E marte, 23.04.2024, 09:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Pjetër Gjoka, Apoloni i skenës shqiptare

E hene, 03.09.2007, 08:22 PM


Nga Prelë Milani - Poet dhe publicist

Themelues i teatrit kombëtar dhe i filmit artistik shqiptar.

Themelues i Kombëtares së Futbollit, shkodrani i parë kuq e zi, që një ndërhyrje brutale e largoi përfundimisht nga futbolli.

Kampion absolut i atletikës në vitet tridhjetë, alpinist, notar dhe muzikant i bandës së qytetit.

-Mjekët pas një pneumonie të rëndë në vitet dyzet i patën thënë të mos luante kurrë në skenë! Kur të më varrosin do të doja duartrokitje, ashtu sikur pas përfundimit të një drame!

Pjetër Gjoka
Është folur e shkruar rreth jetës së Pjetër Gjokës, por megjithatë portreti i tij i jashtëzakonshëm përsëri mbetet i paplotësuar ashtu siç duhet, sepse ai nuk ishte thjeshtë vetëm një aktor e regjisor i mrekullueshëm, por edhe një kampion rekordmen absolut i atletikës sonë, energjik si futbollist dhe themelues i ekipit tonë kombëtar. Shkodrani i parë që veshi fanellën kuq e zi, ishte alpinist i pasionuar, notar i shkathët, virtuoz si instrumentist, dashnor shembullor i muzikës, i gatuar gjenetikisht në çdo ind si artist me talent të madh, prind, edukator, pedagog dhe njeri i shkëlqyer. Artisti ynë i famshëm kishte një pamje fisnike, buzë të dira nga të cilat gurgullonte një zë i ëmbël me një artikulacion për t'ia pasur zili vetë Apoloni. Pjetër Gjoka ka qënë mjeshtër i fjalës, së cilës i ka dhënë nga shpirti i vet kolorin dhe inkadeshencën më të shkëlqyer të interpretimit aktoresk. Një trup sportiv i përkryer prej atleti, sytë e kthjellët, balli i lartë, flokët e prerë hijshëm dhe të krehur përpjetë, stili elegant i të ecurit, fytyra e shndritshme gjithë plasticitet ku shëmbëllenin, buzëqeshja, serioziteti, dashuria, urrejtja, si mishërim i tipareve të njeriut artist përpara të cilit do të befasohej çdo demushë e Hollivudit. Gjokë Pjetri (babai i Pjetër Gjokës) ka lindur dhe është rritur në Malaxhi të Dushmanit në Dukagjin dhe për arsye hasmërie në vitin 1850 qe larguar familjarisht nga vendlindja në drejtim të Bullgarisë, prej andej u kthyen në Shestan, aty nuk qëndrojnë gjatë dhe vendosën në Ulqin. Në vitin 1938 Simokovski, Profesor i gjuhës shqipe dhe evropiane në Poloni ka qenë në Shqipëri për studimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1951 ka botuar një libër "Mbi të folurit, leksikun dhe toponimet e Dushmanit".

Porofesor Simokovski librin e pati botuar në frëngjisht, ky libër është botuar edhe në Kosovë. Autori shkruan se ka punuar intesivisht së bashku Gjokë Pjetrin nga tetë orë në ditë. Në qytetin e Ulqinit 95-vjet më parë, vitin e shpalljes së pavarësisë, nëna Dilë solli në jetë Pjetër Gjokën i cili u pagëzua në kishën e Shën Jozefit. Pjetrit në bisedë e sipër, shkruan: Leon Qafzezi, i pëlqente të thoshte kur fliste për fëmijërinë: "Unë e prita shpalljen e pavarësisë në pelena. Dhe nuk mund të di, nëse qaja apo qeshja ato ditë. Por tani më duket se patjetër do të kem qeshur më shumë se sa qarë…"

Gjokë Pjetri ky i shtegtar i mundimshëm, për të ushqyer Pjetrin e vogël dhe prestarët e familjes së tij, ushtroi tre profesione të mundimshme, qymyrxhi, mjeshtër furrash dhe i hapjes së puseve. Shkrimtari Leon Qafzezi na sjell në kujtesë ece jakën e largimit nga Ulqini në Shkodër të familjes Gjoka: "Vjeshtë e vitit 1916. Mbi rrugën që të sjell nga Ulqini në Shkodër ca re të zeza stuhie zbresin përherë e më poshtë. Horizonti i errët mbyllte shikimin. Vetëm ndonjë vezullim i dobët i Bunës shquhej përmes errësirës. Nëpër këtë muzg të zymtë ecte Gjokë Pjetri vetë i katërti, duke lënë pas vetës gjurmë balte. Ishin larguar nga fshati i lindjes (Dushmani i Dukagjinit për shkak të gjakmarrjes). Tek po bëheshin gati të kalonin Bunën me një trap të gjetur rastësisht nga disa ciganë ia nisi një shi i rëndë si plumb". Artisti ynë i shquar atë udhëtim mbresëlënës do ta kuptonte gjithmonë me shumë dhimbje: "Edhe sot sikur i ndiej ato currila të ftohtë që si gishtërinj të ngrirë më kalonin nëpër fytyrë, duke dashur të mbytin të qarën time për bukë…"(Leon Qafzezi Skena dhe ekrani Nr 1/ 1982, fq 20). Pjetër Gjoka është rritur me mundime si bir i një familje me mundësi ekonomike të kufizuara, pa një tjegull mbi krye gjithnjë në lëvizje për të gjetur një strehë të vetën, pasi ardhja në Shkodër nuk ia përmirësoi gjendjen ekonomike. "Prindërit s' kishin mundësi të më jepnin shkollë, mbasi me zor më ngopnin me bukë. Por ata më dhanë ato cilësi e virtyte për të cilat sot u jam shumë mirënjohës, veçanërisht nënës, të cilën kur e shikoja ashtu të ngarkuar(me dru nga Toroboshi në Shkodër nënvizimi im P.M) më dhimbsej e ndonëse tepër i vogël, një lëmsh i madh më mblidhej në fyt dhe pyesja vetën në e do të mundja t'ia shpërbleja dikur atë mund e ato vuajtje, thoshte në kujtimet e tija Pjetër Gjoka. (Skena dhe ekrani Nr 2/1982, fq 21). Falë dashamirësisë së etërve françeskan regjistrohet në kolegj, bashkoheshit e kujtonin Pjetrin si djalë të shkathët, shumë lozonjar i guximshëm dhe inteligjent. Ka qënë nxënës i Fishtës, nga i cili madje, pati ngrënë një shputë të fortë pasi qe larguar pa dijeninë e mësuesve dhe të prindërve duke kryer zhytje aventureske në puset e rrezikshëm të Kirit.

Që në vitet e shkollës shfaqi prirje në fushën e artit, ka qenë vazhdimisht inspirues i veprimtarive teatrale e muzikore. Është aktivizuar qysh i njomë në korin e kishës, aty ka pasur solist Mikel Koliqin. Notat e para muzikore i mësoi nga Prengë Jakova, ka qenë për 12 vjet pjesëtar i bandës së qytetit duke luajtur në disa instrumente të ndryshme. Si këngëtarë ka interpretuar në mënyrë virtuoze jaret shkodrane, madje kur e dëgjoi këngëtarja e famshme Tefta Tashko Koço e kërkoi në takim dhe duke e përgëzuar për zërin e mrekullueshëm i tha: "Djalosh jeni shumë i talentuar! Do të ndërhyj unë tek qeveria shqiptare dhe italiane për të siguruar një të drejtë studimi për në Itali". Të faleminderit zonjushe! Të jam shumë mirënjohës, por prindërit e mi presin me padurim të mbaroj shkollën që t'i mbaj me bukë. Pjetri qysh fare i ri nisi të shesë gazeta nëpër rrugë, apo të punonte si shegert në fabrikën e sapunit, pasi përfundoi shkollën e mesme 1939 punon në Mifol të Vlorës si nëpunës i Gjendjes civile, në viti 1941 në Shëngjin dhe me 1942 po në të njëjtën detyrë transferohet në Orosh, por ndërkohë mendja për herë e më fort i shkonte tek, teatri, muzika dhe sporti për të cilat kishte filluar të ushqente një pasion të fshehtë e të fortë. Në dimrin e vitit 1942 gjatë një udhëtimi më karrocë në shi e murrlan nga Mirdita në Shkodër ftohet rëndë duke fituar një pneumoni. Pas 6 muajsh kurim doktor Papavrami (gjyshi i Tedi Papavramit) e shëroi dhe e këshilloi të mos luajë kurrë më në skenë. Këshillë që nuk që nuk ia vuri veshin fare asnjëherë por që nuk kaloi pa pasoja

Si sportist ka ushtruar futbollin, atletikën, notin dhe alpinizmin. Në vitin 1929 luan dy ndeshjet e tij të para me Vllazninë, ndërsa në vitin 1930 zë vend në formacioni bazë si beg (mbrojtës) i djathtë me numrin 4. Për fanellën kuq e blu të Vllaznisë kontribuon në mënyrë dinjitoze në kampionatet e viteve 1931 e 1932. Pjetër Gjoka si futbollist është shkodrani i parë që ka veshur fanellën e ekipit kombëtarë. "Në vitin 1932 formohet skuadra kombëtare në të cilën morën pjesë dy mbrojtës të skuadrës "Vllaznia": Unë dhe Gjelosh Gjoka" -shprehet Pjetër Gjoka në bisedë me Pali Xharon për revistën Skena dhe Ekrani mars 1978. Në vitin 1933 fillon përsëri kampionati kombëtar i futbollit, por në një ndeshje me Podgoricën një mbrojtës kundërshtar i nxitur nga vetë trajneri malazez e goditi me ligësi brutalisht me shqelm në këmbën e djathtë, goditje që u bë shkas ta shkëpuste përgjithmonë nga fusha blertë. Në vitet tridhjetë në Lojërat Olimpike Ballkanike të drejtuara nga një instruktor italian dhe trajneri Luigj Shala, mori pjesë në garat e kërcimit 1 hapësh, 3 hapësh dhe stafetën e madhe 100, 200, 400, e 800 metra... Në këto gara vendosi një rekord në kërcimin së gjati i cili qe i paprekur për 34 vjet deri me 1964 . Rolin e parë ë skenë e fillon vetëm për hatër të shokëve, të cilët ju lutën të luante një rol, për të cilin ende nuk kishin gjetur aktorin. Provat i filluan në fundin e vitit 1930, ndërsa shfaqja u dha në fillim të viti 1931. Pjesa ishte një përrallë popullore e inskenuar në një komedi me një akt, Pjetër Gjoka luajti rolin e një të vdekuri rol të cilin e kujtonte duke thënë: "Nuk më harrohen emocionet që ndjeja kur mendoja se do të dal përpara publikut. E mbajta aq gjatë frymën për t'u dukur "i vdekur" i vërtetë, sa ndodhte të thosha me vete: Më mirë të vdes vërtetë, se sa të vazhdoj këtë punë që qenka e tmerrshme! (Skena dhe Ekrani Nr 2 1982, fq 21). Pjesa u prit mirë dhe salla u mbush plot me shikues. Ishte pikërisht ajo shfaqje e vogël me atë rol edhe më të vogël, që do të ndryshonte përfundimisht drejtimin e jetës Pjetër Gjokës i cili filloi të ndiejë se në skenë mundë të japë me tepër, se në skenë dashuria e shikuesit ishte me e ngrohtë, më e qëndrueshme, pas kësaj shfaqje do ta ndante përfundimisht mendjen, do të lidhej përfundimisht me skenën, angazhimi i tij filloi të rritej si pjesëtar aktiv i shoqërive kulture "Rozafa", "Antonjane", "Vllaznia"në të cilat nuk kishte vit që të mos luante 2-3 role kryesore. Me rastin e njëvjetorit të çlirimit me shoqërinë e vet artistike vënë së skenë melodramën "Juda Makabre" të Gjergj Fishtës. Prekë Jakova në atë kohë ishte i izoluar në shtëpi si tregtar, shokët e shoqërisë ndërhynë për lirimin e tij dhe nga ky shkak ai lihet i lirë. Preka kompozonte natën, jepte mësim ditën dhe me regji të Zef Zorbës u arrit brenda një kohe rekord të përgatitet shfaqja, premiera e së cilës u dha tek një sallë afër ish-shkollës 11 janari me 27 nëntor 1945. Rolin kryesorë e luajti Pjetër Gjoka, shfaqja u ndoq nga qindra e qindra spektatorë, madje për kurjozitet është dhënë tre herë rresht brenda një nate, por meqenëse nuk ishte sipas frymës së kohës u anulua ndonëse ishte programuar të jepej në disa qytete të tjera. Më 1 shtator të vitit 1946 vjen në Teatrin Popullor në Tiranë, ndërsa familjarisht në Tiranë, është vendosur në vitin 1949, kurse për koincidencë tre fëmijët i kanë lindur në Shkodër, ndonëse me banim ishte në Tiranë.

Deri ditën që do të debutonte si themelues i Teatrit Popullor, Pjetër Gjoka kishte interpretuar mbi 27 role, më se dy të tretat e të cilave kryerole e role të para. Le të veçojmë vetëm disa prej tyre:Gjergj Dushmani tek pjesa "Dy princa për një vejushë", Dedën në dramën "Dedë Gjon Luli", plakun Llesh në "Kthimin e Skënderbeut në Krujë" "Për liri të Shqipërisë", që u luajt me 28 nëntor 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Pjetër Gjoka nga viti 1946 deri sa ndërroi jetë vazhdoi të jetojë në teatër dhe për teatrin. Ai pati fatin e madh të luajë kryevepra të dramaturgjisë botërore të autorëve Shkekspir, Gogol, Ibsen, Shiler, Breht, Gorki si dhe vepra të dramaturgjisë sonë "Halili e Hajria", "Besa e madhe", "Shtatë shaljanët", "Epoka para gjyqit", "Shënomëni edhe mua" etj. Qoftë si aktor, qoftë si regjisor ka luajtur mbi 90 role në teatrin profesionist dhe realizuar një galeri të tërë personazhesh fort të realizuar; Gjeto Plakun në dramën "Halili e Hajria", Tav Zeneli tek "Haxh Qamili", Palush Dibrën tek "Trimi i mirë me shokë shumë", prifti tek "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Nikë Kacurajn tek "Cuca e maleve", Klaudin tek "Hamleti", Lirin tek "Mbreti Ilir", Levishin tek "Armiqtë", Molerin tek "Intrigë e dashuri", Shtokman te "Armiku i popullit", Budinov tek "Bujtina e të varfërve"Hartinov, tek "Për ata që janë në det", Lukajov tek "Revizori", Graciani tek "Otello", Doranti tek "Borgjezi fisnik"si dhe dy nga kryerolet e tij inxhinier Zabolini tek "Orët e Kremlinit" dhe Dongsburunë tek "Arturo Ui". Pjetër Gjoka një pjesë të talentit ja kushtoi edhe regjizurës si pedagog i mjeshtërisë së aktorit duke vënë në skenë"Familjen e Peshkatarit (1956), "E vërteta e Spanjës (1961), "Toka jonë"(1974),"Pyesni malet 1982. Pjetër Gjoka është bashkudhëtarë i filmit shqiptarë që nga ditëlindja e "Tanës" deri tek "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe i "Treti". Në kinematografi Pjetër Gjoka ka arritur të realizojë figura të bukura artistike si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, i një pune të pandërprerë e këmbëngulëse, plot pasion e vetëmohim artistik. Shtypi i kohës për rolin e parë të Pjetër Gjokës në filmin tonë të parë, shkruante: "Gjyshi i Tanës interpretuar nga aktori i mirënjohur Pjetër Gjoka, është një plak simpatik, që me gjithë moshën e kaluar mendon për të ardhmen". Pjetri vetë tregonte për këtë rol: "Në fillim mu desh të njihem së afërmi me pleqtë e krahinave të jugut, u afrova me ta, bisedova, pinim nga një kafe e diku edhe ndonjë gotë raki. Vura re se ndryshimi midis malësorëve tanë të veriut dhe i atyre të jugut nuk ishte aspak i madh, madje as që binte në sy kur i njihje mirë. Populli ynë si në veri ashtu në jug është patriot, i ndershëm, bujar e i sinqertë. Këto cilësi janë tonat, shqiptare dhe kushdo nga ne i ka në gjak. Prandaj pasi e kalova ndrojtjen se a do të mund të interpretoja një plak të jugut, unë banorë i Dukagjinit e i Shkodrës iu futa punës me besim e dashuri". Qeverim Çeli në kujtimet "Kur xhirohej filmi i parë shqiptarë shkruante:Dihej se grupit të këtij filmi i mungonte përvoja, ashtu edhe baza materiale, rekuizita, etj, por kishim dy aparate besimin dhe entuziazmin rinor. Gjendja ishte e nderë. Në sytë e të gjithëve shihej shqetësimi, pasi po çelej një kapitull i në historisë së filmit artistik shqiptar dhe të gjithë ishim të ndërgjegjshëm për këtë ngjarje të madhe...Nëpër këmbët tona silleshin fëmijët dhe fshatarët, të cilët pengoni operatorin e ri Sokrat Musha. Rrëzë një mani të madh rrinin aktorët që dukeshin të nervozuar. Aktori talentuar Naim Frashri, ishte hequr mënjanë dhe përsëriste fjalët dhe lëvizjet. E heshtur dhe pak si e venitur në fytyrë aktorja Tinka Kurti, përpiqej të mos e shfaqte merakun e vet a do të ishte në gjendje të interpretonte rolin e Tanës, larg të gjithëve Aktoret Violeta Manushi e Esma Agolli diç bisedonin dhe qeshnin. Po nuk i linte rehat me humorin e tij Kadri Roshi. Vetëm aktori i shquar Pjetër Gjoka nuk duket në fushën e xhirimit, ku s'ka punë. Ai shpesh shkon në fasht për t'u njohur me pleqtë e urtë, bisedon shtruar me ta, vë re edhe lëvizjet më të vogla të tyre, përpiqet të hy në psikologjinë dhe botën e brendshme të tyre. Tiparet, karakteret e mishëruar nga Artisti i Popullit Pjetër Gjoka janë personazhe të plotë në proces zhvillimi e botë të pasur shpirtërore. Qofshin pozitiv apo negativ ata përshkruhen nga një synim i qartë, nga një zhvillim i brendshëm psikik duke arritur saktësisht në idenë që mbartin. Të tillë janë figurat e Palush Dibrës, Milerit, "Mbretit Lir", Klaudit, Dosngborusë, Pilos etj. "Ai punonte me kujdes të madh, me detaje, duke kërkuar çdo çast veprimin logjik, formën sa më domethënëse të shprehurit të veprimit të brendshëm"- thotë në kujtimet e saja për Pjetër Gjokën, ish nxënësja dhe partnerja aktorja e shquar Drita Pelingu. ("Partner, shok dhe pedagog ". D.Pelingu."Skena dhe ekrani" Nr 2 1982, fq 22). Pjetër Gjoka thoshte: "Aktori duhet të jetë çdo çast i ndërgjegjshëm ndaj procesit të përshtatjes së individualitetit të tij me atë të personazhit. Për të qenë sa më i natyrshëm e organik, do të veprosh fillimisht me ato veti e dhunti që ke si njeri e si aktor. Kjo është lënda e parë nga ku merr gjallërimin personazhi, që duhet të interpretosh i cili nuk është si "ti" dhe nuk mund të bëhet si ti. Do të bëhesh ti si ai! Do të shkosh pra ti tek ai e s'do të vijë personazhi tek ti ,se kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë asnjëherë.. Me qindra aktorë janë ngjitur në skenë, por jo të gjithë mundën të arrijnë për të mbetur të përjetësuar në të. Skena mban ata aktor, që punojnë me përkushtim të vërtetë artisti për të. Në qoftë ëse aktori do që të ecë e të rritet si artist, është e domosdoshme që ai të dijë të dëgjojë, dua të them të mësojë nga të tjerët, që të jetë i thjeshtë dhe kurrë të mos kënaqet me vetën. Artisti hyn në skenë , ajo është në të vërtetë një piedestal. Shikuesi pret nga loja e jote të thithë fisnikërinë e mendjes e të shpirtit. Dhe në se aktori nuk e ndjen këtë përgjegjësi, më mirë të mos ngjitet në skenë nënvizonte me stoicizëm artisti ynë i shquar. (Skena Piedestal bashkëbisedim me Artistin e Popullit Pjetër Gjoka. P.Xharo"Skena dhe Ekrami Nr 3. 1878, fq 40). Pjetër Gjoka, biri i një malësori të thjeshtë arriti majat më të larta të artit dhe sportit, me punë e talent pa e përkëdhelur njeri, i hapi udhë vetës, duke kapërcyer stërkëmbëthat dhe xhelozitë e smirëzinjve të kohës. Përveç artistëve njerëzit e thjeshtë kanë qenë miqtë e tij më të mirë, mekaniku, shoferi punëtori, bariu, shkollari, malësori, labi, myzeqari fëmijët, plaku. "Nga kjo kategori,- thoshte, mësoj dhe realizoj karakteret e personazheve të mijë.

Pjetër Gjoka, kishte dashuri respekt e dhimbje të madhe për vëllezërit kosovarë të ndarë tragjikisht nga trungu i dheut nënë, kuse Azem Shkreli e Mark Krasniqi kanë qënë miqët e tij më të shtrenjtë. Motoja e jetës së Pjetër Gjokës ishte: "Puno jo 10 minuta, por 4-5 orë në ditë, pasi vetëm kështu do të bëhesh artist i mirë.(Sipas kujtimeve të artistes D. Pelingut) Ai u bë artist i madh se asnjëherë nuk u vetëkënaq, as një herë nuk u debelos, vetëm me punë, vetëm me forcën e rrallë të vullnetit dhe dashurinë e madhe për artin. Pjeter Gjoka përbën një rast ndoshta unikal, duke luajtur gjysmë i verbër rolin e Pilos te drama e "Hamza Minarollit"e tek filmi "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe plotësisht i verbër rolin e Vasilit te filmi televiziv "I treti". Në prill 1982 vdekja i shpalli luftë pa kushte Pjetër Gjokës. I qetë, i pa frikësuar dhe i vetëdijshëm, ai i bëri ballë deri në fund mortjes vrase. Regjisori Bashkim Kozeli i shkon në shtëpi dhe për t'i dhënë kurajë, thotë: "Pjetër dramën e përfunduam("Malet Pyesin" Pjetri ishte regjizor dh luante rolin kryesor por u sëmur po pritur), premiera doli me sukses. Ti së shpejti do bëhesh më mirë dhe do të vazhdojmë shfaqjen së bashku me ju!" Pjetri iu drejtua Bashkimit me qortim: "Kur shkruan një fjali në fund ka një pikë. Jetës sime tani i erdhi rradha për t'i vënë pikën në fund." Bashkimi u detyrua të mos vazhdonte moralizimin më tej. Me 2 maj 1982 Pjetër Gjoka i vuri pikë jetës së vet. Ai jetën me të gjithë komponentët e saj e konceptonte si një subjekt të komplikuar të një drame interesante, jeta e tij ishte një e pandarë me teatrin. Fundin e jetës së vet e përfytyronte si fundin e një shfaqje. "Në fund të çdo shfaqje ai gjithmonë ishte duartrokitur nga spektatori, duartrokitje jo lot dëshironte edhe në momentin e varrimit për të sfiduar vdekjen. Natyrisht në ato çaste dhimbje, as mua, as ndonjë kolegu të tij, nuk iu kujtua për momentin kjo dëshirë e veçantë e babait"- thotë djali i tij Gjovalin (nuk ishte amanet por dëshirë e shprehur mes miqsh, nënvizimi im P.M). Pjetër Gjoka, si përçues i fjalës artistike në skenë dhe ekran, si vreshtar i palodhur i kultivimit të talenteve të reja, si shok dhe mik i dashur për familjen e madhe të teatrit, ishte njeriu që ia ngriti monumentin vetës si themelues i Tetarit tonë profesionist Kombëtar, ai ishte dhe mbetet në radhën e artistëve më të shquar, një nga kolonat më kapistol të mermertë të këtij tempulli shumë të shtrenjtë të gjithë shqiptarve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora