E premte, 29.03.2024, 01:04 PM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Denis Dyrnjaja: Futboll për turp e sport për hall

E shtune, 25.07.2009, 10:47 AM


Futboll për turp e sport për hall

Nga Denis Dyrnjaja

U mbyll si mos më keq aventura futbollistike e ekipeve tona në Kupat e Europës në futboll. Jo vetëm që u eleminuan nga kompeticionet respektive “Champions League” dhe “Europa League”, por kjo ndodhi me paraqitje të turpshme, të padenja edhe për një grup djemsh që luajnë kalçeto në fusha amatore. Keqardhje dhe ngushëllim për ata mijëra tifozë që edhe një herë tentuan të gënjejnë veten, se diçka e mirë mund t’u ndodhte dhe ekipi i zemrës mund ta kalonte njërin tur kualifikimi, se për tjetrin…?…me kismet! Por ëndrra ndali! Po si të mos ndalte me këtë nivel futbollistësh, trajnerësh e klubesh. Futbollistë që grumbullimin ditor s’e kanë në kampingje sportive, por në lokale dëfrimi dite e nate. I gjen kudo, nganjëherë në fakt edhe në stërvitje. Ç’të thuash për trajnerët?! Punojnë për një pagë të shkretët, katandisur në lëmoshë të donatorëve (presidentëve të klubeve), se kështu u pëlqen t’i quash. Ç’të bësh, ekzistencializmi i pranon të gjithë. Ka klub futbolli Silvio Berluskoni, ne Itali, ka edhe Albert Xhani, në Shqipëri. Para disa kohësh kryeministri i vendit Sali Berisha doli me një tezë, që krijoi mjaft polemika pas humbjes së Ekipit Kombëtar. Ai propozoi të pezullohej fare pjesëmarrja futbollistike në aktivitete ndërkombëtare. Shkaku ishte dyshimi për trukimin e ndeshjeve të ekipit përfaqësues të futbollit. Ndonëse për motive krejt të ndryshme do ta ngrija e mbështesja dhe një herë këtë tezë të kryeministrit. Ne nuk duhet t’i shtojmë më shumë nivelet e turpërimit në sport e saktësisht në futboll. Të trukuara e të patrukuara, ndeshjet, ekipet tona si të Superligës, si Kombëtarja s’kanë shans te bëjnë hajër. Kjo është provuar tashmë ndër vite dhe duket më së miri kur në emisione televizive, reportazhe gazetash e biseda kafenesh përmenden ende si arritje historike fitoja e kombëtares me Belgjiken në 1984-in, fitorja e 17 Nëntorit (Tiranës), me Dinamon e Bukureshtit apo goli i Vasil Rucit me Partizanin e Beogradit. Është turp që për gati 80 vjet që luhet futboll në Shqipëri, të tentosh të shfaqesh krenar me thërrmija ngjarjesh sportive. O zotërinj te nderuar te sportit (futbollistë, trajnerë, arbitra e donatorë) reflektoni vetëm për një çast dhe do të kuptoni se sa provinciale dukeni në raport me botën e sportit që na rrethon. Në fakt ndoshta është dhe pretendim i tepruar t’ju kërkosh juve të reflektoni. Me kaq bëma skandaloze që janë regjistruar në futboll, reflektimi duhej të kishte ndodhur me kohë, por mesa duket juve dhe për këtë duhet t’ju mësosh. Shumë prej jush tentojnë ta gjejnë fajin jashtë vetes, klubit apo institucionit ku bëni pjesë. Shpesh gishti i fajit për problemet e futbollit i drejtohet shtetit, që nuk ndihmon apo bën rolin e bllokuesit dhe sigurisht që ai ka pjesën e tij, jot e vogël në këtë zallamahi që është krijuar në sport. Por zemra e saj jeni vete Ju. Po, po Ju. Më kot e kërkoni fajin tek shteti. Ju nuk mundeni dot, pa të. Ai ju duhet, sepse ju ndihmon që të keni alibi për dështimin e radhës. Nëse do të mendonit e bënit siç duhej për futbollin juve do t’i ishit imponuar qeverisë e institucioneve te tjera për të bërë një ligj siç duhet për sportin. Por as nuk dini, as nuk doni, ndaj jemi këtu ku jemi. Ndaj atyre që janë më te fyerit e tallurit në këtë mes, tifozëve u bëj këtë thirrje. Ikni nga stadiumet, braktiseni këtë lloj sporti të turpshëm e mos u bëni patericë e falsitetit dhe mashtrimit. Tashmë nuk ka asnjë të panjohur ne këtë situatë. Luhet futboll për turp e sport për hall. Largoni që të mos mbesni peng i turpit të futbollit shqiptar.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora