E premte, 29.03.2024, 01:54 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Dromca jete në ''kajde'' të skicave ose përpjekje dhe përshkëllima

E enjte, 30.07.2009, 06:15 PM


DROMCA JETE NE "KAJDE" TE SKICAVE OSE PERPJEKJE DHE PERSHKELLIMA

Nga Blerim Rrecaj

E thirra përafërsisht në nëntë të mëngjesit. Më tha se nuk do të dilnim sot se qenka një festë (a t’i them dy tri fjalë për festat e shumta a jo, më mirë po e lë me kaq…) Shkëmbyen llafe të zakonshme për punët tona dhe u ndamë me nga një “ditën e mirë”. Tash ora është 10 e 20 minuta dhe në kabinën telefonike ku gjendem derisa po mendoja se si ta përshkruaja reflektimin në mur të mbishkrimit “FIKS 0,10,E", që qëndron në derën e kësaj kabine telefonike, hyri një njeri dhe pyeti se sa është fiksi për Gjermani. I solli numrat foli, doli ma muar një laps dhe shkeu pak letër që qëndronte në tavolinën ngjyrë kremi ku qëndron kopmpjuteri dhe e vazhdoi bisedën. Tash ai po provon ta marrë në linjë tjetër kë dhe goditja e numrave telefonik ngjan me rrahjen e gishtave të mi mbi këtë tastaturë ngjyrë kremi sikur e tavolinës…Ditë e ngrohtë me diell dhe kjo ditë po na mbështjellë ashtu siç i mbështjellin dhuratat me celofon për t’i dërguar diku. Ndoshta edhe më egërsisht. Njerëz vazhdojnë të vijnë e të flasin. Vazhdojnë të bëhen biseda telefonike…Ditë me diell, me tension e stres,me…
...
Ecim. Ndalemi. Pushojmë pak. Tensionohemi me e pa arsye. Ditë e vranët vere. Fryen erë. Mund të ketë edhe shi më vonë. Vakitë ndodhin, disa prej tyre natyrisht lënë më shumë gjurmë. Me pasiguri flasim e japim mendime. Llomotisim. Jeta vazhdon. Lëvizje, veprime, ikje… Një lëmsh i mbledhur në grykë. Shëndosh e me grosh thotë i paska thënë gjyshes sime nëna e saj...Si po ia dalim edhe vetë çuditemi. Llafe të njëjta për një të ashtuquajtur dëshprim masiv. Kotësi e jo vetëm një dite. Kotësi e tejzgjatur dhe ne viktima të saj. Edhe sa do ta lëmë kotësinë t’i fërkojë duart.Grindemi mes vete kot së koti thotë thotë njëri prej shokëve… “As vetë se dij pse sot kot po sillem”, thotë një poet. Sikur kjo të vlente vetëm për një ditë. Kokat na mbushen me alarme të llojllojshme. Absurdi çdo ditë përforcohet. Përplasje të shumta veturash në komunikacion. Ankime të llojllojta pa adresë, ose në adresat që s’bëzajnë… Ngarkohemi me barrë stresi dhe pyesim si të shkarkohemi prej tij. Mos i shih gjërat vetëm bardh e zi do të thotë shumëkush. E me ironi do përgjigjemi se na pëlqen ylberi. Diçka nuk shkon. Biseda të njejta për të cilat themi se s’ke si iu shmangemi… politikë, ekonomi, moszhvillim, mjerim…Plogështia e pandjeshmëria sikur kanë zënë rrënjë. E keqja e jonormalitetet më nuk na bëjnë edhe aq përshtypje. As frika e mosguximi. E latinët mirë e thanë se çdo rregull ka përjashtim. Ashtu qoftë! Unë tash këtë e ndjej, e kështu them dhe nuk e di as vetë ta marrë shumë ngat zemrës apo ta mbaj shumë larg saj. Mbase më e mirë do të ishte një zgjidhje mesatare: as shumë ngat as shumë larg. Hë, si thoni ju?
...
“Oha nxehtë bre” ose “na mbyti zhegu” janë fjalët që ndoshta më së shpeshi na bie t’i dëgjojmë apo edhe vetë t’i përdorim në momentin kur takohemi ose na bijë të rrijmë me dikë. Dhe ndoshta më pas do të diskutojmë për temat më aktuale apo ato qe na bijnë ndër mend të cilat kanë ba njëfarë 'bumi' që s’na hiqen lehtë prej mendjes te e cila kanë gjetë njëfarë strehe . P.sh. Për grupin “Troja” dhe këngën “Amaneti i Clounit”, për reklamën e Ipko-s “një minutë dhjetë cent, dy minuta…deri tek minuti numër tridhjetë, shkopinjtë e akulloreve me mbishkrimin “bedava” që ta mundësojnë mësyerjen drejt dyqaneve dhe marrjen gratis të një tjetre, por edhe biletat kythyese Prishtinë-Durrës prej pesë eurove që vazhdon ta habisë shumkë me përjashtim të atyre që rezervojnë biletat dhe nisen me pushimet drejt detit, e fjalet si fjalet kushedi ku do na shpiejnë.”Vallahi dje i nxorra pesë bileta kthyese për Durrës dhe nuk pagova më shumë se njëzet e pesë euro” u shpreh një qytetar i cili më pas u mundonte ta gjente shkakun e këtij çmimi kaq të lirë i habitur duke përmendur Kalimashin, sezonën turistike dhe konkurrencën e një varg arsyesh tjera. Vërtetë, vera e nxehtë ka filluar dhe meterologët parashikojnë temperatura të larta, na thone gazetat, televizionet e interneti .Për t’u relaksuar e freskuar do te na shërbejnë edhe Mirusha, Badoci , Batllava…Njëra prej temave që shumë fliten e përfliten është edhe gazeta “Tung.ch”, pos tjerash thuhet për të se ka goditur suksesshëm gazetarinë protokollare dhe këtë e ka bërë me anë të shkrimeve të ndryshme nga jeta e njerëzve të botës shqiptare gjithandej, gjithashtu mjaft fjalë thuhen edhe për dizajnin e saj ... Kryesisht temë diskutimi ose theksi ynë kryesor tash bie në pushimet verore, te cilat shumëkush i cilëson si një ikje drejt plazheve e ujit të kripur por edhe si një lehtësim i jetës që do të na presë pas kthimit nga Durrësi, Ulqini dhe vendet tjera të ngjashme. Të gjithë ata që do të kenë mundesinë të nisen drejt udhëve që i kanë zgjedhur vërehet një emocion i lehtë dhe e rëndësishme në këtë rast është t’ia kalojnë sa më mirë e sa më mbarë. “Ethet pushuese” kanë nisur bashkë me plane e planifikime, dhe nuk mungon as spontaniteti… Veturat me targa të huaja na tregojnë se mërgimtarët më së shumti i mbledh kjo stinë “përvëluese”.( Ndonëse disave planet për pushime sivjet në atdhe ua ka prishur kriza globale...) Ata e shtojnë koloritin e jetës që bëhet në vend dhe “përzihen” natyrshëm me ritmet e kësaj jete të cilat mundemi t’i emertojmë secili sipas dëshirës. Vera si stinë i ka veçoritë e veta, (dhe fatmirësisht në vendin tonë katër stinët "shijohen" sipas emrave që kanë, ndonëse edhe në këtë drejtim pak gjërat kanë lëvizur thonë të moshuarit) dhe ndoshta për një arsye të caktuar në këta rreshta e quajta stinë autobusësh. Mund edhe të mos pajtoheni dhe natyrisht ta emërtoni ndryshe. Edhe kjo verë, ia nisi edhe kjo verë po them duke m’u kujtuar fjalët nga një këngë e grupit “Telex” që thonë: “Kjo verë, kaloi edhe kjo verë…” Këngëtari Agron Berisha këndonte: “Hej Adriatik, ti je miku im”… Po të vazhdoj të përmend edhe gjëra të tjera që më kujtohen do të na zgjatej muhabeti…
A do të arrijmë ta “shtijmë verën brenda” siç shprehen fshatarët?!…
...
U deha me shikimin e dy fotografive që më dërgove. Pos tjerash më erdhën edhe si ushqim shpirtëror. Që flisnin edhe për rrugëtimin tonë që e kemi bërë zakon të themi të derikëtushëm. Në Gadime sikur e kërkonim veten në terr dhe jo si Nastradini çelësin në dritë siç e cek Buscaglia në shkrimin “Unë e Ti” nëse s'gabohem kështu titullohet. Lulepjeshka së pari më pat ardhur si poezi e tash edhe si fotografi në atë pjesë të stacionit të autobusëve. Ky stacion siç e pashë nga fotoja më foli bukur për identitetin prishtinas. Bar i lashtë dhe i gjelbër (që më pëlqen t'i them siç e tha dikush se e kemi trashëgim nga Parajsa)...( tek e cila ndoshta një ditë do të kthehemi...) sa mirë dukej dhe ia shtonte harmoninë mjedisit përreth. Lisave të gjatë që dikur i patëm vizituar për të parë foletë e korbave. Shtëpiza e Vjetër me tjegulla të nxira. Rrethojat. Dhe ai asfalt i derdhur me shije. Gjurmët e hapave në të nuk duken po ndjehen. Edhe të hapave tonë. Që s'dihet se sa janë. Prishtinën as nuk e duam dhe as e urrejmë apo ndoshta edhe e duam e edhe e urrejmë... Megjithatë stacionin rrugët...Tokën dhe Qiellin i duam e ajo lulepjeshkë që meriton të shihet me sytë e fëmijëve pa kurrfarë pezmatimi. Duke u bazuar një një debat të mbrëmshëm përcjelluar jo aq më vëmendje Gadimen e quaj më mistike e Lulepjeshken më medituese...Kujtoj fjalët e një shkrimtari që nuk ia di emrin i cili tha: "Unë them Faleminderit!"


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora