Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Vuniqi: Koncesioni i pasurisë natyrore të Kosovës

| E merkure, 22.07.2009, 07:40 PM |


Koncesioni i pasurisë natyrore të Kosovës

Nga Agim Vuniqi

- A duhet të jetë objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhënia me koncesion e pasurisë natyrore të Kosovës? -

Kosova e ngarkuar me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, por me status të sqaruar politik-republikë, e pranuar ndërkombëtarisht nga 62 shtete, me Kushtetutë të aprovuar nga Parlamenti shumëpartiak, sovran praktik i së cilës akoma nuk dihet kush është! Në emër të qytetarëve "degradohen" kompanitë, u thonë publike, nuk e di pse jo shtetërore, edhe pse me to qeverisë qeveria me miqtë, thënë ndryshe përpara UNMIK-u tash EULEX-i (ata këshillojnë), jo kështu nuk është në Kushtetutë, e kush lidhi marrëveshje me Serbinë për kufirin Mitrovicë e Veriut - Serbi?

Është pra e pakuptimtë intenca e "dijetarëve" ministrorë që përpiqen dhunshëm t'ua mbushin mendjen qytetarëve se atyre u duhen termocentralet me kapacitet 2100 MW, me çfarë të drejte bëjnë atë? Së pari hartimi i strategjisë zhvillimore afatgjate për të cilën është angazhuar qeveria, duhet të ishte pjesë e angazhimeve të institucioneve kompetente profesionale, u bë edhe përzgjedhja e agjencisë profesionale të pavarur (kredibile) - komitetit drejtues të projektit "Kosova C" jo "Kosova e re", se sa është i pavarur politikisht komiteti drejtues as që bëhet fjalë, por pse u emërtua ndryshe projekti "Kosova C"-"Kosova e Re" lë vend për të dyshuar.

Realisht projekti "Kosova C" ishte projeksion i mëhershëm zhvillimor, kur ekzistonte si kompani KXEMK Kosova, pra Kosova ishte pjesë e projektit të përbashkët elektro-energjetik për nevojat e ish-Jugosllavisë, atëherë ishte drejtor Vesaf Berisha, i cili angazhohej vazhdimisht për pavarësinë afariste dhe zhvillimore të Kombinatit Xehtaro Energjetik Kosova, por që do të ndodhë kaq shpejt që "demokratët e sertë" të marrin vendime arbitrare në kohën kur kanë kaluar aq shumë vjet nga sistemi monist në atë të demokracisë parlamentare po merr trajtën e ëndrrës "Liza në botën e çudirave".

Ndërtimi i Termocentralit Kosova C, i bazuar në rezervat e thëngjillit për djegie (pse jo për industrinë ushqimore) të mihjes sipërfaqësore të Sibofcit (nuk është specifikuar saktësisht sasia 1 miliardë tonë, 2, apo më tepër, duhet të dihet saktësisht çka jipet në koncesion-shfrytëzim) thuhej se është megalomani, ishte ky projekt i paraparë viteve të 70-ta. Nuk ka zhvillim të ekonomisë se Kosovës dhe punësim impulsiv përmes ndërtimit të Termocentraleve Kosova C, por përmes zhvillimit të bizneseve të imta. Dhe fundja për shfrytëzimin e resurseve natyrore duhet të dëgjohet fjala e qytetarit. Po ajo (energjia) do të ishte çështja, dhe pasuria e të gjithë popullit, në qoftë se forcat politike në vend të ngjyrës së "hirit" do të mendonin për ngjyrën e gjelbër. Madje do të ishte më mirë sikur të mendonin se si mund të nxitonin të vinin në lëvizje vendime të shumta qeveritare-parlamentare për të stimuluar prodhimin e etanolit, dhe bio-dizel-it si lëndë djegëse, të cilat në botë e në rajon gjithmonë e më shumë po zëvendësojnë produktet e naftës.

Duke vepruar kështu me siguri do të kontribuonin në pakësimin e halleve për agrarët (bujqit), dhe do t’i shërbenin më shumë mbrojtjes së ambientit. Shoferët dhe pronarët e makinave do të ankoheshin më pak për çmimet e larta të naftës. Papunësia do të ishte në numra më të ulët. E në fund fare "komisarët politikë" të koalicionit qeverisës do t’u tregonin zotërinjve evropianë se të paktën në këtë çështje kanë bërë diçka me "konsensus". (Bashkimi Evropian i rriti standardet e kërkuara për bio-dizel-in nga 2% në 2005 në 5.75% në 2010) në SHBA janë më shumë se 140 rafineri të etanolit që punojnë me kapacitet të plotë. 42 rafineri të tjera janë në fazën ndërtim-përfundimit. Ritmi i rritjes me 100% në vit e bën bio-diezel-in një nga industritë me një zhvillim të ngjashëm me atë të "High-Tek-ut" të dekadës së fundit të shekullit të XX-të. E gjithë kjo industri kontribuon jo pak në ekonominë vendase, dhe njëkohësisht në rënien e çmimit të naftës.

E nxitur nga aprovimi i Paktit të Politikave të Energjisë (Gusht 2005), i cili do të stimulojë përdorimin e 12-14 milion ton bio-diezel në vit duke filluar nga viti 2012, industria e bio-diezel-it i dha ekonomisë Amerikane për vitin 2005, "1.9 miliardë dollarë të ardhura në taksa, dhe 153725 vende të reja pune." http://www.ethanolrfa.org . Nëse i njëjti komitet drejtues ka punuar në projektin Kosova C, çka e shtyri qeverinë pasuese të ndërroj emërtimin e projektit "Kosova C" në "Kosova e Re". Nuk është bë kjo pa qëllim, jo! apo vetëm për të justifikuar premtimet se me qeverinë e re shkon edhe emri i ri.

Problemi në dukje i thjeshtë është i lidhur juridikisht me "nofkën" e re. Kosova C është vazhdimësi e KXEMK Kosova, Elektroekonomia e Kosovës, tash së fundit e Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe mihjet sipërfaqësore dhe pasuritë e linjitit ishin dhe janë pjesë e pandarë organizative e KEK-ut. Vendimi politik i qeverisë Thaçi me ndërrimin e emërtimit provoi të tjetërsoi pasurinë e punëtorëve të KEK-ut, të qytetarëve përreth dhe krejt qytetarëve të Kosovës. Pra vet punëtorët, sindikata, dhe qytetarët duhet të avokojnë për të drejtat e tyre, çështja e mihjes sipërfaqësore të Sibofcit, dhe i tërë projekti i "Kosovës së Re" duhet të jetë lëndë shqyrtimi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por për të ardhur lënda aty, do të duhet të bëhet pjesë e angazhimeve të shoqërisë civile, sindikatës, grupit të ekspertëve, të partive politike..., për të formuar grupin për lobim që kjo çështje të shtrohet edhe në Parlamentin e Kosovës, por edhe në Gjykatën Kushtetuese për t'u dhënë mendimi meritor: A mundet Qeveria me tjetërsuar pronën e Kosovës pa referendum, dhe a mundet kjo të ndodhë kur ende nuk është votuar (adoptuar) ende Ligji për Shpronësim të pasurisë së paluajtshme...

Sigurisht që me mendimin meritor të Gjykatës Kushtetuese do të autorizohej qeveria-ministritë të zbatojnë vendimin, pra qeveria kujdeset për zbatimin e ligjshmërisë dhe bënë inspektimin e përgjithshëm, në harmoni me ligjet vendore pjesë e korpusit të ligjeve evropiane? Një proces i ngjashëm ka ndodhur edhe në SHBA kur administrata e Bushit përpiqej të bëjë privatizimin e limave në SHBA, dhe këtë të drejtë, të drejtën e menaxhimit të mallrave në hyrje dhe dukje përpiqej t'ia jap Emirateve të Bashkuara. Pas polemikave të shumta dhe kërkesave që kjo çështje të jetë objekt shqyrtimi i kongresit amerikan (Dhoma e përfaqësuesve+Senati), por edhe të mediave dhe opinionit si pjesë e sentimentit kontrollues të sistemit, u plandosë propozimi.

Meqë BE ka kriter të ashpër të legjislaturës për mbrojtje të ambientit të cilat janë kompatibile me kriteret e fokusuara se mbrojtja e ambientit global është prioritet i një rëndësie të veçantë. Kjo është siguruar përmes rregullativës ligjore duke sforcuar zotimet e BE-së, për një zhvillim të pandryshuar, mbështetur në vendimin nr. 280/2004 EC i Parlamentit dhe këshillit Evropian të datës 11 shkurt 2004 lidhur me mekanizmin për monitorimin e emitimit të gazërave në "Community grenhouse" dhe për implementimin e "Kyoto protocol". Meqë Kosova si shoqëri pretendon të jetë pjese e projektit të përbashkët evropian, apo jo, nuk mund të akcepohet një vendim i ngutshëm, të bëhen harxhime të palejuara buxhetore dhe në fund të dështohet, Kosova nuk është as nënshkruese e këshillit të Evropës juglindore për energjetike. Kjo nuk e obligon investitorin e mundshëm, e obligon qeverinë se ajo ndërton kornizën ligjore që harmonizohet me ligjet evropiane, por në anën tjetër duhet të kujdeset për kursimin e resurseve natyrore për gjeneratat e ardhshme.

Sa u është qartësuar qytetarëve ndërrimet globale të klimës dhe zvogëlimi i CO2 për vitet e ardhshme, deri në vitin 2020, sa është kohëzgjatja e shfrytëzimit të termocentraleve që shfrytëzojnë thëngjillin e pastër si lëndë djegëse sipas normave evropiane, ngase me kaq pak njoftime për popullatën është më tepër eksperiment qeveritar që do të thotë vdekje e ngadalshme e popullatës kosovare me një dendësi enorme të popullimit, është papërgjegjësi e pafalshme e të ardhmes se Kosovës. Pa shqyrtimin e tërësishëm të pakove ligjore të ambientalistëve të Kosovës, të mbështetura në ato të BE-së nuk bënë të lejohet kaq shpejt ky projekt aq i rëndësishëm dhe kapital. Nuk është mjaft të thuhet s’ka rrymë dhe të ndalet jeta. Sigurisht është i papranueshëm edhe refuzimi i paargumentuar, meqë BE-ja stimulon projektet për prodhimin e energjisë elektrike me thëngjill të pastër, por nuk bihen vendime kaq kruciale aq shpejt, dhe qytetari nuk mund të lirohet nga dyshimi se ka konflikt interesash, bile praktika e deritanishme dëshmojë skepticizmin e arsyeshëm, gjatë hapjes së tenderëve, duke u avulluar miliona euro, me çka e kanë merituar t’u besojmë. Me tregoni cili është roli i qeverisë, ministrisë përkatëse, ambientalistëve, sindikatës dhe cili është roli i qytetarëve në rrethana të tilla?