E enjte, 25.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Faleminderit

Dukagjin Hata: Një simbol për ligjin dhe shtetin e së drejtës

E shtune, 01.08.2009, 03:12 PM


Një simbol për ligjin dhe shtetin e së drejtës

Nga Dukagjin Hata

Nëntë vjet më parë, më 2 gusht 2000, në qytetin e Shkodrës, në një përpjekje me botën e krimit, ra në krye të detyrës komisari i policisë së kryeqendrës së Veriut, koloneli Arben Zylyftari.

Dy ditë para vrasjes ai kishte shëtitur me varkë në liqenin e Shkodrës, së bashku me ish-shefin e misionit të OSBE-së, zotin Arhens, me të cilin, me sa duket, kishin biseduar se si mund të veprohej për të ndërprerë të gjitha lidhjet e krimit në qytetin problematik, që liqenin të mos e kontrollonin trafikantët. Në fakt, "komisari i hekurt" ua kishte prerë rrugën kontrabandistëve, trafikantëve e mafiozëve, që deri atëherë kishin përjetuar një parajsë kriminale jo vetëm në Shkodër, por në shumë qytete të tjera të vendit. Bëmat e tij në përplasje me krimin njiheshin në Ersekë, Kolonjë, Berat, Vlorë, Korçë e gjetkë, kudo ku e kishin çuar për të punuar në shërbim të rendit qytetar. Ndoshta, akti i vrasjes së tij ishte një kundërpërgjigje që krimi i organizuar dhe mafia i bënte një idealisti, i cili më shumë se jetën e tij çmonte shtetin e së drejtës, lirinë e të tjerëve.

Pak kohë më parë ai kishte arrestuar kapon e krimit në qytetin e Vlorës, Zan Çaushin, dhe kishte pasur debate me njerëz të veshur me pushtet të lartë politik, që kontrollonin qytetin e Jugut. Me sa duket, ata kishin lidhje me këtë emblemë të krimit shqiptar, ndaj arrestimi i tij i shkelte në kallo dhe u prishte punë në aventurën e tyre me prapavijë alibi politike e pushtetare. Por zemërimit të botës së krimit ndaj djaloshit trim e kurajoz, kolonelit Arben Zylyftari, i kundërvihej mirënjohja e njerëzve të thjeshtë, mirënjohja e atij djalit të vogël nga qyteti bregdetar, të cilin Beni e shpëtoi nga thonjtë e rrëmbyesve dhe Vlora ia ktheu me mirënjohje, duke e shpallur "Qytetar Nderi" të saj.

Në këto rrethana, vrasja e Arben Zylyftarit ishte e paralajmëruar, ishte një vrasje si ajo e Falkones, ikonës së Antimafies italiane. Ishte një sinjal nga mafia, e cila në aventurën e saj për të dekurajuar ligjin dhe të drejtën, sulmon më kurajozët, sulmon kampionët në ringun e përgjakur, ku përplasen interesa dhe botë diametralisht të kundërta. Dora e "padrinove" i ekzekuton ata që nuk mund t‘i blejë dhe t‘u ofrojë kolltukë.

Kryeministri i atëhershëm, në ceremoninë mortore të drejtorit të policisë së Shkodrës, u shpreh: "Humbëm një komisar policie, por fituam një simbol". Benit iu bënë të gjitha nderet. Emri i tij iu vendos Akademisë së Policisë Shqiptare. Por ky simbol rrezikohet të shuhet nga burokracia dhe apatia e aparatçikëve. Emri i këtij heroi të uniformave blu, që pagëzon ende Akademinë e Policisë, vështirë "të mbijetojë" me riorganizimin e fundit të kësaj shkolle. Arben Zylyftari derdhi gjakun në themele të shtetit të së drejtës dhe u bë një ikonë e ligjit dhe e Policisë së Shtetit. Emri i tij nuk mund të fshihet e të zhbëhet nga asnjë lloj organizimi e strukturimi i shkollës së policisë, pasi me të lidhet një akt moral e qytetar në shërbim të rendit dhe stabilitetit qytetar të këtij vendi.

Në këtë përvjetor të vrasjes së tij, shokët, kolegët, vartësit, eprorët, të gjithë ata që punuan me të ose e njohën nga afër, kujtojnë një djalë të qeshur e simpatik, të fuqishëm në trup dhe në shpirt, një njeri të drejtë e të guximshëm, që vuri gjithçka që kishte në shërbim të detyrës, të cilën ai e konsideronte të shenjtë.

Sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë spikat në sfondin e kohës dhe në vëmendjen e bashkëkohësve vepra e Arben Zylyftarit, këtij apostulli të së drejtës, që u ngrit mbi botën e tij intime, mori përsipër rrezikun dhe mbeti përjetë ikonë e policisë shqiptare, shembull frymëzimi për të gjithë ata policë të thjeshtë, oficerë e komisarë, që e duan ligjin, e duan shtetin dhe sakrifikojnë çdo ditë në emër të tyre. Kolonel Zylyftari kishte një shpirt të madh, të cilin e vuri në shërbim të mbrojtjes së të dobtëve, kundër të gjitha presioneve që bota e krimit bënte aso kohe kundër njerëzve të pambrojtur. Ai i merrte përsipër të gjitha rreziqet, e kur vinte puna për dekorata, tërhiqej. Nuk i pëlqente dukja dhe buja, ishte modest, fjalëpak e punëshumë. Por dekoratat ia dhanë njerëzit e thjeshtë, ata që ai i ndihmoi në betejën e jetës kundër zullumit dhe ligësisë së të panginjurve. Dekoratat e rrethuan nga koka te këmbët në shtratin e topit, teksa e përcillnin për në banesën e fundit, me lot e vaj, por edhe me mirënjohje për veprën që la pas.


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora