E marte, 16.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Familja Sherifi e tronditur

E merkure, 29.07.2009, 06:51 PM


Nga Jeton Musliu & Dafina Myrtaj - Express

Gjilan, 29 korrik - Vetëm një javë para se të vinte në Kosovë, për të festuar ditëlindjen e tij me dy gusht, Hysen Sherifi arrestohet nga FBI nën akuzën për terrorizëm. Familjarët e tij në Gjilan shprehen tejet të tronditur nga lajmi që e kanë marrë nga mediat. Pjesa më e madhe nuk kanë ditur asgjë për rast, madje kanë udhëtuar për pushim në Shqipëri.

Njëra ndër arsyet tjera pse Hyseni ka planifikuar të vinte në Kosovë ka qenë edhe pritja për t'u bërë baba. Gruaja e tij, për të cilët thonë se është e mbuluar, pas dy muajve pret fëmijë. Ndërkaq, gjyshi i Hysenit, Baki Sherifi, habitet që nipi i tyre mund të jetë i implikuar në gjëra të tilla. Krejt çfarë thonë fqinjët për këtë familje dhe Hysenin personalisht janë fjalë të mira. Megjithëkëtë, ata tregojnë se kohën e fundit Hyseni kishte ndërruar.

Derisa para tre vjetësh kur kishte ardhur në Kosovë nga Amerika, Hyseni më tepër i ngjasonte një Reperi me veshje të gjëra, kohën e fundit Hyseni kishte ardhur me rroba që identifikojnë përkatësinë re tij fetare. Express ka mësuar se fotografia e cila është shpërndarë nëpër media i takon periudhës kur ai kishte emigruar në Amerikë.

Ndërkohë, pamje e tij është krejtësisht tjetër. Ai ka mjekër të gjatë dhe me veshje tradicionale myslimane. Rrëfimin e plotë nga vendlindja e Hysen Sherifit, reagimet e familjarëve, të fqinjëve dhe shokëve mund ta lexoni në numrin e nesërm të Gazetës Express.

Sherifi ka emigruar 10 vjet më parë

Sipas mediave amerikane, thuhet se Hysen Sherifi, ka emigruar me familjen e tij rreth 10 vjet më parë. Fqinjët e tyre thonë se në vitit e fundit ai kishte filluar rregullisht të kryente shërbimet fetare çdo të premte.

Peter Adler, i cili jeton përtej rrugës kishte vërejtur se Sherifi kohëve të fundit, kur shkonte të ndiqte shërbimet fetare në xhami, kishte filluar të vishte rroba tradicionale të myslimanëve. Ai thotë se ritualet fetare të Hysenit nuk ishin një hap me prindërit e tij dhe katër vëllezërit dhe motrat e tij.

“Unë mendoj se ishte e çuditshme që Hyseni të sillej aq ndryshme nga familja e tij. Motrat dhe vëllezërit e tij kanë qenë shumë të amerikanizuar”, ka pohuar Adler.

Sipas fqinjëve, Hysen Sherifi ishte martuar me një vajzë në Kosovë. Po ashtu thuhet se çifti po priste një fëmijë dhe se ai po priste ti bashkohej gruas së tij në Kosovë.

Qafiri nga Kosova

Në Karolinën e Veriut në SHBA, FBI arreston shtatë persona të dyshuar për terrorizëm. Njëri prej tyre është Hysen Sherifi nga Kosova. Ata akuzohen se kanë bërë plane komploti për vrasje e sulme terroriste në Gazë, Izrael, Jordani, Kosovë dhe Pakistan. Hysen Sherifi, 24-vjeçari nga Kosova, kishte leje të përhershme qëndrimi në Amerikë

Kosovari Hysen Sherifi dhe gjashtë shtetas amerikanë janë arrestuar të hënën në Karolinën Veriore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bazuar në padinë e Policisë Federale, ata akuzohen për thurje të komplotit për të sulmuar brenda territorit të Izraelit.

Hysen Sherifi, 24 vjeçari i lindur në Kosovë, jetonte me dokumente të rregullta në SHBA. Ai është i vetmi nga gjashtë të arrestuarit e tjerë që nuk është shtetas amerikan. Por, kosovari sikurse edhe personat e tjerë, janë me banim në Karolinën e Veriut.

Të dyshuarit akuzohen për komplot që janë përpjekur t’u sigurojnë mbështetje materiale terroristëve, komplot për vrasje, rrëmbim, dhunim dhe plagosje të personave jashtë vendit. “Sipas akuzës, një nga burrat, Hysen Sherifi, thuhet se shkoi në Kosovë për t'u angazhuar në luftën fetare te dhunshme të xhihadit, por është e paqartë nëse ai ka bërë ndonjë sulm”- shkruan për këtë rast agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP).

Arrestimi i tyre është kryer të hënën nga FBI-ja (Federal Bureau of Investigation). Bazuar në informacionet e lëshuara nga kjo agjenci, ky grup i të dyshuarve kishte vizituar Izraelin në vitin 2007. Ata kishin planifikuar sulmet të cilat u kanë dështuar. Vendet tjera që ata i kanë vizituar për trajnim apo për operacione tjera janë: Pakistani, Jordania, Gaza dhe Kosova.

Prokurorët thonë se udhëheqësi i tyre ishte Daniel Boid, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë të dyshuar për sulme terroriste. Dy prej personave janë djemtë e tij, Zakarija Boid, 20 vjeç dhe Dilan Boid, 22 vjeç, ndërsa të tjerët janë Anes Subasic, 33 vjeç, Mohammad Omar Aly Hassan, 22 vjeç dhe Zijad Yaghi, 21 vjeç.

Hysen Sherifi, 24-vjeçari nga Kosova, është banor legal i SHBA-ve. Si pjesë e konspiracionit, aktakuza pretendon se ai udhëtoi për në Kosovë në korrik 2008 për t'u angazhuar në xhihadin e dhunshëm, mirëpo nuk është cekur nëse ai është i përfshirë në ndonjë luftim. Më pas ai është kthyer në SHBA në prill të vitit 2009 për të rritur mbështetjen për muxhahedinët, mirëpo prapë nuk janë dhënë më shumë detaje rreth tij. Thuhet se Sherifi ka ofruar 500 dollarë për të ndihmuar fondin e Daniel Boyd. Gjithashtu thuhet se i akuzuari Daniel Boid kishte ushtruar Sherifin se si të operojë në një sulm me armën automatike AK-47.

Pas lajmit të dhënë për arrestimin e shqiptarit nga Kosova Hysen Sherifit, Policia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë detaj shtesë rreth këtij personi.
Ata thonë se tash për tash nuk janë të përfshirë në hetimet e këtij rasti, pasi kjo është çështje e brendshme e SHBA-ve. “Nuk kemi ndonjë informatë rreth këtij personi. Nuk dimë asgjë më shumë pasi nuk kemi bërë hetime lidhur më këtë person. Do të shohim në ditët në vazhdim nëse do të kemi ndonjë informatë lidhur me të kaluarën e tij”, thotë një zyrtar i PK-së për Express. Përgjigje përafërsisht të njëjtë japin edhe zyrtarë të misionin evropian të EULEX-it. Ata shpjegojnë se kjo çështje më shumë është punë e brendshme e shtetit amerikan.

Ndërkohë, të akuzuarit janë paraqitur të hënën për herë të parë para një gjykate në Raleigh nën akuzën për sigurimin e mbështetjes materiale për terroristët. Autoritetet thonë gjithashtu se Boid dhe të dyshuarit e tjerë ishin stërvitur me armë sulmuese dhe ishin përpjekur të mblidhnin para për sulme terroriste.

Prokurorët thonë se udhëheqësi i tyre, 39-vjeçari Daniel Boid kishte qenë në Afganistan për stërvitje ushtarake në kampet terroriste dhe kishte luftuar atje mes viteve 1989- 1992, para se të kthehej në SHBA. Dokumentet në gjykatë akuzojnë Boid, që njihej dhe me emrin “Sejfullah”, se ka inkurajuar të tjerët të angazhuar në luftë fetare. Nëse të arrestuarit deklarohen fajtorë, ata mund të dënohen me burg të përjetshëm.

Aktakuza
Shtatë individët janë akuzuar për konspiracion për të siguruar mbështetje materiale për terroristët dhe konspiracion për vrasje, rrëmbim me dhunë dhe të plagosje e gjymtim të personave jashtë shtetit. Përveç kësaj, Daniel Boyd, Hysen Sherifi dhe Zakariya Boyd, secili janë ngarkuar me posedimin e një arme zjarri në mbështetje të krimit dhe dhunës. Nga përafërsisht nëntori i vitit 2006 deri në korrik 2009, padia pretendon se Daniel Boyd dhe të pandehurit tjerë kanë bërë konspiracion për të ofruar mbështetje dhe burime materiale për terroristët, duke përfshirë edhe paratë, trajnimin, në transport dhe në personel. Gjatë kësaj periudhe, të pandehurit gjithashtu kanë bërë konspiracion për të vrarë, rrëmbyer me dhunë dhe për të plagosur persona jashtë shtetit. Sipas padisë, objektivi i konspiracionit ishte përparimi i xhihadit të dhunshëm, duke përfshirë mbështetjen dhe pjesëmarrjen në veprimtari terroriste jashtë vendit dhe kryerjen e akteve të vrasjes, rrëmbimit etj. Akuza pretendon se si pjesë e konspiracionit, të pandehurit kanë përgatitur veten për t'u angazhuar në luftën e dhunshme të xhihadit dhe ishin të gatshëm të vdesin si martirë. Si pjesë e konspiracionit, aktakuza pretendon se të pandehurit kanë ngritur fondin për të mbështetur përpjekjet e trajnimit për të zhvilluar aftësitë me armë. Disa nga të pandehurit e radikalizuar gjithashtu thuhet se kanë shtyrë të tjerët të besojnë se lufta e dhunshme e xhihadit ishte një detyrim fetar personal.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora