E merkure, 24.04.2024, 12:38 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Mulla Sherif Ahmeti

E hene, 27.07.2009, 07:09 PM


Mulla Sherif Ahmeti (1920-1998)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

            Myderriz Sherif ef. Ahmeti është pishtar i fjalës së shkruar, në një kohë kur shumica e popullsisë nuk dinte apo kishte vështirësi me lexuar, kur Kosova ishte e robëruar…

           Lindja, shkollimi dhe shërbimi

          Burrat lindin në katunde, por nuk qëndrojnë aty, thotë një fjalë e urtë e Lindjes.
          Sherif Ahmet lindi  në katundin Gumnasellë të Lypjanit, në vitin 1920. Mësimet fillestare i kreu në katundin Banullë, ka  vazhduar shkollimin në Medresenë e Ferizajit,  të Prizrenit, por ka diplomuar pranë myderriz Ahmet ef. Mardoqi, i cili shërbente në Medresenë “Pirinaz” të Prishtinës…
          Në fillim, që nga viti 1945, shërbeu si mësues, sikurse  shumë hoxhallarë të tjerë, me kërkesën e atdhetarit të mirënjohur nga Gjakova, prof. Zekeria Rexha, (1910-1972),  sepse Kosova kishte shumë nevojë për arsimimin dhe edukimin e brezit të rinjë…Shërbeu me nderë, me devotshmëri, në katundet Banullë, Gadime dhe Sllovi…
          Ishte imam në xhaminë e Gllogocit, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lipjanit, prof. në Medresenë “Alauddin” të Prishtinës, ishte drejtor i saj për dhjetë vite, nga viti 1973-1983. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Ulemave të Kosovës dhe më në fund shërbeu si myfti i Prishtinës prej vitit 1985 deri më 1990…
          Në të gjitha këto detyra shërbeu me nderë, me përkushtim, por ajo që mua, personalisht, më sjellë mallëngjim, më sjellë frymëzim, është se haxhi Sherif ef. Ahmeti në Kosovë e mbolli fjalën e shkruar në publicistikën islame dhe fjala e tij e shkruar ështe një dëshmi se ai ka me jetuar në përjetësi…
                  
       Cili është kontributi myderriz Sherif Ahmetit në publicistikën islame?

         Kontributi i tij është i madh. Ky kontribut për Kosovën e mjerë  është si një pranverë, është një kontribut me shumë vlerë…
         Por, vlera e çdo njeriu është sipas shkallës së veprimtarisë. Nëse veprimtaria e tij është për këtë dynja, atëherë, pak vlerë ka… Nëse veprimtaria është:  Që vetëm kënaqësinë e All-llahut ta fitojë, atëherë, vetëm All-llahu ka mundësi ta vlerësoi…
        Me gjithë këtë, për mua është një kënaqësi që m’u dha kjo  mundësi, për të dhënë një kontribut të vogël, për kontributin e tij të madh…               

     Dy-tri fjalë rreth publicistikës islame

        Publicistika islame në gjuhën shqipe, mendoj në periodikun, fillon fill pas Shpalljes së Pavarësisë  të Shqipërisë. Në vitin 1913 në Shkodër u botua gazeta “Zëri i Kombit”  (“Sedai millet”), që dilte në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke.
        Një gazetë tjetër islame në gjuhën shqipe filloi të botohet në Gjirokastër, me emrin “Reforma”, në vitin 1921-1923.
        Kur u mbyll gazeta “Reforma”, filloi me dalë në Shkodër, me 1923, “Udha e s’vërtetës”  themeluar nga Hoxha Kadri Prishtina.
        Në Tiranë, tetor, 1923, fillon të botohet “Zani i Naltë” nga Komuniteti Mysliman Shqiptar…
        Këto ishin gazetat dhe revistat e para islame në gjuhën shqipe në Shqipëri, që dolën fill pas Shpalljes së Pavarësisë.
        Publicistika islame në gjuhën shqipe në Kosovë fillon në në fund të viteve të 60-ta, pothuajse 50- vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë,  kjo i bie pothajse 40-të vjetë para Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës…   
       
        Myderriz Sherif ef. Ahmeti:
     pishtar i fjalës së shkruar -
     në Kosovën e robëruar…                  

       Myderriz Sherif ef. Ahmeti është pishtar i fjalës së shkruar, në një kohë kur shumica e popullsisë nuk dinte apo kishte vështirësi me lexuar, kur Kosova ishte e robëruar…
       Ky pishtar filloi me ndriçuar me rreze të zbehta në vitet e 60-ta…
       Në fillim, rrezet e para u pasqyruan në “Buletin”, por nga viti 1970, ato rreze erdhën duke u rritur, më shumë duke ndritur, duke e ndritur mendjen dhe shpirtin e shqiptarit me botimin e “Takvimit-Kalendarit”….                
       Nga viti  1971, ky pishtar tashmë u shndërrua në flakë, dhe flaka pasqyrohet më së miri tek revista “Edukata…”
       Në qershor të vitit 1986, në Prishtinë, filloi të botohet revista “Dituria Islame”,  revistë fetare, kulturore, shkencore,
në të cilën, që nga numri i parë,  në faqet e “Diturisë”, ky pishtar ngrohte zemrat e lexuesve e shqiptarë…  

     Tematika e shkrimeve
     të Myderriz Sherif ef. Ahmetit,
 
       Dalja në dritë e “Buletinit”, në veçanti e “Takvimit”, sidomos e revistave “Edukata Islame” dhe “Dituria Islame”, ka qenë ngjarje të shënuara, shumë të çmuara, për lëvizjen e mendimit islam, jo vetëm në Kosovë, por kudo që jetojnë shqiptarët, si edhe për vetë historinë e shtypit shqiptar...
       Myderriz Sherif ef. Ahmetin, rahmet pastë, e kam njohur ende pa u njohur…..
       Në vitin 1970, 1971, kur “Takvimi-Kalendari” dhe “Edukata Islame” dolën në dritë, unë n’atë kohë ndodhësha n’Amerikë…
       Një ditë, prej ditësh, i shkrueva një letër Myderriz Sherif ef Ahmetit , letër urimi, përgëzimi, me një çek banke brenda, me kërkesë që të m’i dërgon nga  pesë numra… Ashtu bëri…! Revistat e dërguara i shpërndajsha menjëherë nëpër Qendrat Islamike Shqiptare, të cilat udhëheqëshin nga Imam Vehbi Ismaili, në Detrot, të shtetit Michigan, Salih Efendi Myftiu dhe Imam Isa Hoxha, të Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, në Brooklyn, New York, etj…
       Ishte një kënaqësi dhe gëzim i madh  për të gjithë dashamirësit e fjalës së shkruar,  që kishin mërguar, me lexuar shkrime islame nga Kosova e robëruar… Njëkohësisht,  ishte gëzuar edhe Sherif ef. Ahmeti, madje ishte befasuar, që fjala e shkruar aq larg kishte depërtuar…
       Tematika e shkrimeve të Myderriz Sherif  ef. Ahmetit, duke përfshirë edhe përkthimet, është shumëngjyrëshe, e shumëllojshme, ku secili mund të gjenë diçka që e tërhjekë  drejtë Rrugës së Vërtetë …
       Shkrimi i tij i parë , botuar në revistën “Edukata Islame” Nr. 1, Viti I-rë, 1971, faqe: 6-10, titullohet:
PREZENTIMI I ZOTIT xh.sh. NË NATYRË DHE PROÇESE
       Menjëherë, prej faqës 10-të, është shkrimi i dytë me titull: PROFETI – PEJGAMBERI MUHAMED KËSHILLON,     faqe: 10-14.
       Shkrimi i tretë fillon prej faqës 14-të, me titullin:
ISLAMI ËSHTË DITURË DHE KULTURË, faqe: 14-18.
       Pra, që në numrin e parë të “Edukatës Islame”, viti 1971, numër i cili ka 56 faqe gjithsejt, Myderriz Sherif Ahmeti, i cili ishte themelues, redaktor kryesor dhe përgjegjës, ka tri shkrime-punime,  me rreth 15 faqe…
       Punimet e tij të fundit janë botuar në “Takvim-Kalendar”, 1995, me titull: Legjislatura Islame dhe drejtimet (sheriati dhe medhhebet), faqe: 33-44 dhe “Emrat që përdorën ndër besimtarë të fesë Islame dhe domethënia e tyre”, faqe: 95-125.
       Tërësia e shkrimeve të botuara të Sherif ef. Ahmetit është rreth 200… Shtrihet në një periudhë kohore rreth 30-të vjeçare, duke përfshirë këtu edhe përkthimet dhe botimet e veçanta, siç është Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1988, Komente dhe mendime islame, Prishtinë, 1995, që janë një pasuri e cila duke u shpërnda do të shtohet, me kalimin e kohës edhe më shumë do të vlerësohet…
       Do të vlerësohet sepse kjo publicistikë ka vlera të qëndrueshme, sepse është e çmueshme, siç është përmbajtja e tematikave të saj: nga drejtësia islame, historia islame, dituria islame, kultura islame, didaktika islame, pedagogjia islame, edukata islame, filozofia islame, mistika islame, etj. etj…  
       Si lexues dhe rrugëtar i palodhur nëpër shkrimet e Myderriz Sherif Ahmetit, mendoj, se me tematikat e ndryshme, ai e tha atë që e besonte dhe e bëri atë që e mendonte…
       Mulla Sherif Ahmet ndrroi jetë me 14 Prill 1998, në moshën 78 vjeçare, duke mbetur në histori si themelues i publicistikës islame-shqiptare…


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora