Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Denis Dyrnjaja: Vrisni o njerëz vrisni, se s’keni punë tjetër!

| E merkure, 22.07.2009, 06:21 PM |


Vrisni o njerëz vrisni, se s’keni punë tjetër!

Nga Denis Dyrnjaja

Një vajzë 17-vjeçare qëlloi dje të atin me thikë, duke e lënë të vdekur. “Skenografia” ishte shtëpia, vendi që ne shqiptarët kemi më shumë për zemër të luajmë dramat tona tragjike. Në kronikat e televizioneve dhe gazetave thuhej se e bija e qëlloi të atin, pasi në gjendje të dehur i kërcënoi nënën dhe anëtarët e tjerë të familjes. Shumëkush në të tilla raste rend të tregojë një histori, se si dikush e vrau dikë, pse e pa shtrembër, pse i gërvishti makinën, nuk i hapi rrugën, për të mos folur pastaj për çështjet më “madhore” të shqiptarëve, prona dhe nderi familjar, për të cilat kanë për borxh të bëjnë kërdi njerëzore. Po pse vrasim kaq lehtë ne?! Pse e kemi kaq të lehtë të ngulim thikën në mish?! Ndoshta sepse jemi ende mesjetarë. Po, po, jemi mesjetarë me rroba të firmuara, që herë shfaqemi me sfurk e herë me kallash, herë me thikë e herë me sëpatë. Jemi mesjetarë në familje, si në fshat e qytet. Unë s’dua ta besoj ketë që them, por s’të lënë faktet e ngjarjet. Shqipëria, shtëpia jonë e madhe, ku fati na e ka shkruar të jetojmë të gjithë së bashku, është e mbushur me ngjarje thriller, gati-gati horror. E di që janë me mijëra ata që mendojnë të kundërtën, por në fakt gënjejnë veten, sepse çdo ditë e çast, çdokush rrezikon të marrë rolin e viktimës a agresorit, një herë pa dashje e një herë me dashje, një herë rastësisht, një herë qëllimisht. Kështu do të jetë për shumë kohë, derisa në mëngjes babai nuk del për punë, (sepse nuk ka), por rreket qebaptoreve për një “teke a dopio”, derisa djali i papunë tenton t’i gjejë të ardhurat në lodra elektronike a duke rrufitur dorën në xhepin ose shtëpinë e tjetrit, derisa vajzës me pseudoarsim t’i ndrijnë sytë, vetëm kur sheh parukieren a dashnorin “e fortë”, që të këmbejë veten me ca lekë, rroba, por dhe ndonjë dajak. Do të jetë kështu, derisa policia do të bëjë “tifozin”, ndërsa shteti “statisticienin”, deri kur OJF të rrinë zyrave e kafeneve, ndërsa ne të tjerët në pritje të historisë “thriller” të radhës. Arenë e përgjakshme e ushqyer nga injoranca! Injorancë që është mveshur nga hipokrizia kolektive që prodhon vetëm mashtrim, urrejtje e duf, që në fund kthehen në shpagim, shpagim, por me një çmim, me çmimin e jetës. Në Shqipëri është lirë fare, vetëm për një teke a një fjalë goje!
Gazeta TemA