Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Voka: Viktimat e Kopil Kauçukut

| E merkure, 22.07.2009, 06:24 PM |


Polemikë  
VIKTIMAT E KOPIL KAUÇUKUT

Nga Albert Voka

Shqiptarët e Rumanisë përgjatë periudhës së Mbretërisë ishin proamerikanë dhe antikomunistë të përbetuar. Si qëndron puna sot? E përditshmja Tricolorul, (Bukuresht, nr. 1610/2009), nxjerr në pah një të vërtetë të mbajtur në dry të rëndë rreth 20 vjet, se gruaja e Ion Ilieskut qenka motra e ishministrit të kulturës, Rëzvan Teodoresku, dmth. me prejardhje të huaj. Gjërat lidhen njëra me tjetrën dhe nxjerrin në shesh një shejtanllëk ballkanik. Derisa miku i Rëzvanit, koloneli i sigurimit komunist, Kopil Kauçuku, çirrej holeve të hoteleve bukureshtare kundër prezencës amerikane nël Kosovë (2001), Ion Iliesku në kohën e tij ia shtroi qylimin e kuq Millosheviqit në Bukuresht (1992), ndërsa Rëzvan Teodoresku krijoi “frontin” “demokratike” të nja 40 intelektualëve “rumunë” kundër bombardimeve të NATO-s (1999). Ja se ç’bëjnë viktimat dhe xhelatët! Viktima vjen të promovojë veprën e tij në Bukuresht (romanin Funerali i pafundmë), një kushtrim letrar kundër krimeve të komunizmit, ndërsa xhelati që e ka futur në burg viktimën, çohet si një kal ballkanik në Sallën e Pasqyrave të Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë, për ta lavdëruar viktimën duke e kritikuar sistemin të cilit i ka shërbyer me besnikëri prej qeni. Për kend është fjala?

Pas shpërthimit të revolucionit antikomunist, rumunë të implikuar në spiunime e krime e braktisin Rumaninë, dhe shqiptarë të implikuar në të njëjtën kategori të kanibalizmit ballkanik, e braktisin Shqipërinë. Njëri nga këta xhelatë vjen në Bukuresht për të bashkëvepruar me ishkomunistët rumunë në disfavor të Kosovës shqiptare dhe komunitetit shqiptar të Rumanisë. Kush është ky? E përmendëm më lart, dhe nuk ka nevojë ta përmendim më tej ngase sa më shumë që e përmend emrin e djallit të Vefës së Ali Muçës, aq më shumë mbushesh me mëkate. De facto, fjalën e kishim për kanibalin komunist Kopil Kauçuku, bashkëveprimtar i ngushtë i poetit komunist Adrian Paunesku që derdhte lotë krokodili për Kasapin e Ballkanit, duke deklaruar publikisht se do shkojë në Hagë për t’u bërë avokati i tij, duke u deklaruar kundër Pavarësisë së Kosovës në Parlamentin rumun. Kapaku shqiptar që e ka gjetur tenxheren rumune, duke i mashtruar madje edhe krerët e masonerisë gjoja se paska qenë i ndjekur, gjoja se qenka antimysliman i përbetuar, duke i mashtruar madje edhe do kosovarë të talentuar, si Ali Podrimjen e tjerë, për t’i përkthyer në gjuhën rumune, për të krijuar lidhje (monetare) sipas asaj që i konvenon, për të promovuar kultin e personalietit, për të mbajtur në dryrin elektronik librat e botuar me vlera të dyshimta shkencore dhe letrare.

Rudolf Marku kopilat e këtillë i konsideronte si “emisarët e fundit kalorsiakë të Shqipërisë në botë”. E kemi goditur disa herë në shtypin shqiptar, por duke parë se ende nuk është mbushur me mend, vendosëm t’ia hedhim një shuplakë satirike edhe kësaj rradhe, pa kurrfarë frike nga kërcënimet e kopilit për hedhje në gjyq, siç ka spiunuar qindra dhe siç ka hedhur dhjetra shqiptarë në gjyq, në Shqipëri. Kopili komunist është i pangopur me viktima, fakt të cilin e konfirmon edhe një mik yni nga Amerika: “Sapo e hapa dhe sapo e lexova shkrimin për viktimat e komunizmit. E kishe bërë për mrekulli. Për fat të keq ne pak kemi mësuar nga e kaluara. Madje, madje, ka përpjekje që ajo e kaluar e errët të restaurohet. Ata që janë mësuar të pinë gjak populli, nuk mund të jetojnë pa viktima.” (Hajro Hajra). Si i bien brekët kopilit të Bukureshtit që e ka braktisur Shqipërinë për t’u strehuar në Rumani? Ja se si: Duke shfletuar revistën Flacara te poetit komunist Adrian Paunescu, antikosovar i përbetuar dhe mik i ngushtë i Kopil Kauçukut, konstatojmë se në numrin 4 (376), 17/23 janar 2009, tovarish Ko. Kyç.i bururilet me brirë prej viçi.

Në kuadrin e intervistës me titull “Zinxhiri i anktheve”, nga frika për të mos u ballafaquar me ligjin, ishspiuni i sigurimit shqiptar që ia ka shitur shpirtin djallit antishqiptar, në vend të emrit e mbiemrit, për viktimat përdor shkurtesa si Ge. Ma, Ghe. Mi, Ma. Do, etj., duke lehur  kundër dr. Xhelku Maksutit, kryeveteran i komunitetit të këtushëm shqiptar që e ringjalli shoqërinë “Drita” të Naços, duke e themeluar Bashkësinë Kulturore të Rumanisë (1990), me qindra manifestime kulturore, me mijëra ekzemplarë të botuar dhe të shpërndarë falas të serisë së re të revistës Shqiptari, me dhjetra vepra të botuara të bashkatdhetarëve tanë në Bukuresht e gjetiu, duke dhënë madje kontribut edhe për stabilizimin e Ko. Kyç.it në Bukuresht, i cili, mënjanë e konsideron profesor Maksutin si “mik i madh dhe mirëbërës” (mare prieten si binefacator, 19/08/1993), ndërsa në anën tjetër, pasi ia han bukën dhe ia kthen kupën, gënjen gjoja se profesor Xhelku Maksuti nuk dika shqip, dhe ç’është më e zeza, për të krijuar alergji ndaj tij, bie në kthetrat e ksenofobisë konfesionale me konotacione pansllaviste, duke mashtruar opinionin rumun gjoja se profesori në fjalë qenka “shqiptar mysliman, babai i të cilit kishte emër tipik islamik”.

Fjala e Kopil Kauçukut është një copë letre për ta hedhur në kosh. Ku ka fjalë koloneli komunist që ndot rrugët dhe sallat e Universitetit të Bukureshtit! Sami Frashëri e kishte një porosi të madhe për çiftin e kopilave të këtillë: “Ai shqiptar që le vëllezërit e tij e ndahetë nga shqipëtarëtë për t’u bashkuar me armiqt e Shqipërisë, duke u kapur prej fesë, ai është tradhëtar, është armik i kombit e i mëmëdheut”. (“Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, Bukuresht, 1999). Sa për imoralitetin, shpifjet, gënjeshtrat dhe kërcënimet tjera që i hedh në adresë të sekretarit të ambasadës shqiptare në Bukuresht (Dr. Luan Topçiut), ishambasadorit të Rumansisë në Shqipëri (Gheorghe Micu), përkthyesit të Kadaresë në gjuhën rumune (Marius Dobrescu), kryeredaktorit të revistës Shqiptari (Baki Ymeri), po e lëmë për një herë tjetër.

P. S.

Kush nuk beson, le të hyjë në internet për ta parë se si shpif shqiptari kundër shqiptarit në një gjuhë të huaj: http://www.flacaraluiadrianpaunescu.ro/articole.php?id=246