Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Unë Jam një Pendë në Dorën e Zotit” - Nënë Tereza - Nga Klajd Kapinova

| E merkure, 05.09.2007, 06:11 PM |


Nga Klajd Kapinova, New York

 

Klajd Kapinova
Vuatja ka mbetur pa shërim. Trupat e Dandit të Indisë dhe Xheharl Nehru, (Kryeministër i parë) kishin si privilegj shtratin e topit, për t’u dërguar në banesën e fundit. Këtë fat kishte edhe trupi i Nënë Terezës, i mbuluar me shumë ngjyra lulesh dhe me flamurin kombtar të Indisë. Në varrin e saj, më 13 shtator 1997, morën pjesë 1 milion vetë, në një varg të gjatë prej 9 kilometër dhe 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremoninë e varrimit.

Por, bota sot është në zi. Ajo ka ndjer jetën dhe vuajtjen, për t’ia lehtësuar atë të varfërve midis të varfërve. Njerëz me zemër të madhe e ndërgjegje të pastër, janë të domosdoshëm, për të lehtësuar ato vuajtje, që mori përsipër për 50 vjet të shëronte Nënë Tereza e Kalkutës.

Më shumë se kurrë, bota ka mbetur jetime. Vuajtjet e njerëzve kudo kanë mbetur pa shërim. Bota po shton pikëllimin mbi Shenjtëreshën e gjallë të kohëve moderne. Njerëzimi, humbi Nënën e Madhe dhe fitoi Shenjtëreshën e Madhe. U tronditën isntitucionet teologjike, civile, kulturore dhe shkencore. Shkencëtarët, tashmë kanë rënë në heshtje të thellë, për disa çaste, duke respektuar Princeshën e Humanizmit. Kumbimi i këmbanave, mbushi eterin dhe më shumë ato u mbytën nga kumbimet e zemrave njerëzore. Jeta njerëzore humbi drejtpeshimin, ndjeu varfërinë, që papritmas e pllakosi në mënyrë tragjike përballë pllakosjes së tragjedisë. Ajo ishte dhe është më tepër Njeri-Nënë-Shenjtëreshë.

Tek figura e saj poliedrike evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë së saj predikuese, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjejave që quhet mirësi njerëzore dhe okjonit praktik, si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues. Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si një moralizuese, por si objekt kristian, që mishëron diçka më shumë. Ajo, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa Zoti e mori në krahët mikpritës të Tij. Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave. Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e saj të ngrohtë, duke u thënë mos u merzisni, unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore. Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë Nënë Tereza. Ajo u shoshte në shqip shqiptarëve “Zoti ju bekoftë”.

Si një mesazhere biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, lufta e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre. Ajo ishte një ushtri i vërtetë dashurie.

Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve, që padrejtësisht ishin braktisur nga aparaardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote. E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte dhe u dhuronte përkushtimin mbinjerëzor, u dhuronte me ëmbëlsi aq të dashurën fjalë, “Dashurinë”.

Ajo, përsonifikonte mirësinë, dashurinë me anë të Jezu Krishtit në Tokë. Me dashuri e përvujtëri, iu bind fjalëve profetike të Jezu Krishtit. Dhe tashmë Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndërronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. Ajo është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën ajo u shkëput me dëshirë.

Pak sintezë është mirë të thuhet

Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë. Oër më teoër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, së bashku shpalosin veoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj. Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë. Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit Terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të saj pa jetë, duke kërkuar një kod të ri moral.

E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi. E Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perendorë të tillë, si Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 pas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare? A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: shën Lauri, shën Flori, shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”, të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët shën Lauri e shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit? A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir , në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo? Sa kontrast i madh!

Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe një papë me emrin Gain, të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtar shqiptar. E gjithsesi, bota e krishtërë dhe kisha në veanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik prof.dr. Zef Mirdita, pedagor i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.

Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit e kësaj tokë, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit Papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfiltë shqiptar në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj. Por të mos harrojmë se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?

Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për Shqipërinë dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë. E kjo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX. Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën! E famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Gjergj Kastriotit legjendar, që si “Atlet i Krishtërimit”, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar. Ajo jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua ajo si e tillë se qe shqiptare?

të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme. Ajo tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.

Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale. Ku ta dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së Tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë; ku t’a dinte ai se si një kor gjigand, të gjithë njerzit e planetit kërkojnë që Ajo të shpallet Shenjtore edhe zyrtarisht nga insitucioni më i lartë i kishës katolike (Selia e Shenjtë) në Vatikan.

Në saksinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë Gonxhe dhe Gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë.

Ajo kërkon me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo është një dhuratë e Zotit për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se do gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”- i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera. Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptare.

Mbretëresha e Humanizmit, e Pëllumbit të Paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare. Ajo është pjesë e hershme e genit shqiptar. Rastësia nuk e solli atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e fosnjes mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.

Ajo erdhi në jetë, në fillim të shekullit tonë, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej saj, atje, ku në saj të veprës që ajo realizoi, shnderrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër. Në tryezën e shenjtorëve të Romës do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave. Ndoshta, edhe një Nënë që po shëron plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur.

Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës. Me shtatë pëllumbat e bardhë ka ngritur folezat e dashurisë Hyjnore, për njeriun e Atdheut të Saj.

Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të Engjëllit Mbrojtës, që komunikoi me botën Hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.

Pamteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me vdekjen e Nënë Terezës, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë. Porse kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997), bota e nderon pas vdekjes tragjike të Princeshës së Uellsit Ledi Dianës. Lajmi i dytë është shumë më i hidhur për ne. Kjo vjen nga shpirti me fjalë zemre të pikëlluar, sepse ishte një njeri frymor që drejtohej drejt Shpirtit të Shenjtë dhe Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli. E shpirti i mrekullueshëm qe Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”- ka përkufizuar Nënë Tereza. Ajo solli evolucion, ose lëvizje të re në shpirtin e Saj njerëzor. Besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë. Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.

Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit. Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje. Mirëpo, nëna është një titull, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje. Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur që kanë mësuar të gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.

Nënë Tereza, nuk është asgjë tjetër, veçse një kryenënë e të gjithë nënave të botës, që mirë ose jo, përpiqen të pakësojnë dëshpërimin e madh të kësaj bote të rënduar. Dashurinë për jetën e ka udhqyer përherë Ajo, me shpirtbutësinë bujare, përmes duarve të rreshkura që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë. Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë. Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje. Ka ulur urretjen midis njerëzve, duke falur dashurinë midis atyre njerëzve nën shembullin e Jezu Krishtit. Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjtshme.

Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë. Postulatet e saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide: “Nuk ka paqe pa dashuri”, “Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”, “Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”

Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës që përsëri vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.

Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike. Ajo kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se dhimbja e tjetrit zbutesh kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te. Ajo shihte frikë nga vdekja ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.

E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në Kryq. Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit. Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë.

Dhe bota u ul në gjunjë përpara madhështisë së bamirëses së saj. Media marramendëse elektronike, nuk e besoi humbjen e saj dhe bëri që t’a nderonin të gjithë të pasurit dhe me të dashurit e saj, të varfërit midis më të varfërve, mbasi Ajo dinte të komunikonte me të gjithë qëniet njësoj si Krijesa të Hyjit. Ajo ndërroi jetë, mbasi shenjtorët nuk vdesin. Përpara kamerave botërore shihej qartë se si luksi e grykësia njerëzore, etika e moralit akademik, uniforma e ushtrisë dhe kostumet e diplomatëve, mbetën të shtangur dhe u përulen me veneracion, me pendesë e me shqetësim përpara atij lëmshi njerëzor, e aq gjigand njëherësh!

U këput Gonxhja e Shqipërisë, Lulja e Njerëzimit. Nënë Tereza është poezia e jetës, poezia njerëzve të varfër. Kalkuta shumëmilionshe dhe me të, mbarë bota që e nderon si Qetetare Nderi të çdo kombi, race dhe ngjyre, është ulur në gjunjë dhe si një domosdoshmëri pavdeshmërie, kërkon të shenjtërohet.

Ajo u shpall Shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbajë në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veorën e misioneve të saj, të cilat me stoicizmin e tyre janë plazmor si specie Tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara...

 

Marre nga libri: “Engjell vuajtje dhe shprese”, 2002