E enjte, 18.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Mendime

Nikoleta Kovaçi: Në emër të shërbimit...!

E diele, 26.07.2009, 01:35 PM


Në emër të shërbimit...!

Nga Nikoleta Kovaçi  

Një javë më parë Viktori nga Leminoti “i largët”, teksa mundohej të ndiqte më të mëdhenjtë, pickohet nga gjarpri. 5-vjeçari ka mundur vetëm të tregojë dhimbjen e panjohur, ndërsa shpëtimin, ai dhe familja (si kushdo), e menduan në spital. Në spitalin e tyre... Në spitalin, ku mjekët jo vetëm janë mjekë, ku mjekët janë shkolluar dhe paguhen për të tillë, por janë edhe të së njëjtës zonë, të të njëjtit dialekt, të të njëjtit “qytet”. Për të voglin nuk u gjend shërimi, ndoshta për asnjërën prej këtyre njëjtësive, por nga zakoni i shëmtuar i mungesës së detyrimit dhe të edukatës së shërbimit, jo vetëm në vendlindjen e Viktorit, por edhe në vend-vdekjen e tij!!
Në të vërtetë është i vonuar ngushëllimi im për vdekjen e parakohshme të Viktorit, të birit të familjes Balliu, po kaq e vonuar sa edhe ngushëllimi ynë për goditjen tragjike të përgjegjshmërisë sonë qytetare dhe njerëzore. Çka përtej këtyre dy vetive, që ngjizen njëherësh me të drejtën për të qenë frymorë?!
Kësaj here u dëshmua humbja e një jete, humbja e një jete që mund të shpëtohej, e në mos, të paktën të dëshmohej ajo pak njerëzore që gjallon në “shërbëtorët” e paguar të shtetit tim, në “shërbëtorët” e paguar të taksave të bashkëqytetarëve të mi dhe të Viktorit!!! Në mos, prej këtyre, të paktën në emër të atij dreq morali që na dallon nga ai gjarpri që e kafshoi dhe “testoi” aftësitë tona për të qenë të përgjegjshëm dhe njerëz.
Jo!!! Gjarpri, vërtetë pickoi Viktorin e i mori jetën, por helmi i madh i tij është ndër ne, ndër ne që e pimë e na “kënaq”, ndër ne që ia njohim forcën prej kohësh dhe e kapërdijmë me “instinktin” e vetëkënaqjes së kalimit të radhës. Deri kur...?
Deri kur ndërgjegjja jonë do të jetë skllave, skllave thjesht e dhimbjes për tjetrin pa dashur dhe mundur ta bëjmë pjesë të tonën?! Deri kur, farmacitë e spitaleve tona shtetërore dhe private do të mësohen ta mbajnë dhe ta përdorin pa mik anti-helmin e “gjarprit” që i mori jetën Viktorit, që në të vërtete mori jetë edhe nga të tonat..! Deri kur vendi dhe shteti im do t`i mësojë “shërbëtorët” e tij t`i binden ligjit, t`i binden atij ligji që nuk ka dhe lë hapësira, atij ligji që quhet “jetë”, që quhet shpëtim i Saj, kur është e mundur. Deri kur do të pritet që ky “ligji” të ndajë të paktën “ilaçet shpëtimtare” nga farmacitë-prona...
Deri kur do të ndërgjegjësohemi për këtë Humbje, më shumë se për humbjen e opozitës, për fitoren e pushtetësve, për garime karrigesh të kalbura, për dalje të stisura ekranesh, për shifra meritokracirash gjithfarësh, për skenarë kafenesh dhe bodrumesh që na serviren si shpikje mrekullibërëse. Deri kur, shqetësimi ynë do të jetë më i madh për ndërgjegjësimin tonë si “shërbëtorë” se sa si karrigmen, se sa si zotër të gjithçkaje që s`na takon dhe s`është e jona...
...“Ligji” mbërriti atje, atje në atë spitalin pa ilaçin “shpëtimtar” dhe bëri kërdinë!!! Një mjek dhe tre infermierë na tregon (ligji) se do të hetohen për mungesë-dhënien e ilaçit, që në gjuhën e ligjit tim quhet: “mjekim i pakujdesshëm”. Përgjegjësit, nëse ka, nëse do të dalin apo nëse do të njihen, do të ndëshkohen për këtë “pakujdesi në mjekim” që e thotë ligji im, ligji i (bëm)shtetasve të mi dhe i bashkëqytetarëve e bashkëqytetareve të mia. Atje, në atë spitalin pa “ilaçin..!”, të tjerët janë ngritur në mbrojtje të “llojit”. Mbase kanë të drejtë!!! Mbase, po ndërgjegjja jonë (bashkë me ne) kur do të ngrihet në mbrojtje të mos-dhunimit, të paktën, të së drejtës së vetme, që është: të frymuarit?!

Vdekja e fëmijës, spitali kthehet në betejë mes mjekëve dhe infermierëve

Nga Nikoleta Kovaçi  

Rebelohen infermierët: Faji është i mjekëve

Urdhri i Mjekut: Do të hetojmë edhe në vdekjen e Viktorit

Shkon në katër numri i mjekëve dhe infermierëve të arrestuar për vdekjen e Viktor Balliut, 5-vjeçarit që humbi jetën një javë më parë nga pickimi i gjarprit. I arrestuari i djeshëm është 41-vjeçari Kostika Karamitro, të cilit i është dhënë e njëjta akuzë me tre të arrestuarit e dy ditëve më parë. Mirëpo, menjëherë pas vënies në pranga të Karamitros, kanë reaguar edhe kolegët e tij dhe të dy infermierëve të tjerë, të vënë nën akuzë ditën e enjte. Ditën e djeshme infermierët e spitalit të Korçës kanë protestuar në pretekstin se kolegët e tyre janë të pafajshëm. Në këtë linjë ato kanë vendosur të mos hyjnë nëpër pavijone për të shërbyer.
Ndërkohë që pretendojnë se mjekët janë ata që vendosin për llojin e medikamentit që duhet t`i shërbehet të sëmurit dhe jo infermierët. Njëkohësisht një tjetër komponent do të nisë hetimin për këtë ngjarje. Mësohet se Urdhri i Mjekut tashmë po heton me anë të ekspertëve të tij edhe pse ndoshta kjo sipërmarrje mund të jetë e vonuar.

Braktisja e pavijoneve

Vdekja e fëmijës vetëm nga mosdhënie e një anti-viper për pickimin e gjarprit ka detyruar policinë të zbatojë urdhrat e prokurorisë për prangosjen e të katërtit ditën e djeshme. E sërish i ndëshkuar është reparti i infermierëve. Kolegët e tyre mëngjesin e së djeshmes kanë kërcënuar me protesta dhe me mos-nisje të punës nëpër pavijone, duke e kaluar edhe përgjegjësinë kryesore mbi reanimatorët, prej të cilëve vetëm një është arrestuar. Ende nuk bëhet e qartë se çdo të bëhet me situatën e tensionuar në spitalin e qytetit të Korçës edhe pse dikasteri përgjegjës nuk ka dalë ende me një deklaratë publike për rastin tragjik.

Hetim i dyshimtë...

Ndërkaq hetimit të rrufeshëm të prokurorisë, që çoi në pranga katër punonjës të spitalit të Korçës, një prej të cilëve mjek-reanimator, do t`i shtohet edhe një tjetër hetim që mendohet se mund të jetë edhe më kompetent. Urdhri i mjekut do të nxjerrë në terren ekspertët e tij për të hetuar mbi ngjarjen. Ndërsa djali ka një javë që ka vdekur, sipërmarrjet hetimore duken sa të vonuara aq edhe të dyshimta. Nëse do të kryhej një hetim i vërtetë, sipas ekspertëve, atëherë nga ana mjekësore ky hetim mund të arrihet vetëm nga ekspertë të huaj.

Një javë më parë

Paraditen e së shtunës së kaluar, Viktori me të vëllanë dhe kushërinjtë u nisen për t’u larë në rezervuarin e fshatit, kur një gjarpër ka pickuar 5-vjeçarin. U tha se fëmijën e nisën menjëherë për në spitalin e Korçës dhe në momentin që familjarët kanë treguar për gjendjen e djalit, mjekët dhe personeli që janë gjendur aty iu kanë kërkuar të marrin një serum në farmacitë përjashta, pasi nuk e dispononin në farmacinë e brendshme. Ndërkohë nga ky spital është dhënë urdhri që fëmija të niset për në Tiranë, pasi atje do të ishte mjekimi më i specializuar. Fëmija vdes rrugës dhe prindërit dhe familjarët e tij arritën të ngrinin zërin që çfarë iu ofroi spitali civil. Fillimisht u pretendua se ilaçi kundër helmit të gjarprit nuk gjendej në spital, por brenda dy ditësh u pohua e kundërta.

Të arrestuarit
Ilir Milo, 39 vjeç, me detyrë mjek-reanimator
Julian Mato, 36 vjeç, me detyrë ndihmës anestezist
Olgert Hoxhallari, 24 vjeç, me detyrë infermier
Kostika Karamitro, 41 vjeç, me detyrë infermier



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora