E enjte, 28.03.2024, 11:39 PM (GMT)

Faleminderit

Luigj Gurakuqi - Nga Lazer Shantoja

E shtune, 03.02.2007, 04:37 PM


«Ka njerëz të cilët permjet të fuqiës
s’atrakcjonit të tyne ndryejnë në vedi
të tanë nji kombë e drejtojnë aktivi-
tetin e races njerzore.»

Emerson.

Luigj Gurakuqi
Më shkruen nji mik nga Shkodra: «Po më pvetë a po qindron e ama e Gurakuqit? Mos pvet! Per gjith ditë nadje si ajo si goca e Bajram Currit qesin vajin: nji vajë të madh, të mnershëm, zêmbërshkyes qi nuk lên banuer t’atyne lagjevet pa kja.»
Nji plakë dhe nji gocë kjajnë për ditë në Shkoder... nji nanë dhe nji bijë! Nana kjanë djalin mâ të madh dhe bija baben mâ të mirë të Shqipëniës së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipëniës së sotme. Edhè këjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson per ditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe për të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli âsht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, ne kjoftë se ngushllim mund të quhet, âsht enè vaji: lodja qi kjè per herë shujta e idhët e popullit shqiptar.
Nder shpellat e lagëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky populli i mjerë pat nji babë: i a mbyten!
Nder korridoret e errta të diplomatiës së përjashtme ky populli i vorfën pat nji prîs: i a vrane!
Me humbjen e Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit mbyllet nji epopè e madhnueshme e këputet per gjysë nji hymn i nâltë! Epopèn e mbylli Plaku; hymnin do t’a vijojmë na!
Hapi mâ i parë për vijimin e tij âsht çmimi dhe nderimi ndaj deshmorin e mbetun. Ky nderim âsht edhé mâ i detyrshëm sot. Nuk po due të shkruej kësaj herë për Bajram Currin: po kufizohem vetëm mbi personen e Luigj Gurakuqit. Âsht punë kote të diskutohet tash se cili ndër këta meriton nji perdhimtin mâ tê madh. Na kjajmë si per njênin âshtû dhe për tjetrin. Ferku âsht vetëm ky: lodja qi derdhim mbi êmnin e Bajram Currit âsht lodja e dhimbës; lodja qi derdhim mbî êmnin e Luigj Gurakuqit âsht edhé lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmes: lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal. Vdiq me armë në dorë, ndërmjet të Shqipëniës së robnueme e të Shqipëniës së lirë. Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri! Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës evropjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli mâ i bukur.
Përkundrazi si vdes Luigj Gurakuqi? Vritet në dhè t’huej, vritet tinzisht mbas dere të nji hoteli, vritet prej nji krimineli vagabond. Bajram Curri nderohet edhé prej t’huejvet, deri prej anmiqvet të tij të perjetshem. Fletoret serbe në kufomen e anmikut të tyne mâ të drashtun kan kalorsiën të nderojnë patriotin mâ të madh e mâ të paster të Shqipniës.
Luigj Gurakuqi shnderohet jo vetë, por mbytet për së dyti shi prej asajë qeverrie per të cilen, i shuëmi, kjé gjithmonë i akuzuem se ushqente ndiesiëna mâ se miqësore.
Gjyqi i Tranit—shêmbull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore—na difton sheshasit se diktatori i Romes desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranes, të Zogut.
Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësiës, Mussolini na e vrau me gjyqë... me armen e civilizimit e të drejtësiës! Nuk mjaftoj lirimi i plotë i kriminelt të poshtër; drejtesia italjane i intonon nji apologië sakrilege gjaksorit e ferfllon nji të fyeme trashamane mbî viktimen.
Se mund të quhet nji Baltjon Stambolla Avni Rystem e nji Luigj Gurakuqi Esad Pashë... une për vedi s’e kishe pritë kurr as prej nji advokatit italjan!
Por procesi i Luigj Gurakuqit nuk mbaron me vêndimin e ndyet të gjyqit të Tranit; Gurakuqi âsht nji dillë qi shndritë me driten e tij dhe nuk mund të shkimet me të tana ndyesiënat e poshtërsiënat e nji politike të pashpirtë. Gjyqin mbi Luigj Gurakuqin do t’a bâjë e ka me e bâ kombi shqiptar, dhe dy nder esponenta të tij mâ në zâ kan fillue qyshë tash të kryejnë detyrën e tyne.
Artikulli magjistral i z. S. Vinjaut e letra fisnike e Imzot Nolit—kunorat mâ të çmueshme të vûemuna deri më sot mbî vorrin e atij të Madhit—janë shprehja mâ e sinqertë e gjykimit të popullit shqiptar. Ato dy shkresa na pikturojnë patriotin e kulluar e fituesin e rekordit në fushaten e nacjonalizmes.
Ky kjé Luigj Gurakuqi!
Shka mund të shtojë tash pênda e ême e vogël? E kam permêndë disa herë emnin e jetëshkurtit Luigj: nder shkrime e fjalime, porsi refrain i ambel, êmni i tij më rrêshqitête e më kumbonte pa prâ. E kam permêndun gjithmonë me bindjen e nji dishepullit, me entuzjazmin e nji admiratorit, me dashtëniën e nji mikut. Nuk i a kam da syt kurr: e në mbledhjet elektorale, e në bisedimet e partinavet, e në referatat e komisjonevet, e në tribunen parlamentare, e në zyrën ministerjale, e në tymin e revolucjonevet e ne dhén e mergimit. E kam gjetun gjithmonë e gjithkund të madh pa madhnië, të nâltë e të përvûjtë, të thellë e të kjartë, të luftuemun e kurr të shtruemun, trim por pa petulancë, të kulturuem por pa reklam. Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrîni jeten per idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe e të lume. Per arritjen e këtij ideali, motori gjithmonë në lëvizje qi drejtonte të tanë jeten e tij, sakrifikoj ândjet e jetes mâ t’ambëlat, prirjet e natyrës mâ të fortat. Kurr spektator sibarit prej së largu, por i zhytun perherë mbrêndë në gjiret rrezikplote të politikës, i falun krejt çashtjes kombëtare, u çvesh në gjasimin e nji atleti, prej çëdo pêngimi qi mund të ndalonte o vetëm t’influenconte vrapin e rrymen qi kishte marrë. Luigj Gurakuqi nuk gëzoj kurr votren e shpiës: e ama, i vllaj, e motrat e dishruene per së gjalli. Kishte mujtë porsi letrar e poetë gjentil me gezue nemosé paq e pushim nên mrizat plot hije të zanavet. Nuk mujt: nuk pat nji minutë të vehten. Kjé bâ, sidomos në kohen e fûndit, porsi nji fjaluer i domosdoshem qi do t’u konsultonte pa prâ e prej gjithkuej. Tash me nji minister, mbandej me nji malcuer, mâ vonë me nji shoq, nji herë me nji përfaqësojsë t’huej, nji tjeter me nji gazetar: në mbledhje, në komisjone, në zyre, në parlament, në rrugë, tue ecë, tue ndêjë, tue ngrânë, Luigj Gurakuqin e ke gjetë gjithmonë tue folë. Gurakuqi ishte njeri me fulqît e hekurit. Fjala i delte e rrjedhshme, e kadalshme, e mbâtun, e kjartë, e kandshme, e bukur. Vetëm prezenca e tij të sugjestjononte. Porsi nji luftar i mirë qi nuk gjindet kurr pa fyshekë, ishte kurdoherë i pregatitun me gjegjë e me dhanë arësye. Luigj Gurakuqi ishte bâ nji arsenal politik në Shqipënië. Kjé ndër të pakët, per mos me thanë ndër të vetmit shqiptar, qi me njoftimin e plotë të popullit pergjithsisht e të visevet të ndryshme të Shqipëniës, bashkonte edhé njoftjen e këthellë të tanë njerzvet politikaj të sajë, të tana kohnavet e të tana njyrevet. E njifte jeten e tyne në detajet mâ t’imat e mâ t’msheftat; nuk i kishte pshtue as mâ i errti fakt, as mâ e vogla rrethanë. Ishte i zoti të dishmonte, pa droje pergenjeshtrimi, si sakrificet e heroizmat e patrjotvet ashtû edhé poshtërsiënat e shakllabanavet e intrigat e trathtorvet. Rjedhë e natyrshme e kësajë njoftje ishte prudenca e jashtazakonshme e tij. Nuk jam un aj qi mundet të gjykojë se deri kû kêjo prudencë e tija kjé vertyt e kur filloj të bâhej gabim. Sado t’a çmojmë Gurakuqin, nuk mundemi n’asnji mënyrë t’a perjashtojmë prej ligjvet universale të natyres njerzore. Njeri qi nuk mund të gabojë nuk ka lindë ené. Por këqyrun pergjithsisht prudenca e tij ka me mbetë nji gurë themelor në politiken e jeten shqiptare. Do t’i dihet influences personale të tij në kjoftë se sot në Shqipënië toska e njef e e don mâ fort gegen e gega tosken, muhamedani kristjanin e kristjani muhamedanin. Luigj Gurakuqi kjé ura e arit e bashkimit kombëtar. Gurakuqi, shkodranë katolik, âsht Gurakuqi i të tanë Shqipëniës! Aj dijti me u dhanë shpirtë natyravet mâ të ngathta e me u ndalë hovin ekstremistavet mâ të shtyemun. Kjé idealist i nâltë dhé realist pedant per nji herit.
Kishe me shkue teper gjatë e nuk âsht qellimi i êm të bâj nji pershkrim të plotë të persones morale e politike të Luigj Gurakuqit. Njerzt e mëdhaj porsi panoramet e hapta me nji horizont të gjanë, nuk mund të pershîhen me nji shikim; po shtoj vetem se vertytet morale e politike të tija i dhane në pak kohë nji popularitet të bîndueshem. Gurakuqi, kryetari i Opozites shqiptare kjé pa dyshim njeriu mâ popullor i Shqipëniës. Populli pau në tê leader-in e tij, mishnimin e shpirtit, të nevojvet e t’aspiracjonevet të tija. Dalun prej popullit, jetoj, pësoj, luftoj, vdiq në rrugë të madhe per popull. «Në të tanë jeten t’ême—tha—nuk kam kênë i zoti kurr t’a gëzoj nanen me nji facoletë!» Tragedia e Barit na dha proven e fûndit. Ministri i finacavet të Shqipëniës vdes me 400 lireta të marruna uha, të gjetuna—si shkruen Vinjau—në do petka të grista qi mbëloshin nji bark të pangîmun! Çë do apologië del e zbetë para drites së nji fakti kaq elokvent.
Ky njeri nuk âsht mâ! Trupi i tij rrxohet i pergjakun tu dera e Hotel Cavour, dhe kur ndîhet krismja katastrofale e armes së trathtiës e kur merret vesht se tre plumat e revolverit të tiranvet kishin shpue zêmbren e Luigj Gurakuqit, atjé në shpellat e Krasniqes jehon nji gjamë. Plaku i Kosovës njynë pecen në voj me fshî per të mramen herë armët sa herë ngadhnjyese, del prej shpellet, bân sulmin e mramë e vdes!
Në nji pallat të Tiranes Ahmet Zogu me nji të zgerdhîmun satanik u qet me pië satelitvet të gëzueshem tue u thanë: tash nuk drue mâ kênd!
Nga shtallat e Amerikes nji kal i terbuem, Faik Bej Konitsa, hingllon i paturpshem e qet shqelmat mâ të mramët e mâ të ndyetët mbî kufomen e nji të vdekunit... .
Populli shqiptar vên futen e zezë e kjanë... .

Gurakuq, kështû vdiqe! I vdekun e i gjallë per herë, o Gurakuq! O i madh, ngushllona! Folna edhé nji fjalë: fjalen qi del nga vorreza e martirvet! Folna, persé jemi të sigurt se ajo fjalë ka per të kênë: «Shqipënië, Shqipënië!...»

Beograd, me 2 Tetuer 1925.
Botue te gazeta Liria kombëtare, 7 Tetor 1925.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora