E merkure, 24.04.2024, 10:41 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Hasan Nahi

E diele, 26.07.2009, 01:10 PM


HASAN  EFENDI  NAHI (1905-1991)
                        
                     ”Gjakova s’e harron, Gjakova e di,
                      O nur arsimi, Hasan Efendi…
                      Do të jetojë Kosovë e vjetër,
                      Djep i shenjtë i shqiptarisë
                      Do të jetojë me kurora të lavdisë…
                                             -Rexhep Hoxha

Nga Mexhid Yvejsi, Gjakovë

     Myderriz Hasan Efendi Nahi ishte njëri prej hoxhallarëve, dijetarëve dhe atdhetarëve më të mëdhenj jo vetëm të Gjakovës, por të mbarë Kosovës. Është djali i Myderrizit,  Islam Efendiut Nahi, dijetarit të shquar të Medresesë së Madhe të Gjakovës, që i dha dritë krejt Kosovës.
         Lindi më 12 mars 1905, në Gjakovë, ku i kreu mësimet fillestare. Po në Gjakovë diplomoi në Medresën e Madhe, ku pas diplomimit, për tri vjet ligjëroi Sintaksën e Gjuhës Arabe, duke e zëvenduar babain, Myderriz Islam ef.Nahin.
         Në muajin shtator 1930, nga Gjakova, me dy shokë, Mulla Tahir Brovinën dhe Mulla Asllan Cërmjanin, Hasan efendi Nahi së bashku me dy shokë u nisën kambë nga Gjakova nëpër Qafë të Morinës deri në Shkodër e nga Shkodra në Durrës, ku arritën pas dy javësh…
        Qëllimi i këtij udhëtimi ishte shkollimi. Nga Durrësi dolën në Greqi, Pirea, pastaj në Aleksandri dhe më në fund në Kairo, të Egjiptit, ku u regjistrue në Fakultetin “Kismi Ali” (Shkalla Superiore), ku brenda katër vitesh e kreu me rezultat të shkëlqyeshëm dhe diplomoi në Universitetin Al-Az-har.             
      Myderriz Hasan Efendi Nahi, mbasi diplomoi në Kairo të Egjiptit u kthye menjëherë në Gjakovë, por shërbeu më shumë nëpër Kosovë, si në Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe më në fund në Prishtinë.
       Nga viti 1935 ishte Myderriz në Medresen e Ferizajt, ku mbante ligjërata në gjuhën shqipe, n’atë kohë gjuha shqipe ishte e ndaluar, por predikoi edhe nëpër shumë lokalitete të tjera të Kosovës.
        Një kohë ka qenë drejtor i Medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit, 1943,  po në Prizren ka shërbye edhe si kryemyfti i Rrafshit të Dukagjinit. Për dhjetë vjetë shërbeu si imam në Gjakovë…
        Njëzet vjet (1958-1978) ishte profesor në Medresen “Alauddin” të Prishtinës, derisa doli në pension me nder!
 Në pension nuk pushoi, por punoi në përkthimin e Kur’anit të Shenjtë nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, i cili u botua në vitin 1988, në Prishtinë, në tirazh prej 5 000 kopjesh.
        Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga historiani, Dr. Hakif Bajrami, prej të gjithë ylemave të Kosovës, Myderriz Hasan Efendi Nahi i Gjakovës ishte cilësuar si ”ideologu më i rrezikshëm”, ngaqë nuk lejonte kurrsesi që shqiptarët të shpërnguleshin nga Gjakova, nga Kosova…
       Kanë mbetur të paharruara fjalët e Myderriz Hasan Efendi Nahit, që ua kishte thënë me guxim të paparë pushtetmbajtësve komunistë, më 1956 , kur e mbyllën Gjimnazin e Gjakovës:
        ”Ma mirë kallni krejt Gjakovën, se ta mbyllni Gjimnazin…”
           Poeti, Rexhep Hoxha, për këtë ngjarje, që ka pasë jehonë të madhe, në një poezi shumë të bukur, e ka përjetësuar hoxhën, Hasan Efendinë, ku, ndër të tjera, shkruen:
        
  Gjakova nuk bën pa gjimnaz
  Gjakova për shkollë luftoi
  E paturpësia zyrtare,
  Një hijenë e mallkuar
  Kur pa zemërimin e yjeve,
  Guximin e së drejtës së amshuar,
  U hap qielli nga një fjalë e prerë,
   Shkëlqyen yje, mijëra të tjerë.
   Do të jetojë Kosovë e vjetër,
   Djep i shenjtë i shqiptarisë
   Do të jetojë me kurora të lavdisë…

            Veprat e tij në shërbim të fesë, kombit dhe atdheut janë të shumta. Për ato pak është shkruar; mos t’i lëmë për t’u harruar…!
           Ndërroi jetë më 5 shkurt 1991 në Prishtinë, në moshën 86 vjeçare. U varros në vendlindje, në Gjakovë, me 6 shkurt 1991, mbasi iu bënë shërbimet fetare në Xhaminë e Hadumit, e cila ishte mbushur përplot, të ardhur nga mbarë Kosova për ta nderuar këtë hoxhë, dijetar dhe atdhetar …  


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora