E merkure, 24.04.2024, 12:39 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

"Përdhunimi i ligjëruar", beteja kundër ligjit mesjetar

E marte, 28.07.2009, 04:49 PM


Afganistan

Disa ditë pas përmbysjes së talebanëve në vitin 2001, isha në Kabul. Qyteti ishte kredhur i tëri në çmendurinë e festimeve dhe mes gëzimit për rënien e një regjimi, kishte nisur të lulëzonte shpresa për një të ardhme më të mirë. Këtë e shihje te të qeshurat, bisedat, entuziazmi i njerëzve në rrugë, veçanërisht tek ai i grave. Ato ishin tepër të gëzuara, sepse më në fund mund të shkonin në shkollë, në disko, të kërcenin e të dilnin me të dashurit hapur dhe mbi të gjitha ndoshta mund të hiqnin edhe shaminë nga koka. Tetë vite pas këtij momenti ekzaltimi po rikthehem sërish në këtë vend, por atmosfera që gjej nuk ka lidhje me atë që lashë 8 vite të shkuara. Pavarësisht se janë hedhur para për rindërtimin e vendit, për ndërtime dhe ndihet një lloj ndryshimi urban, Afganistani vazhdon të mbetet një nga 5 vendet më të varfra në botë. 40% e popullsisë është e papunë dhe në disa pjesë të vendit bëhet fjalë për 80%. Një fëmijë në tre është i kequshqyer. Jetëgjatësia është ndër më të ulëtat në botë me 43% dhe Afganistani është një nga tri vendet në planet ku gratë vdesin më shpejt se sa burrat. U riktheva në Afganistan për të parë situatën para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahet në gusht dhe për të folur në lidhje me një ligj të ri, që nëse do të vihet në zbatim, do të ketë pasoja të jashtëzakonshme për gratë. Ligji shiit i planifikimit familjar u nënshkrua marsin e kaluar nga Presidenti i vendit, Hamid Karzai. Shumëkush mendoi se Presidenti e ndërmori një vendim të tillë për t‘u bërë qejfin mullahëve të pushtetshëm. Kushtetuta afgane u lejon shiitëve që të kenë një politikë të planifikimit familjar të ndryshme nga ajo e sunitëve. Kjo politikë bazohet në ligjet tradicionale shiite. Disa mendojnë se kjo firmë është një garanci më shumë për fitoren e Karzait në zgjedhjet e gushtit. Ligji i propozuar u pasua nga protesta të shumta të grupimeve femërore. Ai është një ligj që sanksionon përdhunimin bashkëshortor dhe risjell të gjitha shtrëngimet e epokës së talebanëve ndaj femrës. Në të përcaktohen me ligj detyrimet fyese që një grua ka ndaj bashkëshortit, që në këtë rast është zoti i saj dhe ajo thjesht një skllave, që nëse nuk bindet dënohet me ligj. Në bazë të këtij ligji, një grua shiite mund ta lërë shtëpinë vetëm për një "çështje të ligjshme", që në fakt në ligj nuk përcaktohet dhe mund ta refuzojë seksin me bashkëshortin vetëm kur është e sëmurë. Ky ligj u prit me shumë kundërshti edhe nga komiteti ndërkombëtar, i tmerruar se si në këtë shekull një qeveri vendos ligje të tilla ndaj grave. Si pasojë, Karzai u tërhoq dhe deklaroi se do ta rishikonte edhe njëherë ligjin. Këtë muaj atij iu bë një amendament dhe sërish Karzai vuri mbi të firmën me shpejtësi. Por që të hyjë në fuqi ligji duhet që të miratohet në Parlament. Grupet e të drejtave të njeriut shprehen se nuk janë në dijeni të llojit të ndryshimeve që i janë bërë ligjit, qëllimi i vetëm i të cilit është futja e frikës dhe e pasigurisë në popullsinë e traumatizuar femërore të vendit. Soraya Sobhrang, një aktiviste e të drejtave të njeriut që ndodhet në Kabul, thotë: "Ligji, nëse do të hyjë në fuqi, do të ndikojë në jetën e të gjitha grave në vend, jo vetëm në atë të femrave shiite. Mbi të gjitha ai u hap rrugë ligjeve të tjera të tilla për t‘u miratuar. Ky është një test i grupeve të caktuara, që duan të sundojnë për të parë se sa mban kurrizi i njerëzve, i grave në veçanti". Sipas një mjeku psikiatër, që nga dita kur u fol për herë të parë për një ligj të tillë është dyfishuar numri i femrave që vizitohen për probleme psikologjike. Në ditën e festës së nënës isha në shtëpinë e Seema-s, në të cilën ajo rrit 7 fëmijët e saj të adoptuar. Ata i kishin bërë një tortë, në të cilën i kishin shkruar: "E dashur nënë, shpresojmë që të jesh e lumtur. Me shumë dashuri nga fëmijët e tu".

Seema është 41 vjeçe dhe i rrit fëmijët e vetme. Ka lindur në Kabul, kryeqyteti i Afganistanit dhe është e bija e një oficeri të lartë. Gjatë pushtimit rus, ajo u zhvendos në Londër së bashku me familjen. Kur ranë talebanët ajo vendosi që të kthehej në shtëpi. "Doja të bëja diçka për vendin tim", thotë Seema. Fillimisht punoi për Ministrinë e Financave, më pas drejtoi një hotel dhe një dyqan. Aktualisht merret me poezi, menaxhim e konsulencë, si dhe me drejtimin e një fondacioni fëmijësh. Është një grua e drejtpërdrejtë, që merr gjithmonë atë që do. Seema është një person shumë i rrallë në Afganistan. Pasi e pa që ishte e pamundur të gjente njeriun e ëndrrave të saj, ajo nisi të adoptonte fëmijë. "Jam e lumtur se jam e rrethuar me fëmijë", por gjendja e grave në këtë vend është shumë e rëndë dhe ajo nuk mund të sillet siç do të dëshironte. "Ndonjëherë qëllon që të jem në një gjendje depresive, por më pas gjej forcat, siç vazhdojnë t‘i gjejnë gratë e këtij vende". Për sa i përket ligjit, ajo thotë: "Unë nuk jam feministe, por një ligj i tillë të revolton". Ajo është një nga organizatoret e protestave femërore kundër një ligji të tillë. Është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të ndërgjegjësojë gratë dhe t‘i nxjerrë ato në rrugë për të protestuar ndaj një padrejtësie të tillë, që nëse do të legjitimohej, do të ishte një fatkeqësi për të gjithë kombin. "Gratë e këtij vendi nuk e duan një ligj të tillë, sepse është një ligj që na futet dhe ndërhyn në shtratin martesor". Por gratë që do të preken më shumë nga një ligj i tillë nuk janë ato që jetojnë në qytet. Duhet të udhëtosh 10 orë larg kryeqytetit për të parë se cilat janë gratë që do ta vuajnë me të vërtetë. Kështu udhëtova në zonën rurale të Bamiyani-t. Rruga për në këtë zonë është e mbushur me pika kontrolli dhe në çdo moment mund të përballesh me talebanët. Sa më larg kryeqytetit të shkosh, aq më e mjerë është situata për gruan. Ato punojnë në fusha, në shtëpi, kudo. Kjo, edhe pse mund të jenë shtatzëna, apo të sëmura. Ndërsa punojnë e janë me barrë, në njërën dorë mbajnë edhe fëmijët e mitur. Pjesa më e madhe e shtëpive nuk kanë ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Shkollat dhe spitalet numërohen me gisht. Megjithatë dhe çuditërisht, rajoni i Bamiyani-t ka të vetmen guvernatore femër që nga viti 2005. Bamiyan është shtëpia e Shia Hazara, grupi i tretë etnik më i madh në vend. Në këtë zonë u zhvilluan edhe demonstratat më të mëdha të grave kundër ligjit në fuqi. Në një restorant të vogël takoj njërën nga udhëheqëset e protestës. Nga dritarja e tij shihet mali ku ndodheshin statujat e famshme të Budës që u hodhën në erë nga talebanët në vitin 2001. Gruaja që takoj është Batool Mohammadi, një 27-vjeçare e veshur me të zeza dhe në muajin e nëntë të shtatzënisë. "Ligji nuk përputhet me humanizmin", thotë ajo. Batool vjen nga një brez grash afgane që kanë ardhur në jetë pas pushtimit rus të Afganistanit. Ajo është rritur në epokën e talebanëve dhe gjatë gjithë ekzistencës së saj ka njohur vetëm luftëra dhe konflikte. Sipas saj, qëllimi kryesor i këtij ligji është që të ndalojë hapat e civilizimit dhe modernizimit të vendit. Foshnja do edhe një muaj që të vijë në jetë dhe dëshira e saj është që ajo të rritet në një botë të lirë. Guvernatorja e kësaj zone është Habiba Sarabi, ish-ministre e Çështjes së Grave dhe një shiite e cila duhet t‘i bindet ligjit, nëse ai do të miratohet. Guvernatorja, tashmë 53-vjeçare, duket e lodhur. Ajo është kimiste për nga formimi dhe flet shumë mirë anglisht. Është e bija e një nëne analfabete, por që e nxiti të bijën të shkruante dhe të lexonte. Ajo rrëfen se kur ishte e re dhe shkonte në shkollë, meshkujt e shanin dhe e tallnin. Kështu iu desh që të ikte në Pakistan për të luftuar për të drejtat e grave. Më pas u kthye me qeverinë e re, në të cilën zuri postin e ministres së Çështjeve të Grave. Për sa i përket ligjit të ri, ajo përpiqet që të jetë diplomatike në gjykimin e saj. Por kjo për sa kohë që ndodhet në zyrën e saj, ndërsa kur e takon jashtë, guvernatorja është më vetvetja. Për të Bamiyan është një nga historitë e pakta të suksesit në Afganistan. Ajo thotë se shërbimi shëndetësor dhe arsimi janë përmirësuar vitet e fundit. Por, sipas saj, nëse ligji do të hyjë në fuqi, pasojat mbi gratë do të jenë negative. Gratë që janë përpjekur për të ecur në jetën e tyre e për të kapërcyer kufijtë e gjinisë janë të tronditura nga një ligj i tillë. Jamila Barekzai është një police. Kolegia e saj, gjithashtu një police, u vra një vit më parë nga talebanët për të vetmen arsye se kishte guxuar që të bënte një karrierë që u takonte burrave. Ajo ndodhet në zyrat qendrore të policisë së Kabulit, në afërsi të xhamisë së madhe shiite. Më parë ka punuar në krahinën e trazuar të Kandaharit, por e larguan nga ai vend, sepse menduan se edhe ajo do të vritej nga talebanët, që nuk i durojnë ndryshime të tilla, apo shembuj që mund të përmbysin shekuj të tërë errësire. Gjatë viteve që ka punuar, ka marrë vazhdimisht mesazhe nga talebanët që e kërcënojnë të heqë dorë nga puna e saj. "Ata duan që t‘i mbajnë gratë e mbyllura në kafaz dhe këtë nuk e bëjnë se janë kundër grave, por se janë kundër njerëzve në përgjithësi, sepse një burrë me një grua në kafaz nuk mund të jetë kurrë i lirë", thotë policja. "Por gratë janë të forta e durojnë dhe shumë prej tyre janë të gatshme që të sfidojnë rrethanat dhe gjithçka". Pozicioni i Jamilës në këtë vend është që të këshillojë policet e tjera në lidhje me çështjet gjinore. Në Afganistan ka shumë gra të mrekullueshme e të guximshme që kërkojnë më të mirën për burrat dhe familjet e tyre dhe që janë të tronditura nga një ligj i tillë terrorizues. Ato kanë frikë për të ardhmen e vajzave të tyre. Në Kabul, gra të tilla të edukuara në Perëndim janë bashkuar në një front të përbashkët. Ato janë të vendosura që ta kundërshtojnë këtë ligj dhe çdo përpjekje të talebanëve, apo edhe Presidentit për të kthyer gratë e vendit në Mesjetë. Ato janë kurajoze, të vendosura e gati për sakrificë dhe e dinë se përpara kanë një luftë të gjatë, por nuk do të tërhiqen.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora