E marte, 07.07.2020, 11:04 AM (GMT+1)

Komente

Agim Vuniqi: Kosova nuk është Banana republikë...!?

E merkure, 29.07.2009, 07:16 PM


Kosova nuk është Banana republikë...!?

Nuk është ky një shembull i vetëm i "bedel-izmit" në politikë, do të ishte i pranueshëm disi si formë e propagandës partiake, por loja e re përbuzëse me politikën e saj të jashtme është jo vetëm e papranueshme por është edhe devalvim i tregimit të sukseshëm për krijimin e shtetit

Nga Agim Vuniqi

"Kur lindi shteti" po vie e po bëhet një version postmodern i librit të parë të serisë së kujtimeve të shokut Enver Hoxha "Kur lindi partia". Ky version i ri dalëngadalë po bëhet pjesë e përpjekjeve, atëherë të komunistëve shqiptarë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, tash i "demokratëve" puçistë për krijimin e Banana Republikës. Si mund të thuhet ndryshe kur politika e jashtme e Kosovës po bëhët komplotiste. Vrapimi i tillë, ashtu si po bëhet kohë
fundit, i angazhimit jasht institucional në politikën e jashtme, pastaj i plasimit të informatave jo zyrtare në shtypin ditor ka filluar të krijon huti si brenda në Kosovë por edhe jasht saj. Pyetja qëndron a ka Kosova institucione apo nuk ka? Kjo çështje duhet të shtrohet edhe në komisionin parlamentar për politikë të jashtme, por edhe në parlamentin e Kosovës, si mund të lobohet ashtu për pranime të reja pa një kosultim paraprak me MPJ të Kosovës, është ky një atak në shtetësinë e saj, ngase kështu jo vetëm që atakohet politika e saj e jashtme, por çdo gjë që lidhet me institucionalizimin e saj po personalizohet-po privatizohet. Eshtë plotësisht e qartë që Kosova ka nevojë për njohje të reja, por jo kështu në këtë mënyrë, ngaqë kështu po degradohet i tërë sistemi konstitucional i saj. Ky vrapim i deritanishëm, shumë i çuditshëm për njohje të reja po bëhet jo vetëm i turpshëm, por edhe propagandimi po merr nuanca skandali, si të interpretohet ndryshe kur në shtypin ditor jipet lajmi se kryetari i një partie opozitare ka shkuar në El Salvador në shoqërim të një gazetarjeje të loboj në një shtet tjetër, për kend lobon ai dhe në emër të kujt, a është kjo pjesë e axhendës së MPJ të Kosovës apo jo? Këto pyetje kërkojnë përgjegje. Për të gjithë ata që i kontribuan luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët e saj brenda dhe jasht, këto ngjarje të rënda kësisoji janë burim i dhimbjes më të thellë por edhe rënie e alarmit të madh. Misioni i luftës ishte që të ngritej populli në këmbë, dhe ata që vunë në krye të saj e mobilizonin popullin me ide të pastra çlirimtare, kundër kolonizimit të egër, ishte pra një luftë supreme për lirinë dhe pavarësinë a atdheut, ishte një ide për krijimin e institucioneve demokratike dhe të pavarura, si atëherë të spjegohet kjo forme e fragmentarizmit institucional të shtetit dhe tendenca për krijimin e Banana Republikës. Eshtë e pashembullt heshtja e parlamentarëve ndaj një kiçi të tillë të lobimit.

Nuk është ky një shembull i vetëm i "bedel-izmit" në politikë, do të ishte i pranueshëm disi si formë e propagandës partiake, por loja e re përbuzëse me politikën e saj të jashtme është jo vetëm e papranueshme por është edhe devalvim i tregimit të sukseshëm për krijimin e shtetit. Të gjitha këto ngjarje, së bashku me atë të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe të përzgjedhjes së ambasadorëve të ardhshëm të Kosovës përmes konkursit, po bëhen sekuenca të humorit të zi, të paparë deri më tash në praktikën shtetbërëse; aq më tepër kur emërimi i tyre duhet të ishte jo vetëm pjesë e angazhimit të një institucioni por të shumë sish, pastaj pjesë e rekomandimieve partiake dhe institucionale, ngase angazhimi në institucione kaq të rëndësishme publike, do të duhej të pasonte me një pasqyrë të pastër të biografisë së konkurentëve, pjesëmarrës të konkursit (?), jo vetëm i mospërfshirjes në afera korruptive, por edhe të një mendimi më të gjërë publik; të atyre që i njohin më mirë, i qytetarëve të cilët kanë jetuar bashkë me ta, duke shërbyer si dëshmi sa ata kanë qenë aktiv si shërbyes civil të popullatës, sa kanë ndihmuar ata në procesin e rimëkëmbjes së shtetit. Tash po del se kishin të drejtë të gjithë ata kolaboracionist të cilët u zhvilluan si profiterë të luftës, që edhe në kohë të paqes të përfitojnë. Nuk janë sekrete rastet kur ata menjëherë pas luftës (një pjesë e këtij llumi të shoqrisë) ndërruan rolet duke blerë ofiqin e patriotit me një duq DM, atyre pa të drejtë shoqatat që ishin të lidhura me luftën u jepnin edhe mirënjohje...! Dhimbjet janë edhe më të mëdha, janë të freskëta, kur mu aty para syve të institucionalistëve dhe të shumë qytetarëve të cilët qarkullojnë mu pranë tyre dhe shumë afër shtatores së Skënderbeut, ashtu si pranë varrezave të dëshmorëve, as që përqëndrojnë vëmendjen për ata bashkëqytetarë të sakrificës që qëndrojnë të ngulitur për pak të drejta, të drejtës për të jetuar me dinjitet, si po harrohen ata të cilët u angazhuan që me sakrificën e tyre po ua mundësojnë fëmijëve, të rinjëve.., jetën pa frikë, jo ashtu çfarë e kishin baballarët e tyre, gjyshërit..., që botën e shihnin përmes pengjereve të vogla, të mbyllur nën ankthin e shpresës se do të jetojnë edhe nesër...
Tash jemi ba sy e vesh bashkë… Kyçe televizionin online dhe përnjëherë përballesh me fytyra të hareshme, të atyre që garojnë, është vërtet një kënaqësi grupore, shumë domethënëse. Renditen kandidatët për poste.., ministër, gjyqtarë, ambasadorë..., sipas numrave, mundohen të duken "cool" dhe të na joshin me ndonjë premtim shpresëdhënës. Shumë nga premtimet e tyre ua çonin pesh epshet qytetarëve, duke i lënë pa fjetur. Shumë shpejtë u harruan premtimet që i jepnin mu aty pranë shtatores së heroit kombëtarë Skënderbeu, për tu dukur më impozant para simpatizuesve partiak.
Është edhe një problem në dukje i thjeshtë por i pa paraparë, u ka humbur fija sojit të idealistëve të rinjë, kanë mbetur vetëm ata të Vetëvendosjes. Nejse de…, jemi mësuar të importojmë çdo gjë. Nuk është i pavend propozimi të hapet konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e "Hippodromit" ekskluziv, një stadium oval, ashtu çfarë ishin të ndërtuar në kohën e artë të Romës e Greqisë antike, do të ishte i mahnitshëm një lloj i tillë spektakli i pjesëmarrjes së kandidatëve me shpata (më mirë sesa ai i spektakleve kubaneze), krijohet edhe një problem i ri ku të gjinden kuajt e stërvitur, dhe sa kanë përvojë kandidatët e ri në kalërim, se ata të deritanishmit si duket do të mbeten kacavjerrtë. Ndërsa sa për spektatorë nuk ka asnjë problem, jemi të gatshëm ta përmbyllim misionin antik të paraardhësve tanë Ilirëve.


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora