E diele, 05.04.2020, 01:36 PM (GMT+1)

Komente

Nikollë Lesi: Rreziku Blushi dhe fati jonë, Rama!

E shtune, 25.07.2009, 10:56 AM


Rreziku Blushi dhe fati jonë, Rama!

Nga Nikollë Lesi

Edhe pas vendimit përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor, u pa qartë se PS e Edi Rama kanë humbur zgjedhjet e 28 qershorit.
Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se socialistët e thjeshtë do të mbeten edhe katër vite të tjera në opozitë, ndonëse kryetari i tyre në Tiranë, Edi Rama është me njërën këmbë në opozitë dhe tjetrën në pushtetin e bashkisë. Në fund të fundit, nëse flas në sensin e njeriut që është pjesë e fitores së të djathtës, mund të them se ne fituam duke humbur kot së koti nga një deputet në Lezhë e në Shkodër dhe se PS do të shkojë turravrap drejt një sherri pafund në selinë e saj, nëse Rama nuk jep dorëheqjen. Në të vërtetë, Ramën nuk e lidhte asgjë shpirtërore me PS-në, porse erdhi papritur falë një dorëheqje të kulturuar të Fatos Nanos, i cli humbi zgjedhjet në korrik 2005. Nëse në kampin tonë, që mund ta quajmë të djathtë me frymëzim të majtë, pasi vjen edhe ish-kryeministri më i mirë i së majtës tash 18 vite zoti Meta, ka qetësi absolute, problemi do të jetë në anën e majtë, atje ku humbësi është kryekëput vetëm Edi Rama. Natyrisht, humbësi politik mbetet Rama, pavarësisht se do të firmos prapë dhjetëra miliona euro tendera si “kryeministri i Tiranës” deri në 2011, ndërsa të humburit real në këto zgjedhje janë dhjetëra mije anëtarë të PS-së si dhe simpatizantët që numërojnë qindra mijë, të cilët do të detyrohen të jenë në anën tjetër të kanalit, atje ku nuk qeveriset. Në selinë rozë sapo ka filluar furtuna për të analizuar humbjen, e cila pavarësisht hamendjeve e justifikimeve, mbetet humbje. Mendoj se tre janë variantet, të cilat mund të ndodhin brenda këtij viti në PS. Varianti i pare është që zoti Rama të mos pranojë largimin nga kupola rozë e të rropatet me njëmijë e një arsye të thotë se “ nuk kemi humbur e se na kanë vjedhur”. Ka gjasa të ndodhë që moslargimi i autorit të humbjes nga kreu i PS-së të sjellë çarje të madhe në PS, duke e ndarë grupin parlamentar në dy pjesë, natyrisht nuk dihet nëse Rama merr pjesën më të madhe apo më të vogël, por gjithsesi PS merr dhe një çarje tjetër të madhe, pas asaj të largimit të Metës. Kjo do të ishte ideale për qeverinë Berisha-Meta, të cilët për katër vjet do të qeverisin kollaj, pasi opozita do të jetë në luftë mes vetes dhe lufta brenda llojit ka treguar se është masakruese. Kjo gjë do të sjellë që dhe zgjedhjet lokale të vitit 2011 të jenë triumf total për PD e LSI, aq më tepër duke ditur inatin galopant të Ilir Metës kundrejt Edi Ramës. Iliri është tmerrësisht më luftëtar se Berisha kundrejt Ramës. Si rrjedhojë e qenies së Ramës përsëri në krye të PS-së edhe zgjedhjet e radhës parlamentare të vitit 2013 me logjikën e këtyre fakteve do t’i fitojë prapë Berisha e për pasojë selia rozë do të tkurret në çarje të tjera, pa fund e duke shënuar përfundimisht daljen e PS-së nga loja kryesore e politikës. Nisur nga ky variant, zoti Berisha besoj se lutet përditë e më tepër që zoti Rama të mos ikë nga kreu i PS-së. Kryetari aktual i PS-së duhet pranuar se ishte para këtyre zgjedhjeve në kulmin e tij politik e mediatik dhe se të tillë lartësi nuk ka për të kapur më asnjëherë në jetën e tij politike. Merret me mënd se çfarë mund të sjellë më vonë, kur nga pak e përditë, grupi parlamentar do t’i firojë, emrat VIP në kupolën rozë do ta braktisin e do të mbetet vetëm me zyrtarët e bashkisë e me një grup deputetësh, të cilët sa të ketë lejet e ndërtimit në dorë do t’i shkojnë pas tij dhe më vonë do ta braktisin, siç ndodh rëndom me deputetë që vijnë pa kontribute personale. Loja perfekte djallëzore e zotit Berisha ( duhet pranuar se mbetet politikan klasi), këto ditë luhet në terrenin e së majtës. Ai po përhap me disa media se, më mirë të vijë Blushi në krye të PS-së. Është një diversion politik që militantët e PS-së ta shohin me inat Blushin se gjoja “e do Berisha”! Finesa e kësaj loje është se Berisha nuk e do kurrsesi ardhjen e Ben Blushit në krye të PS-së. Është gati të sakrifikojë këdo e çfarëdo, vetëm e vetëm që Blushi të mos zgjidhet kryetari i ri i PS-së. Ngjitja e Ben Blushit në krye të selisë rozë e shkatërron qeverinë aktuale dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, të cilat me Blushin në krye të së majtës fitohet nga ana e majtë. Aq më tepër që ardhja e Blushit në krye të PS-së i heq argumentin Ilir Metes se, “me PS-në nuk bashkëpunoj sa te jetë Rama kryetar “. Ndaj, zoti Berisha me një mjeshtri klasi po luan të kundërtën e asaj që duket sikur thotë; po ndihmon fshehurazi për mbajtjen e Ramës në krye të PS-së. Varianti i dytë, më i rrezikshmi për qeverinë e re që do të krijohet në shtator është largimi i butë i Edi Ramës nga kryetar i PS-së dhe zgjedhja nga socialistët e Ben Blushit si lider i ri i PS-së. Ardhja e Blushit, natyrisht pas një dorëheqje civile të Ramës do të sillte tërbim në të djathtën shqiptare e sidomos në qeveri. Blushi, duke qenë njeri që vjen nga media direkt e në politikë pikësëpari u heq mbi 80 për qind të mediave zotit Berisha e Meta, pra do të thotë se ka mbështetje pothuaj totale nga media. Natyrisht që do të ketë gazeta që kanë interesa direkte me tendera dhe mund të godasin, por gjithsesi trualli ku kanë luajtur për bukuri Berisha e Meta fillon e dobësohet, natyrisht për këta dy të fundit. Ngjitja e Blushit do të thotë qetësi e harmoni në grupin parlamentar e në selinë rozë, pasi duke qenë natyrë civile e katër breza kulture mbi supe, mendohet se do të rrezatojë mirëkuptim e vendimmarrje të përbashkët. Blushi nuk luan kurrë rolin e unit, por ka manifestuar se di të luajë në bllok e për interesa të njerëzve që e mbështesin. Ata që e mbështesin janë socialistët e të majtët në përgjithësi. Por, Blushi në krye të PS-së e në krye të grupit parlamentar do të thotë superspektakël politik në Kuvendin e Shqipërisë, aq sa njerëzit do ta kthejnë kanalin nga lajmet e filmat tek stacioni televiziv që do të jap direkt punimet e parlamentit. Partitë e vogla të së majtës do të shkojnë me vrap për një përbashkim të ri që të mos humbin me asnjë votë. Gjinushi, Milo,Veliaj e plot të tjerë, mundet edhe Ngjela e Dashamir Shehi, të jenë pjesë e një koalicioni më të madh se ai i Berishës për zgjedhjet e radhës. Dhe zoti Meta nuk ka më asnjë arsye të rrije në qeverinë e djathtë e do të bashkëpunojë me Blushin e kthyer në lider të PS. Imagjinoni një koalicion Blushi- Meta-Nano-Gjinushi-Milo-Veliaj-Ngjela apo edhe emra të tjerë që tani për tani po rrinë e vështrojnë! Ky variant mund të ketë edhe një prapavariant që Blushi ngjitet në krye të PS-së me një largim të butë e civil të Ramës nga selia rozë, duke e rikandiduar për kryebashkiak në Tiranë në shkurt të vitit 2011. Pra, po t’i shtohet atij vargut të frikshëm të emrave të sipërcituar, edhe emri i Ramës vetëm si kryebashkiak për zgjedhjet e radhës parlamentare e majta merr pushtetin. Këtë variant nuk e do kurrsesi zoti Berisha. Ben Blushi për Berishën është ëndërr e keqe! Ndërsa variant i trete më i zhurmshmi dhe që nuk dihet çfarë ndodhë më pas kësaj mbetet që Nano të kandidojë në Kongres. Nëse Rama nuk largohet siç e ka statuti i PS-së, atëherë Fatos Nano do të futet ne Kongresin e jashtëzakonshme me një mënyrë që vetëm ai e di. Imagjinoni një transmetim direkt të kongresit të PS-së, ku zoti Nano do të vendosi kandidaturën për kryetar dhe do të kërkojë që të zbatohet vendimi që kryetari të zgjidhet nga anëtarësia e jo nga delegatet, pra që kongresi nuk mund të zgjedhë kryetarin. Duhet fushatë disa mujore në bazën e partisë e ku të gjithë anëtarësia të votojë në kuti votimi, tamam si në zgjedhje parlamentare. Atëherë nuk dihet me se çfarë mund të ndodhë me PS-në. Në dukje jep idenë e një demokracie partiake ku anëtarësia voton për kryetarin në gjithë Shqipërinë, porse duke ditur mënyrën se si votohet në Shqipëri humbësi nuk do të njohë fituesin, e për pasojë përsëri PS-ja ndahet në dy a më shumë copa të tjera, duke e bërë praktikisht një parti që nuk kap asnjëherë pushtetin. Një gjë mbetet e sigurt, që socialistet humbën shansin për t’u rikthyer në pushtet. Ata kanë nevojë për një tjetër lider që t’i kthejë nga parimi “përtej së majtës e së djathtës”, në një parti të mirëfilltë e majtë. Në të kundërt, fati i Berishës dhe i Metës, ku i pari do të qeverisë edhe tetë vite të tjera pa opozitë dhe Meta që do të shtoje radhët e LSI me deputetë e anëtarësi. Ndërsa, socialistët do të jenë në kacafytjen e radhës, radhë e cila nuk mbaron as këtë vit dhe as në vitin 2013, nëse Rama nuk ikën sipas zakonit që humbësi dorëhiqet e falenderohet për aq sa bëri.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT