E enjte, 28.03.2024, 02:37 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Maqedonia sipas modelit "Kinse...kinse...."

E shtune, 01.08.2009, 01:40 PM


Maqedonia sipas modelit "Kinse...kinse...."

Iluzioni se BE do t'i zgjidhë problemet e shqiptarëve

Nga Enver Bytyçi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Imer Aliu, dashje ose pa dashje, gjatë një deklarate të tij të këtyre ditëve ka nxjerrë në dritë thelbin e konfliktit në Maqedoni. Ai shprehet se "Strategjia parlamentare e VMRO-së tashmë është e qartë dhe e zbuluar nga ana jonë. Ata tentojnë të konstruojnë parti politike kinse shqiptare, të konstruojnë opozitë kinse shqiptare dhe në fund kinse realizojnë projekte dhe nxjerrin e miratojnë ligje kinse në favor të shqiptarëve".

Nuk dihet nëse ky "zbulim" i veçorive politike të Maqedonisë se 20 viteve të fundit është vërtet shqetësimi kryesor i PDSH-së, sepse këto qëndrime nuk janë lexuar ndonjëherë më parë, aq më pak kur PDSH ishte në koalicion me VMRO-në. E vërteta është se edhe PDSH ka bërë kinse punon për të drejtat e shqiptarëve, kinse i mbron ato të drejta dhe kinse përfaqëson interesat e shqiptarëve në qeveri e në parlamentin e Maqedonisë. Megjithatë është një sinjal pozitiv fakti se kjo hile sllavo-maqedonase ka filluar të demantohet.

Nga ana tjetër demantimi i kësaj hipokrizie të tipit ortodoks po bëhet nga përfaqësuesit e një partie, e cila është në opozitë me partinë, e cila më 2001 lëshoi armët për t'u rrjeshtuar në spektrin e politikës maqedono-shqiptare, saktësisht të Partisë së Ali Ahmetit. Këtë të fundit e kishte zënë këto ditë meraku nëse qeveria e Maqedonisë po gjen ose jo zgjidhje për çeshtjen e emrit, pra nëse do ta zgjidhë ose jo Maqedonia konfliktin e saj me Greqinë. Ahmeti, në një takim me banorët e Komunës së Zhelinës shfaqej optimist se çështja e emrit do të zgjidhet shumë shpejt. Sipas tij, pas angazhimit më të theksuar të faktorit ndërkombëtar, palët në bisedime i kanë afruar qëndrimet. Dhe këtë optimizëm e transmetonte te shqiptarët si sukses të vendit në rrugën e integrimeve.

Po sa janë të shqetësuar shqiptarët e Maqedonisë për atë se Greqia dhe qeveria e Gruevskit kanë konflikt për emrin e ri që do të përdoret?! Besoj se ndonjë anketim te shqiptarët këtë çështje do ta rendiste të fundit në listën e madhe të shqetësimeve të tjera. Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të përjetojnë një lloj të sofistikuar aparteidi të tipit të atij aparteidi që Milosheviçi kishte aplikuar në Kosovë. Ata përbëjnë së paku një të tretën e popullsisë së vendit, e megjithatë janë të përçudnuar e nëpërkëmbur. Ndonëse në Kosovë gjuha e një të njëzetës pjesë të popullsisë, gjuha serbe, është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e vendit, në Maqedoni gjuha e një të tretës së popullsisë së vendit, gjuha shqipe, është e mohuar dhe e zhvleftësuar. Ndonëse në Kosovë 5 për qind e serbëve përfaqësohet së paku me 10 për qind në administratën publike, në Maqedoni 35 për qind e popullsisë shqiptare përfaqësohet me 7-8 për qind në administratën publike të vendit. Ndonëse në Kosovë 5 për qind e serbëve ia kanë imponuar shumicës prej 95 për qind të gjitha simbolet nacionale dhe madje kushtetutën e vendit, në Maqedoni 35 përqindshi i shqiptarëve nuk vjen në shprehje për t'u pyetur se çfarë emri e simbolesh duhet të ketë Maqedonia.

Mund të rendisësh me dhjetëra ligje, nene e probleme, të cilat kanë një kontrast të madh midis demokracisë e të drejtave të pakicave në Kosovë si dhe asaj se çfarë përfaqëson politika e VMRO-së në Maqedoni. Prandaj Imer Aliu ka të drejtë në konstatimin e tij. VMRO bën kinse u jep ndonjë kockë shqiptarëve dhe i mashtron me vende në qeveri. Ministrat shqiptarë mbajnë kolltuqet ministrore të nxehta dhe kënaqen me privilegjet që kanë. Deputetët shqiptarë po ashtu mashtrohen me fjalët e ngrohta të "udhëheqësve maqedonas". Ndonjë ndoshta mburret se i ka dhënë dorën Gruevskit, dikush tjetër kënaqet se Gruevski e Ivanovi e kanë ftuar në drekë apo në ndonjë darkë pune. Më në fund të gjithë bashkë, jo vetëm VMRO, por edhe ministrat, deputetët dhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë bëjnë kinse ushtrojnë demokracinë dhe kinse bëjnë ligje edhe për shqiptarët.

Ndërkaq Ali Ahmeti, i cili kishte udhëhequr një luftë me mbështetje mbarëshqiptare për të drejta të barabarta midis shqiptarëve e maqedonasve, ka mundur të kënaqet me ecurinë e zgjidhjes së kontekstit të emrit të Maqedonisë dhe e motivon këtë me mundësinë e mëpasme të pranimit të vendit në NATO e BE.

Shenjat janë të qarta se qeveria e Maqedonisë kërkon integrimin për ta përdorur si maskë në metodën e saj sipas filozofisë "kinse...kinse". Dhe suksesi i saj do të jetë i garantuar sa kohë që edhe partitë shqiptare në atë vend do të vazhdojnë ritualin e ustait me të njëjtën metodë "kinse...kinse luftojnë për të drejtat e shqiptarëve".


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora