E enjte, 18.04.2024, 06:26 AM (GMT+1)

Kulturë

150 vjet fotografi

E hene, 27.07.2009, 06:01 PM


Titullohet “150 vjet fotografi shqiptare”. Me të njëjtin emër pagëzoi edhe aktivitetin e organizuar një vit më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Është një libër prej 120 faqesh, ku në mënyrë të përmbledhur autori Qerim Vrioni pasqyron jetën 150-vjeçare të fotografisë shqiptare, qysh në shkrepjen e parë, që daton vitin 1858, realizuar nga Pjetur Marubi, deri në ditët tona. Libri paraprihet nga një hyrje e shkurtër, ku autori shpjegon arsyet pse e botoi këtë libër, si dhe një parathënie e studiueses Suzana Varvarica (Kuka), e cila e vlerëson këtë libër jo vetëm pse është i pari në llojin e vet, por edhe për sasinë e informacionit që përcjell dhe mënyrën se si ai ofrohet. Më tej një informacion të shkurtër për lindjen e fotografisë në botë, për të ardhur edhe në Shqipëri, vetëm 20 vjet më vonë. Historinë e fotografisë Vrioni e ka ndarë në tri periudha: në atë që fillon me portretin e Hamza Kazazit deri në 1944, për të vijuar me periudhën 1944-1990, që përkon me vitet e regjimit komunist, dhe ajo postdiktaturë, d.m.th. pas viteve ’90, ku fotografia nga e mbyllur në kornizat e propagandës fitoi të gjitha liritë e shprehjes, në tematikë dhe teknika. Historia fillon me Pjetër Marubin.

Një historik…

Siç rrëfen edhe vetë Vrioni, ishte viti 1858 kur në Shkodër italiani i “rrënjëzuar” shqiptar Pietro Marubbi (lindur në Piaçencë më 1834 dhe vdekur në Shkodër më 1903) do të nxirrte nga atelieja e tij fotografitë e para në Shqipëri. Ndërmjet tyre ishte dhe ajo që konsiderohet më e moçmja në historinë e fotografisë në Shqipëri, fotoja që paraqet Hamza Kazazin, figurë e njohur e qytetit verior. Me këtë fotografi çelet, pra, historia e gjatë e këtij arti në vendin tonë. Pak vjet më pas fotografia zbret në Dardhë të Korçës. Jani Zengo (1832-1912), nga një familje që e kishte traditë ikonografinë, fillon të fotografojë. Më pas në studion “Marubi”, rreth vitit 1885, filloi punën si çirak një djalë i ri me emrin ‘Kel (Mikel) Kodheli’, i cili me ndihmën e pakursyer të mjeshtrit dhe falë aftësive të tij përvetësoi shpejt zanatin e fotografimit e që më vonë bëri një kurs specializimi për fotografi në Trieste (Itali). Kur vdiq Pjetër Marubi, e gjithë veprimtaria në atelie ra mbi “shpatullat” e Kel Kodhelit, të cilit bashkë me studion i mbeti edhe mbiemri “Marubi”. Kel Marubi (1870-1940) i dha një shtysë të madhe e të veçantë fotografisë shqiptare, jo vetëm për përjetësimin e ngjarjeve dhe figurave të shquara të krahinës, por edhe për nivelin artistik që ai ngjizte në krijimet e tij fotografike. Vlen këtu të shënojmë se fotoja e tij, “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” (1922) është përfshirë në albumin “The Photo Book” të shtëpisë botuese angleze “Phaidon” (me disa rishtypje, i pari më 1997) me 500 fotot më të zgjedhura të të gjitha kohëve, vlerësim i madh ky për të dhe artin e fotografisë shqiptare në përgjithësi.

Në fund të shekullit XIX, po në Shkodër, gjejmë një tjetër fotograf, Kol Idromenon (1877-1939). Ai, pasi kishte studiuar në Venecie (Itali) dy vjet për pikturë, ishte kthyer përsëri në Shkodër, ku kishte hapur një atelie fotografike. Më pas e quajti atë me një emër të bukur shqip: “Dritëshkronja e Kolës”. Shënojmë se Idromeno krijonte njëkohësisht në pikturë dhe në fotografi; në të parën ai ka lënë portretin shumë të njohur “Motra Tone”. Natyrisht, piktura dhe fotografia tek Idromeno ndihmonin njëra-tjetrën. Kol Idromeno përveçse piktor e fotograf ka qenë edhe arkitekt, urbanist dhe muzikant ( pjesëtar i bandës së qytetit).

“Udhëtimi” ndërkohor i fotografisë shqiptare vazhdon me të tjerë emra, duke u ndalur në Korçë tek emra si Kristo Shuli (ose dhe Sulidhi,1858-1938) dhe Petro Dhimitri (“Fotografi” ose “Shqiptari”,1861-1946). Përmenden edhe fotot e Petro Dhimitrit në Vlorë me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë. Në harkun kohor në mes të shekujve XIX e XX, dhe sërish në fshatin Dardhë, gjejmë fotografin Pero Kaçauni (1870-1949), i cili, pasi punon disa vjet në fshat e krahinë, mërgon në SHBA.

Fotoportretit lidhur me fillimshekullin XX i kushtohet një hapësirë lidhur me emra si Vani Burda (1875-1949) dhe Kristaq Sotiri (1883-1970), edhe këta nga Korça. Burda përmendet ndër të tjera si krijuesi i fotopllakatit të parë në vend (1913) dhe si një nga pionierët e kolazheve fotografike, të cilat riprodhoheshin më pas në kartolina, kryesisht me përmbajtje atdhetare, shumë të përdorura nga shqiptarët brenda e jashtë vendit. Ndërsa Sotiri vinte me profesionin e ri të përvetësuar dhe ushtruar në Amerikë. Sotiri realizonte portrete të ndryshme për nostalgji a për dokumente, por ai filloi të krijonte edhe fotoportrete njerëzish tek të cilët e tërhiqte gjendja e tyre psikologjike. Në këtë lëmë ai arriti majën e portretit fotografik në Shqipëri. Nga fundi i shekullit XIX fillojnë veprimtarinë e tyre në fushën e fotografisë edhe vëllezërit vllaho-shqiptarë Manaki (Janaq, 1878-1960 dhe Milto, 1882-1964) nga një fshat afër Konicës (Avdela, sot në Rep. Greqisë). Ata e nisën punën në Janinë (qendra e vilajetit shqiptar me të njëjtin emër, sot Greqi), por e zhvilluan kryesisht në Manastir (edhe ky qytet qendër e vilajetit me të njëjtin emër, sot Bitola në Maqedoni). Në kapërcyell të shekujve XIX-XX fotografia u duk edhe në një qytet jugor, e pikërisht në Gjirokastër. Këtu zhvilluan veprimtarinë e tyre fotografike mjeshtrit Petro Dh. Apeletria, Thoma Gravani, Sami Dalipi, të cilët kanë lënë foto me vlera dokumentare për historinë e vendit. Afërsisht kësaj kohe i përket edhe puna si fotograf e arsimtarit elbasanas Fot Papajani (1886-1962), i cili këtë mjeshtri e mësoi nga Kel Marubi në Shkodër. Është rasti të shënojmë se te studio “Marubi” nxë zejen e fotografimit edhe djaloshi shkodran Shan Pici (1904-1976). Po në qytetin verior të fotografisë, Shkodër, nga mesi i shekullit të kaluar haset Dedë Jakova (1915-1973), i shquar si fotoreporter qysh para Luftë së Dytë Botërore, por edhe në disa zhanre të tjera, si në peizazhin urban, në foto dokumentare dhe historike, e sidomos në portrete njerëzish të thjeshtë e me gjendje të veçantë psikologjike. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX fotografia u shtri pothuaj në të gjitha qytetet e vendit. Përmenden shumë emra të fotografisë, mes të cilëve Jani Ristani, Mandi Koçi, Ilia Xhimitiku, për të vijuar deri në ditët e sotme me fotografë më të rinj, si Leon Cika, Zamir Marika etj. Libri krahas anës historike dhe emrave të përveçëm ndalet edhe në teknikat e fotografisë, zhvillimin e saj në kohë apo mungesën e një shtypi të specializuar të fotografisë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora