E enjte, 25.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Mendime

Bardhyl Metaj: Konfuzioni politik Kosovar, është Vizë – por, për n`Geto!

E shtune, 25.07.2009, 09:23 AM


Konfuzioni politik Kosovar, është Vizë – por, për n`Geto!
 
Ata që e quajnë Europën “Kurvë” – presin deri sa e njëjta, të bëhet zonjë! Tjerët, që e konsiderojnë një Zonjë dinjitoze, presin, deri sa të bëhet kurvë!
Kush me ja nisë me ndërtimin e binarëve Prishtinë Bruksel?
Asnjë gdhendël s`ja ka heq kush atij cungu (t`integrimit në BE), ndërkohë që flasin të gjithë bashkë, se çfarë skulpture e bukur dhe e madhërishme ka me dalë n`fund!
Impotentët politik, Lider-balat, që gjenerojnë t`mira materiale e mirëqenie vetëm për kotillë (taraf) të vetën, si dhe Profiterët, qofshin t`luftës apo të paqes - si duan askund n`botë. Në BE - i burgosin...!
Ndërkohë, ne i qerasim me vota...!?

Shkruan: Bardhyl Metaj, Cyrih

Reagimet Kosovare rreth çështjes së liberalizimit të vizave, shumica, qofshin ato të medias apo të „ekspertëve“ dhe opinionistëve të shumtë, këshilltarëve politik, por edhe të Lidershipit qeveritar, dhe për më keq, nga cilado provinciencë mendësie a përgjegjësie, më kujtojnë atë gjendjen shpirtërore t`kosovarëve, kur në Prishtinë ra “bomba” e quajtur - 6 Pikat e Ban Ki Munit!
Të dyja “ngjarjet” bashkë ndërkaq, 6 pikat e Ban Ki Munit dhe kjo me Vizat e BE-së, janë identike me atë situatën tragjikomike kur Organizata për Mirëmbajtjen e Rrugëve si dhe Ngrohtorja e Qytetit, pasi bora e acari i Dhjetorit mbyllte rrugët e Prishtinës shpjegonin se „u nxumë n`befasi“!
Natyrisht se i befasuari n`panikë, shpërndanë grushte dhe shpërndanë ofendime...dhe fajet i hedh tutje, majtas e djathtas, veri e jug !
Si mos me i hedh tutje fajet ?
A bënë pash Zotën me ra borë n`Dhjetor?

***

1. Unë, natyrisht se ndajë me të gjithë qytetarët e Kosovës, zhgënjimin e madh. Dhe ndjehem i ofenduar. Dhe ndjehem edhe i persekutuar! Besa edhe mallkojë!
Por para se të mallkojë, s`kam si të mos ndalem e mendojë pak, se kënd duhet mallkuar...
E dijë gjithashtu, se vendimi s`ishte i menduar mirë nga BE, i komunikuar – ishte edhe më keq, jam koshient edhe se s`janë marrë sa e si duhet parasysh t`gjitha specifikat, se s`ishte vendim i ekuilibruar etj!
Por megjithatë, fajtori është i ulur këmbëkryq n`Kosovë, e jo në Bruksel! Vendimeve duhet paraprirë, që të mos ngjajnë t`gabueshme, t`pa ekuilibruara, apo edhe t`rrezikshme për vendin, regjionin e stabilitetin...! Na “ngjau” prap si me 6 pikat e Ban Ki Munit! Prapë, sipas ndokujt, “ra Ramazani n`Bajram”!?
Më e drejt se pyetja, çfarë s`kemi bërë, që “ngjau çfarë ngjau” më duket pyetja e hapur të gjithëve, çfarë kemi bërë që të mos ngjante kështu!
Pyetja nuk është vetëm për “elitën politike”.
Unë po them, s`është bërë asgjë! Apo ajo që është bërë eventualisht, është bërë sa për sy e faqe....!
Asnjë gdhend s`ja ka heq kush atij cungu, ndërkohë që flasin të gjithë bashkë, se çfarë skulpture e bukur dhe e madhërishme ka me dalë n`fund!
Do të isha më i lumturi, sikur të na demantonte sado pak në këto shpalime, zyra e Kryeminstrit Thaçi, Presidentit Sejdiu apo ndonjë kalemxhi pranë tyre, i partive n`pushtet (PDK-LDK).
Biles unë për vete, mjaftohem edhe me një planprogram bashkëkohor të ndonjë opozitari, merakli i shpalimit të planeve konkrete, ama konkrete, të partisë së tij.
Por në ndërkohë n`Kosovë, të gjithë kanë zanë me shajtë gjithqysh – me i shajtë ata atje, përtej kufijve t`Kosovës...!

2. Është e gabuar qasja n`analizë, dhe është më shumë se vetëm destruktive, kur meqë kemi mbet jashtë, bashkë me Shqipërinë e Bosnjën, ti m`veshet vendimit për liberalizimin e vizave fobi e BE-së ndaj islamit e shteteve me shumicë myslimane!
BE, në gjirin e saj ka disa herë më shumë milion qytetarë myslimanë, se të tria këto shtetet bashkërisht! Pra nuk ka BE problem me qytetar me përkatësi fetare myslimane në gjirin e saj! Për më tepër, BE e Brukseli, jo vetëm heqjen e Vizave Shengen, por edhe integrimin e tërësishëm si shtete, të Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës, se ka vënë asnjëherë n`pyetje, dhe s`ka shpërfaq asnjë dilemë. Por t`përmbyllim bashkë çështjen rreth raportit BE-Islami.
Nuk ka asnjë vërejtje të shteteve Arabe dhe me shumicë Islame, apo të Konferencës Islamike ta zamë, për diskriminim të tyre n`Bllok nga BE-ja! Por, shtete diktatoriale, t`korruptuara dhe jo-demokratike, qofshin ato Islame apo Katolike, ndëshkohen njëjtë nga BE, gjithherë ashpër!

3. Është e po aq e gabuar qasja n`analizë dhe është më shumë se vetëm destruktive, kur BE-së i m`veshet anti shqiptarizëm. Veç faktit se është gënjeshtër e kulluar, është tutje edhe ofenduese, depresive dhe shumë de-mobilizuese për shoqërinë Kosovare! Dhe përfundimisht - është dhe amnistuese për Qeverinë!? Por për këtë amnisti, do të ndalem në fund të shkrimit. Te akuzat ndaj BE-së, se qenka kundër shqiptarëve, që t`jetë më e besueshme n`Kosovë, po hidhet një karrem tjetër manipulues e emocional: pse ju dha Serbisë, e jo edhe neve apo t`paktën Shqipërisë ky privilegj. Përmenden në të njëjtën frymë, të gjitha krimet e Milosheviqit, qeverive e ushtrive serbe, viktimat e Vukovarit, Srebrenicës, t`Reçakut e gjenocidi n`Kosovë etj! Tjetri, reciton Fishtën. Ata më të sertit, i kthehen edhe Konferencave të Berlinit e Versajës! Marrin poza patriotike dhe thonë: “e kemi ditë, Europa është Kurvë, ka qenë dhe është pro serbe!” etj.
Serbia ndërkaq, deri kohë më parë, shkaku i njohjes së Kosovës edhe nga miket e saj tradicionale si Franca e Anglia, akuzonte BE-në, si anti-serbe! Por aktualisht, Serbia, e udhëhequr nga një dorë politikanësh pragmatist, se ka ndalë asnjëherë punën, në eliminimin e të gjitha barrierave të parashtruara për nënshkrim të MSA-së, dhe edhe për heqjen e Vizave.

Ajo çfarë thonë ndërkaq, e s`bëjnë gjë ndërkohë, këta predikues shqiptarë të “Europës Kurvë” me shpalimet e tyre idioteske për Europën anti-shqiptare, s`është gjë tjetër veçse një refleks i një mendësie primitive, që si-motër binjake, ka mendësie e Serbisë së Milosheviqit dhe Kushtunicës! Ka simotër mendësie, Serbin e grushtuar deri në nokdaun nga BE-ja, Serbinë e cila kërkonte deri vonë, që të BE jetë anti-shqiptare e anti Kosovare dhe e alarmonte me patetizëm për fundamentalizmin e supozuar islam të Kosovarëve!
Përfundimet e rezultatet e asaj politike serbe i dimë! Edhe përfitimet tona, janë të njohura.
Europa apo BE, s`ishte as atëherë kur Bombardonte Beogradin e çlironte Kosovën, sikur që s`është as sot - anti-serbe! Dhe s`ishte atëherë, sikur nuk është as sot, pro shqiptare apo anti-shqiptare.
Dhe kjo, vlen edhe për SHBA-të.

Kush mendon tu ngarkojë këtyre konstrukteve të politikës globale (SHBA, BE), misione të tilla anti..., do të humb solidaritetin, miqësinë por edhe mirëkuptimin e tyre.

Ne mundemi, si kukuvajka të qajmë Konferencat e Berlinit e Versajës, por protagonistët dhe kreatorët e tyre n`Evropë, bashkë me mendësinë e asaj kohe, kanë vdekur ka herë! S`kemi me kend ti debatojmë! Njëjtë edhe Serbisë së sotme, i kanë vdek miqësitë e solidaritetit “per se”, si dikur nga Anglia e Franca!

Që të jem gjithëpërfshirës, dhe ta inkorporoj e shënjoj edhe pozitiven, duhet të theksoj se ishte inkurajuese, përgjegjësia politike që po promovon kryeministri shqiptar Sali Berisha, kur për Deutsche Welle e pranoi me shumë kulturë, siç bëjnë edhe kolegët e tij perëndimorë n`raste të ngjashme dështimesh: “se shqiptarët janë të vetmit fajtorë që nuk janë përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave”.

4. BE, ka problem në atë që shkurt po e quaj “jo-kompatibilitetin”, në marrëdhënie me shtetin e Qeverinë tonë!
Me mungesën e seriozitetit (më e rëndësishmja), por edhe mungesën e përkushtimit, kreativitetit dhe të qasjes proaktive të Lidershipit kosovarë! Nuk shohin, ashtu si edhe ne, përkushtimin e tyre për drejtësi sociale e shtet ligjorë, për shoqëri mundësish të barabarta për të gjithë. E kundërta, të stepur vëzhgojnë, e kanë filluar edhe të dënojnë, korrupsionin e etabluar, ku mafia bënë ligjin! Ku padrejtësitë e të gjitha llojeve, kanë gjet folenë.
Dhe përfundimisht, BE-ja dhe përfaqësuesit e saj, sikur edhe diplomatë të shteteve t`BE-së veç a veç, kanë problem të madh me krimin e organizuar dhe me pasurimin frapant të lidershipit tonë!
Shtetet e BE-së, nga përfaqësitë e tyre në Kosovë, nga raportet interne të Eulexit, nga mediat e tyre, por edhe shërbimet inteligjente, kanë të gjitha informatat mbi jetën Mondane të lidershipit Kosovar! Kanë edhe detajet e kësaj jete Mondane të secilit Lider Kosovarë! Dhe logjikisht, se këta politikbërës dhe diplomat, nuk u rekomandojnë as qeverive të veta por su garantojnë as investitorëve Europian, me ardh këndej!
Mos të harrojë askush, se protagonistët e “Elitës politike Kosovare”, pozitë e opozitë – njihen nga udhëheqësit e BE-së që nga koha kur këta tonët, ishin po aq të pasur apo varfër sa edhe qytetari i rëndomtë kosovar, dhe kur ishin apo shpërfaqeshin, si misionarë fisnik të një lëvizjeje për çlirim. Sot ndërkaq, kur i takojnë të njëjtit, kur marrin raporte, lexojnë e shohin – bëjnë thjesht seri! Çuditen! Këta tonët jetojnë e hapareshen, ti thua se janë nipër e djem të pronarëve të fabrikave n`Evropë?
Dipomatët Europian tani edhe zëshëm, mallkojnë moralin e përfaqësuesve tonë dhe natyrisht - pakësojnë solidaritetin financiar e besa edhe atë politik!

5. Është Shteti ynë, Qeveria jonë, ata, që ndërmjetëson në marrëdhëniet tona karshi BE-së si shtet, por edhe për ne si qytetar!
Pak ndihmojnë këtu, emisionet, Kolumnet e shkrimet e shkëlqyeshme të Mentor Shalës, ato brilante të Halil Matoshit, Adriatik Kelmendit dhe Avni Rudakut rreth kësaj teme! E imja ndihmon edhe më pak. Këto janë muhabete publike mes nesh.

BE-ja ka kërkesa ndaj tij – ndaj shtetit tonë! Biles, shih mrekullinë, fati i madh, BE-ja ka të njëjtat kërkesa ndaj shtetit tonë, pothuaj identike, me ato që kemi edhe ne, si qytetar t`Kosovës karshi Qeverisë dhe shtetit tonë!
Kosova n`Europa! Një ditë e më parë!
Kërkesat tonat si qytetarë, njëjtë sikur edhe ato të BE-së – karshi Qeverisë sonë - sado që duken t`vështira n`shikim të parë, janë në fakt shumë modeste, t`thjeshta, logjike, e pse të mos e themi, janë edhe shumë fisnike!
Por ja që janë ende vetëm kërkesë, e nuk janë prioritet programorë, as i yni si qytetarë dhe shoqëri civile, e aq më pak i Qeverisë e partive tona!
Kaq ndërkaq dinë edhe një fëmijë: se pa u nisë, s` arrin n`shkollë, as te daja e as te gjyshja, e lere më n`Bruksel
Konsens politik kemi - po, duam të hymë n`Europë!
Por ne, duam një Europë tjetër! Ne s`duam ti ngjajmë asaj, por ajo të na ngjajë neve. E duam një Europë siç jemi vet. T`korruptuar politikisht – të na pranojë n`BE me t`njohshëm e me hatër.
Të na pranoj, se na ka borxh nga koha e Versajës (e kundërta e t`cilës është BE-ja sotme!)!
Ne duam një Europë - anti-serbe! Nejse, që të jemi të sinqertë, jo vetëm anti-serbe, por e duam edhe kundër do tjerëve që kemi për rreth, këtij e atij...!
Duam t`pamundurën!
Disa nga ne, e quajnë Europën “Kurvë” – dhe e bojkotojnë, deri atëherë, sa “Kurva” të bëhet zonjë! Shanset, e dimë paraprakisht, janë: 1-ë në 100 vjet!
Tjerët, e konsiderojnë Europën një Zonjë t`rëndë e shumë dinjitoze, andaj presin deri sa të bëhet “Kurvë”, e të na l`shoje e marrë n`gji pa rend...! Shanset, 1 në 100 vjet!
Europa ndërkohë - as s`është “Kurvë” e as “Zonjë tekanjoze” por - një Bashkësi e bashkim Shtetesh, me ekonomi e politikë t`përbashkët, me afërsisht 500 milion banorë! Historish, etnish, kulturash e emocionesh nga më të ndryshmet - por që bashkërisht gjenerojnë aktualisht, një të tretën e të gjithë prodhimit botëror (GWP) dhe kanë Bruto prodhimin vendor ( BPV apo GDP ) më të madhin në botë.
Kanë dhe ndajnë tregun e përbashkët liberal të punës, të kapitalit e dijës, ligjësisë e sigurisë. Është bashkësia e shteteve e popujve, kulturave e vlerave, ku më së drejti është ndarë e shpërndahet pasuria e gjeneruar nacionale apo e dhanë nga Zoti!.

6. Konfuzioni mendorë e politik Kosovar, është Vizë e sigurt, por për n`Geto! BE-ja, siç e thash më lartë, ka të njëjtat kërkesa ndaj shtetit tonë, pothuaj identike, me ato që kemi edhe ne si qytetar t`Kosovës - karshi Qeverisë dhe shtetit tonë!
Demokracia, ndërkaq, është sistem e formë organizimi shtetërorë, që bazohet në mos-besim - kontroll permanent t`pushtetarëve...!
Impotentët politik, Lider-balat që gjenerojnë t`mira materiale e mirëqenie vetëm për kotillë (taraf) të vetin si dhe Profiterët, qofshin t`luftës apo të paqes, si duan askund. Në BE, edhe i burgosin...!
Ndërkohë, ne i qerasim me vota...!?
Edhe unë si Ti, i dashur lexues i durueshëm i këtyre reshteve, ndajë me ty dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës, zhgënjimin e madh.
Dhe ndjehem i ofenduar. Dhe ndjehem i persekutuar! I privuar drejtësie e mundësish...! Besa kam nis edhe t`mallkojë!
Por në fakt, koha është që të gjithë ne, të ndërrojmë veten...

"Kosova Sot", e shtunë, 25 Korrik 2009


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora