Nënës Tereze për “Misionaret e dashurisë” është një “rregull kontemplativ në veprim”; kjo nënkupton, se tërë jeta e tyre është e lidhur ngusht me uratë, adhurim, meditim, me një jetë të thellë shpirtërore, për t’a përkryer misionin e tyre në botë. “Për këtë tërë puna e motrave tona, çfarë ne veprojmë, nuk është asgjë tjetër përveç fryt i uratës, i bashkimit tonë me Krishtin në euharisti, në Kungimin Shenjt”.

“Kur të kthehemi, për çdo ditë, në mbrëmje e kemi një orë adhurim në kapelën e shtëpisë. Ky adhurim është dhantia më e madhe e bashkësisë sonë, Misionareve të Dashurisë. Nga këtu e nxjerrim forcën e mbrendshme”.

Lutja, puna, meditimi dhe adhurimi para Shenjtërueshmit Sakrament janë për Nënë Terezën dhe për motrat e saja ushqim i përditshëm. Aty është misteri më i madh i suksesit tonë në botë; një forcë mbinatyrore dhe mbinjerëzore, për një jetë kaq të vështirë, për një besueshmëri të madhe, për një dëshmi. Kungimi i përditshëm, ushqimi me Zotin, takimi me Krishtin, kremtimi i euharistisë – mesha shenjte, si tryeza e Dashurisë hyjnore janë momentet më të rëndësishme të ditës sa për ne aq edhe për Nënë Terezën. Ajo shkon në punë, ndër të varfër dhe të gërbulur, ndër mjerimet e papashme njerëzore e “armatosur me Zotin”, me Krishtin, për t´iu dhuruar edhe atyre Zotin, gëzimin, dashurinë, dhe afërsinë e Tij“.

Një herë Nënë Tereza thoshte: “Sikurse Jezu Krishti është bërë për ne bukë – ushqim, në disponim për ne, për jetën tonë, është bërë jeta e jonë, ashtu edhe ne lypset të jemi për të tjerët, për çdo njeri. Bëhuni, pra, bukë për të tjerët”.

Nënë Tereza i shkroi vëllaut të vet Lazër Bojaxhiu në Palermo, mbi dashurinë e Zotit në Shenjtërueshmin Sakrament, duke ia treguar se jeta pa Zotin është një dështim në jetën e njeriut, me këto fjalë: “Jezu Krishti është dashuri e pakufishme. Vetëm Ai mund ta plotëson jetën, sepse Ai është gëzimi ynë, rahatia jonë, forca dhe paqja jonë. Ai është i pranishëm në Tabernakull për mua, për ty, për ne të gjithë, kështu që në këtë mënyrë ne mund ta pranojmë për çdo ditë në zemrat tona. ... Nuk e di se si do të kisha mundur të jetoja pa kungim“   

Nëna tereze dëshiron që edhe vëllau i saj, Lazri, të ecë në të njëjtën rrugë dhe të jeton me të njëjtin ushqim shpirtëror, prandaj shkruan më 26. 04. 1978: “Kam shumë mu gëzue n’kjoftë se ti dhe Marija t’kishit mujt me marr Krishtin n’zemër sa ma shpesh. – sa shumë na duhet neve me ju falë nderës Zotit për gjithë këto t’mira. Unë mbaj uzdaj se ti ke me ma mbush dishirin- qi t’ shkojsh mu u kungue e ti kishe me pa se si Jezu Krishti qysh kishte jetën tane me e plotësue. Tash kije kohë – mbunesh me kndue “Fjalën e Zotit”, lutu vllau jem e banë jetën e jote plot me dashni t’Zotit“. Nënë  Tereza u shkruan poashtu motrave të veta: “Fryti i bashkimit me Krishtin është dashuria, si fëmija është fryti i dashurisë së prindërve në sakramentin kurorës shenjte. Sikurse kandili që s’mund të ndezet pa vaj, ashtu edhe dashuria e jonë në shërbim të njerëzve të vuajtur, s’mund të jetë e mundshme pa Zotin...“. 

E lumtura Nënë Tereza ishte njëra ndër ata, e cila e tregoi një dashuri të madhe ndaj të afërmit, por edhe ndaj të gjithë njerëzve pa dallim. Ajo e ka dashur të afërmin më shumë se vetveten. Miqësia shpirtërore do të ishte një ndihmë dhe një bekim i madh për ne nëse ne këtë e jetojmë, përjetojmë dhe ne këtë e duam.

Dhe vazhdoi ne fjalimin e vet në Oslo pas Shpërblimit Nobel, më 10. 12.1979: “Dhurata më e madhe në jetën time është dashuria e Jezusit. Ai është burimi i jetës sime, i thirrjes time, i kushtimit tim. Ai është dashuria ime, çdo kush dhe çdo gjë për mua. Dëshira ime më e madhe do të ishte kjo: që dashuria e gjithmbarshme të zbatohet në mbarë botën, sidomos për ata që vuajnë”. Nënë Tereza e çmonë shumë jetën, e jeton jetën dhe me jetë e tregon dashurinë ndaj të gjtihë njerëzve, posaçërisht kur janë fëmijët në pyetje, sepse edhe në ata ajo e shef dhe e prek vet Krishtin, ajo gjithmonë dhe gjithkund e theksoi: “Mos i mbytni fëmijët, mi jepni mua”. Mijëra fëmijë kështu mund të vijnë në botë dhe të gjëjnë prindër adaptiv. Në qoftë se miqësia shpirtërore i ndihmon dashamirësisë e dashurisë të thellohet në Zotin, atëherë kjo do t’i ndihmonte të thellohet edhe në ne, në njëri-tjetrin.

Në të gjitha letrat e veta, në të gjitha fjalimet, në çdo bisedë, në çdo intervistë dhe me jetën e vet në veprim ajo gjithmonë e ka theksuar se ishte e përforcuar nëpërmjet jetës euharistike dhe që të gjithë njerëzit i shdërron në dashurinë e Krishtit.

Nënë Tereza e bindur në jetë theksonte: “Jeta e jonë është e lidhur ngushtë me jetën e Jezu Krishtit, me Kungimin shenjt. Nëse ne e njohim dhe e pranojmë Jezu Krishtin nën hije të Bukës, të hostës, atëherë duhet ta njohim Atë të pranishëm edhe në të tjerët, në njerëz, në të varfër, në të mjeruar, kur të mendojmë pak më thellë dhe pak më mirë mbi këto fjalë të thjeshta dhe të thella, atëherë kërkohet pak të ndalemi në disa konstatime: shumë më i afërt, shumë më lehtë është të takohemi me një njeri se sa me një pjesë – copë bukë, në të cilën ne besojmë dhe e pranojmë Jezu Krishtin, i cili është i pranishëm në Kungim“, sepse Ai ka thënë: “Merrni e hani, ky është Korpi im”. Ky takim me të nëpërmes ushqimit shpirtëror duhet që neve të na forcon që ta njohim atë më tepër dhe që atij t’i shërbejmë në mënyrë më me dinjitoze dhe në të njëjtën mënyrë edhe ta duam edhe të afërmin tonë.

Kungimi shenjt është mundësia më e madhe, më e mirë dhe ma cilësore, që të bashkohesh me Krishtin dhe që të përforcohemi në jetën tonë shpirtërore. Jezu Krishti është dashuri, siç e tregon shën Gjoni në ungjillin e vet në kapitullin e 14 dhe në atë 15. Por, për t´i mbetur besnik kësaj dashurie, kërkohet prej të gjithë neve, që ta dhurojmë secili vetveten. Jezusi nuk kërkon “përveç” ju, por në rend të parë në ju, në zemër, në Sakramentin shenjt. Atëherë mundeni ju atë ta kërkoni, atë ta gjeni dhe atij t´i shërbeni në njerëz tjerë.

“Adhurimi është ndihma më e madhe për ne. Puna e jonë e ka fituar një dimenzion edhe më të thellë, një dashuri edhe me të madhe për njerëzit që ne u shërbejmë më gëzim.“ Si misionare të dashurisë jemi të thirura, ta shofim pranishmërinë e Jezusit para së gjithash në trajtën e bukës dhe atë ta prekim në trupat e deformuar të të varfërve. Kur Jezusi mori bukën tha: "Merrni, hani: ky është korpi im që flijohet për ju." Pasi që ai e flijoi vetveten, na fton edhe neve që ta gjallërojmë dhe rritim fuqinë e dashurisë së tij, që të bëjmë edhe ne çka bëri edhe ai për ne. Dashuria e Krishtit tek ne do të na jep fuqi dhe na shtyn që edhe ne ta flijojmë vetveten për të.

Maria e pranoi Jezusin dhe ishte plot me hirë dhe me Shpirtin e Zotit kur e pranoi lajmërimin e Jezusit. Edhe ne si ajo jemi të mbushura me hirë kur ne e pranojmë kungimin e shenjt, të njëjtin Jezus, të cilin ajo e pranoi, dhe ne të njëjtin e marrim gjatë meshës shenjte. Edhe ne pasi që kemi marrë Jezusin në zemrat tonë atëherë me ngutësi dhe me dashuri vrapojmë dhe iu dhurojmë të tjerëve, motrave tona, të varfërve tanë, të sëmuarve, atyrë para vdekjes, të lodhurve. Kështu në këtë mënyrë e bëjmë Jezu Krishtin e pranishëm dhe të pashëm për botën. Ne nuk mund ta ndajmë jetën tonë prej euharistisë, sepse në atë moment që ne atë e bëjmë, atëherë diçka dështon. Njerëzit na pyesin gjithmonë: “Prej nga u vie motrave gëzimi dhe energjia që ta bëjnë gjithë këtë çka e bëjnë?”. Euharistia është më shumë një akt i “pranimit të tij në ne”: ajo do të thotë: ta pushosh urinë e Krishtit.

Euharistia duhet të qëndron në qendër të jetës. Të lus, o Jezus, që të jam te Ti, të punoj me Ty, dhe që të kam sukses punën ta shndërroj në lutje.

Ti duhesh të jesh më me thellë i bindur se Jezusin vet e pranon në euharisti. Nëse kështu mirëmbanë vetën, atëherë nuk mundesh t'i lësh gjuhën, zemrën dhe mendimet në hidhërim. Derdhi mëkatet tua në kelk që t'i shlyej Gjaku i paçmueshëm i Krishtit. Një pikë e vetme i shlyen mëkatet e të gjithëve.

Euharistia është e barabartë me Mundimin. Po të mos ta kishte themeluar Jezusi euharistinë, atëherë ne do ta kishim harruar kryqëzimin. Përkujtimi për të do të humbte në të kaluarën, dhe dashuria e tij ndaj neve mbette e harruar. Jezusi na la euharistinë si përkujtim të dashurisë së tij që ne atë mos ta harrojmë. Për të na forcuar qëndrimin tonë në dashurinë e tij, ai na dhuron urinë e tij, ai na dhuron neve në të varfërit ndër më të varfër. Me besnikëri duhet ta ruajmë varfërinë e shenjtë të euharistisë.

Mundimi dhe euharistia duhet të na çelin sytë për vlerësimin e të vegjëlve. „Merrni, hani: ky është korpi im!“ – një pjesë e vogël buke. Për çdo ditë mundohemi që përvujtërinë tonë ta shofim para bukës së jetës. Neve sot na përket që kurrë mos të guxojmë ta ndajmë euharistinë prej të varfërve dhe të varfërit prej euharistisë. Në jetën e secilit prej nesh Jezusi vjenë si bukë e jetës –për ta pranuar atë në jetën tonë. Kjo është mënyra e dashurisë së tij ndaj neve. Poashtu ai vjenë si i uritur, i cili shpreson që të jetë i ngirë me bukën e jetës sonë, me zemrat tona që do me duartë tona që të ndihmojnë. Kështu duke vepruar, dëshmojmë se ne jemi të krijuar në shëmbëlltyrën e Zotit, sepse Zoti është dashuri. Kur ne i duam të tjerët, atëherë i përngjajmë Zotit. Jezusi na ka zgjedhur për vete. Ne i takojmë atij. Prej kësaj „përkatësie“ thellësisht të bindur, nuk mund ta lejojmë, që diçka krejt e vogël të na ndaj prej dashurisë së tij.

LITERATURA

Books Servant, Arbor Ann, Contemplative in the Heart of the World; gjermanisht: Mutter Teresa, Beschaulich inmitten der Welt, Freiburg 1990.

Chawla Navin, Mutter Teresa: Die autorisierte Biographie, München 1992.

Fischer Werner: Mutter Teresa: Ein Heiligkeitsmodell kritisch betrachtet, München 1985.

Gjergji Lush, Dashuria Tërheqëse - Nëna jonë Tereze, „DRITA“ & „KRŠ?ANSKA SADAŠNJOST (KS)“ Ferizaj & Zagreb 1980.

Gjergji Lush, Dashuria në vepër  - Nëna Tereze, Ferizaj 1992.

Johna Franz, Mutter Teresa: Worte der Liebe, Freiburg-Basel-Wien 1979.

Kaiser Peter -Zvonimir Atletic, Mutter Teresa: Mich dürstet, Bruck/Mur 1993.

Muggeridge Malcolm, Mutter Teresa: Leben und Wirken der Friedens-nobelpreisträgerin, Freiburg-Basel-Wien 1984.

Ruppert S. Helmut (Hrsg), „Einfach dasein und lieben“-Mutter  Teresa. Die Friedens-nobelpreisträgerin 1979 in Zeugnissen und Bilddokumenten, Gladbach 1980. 

Schönborn Christoph, Kardinal, Die Menschen, die Kirche, das Land, Wien 1998.

Vardey Lucuda, Mutter Teresa: Der Einfache Weg, Hamburg 1995.

Vogt Eugen, Mutter Teresa von Kalkutta: Mein Geheimnis ist ganz einfach, Freiburg 1980.

Zelleke Adelheid, Ein leben in Liebe-Mutter Teresa, Gütersloch: Kiefel 1998.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora