Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lec Shllaku - legjenda e teatrit shqiptar

| E marte, 07.08.2007, 07:35 PM |


Nga Xhahid BUSHATI

Lec Shllaku
Lec Shllaku ka lindur në Shkodër, më, 3.11.1921. Në moshën 3 vjeçare i vdiq i ati. Së bashku më nënën e vet, Pinën e me vëllezërit, Gjonin (helenisti i shquar, përkthyesi i "Iliadës" dhe i disa veprave të autorëve grekë, të Virgjilit dhe "Këngët e Rolandit", dhe të një pune të nisur mbi një fjalor latinisht-shqip me rreth 65 mijë fjalë, të cilin vdekja nuk e la ta mbarojë) e Luigjin, u mbartën në familjen e dajës së vet, Ndoc Temali, bejtexhi me emër në qytetin e Shkodrës. Aty gjetën një mjedis artistik skene, bejtesh e karnavalesh. Aty lindën e morën hov prirjet e tyre.

Leci e kreu filloren në Shkollën Fretnore, të mesmen në Gjimnazin " Illyricum " si kolegjial. Klasën e fundit e maturën, i mori në Gjimnazin "28 Nëntori".

Pasi kreu shkëlqyeshëm Institutin e lartë 2-vjeçar të Shkodrës, Gjuhë-Letërsi; më 1966 kryen edhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi.

Punoi 2 vjet në Teatrin Qendror të Ushtrisë - Tiranë e më vonë si regjisor në teatrin "Migjeni" të Shkodrës. Në vitin 1962, hapi dhe drejtoi Teatrin e ri profesionist "Skampa" të Elbasanit për gati një dekadë.

Krahas vënies në skenë të shumë dramave të autorëve shqiptarë e të huaj, regjisori Shllaku interpreton dhe në shumë filma. Për kontributin që dha, për vlerat që dhuroi në skenë, Lecit iu dha titulli: "Artist i Popullit".

Gjatë kohës si regjisor, e në pension, në studion e vet personale, Leci iu kushtua punës letrare e artistike.

Ka botuar monografinë e parë "Zef Jubani" (e botoi të ripunuar në vitin 2004), dramën operistike "Hajria", poemën "Norja e Nika" (rreth 2500 vargje), veprën "Maska shkodrane" (studim mbi lindjen e rrugën e zhvillimit të komedisë shkodrane), monografinë për Artistin e Popullit, Loro Kovaçi, për muzikantin Palok Kurti, studimin "Shtegtimi i monumenteve"(studim që flet për kontributin e ushtruesve të kulturës lëndore që kanë dhënë në ndërtimin e kulturës sonë me përkatësi të dallueshme kombëtare), "Dy hapa në prendim" (përshtypje udhëtimesh, botuar në tri gjuhë: shqip, italisht, greqisht), "Plaka dhe harkoçi Miki" ( një romanth tragjik. E tragjizmi i tij shfaqet që në trajtimin e temës, siç është braktisja e tokës ku ke lindur, harresa e gjuhës dhe i traditës, mistifikimi i të mirave dhe justifikimi i të këqijave, detyrimisht të çojnë në vdekje, kjo vdekje ka përmasa të mëdha kur ajo është shpirtërore. Mbase i ndryshëm në konceptim dhe strukturë, ky roman operon përmes simbolikave: plaka dhe Vetmia, harkoçi dhe barbarizmi, përballen, përleshën, kacafyten ashpër në emër të lirisë dhe vlerësimit, liri dhe vlerësim që njeriu duhet ta fillojë nga vetvetja), "Historia e një plage" (roman, që ndonëse ruan karakterin subjektor të klasikes, shfaq prirjen drejt karaktereve e i meditacionit. Ruajtja e simbolikës së romanit, na bën gjithnjë të mendojmë, se personazhet që lëvizin në këtë roman, në të gjitha situatat që ata kalojnë, krahas asaj që duket, por edhe asaj që nuk duket, pra, të nënvetëdijes (brenda psikikës dhe psikologjisë së tyre) përballen me tragjizmin e tyre), "Ngatrrim stinësh" (lirika të shkruara në moshë të re e të vonë, motive që përcillen me një ndjesi dhe delikatesë poetike, ndonëse flasin për një gjerësi kohore, ata ruajnë në vetvete shumë dëshira e ëndrra të paplotësuara të autorit).

2. Në teatrin "Migjeni" të Shkodrës, regjisori Lec Shllaku vuri në skenë këto pjesë: "Kopraci" (Molier, 1952), "Agimi" (K. Jakova, 1952), "Toka jonë" (K. Jakova, 1954), "Shërbëtori i dy zotnive" (K. Goldon, 1955), "Tartufi" (Molier, 1955), "Shtërngata" (Ostrovski, 1956), "Angjelo, tirani i Padovës" (V. Hygo, 1957), "Berberi i Seviljes" (Bomarshe, 1957), "Shtatë shaljanët" (Nd. Luca, 1958), "Banorët e shkallës Nr.6" (K. Dushi, 1958), "Dy binjakët venecianë" (K. Goldon, 1959), "Trumbetjerja" (Sallinskij, 1959).

Në teatrin "Skampa" të Elbasanit, regjisori Lec Shllaku vuri në skenë këto pjesë:

"Linda" (Xh. Broja, 1964), "Njeriu që pa vdekjen me sy" (V. Eftimiu, 1965), "I pesti u zu gjallë" (N. Zoraqi, 1966), "Udha e largët" (Arbuzov, 1966), "Udha e Zavalinjve" (Th. Borodani, 1967), "Firmat e vogla" (Th. Borodani, 1968), "Skënderbeu" (L. Shllaku, 1968), "Shqetësimet e Sokratit" (L. Shllaku, 1968)

Përveç skenës teatrore ku dha kontributin e tij si regjisor e dramaturg, Lec Shllaku interpretoi edhe në këto filma: "Skënderbeu" (rolin e Gjon Kastriotit), "Para agimit" (rolin e gjykatësit), "Plumba perandorit" (rolin e gjykatësit), "Ngadhnjim mbi vdekjen" (rolin e oficerit gjerman), "Qortimet e vjeshtës" (rolin e priftit), "Larg barbarëve" (interpretoi në gjuhën frënge rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni)

Gjatë hulumtimit për veprimtarinë regjisoriale të artistit Shllaku, gjetëm në arkivën e teatrit "Migjeni edhe skedën për komedinë "Kopraci" të Molierit, skedë e hartuar nga arkivisti dhe aktori Paulin Lacaj. Po e japim të plotë:

"Kopraci" - Molier (komedi, 5 akte), vue në skenë: Lec. P. Shllaku, inspektor skene: Çesk Vuksani, dekore: Pjetër Deda, Çesk Vuksani, rekuiziter: Ndoc Bazhdari, premiera u shfaq me dt. 20.2. 1952, tue përjashtue provën gjenerale u përsërit 67 herë, spektatorë: 23.700, mesatarja e spektatorëve: 350, elektricist: Sabah Prizreni, rrobaqepës: Xhelal Bala, mobilier-marangoz: Lec Prendi - Prel Deda, sufler: Teufik Gjyli, për 12 shfaqjet e para, biletat u shitën me autorizime.

3. Leci zakonisht rreth orës 9 apo 9 e 10' hynte në studio, e cila i falte magjinë e çdo dite, që vetëm artisti Lec Shllaku e dinte. Më pas mbështillej në vorbullën e kujtimeve e të artit teatror, shtegtonte si një pegaso nëpër hapësira poetike. Si nëpër mjegullnajë i shfaqeshin skena dramash e komedish, takonte personazhe…( ca i kujtonte, ca i njihte dhe i përshëndete, ca nuk i kujtonte, pastaj kujtonte një mizanskenë dhe të folurën e regjisorit, komunikimin me to, diku mbyllet perdja, diku hapet perdja dhe më pas duartrokitje…, diku rri pas kuintave gjithë emocion, diku rri i vetëm në sallë, diku në tavolinën e punës, diku i qetë, diku i menduar, diku i nervozuar, diku… diku… ai, artisti i pagjumë për teatrin. Gjithë sesi, ngado të ecë, bota e teatrit i fal magji dhe emocione. Më këto pasuri në shpirt, nis e shkruan, e shkruan pambarim… Humbet në kozmosin e tij… E një ditë është si çdo ditë. E ditët ngjajnë si pika uji, deri në një ditë, si kjo e 4 gushtit 2007, kur, në mënyrë të papritur vdekja e merr në gjirin e saj kur nuk duhej të merrte, në moshën 86 vjeçare. Se kishte dhe disa amanete për të kryer. Duhej të botonte romanin "Njerz mes nesh", të cilin e kishte bërë gati për botim. Duhej të botonte dorëshkrimin me pesë vëllime me titull "Jetë pezull", ku kishte të fiksuar momentet më të rëndësishme të jetës së vet. "E libra të tjerë, -siç thoshte Leci, - të vlertë presin radhën për t'u botuar..." Po të shikohen me vëmendje ata formojnë një "Iliadë", ku Lec Shllaku është pjesë historisë së këtij qytetit të Shkodrës e më gjerë.

Duke parë opusin e veprave të artistit Lec Shllaku, artist që në këtë tempull shfaqi e arkivoi talentin e tij, ku këtij tempulli i falin jetën e tij, doemos kërkohen studime dhe analiza më të thella që duhen bërë, që borxhi të mos bëhet i madh. Por një gjë është e vërtetë, ai burrë me emrin Lec Shllaku, në çdo orë të ditës po të shkoje ta takoje, e shikoje duke punuar, korrigjuar e përpunuar veprat e veta që prisnin radhën për t'u botuar... Punonte, korrigjonte, prapë punonte..., sepse kërkonte të respektonte artin e krijimit dhe lexuesit, kërkonte që universi i veprave të tij deri në minutën e fundit të ishte sa më i arrirë... E, kur ne në heshtje i uronim Mjeshtrit, shëndet e punë të mbarë, vdekja trokiti papritur...

Në këto momente dhembjeje mu kujtua libri i tij studimor "Maska shkodrane". E ndiej se ai, edhe sot e kësaj dite është "peng" i dashurisë për vendlindjen, duke shpalosur një element të identitetit të saj, siç është humori shkodran.

I kishte kthyer sytë nga tradita. Nga tradita i kthente shpesh sytë. Jo për të qenë i largët dhe i pakapshëm, apo i imagjinuar, përkundrazi për t'u bërë sa më bashkëkohor. Sepse është përsëri e sotmja shkodrane që krenohet me traditën e saj.

Vlerat që evidentohen në këtë libër janë një lavdi për kohën që jetuan të parët tanë, gjyshërit e katragjyshërit, por edhe një kujtesë mos harrimi për kohën tonë.

4. Në këtë shkrim homazhi dhe nderimi për Mjeshtrin Shllaku, nuk mund të lë pa përmendur të shoqe, Rozën, një grua trupshkurtër, që sytë e saj ishin kthyer në lotë.

Roza, siç e njoha unë: e urtë, natyrë punëtoreje, e pafjalë, ikonë.Sytë e saj hetonin çdo lëvizje të Lecit. Nuk i shpëtonte asgjë. Me lëvizjet e saj, shkathtësinë që sfidonte moshën, mundohej t'ia plotësonte të gjitha. Sytë e saj kishin kuptuar që tashmë Leci nuk është vetëm një bashkëshort, por puna e tij, kontributi i tij ishte kthyer në vlerë, muze, bibliotekë, thesar…Ndaj dhe ajo ishte kthyer në një dritë mirësie që ndiqte lëvizjet e bashkëshortit të saj, që pleqëria i kishte ardhur paksa herët për punët që kishte në dorë. Sepse mjeshtri Shllaku, tashmë, ishte pjesë e historisë së Shkodrës. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ishte mit dhe legjendë.Dhe kujtimet për Lec Shllakun nuk reshtin. Në një nga bisedat e fundit e pyeta: "Mjeshtër, çfarë i besoni natës? Ai mu përgjigj: "Deri kur vjen koha me shku me fjetë, unë merrem prapë me ato letrat e mia. I kam shokë shumë të dashun, miq e më duket se bisedoj me fëmijët e mi, rri me njerëzit e mi, o më mungojnë, o nuk i kam këtu, ose janë në odë tjetër e kanë punë tjetër… I thërras e vijnë të rrinë me mu. Kanë një të mirë, kur mërzitem me ta, i mbylli. Ato as protestojnë, as ankohen, as zemërohen me mu. Më thonë: vazhdo se e ke mirë! Vetëm mos na harro, se prapë e dinë se nesër vjen e nesërmja… (qesh)"

Po, Mjeshtër, vjen një e nesërme! Dhe unë e di, se ti je në studio duke korrigjuar veprën e re që ke në plan të botosh... E një ditë është si çdo ditë. E ditët ngjajnë si pika uji.

Gazeta Ndryshe