Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qyteti në cepin e perandorisë kineze/Një histori e gjatë proteste

| E shtune, 01.08.2009, 10:33 AM |


Më 5 shkurt të vitit 1997, diçka ndodhi në Jining, një qytet i vogël kufitar në Kinën veriperëndimore. Pati patjetër një marshim, ka mundësi një revoltë, ndoshta edhe një masakër

Rajoni autonom ujgur Ksinzhang i Kinës ka parë një seri përplasjesh midis mazhorancës ujgure dhe të ardhurve kinezë hanë qysh nga vitet '80. Por ka qenë në qytetin Jining që është zhvilluar protesta më e madhe më 5 shkurt të vitit 1997. Fillimisht e damkosur nga autoritetet si shpërthim i një dhune të zakonshme, qysh nga 11 shtatori ajo është portretizuar si punë e separatistëve islamikë. Nick Holdstock raporton lidhur me një realitet më të nuancuar papunësie, represioni fetar dhe dëshire për pavarësi.

Më 5 shkurt të vitit 1997, diçka ndodhi në Jining, një qytet i vogël kufitar në Kinën veriperëndimore. Pati patjetër një marshim, ka mundësi një revoltë, ndoshta edhe një masakër. Sigurisht që pati të shtëna, dëmtime dhe vdekje. Kur më së fundi arrini Jiningun, pas dy ditësh me tren nga Pekini, pastaj një dite tjetër me autobus, do të shikoni të njëjtat rrugë të gjera me ndërtesa dykatëshe me tjegulla të bardha që ekzistojnë në çdo qytet të Kinës. Mund të blini të njëjtat dvd pirate, pjesë motorash, copëra mishi viçi të futura në plastikë siç kudo tjetër. Do të dalloni njerëzit me flokë të zeza të shkurtra me kostume blu apo të zinj të lira, me njerën dorë afër pejxherit dhe me tjetrën duke mbajtur një cigare me forcë pothuajse të ndaluar. Do të gjeni autobusë të mbimbushur, taksi të kuqe me dritat e ndezura, burra dhe gra duke u shpirë, duke ndenjur dhe duke përtypur fara luledielli. Nuk ka rëndësi që qielli është në mënyrë të pazakontë blu, se njëherazi, midis një hapësire midis ndërtesave, shikoni një linjë malesh me maja të bardha. Në kohën që arrini qendrën e qytetit do ta keni harruar që Kazakistani është më pak se një orë larg.

Teksa kaloni sheshin keni një ndjenjë tranzicioni. Ndërsa arrini anën tjetër shikoni një linjë kompartimentesh tregu që shesin tapete, shalle me ngjyra të ndezura, pako me këna, sheqer kallami, kajsi, rrush të thatë, shishe ilaçesh me tapa plastike me lëng shege. Kokat janë të mbuluara me shalle dhe 20 lloje kapelesh. Fytyrat janë... çfarë janë fytyrat? Ato mund të jenë turke, ruse, iraniane, britanike, por sigurisht jo kineze. E njëjta gjë është e vërtetë për gjuhën që ata flasin; kaloni një kompartiment librash dhe do të shikoni që titujt e tyre janë të shkruar në arabisht.

Teksa merrni kthesën shikoni të dyja xhamitë: fillimisht të voglën me një hyrje të lyer, pastaj të madhen me një minare që përfundon me një majë të florinjtë. Ndaloni dhe shikoni në kupolën e madhe të lakuar, në kuajt dhe karrocat që kalojnë pranë dhe pastaj vazhdoni, poshtë rrugët më të vogla janë të pashtruara, afër shtëpive të ulëta me mure të gjelbra, dyer ngjyrë jeshile të hapura, shulet e dyerve të gdhendura. Furra balte pjekin bukë; pleqtë hapin gurët e shahut; një tufë delesh kalon pranë. Ecni, merrni frymë dhe ndjeheni konfuzë. Kjo nuk duket më si Kinë. Kjo disi nuk shkon.

Kur themi se ndonjë ose diçka është "kineze", zakonisht përziejmë dy gjëra të ndryshme: shtetësinë dhe etnicitetin. Grupi kryesor etnik i Kinës, hanët, përbëjnë rreth 91 përqind të popullsisë. Shumica e dijes tonë rreth Kinës - ushqimit, kulturës, traditës dhe gjuhës së saj - lidhet me hanët. Kështu që kur themi se diçka ose ndonjë është kinez, kjo gjë ose ky njeri zakonisht është nga Kina dhe me origjinë hane.

Megjithatë, ka 55 grupe të tjera etnike të shpërndarë nëpër vend, disa me dendësi demografike të mjaftueshme sa që qeveria kineze ta njohë zonën si "rajon autonom". Jiningu ndodhet në cepin veriperëndimor të Rajonit Autonom Ujgur Ksinzhang, një rajon tri herë më i madh se Franca, kufijtë e të cilit përcaktohen nga malet: Himalajat dhe Pamiri në jug, Malet Altai në veri. Jugu i krahinës konsiston në Shkretëtirën Taklamakan, një zonë e gjerë rëre dhe zhavorri të imët që mund të përmbajë naftë dhe gaz më shumë se Arabia Saudite.

Grupi kryesor etnik në Ksinzhang janë ujgurët, një popull turk, që do të thotë se ata i përkasin të njëjtit grup popujsh që filluan në Azinë Qëndrore dhe më pas u shpërndanë eventualisht deri në Turqi. Gjuha e tyre është e ngjashme me atë kazake dhe yzbeke. Megjithëse shumë flasin kinezen mandarine, pak janë në gjendje të lexojnë dhe shkruajnë kinezçe me ndonjë saktësi të madhe. Mazhoranca e ujgurëve janë myslimanë sunitë, pavarësisht se ka diferenca të konsiderueshme midis praktikave fetare në veri dhe në jug të krahinës, me këtë të fundit që tenton të jetë më konservatore.

Përpara vitit 1949 (kur u themelua Republika Popullore e Kinës), kishte vetëm 20000 hanë në rajon, më pak se 5 përqind e popullsisë. Në Jining kishte aq pak hanë, sa që një rrugë u quajt Han Ren Jie ("Rruga e popullit han"). Vitet në vazhdim dëshmuan një shpërthim demografik, ndërsa qeveria i inkurajonte hanët nga krahina më të populluara që të nguleshin në rajon. Shumë prej tyre janë pjesë e Xinjiang Production & Construction Corps (XPCC). XPCC-ja u krijua në fillimin e viteve '50 si një mënyrë për të përdorur ushtarët nga ushtria nacionaliste e dorëzuar. Nga atëhere, valët e mëtejshme të migracionit i kanë fryrë radhët e XPCC-së, e cila sot qëndron në rreth 2.5 milion.

XPCC-ja ka policinë, gjykatat, sipërmarrjet bujqësore dhe industriale të saj, ashtu si dhe rrjetin e saj të madh të kampeve të punës dhe të burgjeve. Njësia kryesore e prodhimit të saj është ferma shtetërore apo bingtuan. Bingtuans-ët kanë funksionin e dyfishtë të zhvillimit të ekonomisë dhe shtypjen e trazirave të rajonit; në një prej marsheve të saj ajo e përshkruan veten si "një ushtri pa uniformë". Shumë qytete me mazhorancë ujgure tani janë të rrethuara me bingtuans. Aspekti më i vërejtshëm i jetës në Jining është sesi hanët dhe ujgurët jetojnë në mënyrë të ndarë. Ata janë në restorante të ndryshme (ujgurët hanë vetëm në ato halla, ndërsa derri është një përbërës thelbësor në kuzhinën han); fëmijët e tyre shkojnë në shkolla të veçanta; ata rrallë shoqërohen me njëri tjetrin dhe pothuajse asnjëherë nuk martohen midis tyre. Hera e vetme që pashë hanë dhe ujgurë lumturisht sëbashku qe në një luftë gjelash. Ata janë të ndarë bile edhe nga koha: hanët ecin me orën e Pekinit, kurse shumica e ujgurëve përdorin orën e Ksinzhangut, e cila është 2 orë përpara (dhe e pasqyron në mënyrë më të saktë pozicionin e diellit). Për këdo që shpreson të ketë shokë hanë dhe ujgurë, kjo e bën organizimin e çdo lloj takimi pabesueshmërisht të lodhshëm. Shpesh do të jeni 2 orë herët ose vonë, edhe kur mendoni se e keni specifikuar që koha e takimit është Ksinian apo Pekin shi dian. Për shumë ujgurë, ky imponim i zonës kohore të gabuar është më shumë se thjesht absurd. Ajo përmbledh arrogancën dhe indiferencën e qeverisë kineze ndaj faktit se Ksinzhangu është kaq dukshëm i ndryshëm nga pjesa tjetër e Kinës. Pothuajse mund të faleni pse mendoni që është një vend i ndarë.

Pozicioni i qeverisë kineze lidhur me historinë e Ksinzhangut është admirueshmërisht i qartë. Në thelb, ai përmblidhet në: Një gjë nuk mund të mohohet. Ksinzhangu ka qenë gjithmonë pjesë e Kinës. Qysh nga koha e origjinës së tij, mëmëdheu ynë i madh ka qenë gjithmonë një vend multietnik. Pozicioni i disa ujgurëve është ngjashmërisht i qartë: një gjë nuk mund të mohohet. Ksinzhangu nuk ka qenë kurrë pjesë e Kinës. Vetëm në vitet e fundit jemi bërë koloni kineze. Këta të fundit argumentojnë se "Ksinzhangu" në fakt duhet të njihet si Republika Turkestane Lindore, një emër që i referohet zonës kur qe republikë në mesin e viteve '40-të. Është tunduese të heqësh një paralele me Tibetin; në të dy rastet hanët mund të shikohen si pushtues, duke kërkuar që të pushtojnë dhe kontrollojnë një popullsi të madhe me vetë kulturën, zakonet dhe, më e veçanta, feja e saj paraprake. Megjithatë, edhe një studim i shpejtë i historisë së Tibetit të sugjeron një marrëdhënie shumë më të komplikuar, një marrëdhënie ku hanët shkojnë e vijnë, nganjëherë duke luajtur agresorët, herë të tjera fqinj mungues dhe të copëzuar, të cilët vetë u pushtuan nga tibetanët në mjaft raste.

Historia e Ksinzhangut është në mënyrë të ngjashme komplekse. Ideja e rajonit si një zonë e veçantë e unifikuar shkon jo më poshtë se mesi i shekullit XVIII. Zakonisht rajoni ka konsistuar në mjaft mbretëri dhe sundues të ndryshëm, vetëm rrallë ka qenë i bashkuar nën autoritetin e ndonjërit. Sigurisht që ka pasur një prani han gjatë një pjese të madhe të historisë së rajonit. Kontakti i parë i regjistruar qe në shekullin e I-rë B.C., kur Perandori dërgoi një përfaqësues me shpresën e bashkimit të tribuneve të tij kundër pushtuesve hunë. Oborri han më pas vendosi një qendër administrative në Ksinzhang midis viteve 73 dhe 97 A.D. Ksinzhangu mbeti nën kontrollin e tyre deri në shekullin V, kur u pushtua nga tributë turke. Gjatë dinastisë Tang, ai e mori veten, por pas rënies së saj mbeti jashtë kontrollit kinez deri më 1750, kur u rimor nga Cingët, të cilët e riquajtën rajonin "Ksinzhang" ("territor i ri"). Fatkeqësisht, kjo nuk i frymëzoi njerëzit që të shkonin atje. Shumica e e shikonin atë si një vend të tmerrshëm të izoluar, ku njeriu dërgohej për ndëshkim. Kjo pikëpamje qe aq e përhapur sa që një prej perandorëve u desh që t'i drejtohej pagesës së njerëzve për t'i dërguar atje. Vetëm pas vitit 1949 rajoni u integrua me pjesën tjetër të Kinës. Më pas atje filloi të flitej për "të zhvilluar perëndimin".

Ekziston një histori e gjatë proteste kundër sundimit kinez. Në vitin 1962, 60000 ujgurë shkuan në Bashkimin Sovjetik për t'i shpëtuar zisë së bukës dhe Hopit të Madh Përpara të Maos. Në vitet '80-të pati demonstrime dhe trazira studentore, të kulmuara në një bombardim në Kashgar më 1989, dhe më pas, më 1990, një revoltë në shkallë të gjerë në qytetin jugor të Barenit. Qindra fshatarë protestuan përpara ndërtesave të qeverisë qendrore lidhur me politikat e kontrollit të lindjeve. Megjithëse qeveria u lejonte minoriteteve që të kishin 2 fëmijë (krahasuar me 1 që u lejohej hanëve), ujgurët tradicionalisht kishin familje shumë më të mëdha dhe, për pasojë, nuk e pëlqenin vendosjen e ndëshkimeve (gjoba, konfiskim toke) që rezultonin nga pasja e më shumë se 2 fëmijëve. Zyrtarisht, 22 njerëz vdiqën gjatë "rebelimit kundërrevolucionar", përfshi 7 oficerë policie. Amnesty International citon raporte se më shumë se 50 fshatarë u vranë nga të shtëna mortaje dhe mitralozi nga helikopteri, shumica teksa po largoheshin. Qeveria më pas ua ngarkoi revoltën "separatistëve etnikë", të cilët, "të fshehur në rajon", arritën që t'i mashtronin disa njerëz që të merrnin pjesë në "komplotin e tyre për të shkatërruar unitetin kombëtar". Megjithëse ka pasur një element fetar në këto protesta, është gjithashtu e vërtetë se situata ekonomike e ujgurëve u keqësua në fillimin e viteve '90-të. 75 përqind e tyre merren me bujqësi, veçanërisht me prodhimin e pambukut. Nga viti 1991, shumë vende ish-sovjetike filluan që ta shesin lirë pambukun e tyre në tregun botëror, duke i goditur çmimet kineze. Më parë qeveria i kishte subvencionuar humbjet e bujqve, por kjo politikë mori fund në mënyrë të menjëhershme. Zemërimi u drejtua gjithashtu ndaj bingtuans-ëve, të cilët akuzoheshin se kishin marrë tokën më të mirë. Pati bombardime të mëtejshme, në Urumq (kryeqyteti krahinor) në vitin 1992, në Kashgar më 1993 dhe më pas, më 1995, një revoltë në Hotan. Por ka qenë më 1997 në Jining që është zhvilluar protesta më e madhe. Ka shumë versione për çka ndodhi më 5 shkurt të 1997, por të gjitha pakashumë bien dakord.

1000 ujgurë, shumica prej të cilëve të rinj dhe meshkuj, marshuan nëpër rrugë. Ata thonin slogane dhe shkatërruan prona, si dhe pati sulme ndaj kinezëve hanë. Kur marshuesit u përplasën me policinë, pati të plagosur dhe të vdekur të shumtë. Shumë agjenci të huaja zgjodhën që ta portretizonin këtë si një protestë politike. Një raport i Associated Press i përshkruante ngjarjet si "një marshim mysliman që kërkon pavarësi"; Reuters e përshkroi atë si "një revoltë separatiste"; CNN-i e quajti një "protestë kundër sundimit të Pekinit". Por nuk pati mungesë shpjegimesh alternative. East Turkestan Information Centre e përshkroi atë si "një demonstrim paqësor që kërkon respektim të të drejtave të njeriut". Burimet zyrtare pretenduam më pas se ajo nuk qe më shumë se një dhunë e rëndomtë, puna e "mbeturinave sociale" si hajdutët dhe drogaxhinjtë. Ata pretenduan se kishte pasur pak humbje, por njoftime të tjera e ngritën numrin e vdekjeve në 400, duke deklaruar se ushtarët kishin qëlluar mbi turmë. Gjithashtu, u pretendua se disa prej protestuesve kishin hequr rrobat dhe kishin thirrur, "Mos flini! Mos hani! Mos punoni!". Gjatë javëve të ardhshme, u vendos një shtetrrethim në shkallë të gjerë në Jining dhe Urumq. Pati kërkime të zgjeruara shtëpi më shtëpi dhe shumë arrestime. Sipas Amnesty International, midis 3000 dhe 5000 njerëzve, u arrestuan aq shumë sa që të gjitha vendet e burgosjes në Jining qenë plot. Të arrestuarit u mbajtën pa akuzë dhe pati shumë raportime për torturë. Më 24 prill u mbajt një miting në stadiumin e qytetit Jining, me qëllim që të merrej një vendim kundër 30 ujgurëve që kishin marrë pjesë në protesta. 3 vetë u dënuan me vdekje me akuzat e "shkaktimit të vdekjes, vënies së zjarrit, huliganizmit, shkatërrimit të pronës dhe plaçkitjes". Ata u ekzekutuan menjëherë pas mitingut, në një vend ekzekutimi në rrethinat e qytetit. Sipas burimeve jozyrtare, trupat nuk iu dhanë familjeve të tyre. Më vonë, të 27 të burgosurit që qenë dënuar me burgim u parakaluan nëpër rrugët e qytetit me makina te hapura. Një turmë që konsistonte në të afërm dhe miq iu afrua kamionëve, ndoshta për t'u thënë ndonjë fjalë të burgosurve, ndoshta për t'u përpjekur që t'i shpëtonin. Policia hapi zjarr në turmë, me sa duket duke vrarë 3 dhe duke plagosur 10 të tjerë. Nga qershori, autoritetet kishin filluar t'i lidhnin aktivitetet separatiste me fenë. Xinjiang Daily raportonte se një shtypje e aktiviteteve fetare kishte rezultuar në një ndalin zyrtar të ndërtimit apo rinovimit të 133 xhamive. Në total, 44 "pjesëmarrës qëndrorë në aktivitete të paligjshme fetare" qenë arrestuar në rajon. Megjithëse liria e besimit fetar është pjesë e Kushtetutës kineze, ka shumë kufizime lidhur me ku dhe si njerëzit lejohen që të falen. Shërbimet dhe arsimimi fetar lejohen vetëm në mënyra specifike të licencuara dhe përmbajtjet e të gjitha shërbesave fetare këqyren në mënyrë të hollësishme. Ekzekutimet vazhduan. Në prill 1999, Amnesty International raportonte se qysh nga janari 1997 kishte pasur 210 dënime me vdekje, 190 nga të cilët qenë ekzekutuar. Por eventualisht, ngadalësisht, shpesh brutalisht, gjërat filluan të zënë vend. Retorika zyrtare u zbut deri në pikën sa tingëllonte pothuajse tolerante: Ne duhet të marrim në konsideratë qenien e grupeve të ndryshme etnike. Ne [Partia] duhet të respektojmë gjuhën, ashtu si dhe doket e zakonet e grupeve të ndryshme etnike.

Më 1 shtator 2001, Van Lekuan, Sekretar i Komitetit të Partisë Komuniste të Ksinzhangut, bëri deklarimin e sigurtë se "Ksinzhangu nuk është një vend terrori" dhe nuk qe në asnjë mënyrë "një vend ku dhuna dhe aksidentet terroriste ndodhin shumë shpesh". Dhjetë ditë më vonë, gjithçka ndryshoi. Pasi dy avionë goditën World Trade Centre, dikush në qeverinë kineze duhet të ketë kujtuar të gjitha "aksidentet terroriste" që nuk po ndodhnin. Në tetor 2001, zyrtarët filluan të flasin për lidhje të ngushta midis seperatistëve të Ksinzhangut dhe forcave ndërkombëtare terroriste, duke sugjeruar në fakt se "separatizmi" ishte një formë "terrorizmi". Arrestimet filluan sërish. 7 ujgurë u ekzekutuan për "prishje të rendit social" në javën përpara festës së tetorit të vendit. China News Service raportonte se policia në Urumq kishte filluar një "fushatë për të sqaruar çështjet". Sipas Du Zhangsisë, shefi i Zyrës së Sigurisë Publike të Urumqit, synimi i saj ishte që të ruhej "rendi publik dhe stabiliteti nëpërmjet shtypjes së krenarisë së sëmurë të terroristëve të dhunshëm". Më 14 nëntor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhu Bangzao, dha një konferencë shtypi lidhur me separatizmin ujgur. Ai rreshtoi 10 organizata me bazë në Afganistan, tjetërkund në Azinë Qëndrore apo në Ksinzhang, të cilat tha se po luftonin për t'i dhënë fund sundimit kinez. Ai argumentoi se disa separatistë nga Ksinzhangu qenë trajnuar në Afganistan përpara se të dërgoheshin në Kinë dhe se Lëvizja Islamike e Turkestanit Lindor (ETIM) në fakt mbështetej dhe drejtohej nga Usama bin Laden. Pretendohej se Hasan Mahsum, lideri i ETIM-it, ishte takuar me Bin Ladenin më 1999 e 2001 dhe kishte marrë premtime për "një shumë të madhe parash". Qëllimi i Bin Ladenit ishte dukshëm që të shpërthente një "luftë të shenjtë" për të ngritur një shtet teokratik islamik në Ksinzhang. Revoltat e Jiningut papritmas nuk qenë më punë e "mbeturinave sociale" dhe e elementëve të tjerë kriminalë. Në janar të 2002, People's Daily i përshkruante ato si "revoltë serioze" të përgatitur nga Partia e Allahut e Turkestanit Islamik Lindor, gjatë të cilave "terroristët thërrisnin slogane për vendosjen e një mbretërie islamike". Megjithëse e gjitha kjo qe shumë popullore, për të mos thënë komode, kishte pak dëshmi të drejtpërdrejtë për çdo lidhje midis Al Qaedas dhe seperatistëve ujgurë. Edhe pse kishte padyshim një element fetar në revoltat e Jiningut, ai kishte të bënte me fundamentalizmin islamik. Pas reformave ekonomike të viteve '90-të (gjatë të cilave shumë fabrika dhe biznese shtetërore u mbyllën), pati nivele të larta papunësie në Ksinzhang. Kjo çoi në një klimë depresioni, në të cilën disa burra ujgurë filluan të pijnë rëndshëm dhe të përdorin droga. Në një përpjekje për të reaguar ndaj kësaj, burrat ujgurë filluan të takoheshin për një ritual të njohur si mäshräp. Mäshräp-i është shumë gjëra. Ai është një forum për gjëegjëza, tregim barsoletash dhe muzikë. Gjithashtu, ai është një mjet rregullimi i sjelljes shoqërore dhe i transmetimit të praktikave kulturore dhe fetare nga njëri brez tek tjetri. Një rrëfim i një mäshräp-i përshkruan dikë që akuzon fqinjin e tij Abdul për pirje vodke në një festë ditëlindjeje. Gjykatësi shpjegon se kjo gjë është e dëmshme ndaj shëndetit, prishje parash dhe në kundërshtim me nënshtrimin e myslimanit ndaj Zotit. Pavarësisht formalitetit të dukshëm të një mäshräp-i, rituali nuk ka asnjë status ligjor, gjë që reflektohet në llojin e "vendimit" të marrë: "Gjykatësi shpalli se njeriu duhet të "shkonte të gjuante peshk në liqen"... Saqchi [roja] la dhomën dhe u kthye me një legen të madh me ujë, një peshqir dhe tre copa ëmbëlsire të fortë. Ëmbëlsirat u futën në ujë dhe Abduli u shtrëngua që të futej në të dhe ta nxirrte me gojë ëmbëlsirën nga legeni. Disa herë ai u rrëzua në ujë dhe të gjithë burrat e pranishëm shpërthyen në të qeshura. Çdo herë, saqchi do t'ia fshinte fytyrën me peshqir dhe do ta tallte Abdulin, duke e pyetur nëse do ta pinte apo jo një vodkë tani. Qëllimi i një turpërimi të tillë është që të bëhet "fajtori" të heqë dorë nga vesi dhe të premtojë se do të sillet më mirë. Gjithashtu, supozohet që të dekurajojë të tjerët nga kryerja e "krimeve" të ngjashme. Pavarësisht komponentes së qartë fetare, toni i procedimeve është krejtësisht i pangjashëm me ngrutësinë që njeriu mund të lidhë me një version më fondamentalist të islamit. Komponentja kulturore e mäshräp-it - këngët dhe historitë - është po aq e rëndësishme sa elementët fetarë. I pari i mäshräp-ëve të rinj u mbajt në Jining në vitin 1994 dhe më vonë u përhap deri në Urumq. Fillimisht, mäshräp-et bëheshin me marrëveshjen e autoriteteve të qytetit. Nga vera e 1995, vlerësohej se në të merrnin pjesë 10000 burra. Autoritetet duhet të jenë alarmuar nga niveli i pjesëmarrjes: në përgjithësi, qeveria është dyshuese për çdo lëvizje në shkallë të gjerë (për shembull, lëvizja Falun Gong), të cilat kanë potencialin të bëhen një pikë grumbullimi për kundërshtim. Kur në prill të vitit 1995 mäshräp-ët në rajonin Jining zgjodhën një drejtues - të quajtur Abdulhelil, një biznesmen 28-vjeçar me 3 fëmijë - ajo vendosi që të veprojë. Autoritetet ndaluan mäshräp-ët, duke i denoncuar si parajsa për idetë separatiste. Kjo çoi në një zemërim të konsiderueshëm dhe shumë u përpoqën që t'i vazhdojnë mäshräp-et në mënyrë të fshehtë. Në kundërpërgjigje, policia arrestoi shumë të rinj, disa prej të cilëve më pas u liruan, ndërsa të tjerë ose nuk u panë më, ose trupat e tyre u gjetën në zona jashtë qytetit. Tensionet midis haneve dhe ujgurëve u rritën derikur në janar të 1997, disa prej baballarëve të të humburve u grumbulluan në sheshin qendror të qytetit dhe kërkuan të dinin se ku qenë bijtë e tyre. Policia i arrestoi. Në ankth se edhe ata do të zhdukeshin, njerëzit shkuan në postën e policisë dhe kërkuan që t'i takonin ata, por policia refuzoi. Turma u rrit. Një ushtar u kap nga paniku dhe filloi të qëllojë. Ky qe momenti që filluan revoltat. Kështu, ato qenë rezultat mërishë të shumta: papunësi, represion fetar, dëshirë për pavarësi. Në valën e rietiketimit të separatizmit nga ana e qeverisë kineze si "terrorizëm", situata e shumë ujgurëve është keqësuar. Sipas Amnesty International, ka pasur shumë arrestime dhe liria fetare është kufizuar edhe më shumë. Në Jining, çdo ujgur që punon në një institucion shtetëror (të tillë si shkollë, spital apo zyrë poste) është i çkëshilluar fuqimisht nga shfaqja e çdo shenje besimi, sidomos agjërimi dhe faljeje gjatë periudhës së Ramazanit. Imamëve u është kërkuar që të marrin pjesë në mbledhje politike; fëmijëve ujgurë u tregohet nëpër shkolla se feja është "vetëm supersticion". Këto masa vetëm i kanë rritur tensionet midis haneve dhe ujgurëve (gjithashtu, ka pasur efektin e paqëllimtë e bërjes së disa ujgurëve jofetarë në myslimanë të devotshëm). Por pavarësisht mërisë midis të dy komuniteteve, ka pasur pak incidente të raportuara proteste, dhune apo tjetër. Një arsye për këtë është fuqia dërrmuese ushtarake e kinezëve dhe shpejtësia me të cilën shtypet çdo shprehje kundërshtimi. Një tjetër është mungesa e një figure të shquar, si puna e Dalai Lama, rreth të cilit të bashkohet. Me qëllim që rajoni të ketë ndonjë shans autonomie reale, le më pastaj pavarësie, ose ujgurët duhet të rriten ndjeshëm në organizim dhe forcë (diçka që kinezët, në valën e mäshräp-ëve ka pak gjasa ta lejojnë), ose qeveria kineze duhet të lirojë ndjeshëm darën e saj ndaj rajonit. Të dyja opsionet, kjo duhet thënë, duket se kanë shpresa të pakta.

Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD