Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Podgorica: Të festosh humbjen, duke mosnjohur zgjedhjet…!

| E marte, 28.07.2009, 05:24 PM |


Të festosh humbjen, duke mosnjohur zgjedhjet…!

Nga Gëzim Podgorica

 Në përpjekjen e mundimshme për të mbijetuar me çdo kusht në krye të PS-së, Rama po feston humbjen, duke u përpjekur të implementojë në politikën tonë precedentin serb.  Ky asociacion mu krijua tek kam dëgjuar festime me vullnetarë, apo dreka me kryebashkiakë të komprometuar keqas jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe gjatë mandatit të tyre, që përpiqen ta rrethojnë me një servilizëm kryetarin e tyre dhe i “garantojnë” besnikëri. Zgjidhja për të mos u “dorëzuar” përpara të vërtetës është shumë diabolike, pasi festimi i humbjes ka vetëm një rast të ngjashëm.
Në Gazimestan janë festuar në vijimësi përvjetorët e betejës së famshme të luftës ballkanike në Fushë–Kosovë të vitit 1389 kundër osmanëve. Siç dihet lufta u humb nga ushtritë ballkanase, por të vetmit që e festojnë humbjen dhe e kanë kthyer në festë të madhe nacionale, janë serbët. Kjo përbën rastin unikal në botë, ku festa më e madhe e një kombi, është pikërisht humbja e tyre. Për të krijuar idenë se Kosova është pjesë e Serbisë, serbët kanë përdorur çdo metodë e simbolikë, madje edhe festimin e humbjeve për të mbrojtur tezën e tyre, që “Kosova është tokë serbe dhe ne kemi histori atje”. E gjitha kjo është një alibi që i ka shërbyer  ruajtjes me çdo kusht e çmim të hipotekës mbi Kosovën.
Përqasja që më duhet të bëj me këtë rast unikal vjen e detyruar, pasi jo vetëm festimi i humbjes është një ide infantile, por ajo vjen edhe si një paralele e padëshiruar me shembullin e mësipërm, ku kërkohet të ruhet me çdo kusht hipoteka mbi PS-në. Artificet që përdoren janë shumë të stisura dhe nuk qëndrojnë, pasi vërtet mundet të krijosh një varg alibish, por çfarëdo argumenti që sillet, nuk justifikon veprime delirante të kësaj natyre. Ato kanë reperkusione jo vetëm politike, por edhe morale, pasi luan me ndjenjat e atyre militantëve, të cilët deri disa ditë më parë besonin vërtet se kanë fituar. Ata sigurisht që kishin dëshirë ta besojnë një gjë të tillë, duke ditur se u janë premtuar shumë e shumë gjëra, por kurajo për t’iu thënë të vërtetën ka munguar për shumë arsye, por po nënvizoj vetëm tre: E para, mungon pasi përgjegjësi i humbjes ka thjesht dhe vetëm një emër, e dyta  lidhet me karakterin e dobët që humbësi ka dhe, e treta, me  synimin okult për të ndërtuar skema për mbajtjen me çdo çmim të postit që mban. Vërtet dëgjohen citime të tilla si: “Sot jam më i fortë dhe më i motivuar se asnjëherë tjetër”, por e gjitha kjo ose ka lidhje me paranojat diktatoriale që nuk duan të pranojnë  dështimin, ose me interesa shumëformëshe, që lidhen me qëndrimin me çdo kusht të karriges së kryetarit. Sigurisht që gjenden mënyra absurde që të inkasohen fitore të munguara, bëhen festime false, të cilat janë pjesë e psikologjisë së diktatorëve për të mos e pranuar realitetin dhe për të krijuar situata e realitete virtuale. Këtë sjellje diktatorësh historia e njeh, pasi i ka shkaktuar shumë dhimbje. Realitetit shqiptar i afrohet sot një situatë e tillë. Edhe Rama e di që ka humbur, por ai e mban PS-në si mburojën më të fortë kundër përgjegjësive që ka, akuzave që  i drejtohen me shumicë, si një makinë e madhe lufte për të instaluar pushtet abuziv dhe anarkist.
Humbja po injorohet në limitet më antihumane, ndërsa ka guxim të tillë aventuristësh për të festuar, ose më saktë për të krijuar iluzionin e fitores, e cila do të jetë një zhgënjim edhe më i madh për militantët dhe afeksionin e sinqertë politik të tyre. Ata njerëz idealistë që injektohen me idenë e fitores, në mënyrë shumë tinëzare përgatiten për të qenë nesër, bazamenti mbështetës i mbrojtjes së kryetarit, të cilit ia kanë “vjedhur” suksesin dhe rezultatin “real”. Rama e di fare mirë se çfarë kanë brenda kutitë e Beratit, pasi Fadili ia ka thënë të vërtetën e tyre. Ashtu siç e di mirë se si kanë përvetësuar numëruesit e tij, pronën politike të subjekteve të vogla në një kompromis të paskrupullt me ata që sot akuzon. Ia kanë thënë edhe këto, por i nevojitet të sillet si qëndrestar politik, pasi i mungon virtyti qytetar i tolerancës dhe i ballafaqimit me të vërtetën. Është mjaft kontradiktore sjellja e tij politike sot, pasi njeriu që personalizoi dhe ngriti kultin e vet, ai që kërkonte të arrinte çdo gjë vetëm, sot kërkon të mos marrë asgjë përsipër, përkundrazi kërkon të mbajë peng forcën politike që e la edhe për katër vite në opozitë. Krejt ndryshe nga se çfarë tha me një patetizëm dhe shfaqje delirante të pashoqe. Humbja është e thellë dhe e vërtetë po të analizosh diferencën midis objektivit të shpallur nga kryetari aktual i PS-së dhe atyre që dhanë kutitë. Të shtojmë këtu në se nuk bindet edhe ato që pretendon se i janë marrë pa të drejtë. Prapë nuk dalin që të vihet në krye të qeverisjes.
Normalisht që festimi i humbjes ushqehet edhe nga një shpurë servilësh, të cilët nuk mund ta përballojnë reformimin e nevojshëm që ka PS-ja, prandaj edhe deklarojnë se kemi fituar, edhe deklarojnë besnikëri neveritëse ndaj kryetarit. Kjo pjesë që ka qenë gjithnjë aty, në çdo rotacion kryetarësh apo kryeministrash, pjesa që nuk ka artikuluar me integritet asgjë asnjëherë, pret në gjysmëhije se çfarë do të ndodhë. Ata e dinë shumë mirë që nesër mund të jenë pjesë e operacionit, që PS ka nevojë urgjentisht të bëjë, prandaj qëndrojnë dhe me malinjitetin e tyre ushqejnë udhëheqësin e tyre të radhës me kurajo për të qëndruar. Mbase edhe duke e mbrojtur me trupat e tyre, por që për kryetarin nuk sjellin asnjë emocion të ri. Këta personazhe që kalojnë në orgazëm përpara kamerave e mikrofonave, me një butafori të pashoqe kanë mbrojtur edhe drejtues të tjerë të lartë në PS dhe në qeveri kur ia ka kërkuar interesi, për hir të së vërtetës kanë shumë pak muskuj politikë dhe fizikë për të qenë  të besueshëm në forcën e tyre. Aq më shumë që edhe zëri që kanë nuk jep garanci serioze për t’i besuar, pavarësisht kërcënimeve që bëjnë në mënyrë humoristike nga podiumi ku dalin pothuaj çdo ditë me ndihmën e shkallëve, se janë të dobët e të shkurtër nga virozat që kanë marrë gjithë jetën. Korruptimi i disa drejtuesve aktualë nuk pritet të sjellë surpriza as në mbledhjen e Asamblesë e cila edhe në mënyrën se si u iniciua dhe po veprohet, tregon se do  të jetë në funksion të strategjisë së kryetarit dhe jo të një analize që e ka të nevojshme një subjekt që ka humbur zgjedhjet e përgjithshme. Disfata dhe humbja janë paraqitur si fitore historike dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Kur i shton këtyre gjithë  atë çfarë u ndodhi një moment reagimi demokratik të zërave kundër dhe të kërkesave për një analizë çfarë është krejt normale pas një procesi zgjedhor, pak shpresë ka që mbledhjen e Asamblesë të mos e përshkojnë shifrat e euforisë së shtirur të fituesit. Disa rrangalla politike që kërcenin “rrok” para 28 qershorit nën  koreografi goranësh, të angazhuar në një avokaturë të pështirë,  janë tregues depresiv i testit të lirisë që ekziston brenda PS-së. Kjo mungesë sjellje dinjitoze e këtyre tipave, që për fat të keq nuk janë një dhe dy në PS, por disa, nuk mund të japë garanci, që Asambleja e PS nuk do festojë fitoren dhe përkitazi të merret me thelbin. E bërë me synimin për të mbajtur në krye një lider humbës ajo do të  ketë më së fundi debat  nga disa njerëz të çliruar nga ankthi i listave  me pjesën tjetër që kanë afilacion me kryetarin por që kanë kualitet të dyshimtë politik dhe moral. Do jetë në këtë debat edhe një oaz i vogël i njerëzve që kanë reaguar në vijimësi  ndaj sjelljes politike të kryetarit, që janë fare pak. Në se ata do të gjenerojnë besim, sigurisht do të ketë një situatë tjetër dhe më pozitive në sensin demokratik për PS-në. Por shenjat nuk janë të tilla, pasi që nga mënyra se si është thirrur mbledhja e deri tek njoftimet dhe prania e deputetëve pa mandate, tregohet se ka kujdes të tepruar për  numrin e zërave pro kryetarit, që duhet ta mbrojnë atë, që do  t’i luten të qëndrojë ose në lëshimin e mundshëm , të rikandidojë. Se një ikje pa kthim e tij, argumentohet si shkërmoqje e PS-së, kur në fakt ardhja e Ramës në krye të PS, solli konfliktin, prishi kohezionin, solli disa humbje garash të veçuara deri tek qëndrimi edhe për katër vite në opozitë.  Argumenti qesharak se PS ka fituar, duke u krahasuar me rezultatet dhe deputetët e 2005-ës, a thua se ishe në konkurrim me veten dhe jo kundërshtarin, ka dalë nga fabrika e ideve që  në çdo moment përgatit skema mbrojtjeje psikologji kulti për  drejtuesin e saj. E marta si fillim do të jetë e rëndësishme jo thjesht për faktin se do njihen apo jo zgjedhjet, fjalor tipik bizantin i politikës së “re” që pësoi dështim spektakolar, por do jetë e rëndësishme për të përcaktuar filozofinë politike që lideri nuk e bën partinë, por partia liderin. Rama aq më shumë që nuk dha prova se mund të bënte parti, pavarësisht se feston një humbje që është tërësisht e tij.
Panorama