E diele, 09.08.2020, 04:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: ''Puhiza'' si kuptim jete dhe vlerë historike

E shtune, 25.07.2009, 11:59 AM


R e c e n s i o n

Sejdi BERISHA:

“PUHIZA” SI KUPTIM JETE DHE VLERË HISTORIE

(Halil Haxhosaj: “Puhizë zemre”-poezi, botoi Klub-Haiti, Tiranë-2009)

Halil Haxhosaj i cili tanimë ka të botuara dymbëdhjetë vepra, kësaj radhe, me librin me poezi “Puhizë zemre”, opinionit i prezantohet me një formë të re të të shkruarit. Kjo, ngase librin e ka sajuar tamam ashtu siç puhiza sjell freskinë edhe të luleve, edhe të polenit, edhe të stinëve, edhe të motmoteve, por edhe të ndijimit të thellë shpirtëror. Por, kjo, tek Haxhosaj, i tërë libri i tij mund të lexohet si një poezi, por edhe veç e veç në njëqind “kaptinëza”, apo poezi të veçanta, të cilat emërues të përbashkët kanë vetëm e të vetmin titull: “Puhizë zemre”.

Këndimi dhe sofra poetike si formë e ndijimit dhe analizës krijuese

Në këtë mënyrë, sikur vepra edhe imponohet për tu lexuar me një frymë, me një ndjenjë e disponim përjetimi. Andaj, haiku poetika, formë e cila edhe rrallë preferohet, por fuqizon mesazhet dhe mendimin filozofik duke sforcuar edhe ndërtimin dhe nivelin esteto-letrar të vargut dhe të vlerave poetike përgjithësisht, ka katandisur autorin nëpër tema duke i shprushur ato në shumë segmente, shkallë e rrugë këndimi. Dhe, për ta bërë vargun jehonë por edhe ngrohtësi shpirti, autori fillimisht, nga brendia e zemrës dhe e shpirtit të tij shpërthen diçka e madhe, që fillin e ka në fuqinë e stinëve, të cilat janë dhe përdorën si simbol i jetës, i gëzimit, i ecjes, i haresë dhe i dhembjes, e përgjithësisht si simbol i përplasjeve të njeriut. Bashkërisht, të gjitha këto janë simbiozë e universit të njeriut por edhe e shoqërisë, sepse, siç ligjëron poeti: “dihatje e gurgullim” është jeta!
Në këtë kontekst, përmes vargjeve, përmes “haikut”, sikur asgjë nuk i shpëton autorit pa e kënduar; e duke e kënduar lehtë, lexuesi pa fije mundi gjërat i shtron në sofrën e vet poetike dhe ligjëron, analizon por edhe merr energji për ta kuptuar e ndërtuar më mirë mendimin, rrugën, për t’i trasuar begatitë e së bukurës dhe të lumturisë, por gjithnjë ka  kujdesin dhe ngre zërin kundër asaj që jetën e bën të zymtë. Sepse, buzëqeshja duhet ta mbizotërojë rrjedhën e kohës, duke e begatuar atë me gurra jete, ku freskohen zemrat dhe shpirti për ta kapur drejtë e sinqertë elementin e dashurisë, si formulën parësore të mbarësisë së rrugëtimit që ka data e mbamendje nëpër etapa, decenie e shekuj, ngase, “rruga nuk pritet” në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë.
Kjo, edhe sikur e bën madhështi vargun poetik të H. Haxhosajt, i cili, menjëherë pas këndimit shqip, “imponohet” edhe në gjuhën angleze, e që kjo përvojë apo ky veprim është shumë i qëlluar për të stimuluar dhe për ta shijuar vlerën letrare dhe shpirtërore edhe nga lexuesit në vende të tjera. Këtë e dëshmon edhe autori, i cili me të drejtë thotë: “I gëzuar eci rrugëve/Përshëndes Diellin, Hënën, Yjet/Në të gjitha gjuhët e njerëzimit”.

Kur përmes shprehjeve metaforike koha shikon në largësi

Poetët, shpeshherë këndojnë aty për aty, sepse shpirtin e kanë rebel, mirëpo, vargjet dhe zëri i tyre ngel jehonë dhe i pavdekshëm, sepse, krijuesit e din dhe e respektojnë atë se “koha shikon në largësi”. Dhe, duke shëtitur dhe vizituar vende, por edhe duke na servirur ambientin dhe atmosferën mbase edhe bukuritë natyrore, të cilat i ka shumë për zemër autori, ai vetëm sa e forcon atë sentencën se asnjëherë nuk duhet lejuar që harresa të bëhet barrë e rrjedhave të jetës së njeriut por edhe e rrjedhave shoqërore, të cilat janë faktorë që ndonjëherë edhe këngën e mbarësojnë me duhmën e erërave historike që rëndojnë e shkaktojnë plagë. Për këtë, poeti na e përkujton me vargun si mesazh të prerë: “Vendlindja trazohet nga klithmat”, apo: “Babai historia e jonë/...Mall i paharruar në fotografi”!
Përmes kësaj forme të të kënduarit, në “Puhiza e zemrës”, autori sikur besnikërisht ecën edhe nëpër jetën dhe moshën e vet, e cila, sa është e mbështjellë me lumturi e krenari, shpeshherë ka qenë edhe e vrarë edhe e lënduar nga vetë rrjedhat e motmoteve, të cilat, veç e veç mund të konsiderohen si histori e veçantë, si tregim e roman po ashtu i veçantë. Kështu që, ai nuk heziton që përmes “puhizës” për të rrëfyer: “Vdekja prish rendin e pritjes”.
Duke rrëfyer historinë përmes vargut, në këtë vepër me poezi me vetëm një titull, lexuesi provokohet me dhembjen e së kaluarës, ngase, edhe pse: “Moti tash ndërron ngjyrë/Historia ulet prapë mbi Çabrat/Lidhja Shqiptare pret mysafirë”!
Shprehjet, Çabrati dhe Lidhja Shqiptare, janë dy zëra që lexuesin e mbërthejnë në atë rrethin e vjetër të këndimit dhe kështu, atë sikur e detyrojnë për të menduar, për të komentuar por edhe për të nxjerrë konkludim jo vetëm për lëvizjen historike si etapë apo periudhë kohore, por edhe si ngjarje, apo si ngjarjet të cilat ende konsistojnë nevojën për tu hedhur atyre dritë dhe për studime gjithnjë më të drejta e shkencore. Kjo, ngase historia, e veçmas historia shqiptare ka shumë lakesa, rrugë e rrugica, ka errësirë e rrjedha kohore që duan riparim. Edhe në këtë aspekt, mund të konsiderohet se poezia në “Puhizë zemre” e ka peshën e provokimit historik, të fushës së studimeve letrare por edhe të shprishjeve të natyrave tjera, në mënyrë që kritika e mirëfilltë të merr rrugëtim meritor për ta nxjerrë dritën e vargut dhe për ta spastruar atë nga amullitë krijuese.
Edhe pse, siç thotë poeti, në vendin e vet, në atdhe, në vendlindjen e tij: “Vetëm një diagnozë/E zbuluar në vendlindje/Qëndrimi i pa luhatur prore”. Por, kjo do të thotë se ai mëton për të na treguar se popullit të vet, një prej vetive e virtyteve i ka ngelur qëndresa nëpër kohëra e periudha.

Atëherë kur përmes vargut jeta shndërrohet në erë të pa pushuar

Duke përftuar nëpër labirinte jete, kënga mbetet si jehonë dhe zë jo vetëm qortues, por edhe këshillë me peshë. Sepse, në të njëjtën kohë, edhe ta ledhatosh, edhe ta përqafosh dhe ta përkëdhelësh, por, edhe po ashtu në të njëjtën kohë përmes vargut të kafshosh buzën për trakullimat e kohës dhe të jetës, është çështje e cila shpreh peshën e vargut në aspektin e begatisë së refleksionit  gjeometrik dhe deskriptiv, ngase në vetvete përmban shumë veti këndimi dhe shumë mesazhesh shumëkuptimëshe. Kjo, ndodh edhe atëherë kur poeti kthehet krejt në një gjendje e situatë tjetër: “Gjarpri nuk zbutet/Birucat e tij shtohen/Këmbë të fshehta pa gjurmë”.
Edhe pse, në shikim të parë, këto vargje tingëllojnë si shumë të thjeshta e ndoshta edhe të panevojshme, përkundrazi, ato kthejnë tek mendimi vetanak, i cili, kur është sovran, e ka peshën, komentimin dhe implikimin më përgjegjës dhe meritor. Sepse, ngjarjet shpeshherë eskalojnë më ndryshe se që i mendon apo i parashikon njeriu, e në këtë rast edhe krijuesi, për çfarë “Uji i shemb pritat në përrua”! Ndërsa, gjërat tjera mund të shlyhen pamëshirshëm. Prandaj, të gjitha rrjedhat dhe dokumentet e kohës mund të përputhen me vargjet e poetit: “Gjurmët mbi rërë/Heraldikë e dyshimit”.
Për të analizuar dhe studiuar mirë e mirë “puhizën” e jetës, e cila më shumë është uragan sesa ashtu siç thotë autori, ka nevojë për të shëtitur mendjen dhe tërë vetveten në të gjithë cepat e jetës, dhe nëse mund të thuhet, edhe të historisë të periudhave të ndryshme. Për këtë arsye, vetveten por edhe jetën e tij ai e shndërron herë në erë të pa pushuar e herë në tajfun të çartur duke mos e harruar edhe karantinën e ajrit! Duke u mbështetur në këtë sublimë apo simfoni jete, del se çdo gjë është e përshkuar me “aromën” e ndrojtjes, me etjen e mallit, me frikën dhe trishtimin, të cilat së bashku, dashurinë, krenarinë dhe lumturinë i bëjnë piramidë përjetësie. Edhe pse jeta ecën, puhiza e zemrës valëvitë flamurin e ngadhënjimit por edhe të mallit e nostalgjisë.
Të gjitha këto, mund të kuptohen apo edhe referohen si psherëtimë e poetit për jetën dhe kopshtin e saj të çuditshëm. Andaj, libri “Puhizë zemre” e Halil Haxhosajt, është një vepër e lezetshme me mesazh të qartë dhe me vlera esteto-letrare, e cila, pikërisht pse është shkruar ndryshe nga e zakonshmja, ka lehtësuar joshjen e lexuesit për t’iu “vardisur” mesazheve dhe ndijimeve poetike duke e përjetuar vargun si pjesë dhe domosdo e intelektit, kulturës dhe të begatimit me vlera shpirtërore, të cilat padyshim sa dalin ngadhënjim “Me krenarinë e fituesit/Të Bukurën e Dheut puth/Gjaku nxehet në damarë”. Andaj, “puhizat” ashtu siç i ka shprehur dhe prezantuar autori, ato, çerdhe e kanë këngën e bukur, aromën e dashurisë dhe padyshim edhe madhështinë e njeriut, edhe pse, mosha kërruset ngadalë, por, “prapë unë dhe ti, vargu im”!   


(Vota: 28 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora