Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vilhelme Vranari: Viktimat e komunizmit sot kërkojnë vetëm falje nga persekutorët

| E merkure, 22.07.2009, 09:30 PM |


VIKTIMAT E KOMUNIZMIT SOT KËRKOJNË VETËM  FALJE NGA PERSEKUTORËT…
 
EKSPOZITA E VLORËS KËLTHET: “JU TË RINJ, MOS LEJONI TRAGJEDITË TË PËRSËRITEN!”
                         
Nga fjala e mbajtur në çeljen e Ekspozitës

Nga Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
          
 Të nderuar familjarë dhe të afërm të viktimave të genocidit komunist!
 Të nderuar miq dhe të ftuar!
E ndiej veten të privilegjuar dhe të nderuar që në këtë tubim historik, komisioni i punës i kësaj ekspozite, më dha mundësinë që të shpreh mendimin tim modest për këtë ringjallje të historisë sonë të pashkruar.
     Së pari përgëzoj dhe falenderoj ideatorin dhe nismëtarin e ekspozimit të këtyre figurave të harruara, z..Shaban Xhyheri, që kërkon të vë në piedestal vlerat morale, qytetare, intelektuale  dhe atdhetare të çdo vlonjati. Për këtë të moshuar të urtë rëndësi ka të jesh shqiptar i mirë. Po qe i tillë, nuk ka si të mos jesh qytetar i mirë i Vlorës. Gjithashtu përgëzoj stafin për punën e vyer në Rilindjen e historisë së shtrembëruar, të gjysmuar dhe të gënjeshtërt. Këtë ekspozitë e quaj “Orakull  i Memories Historike”.
Miq dhe të ftuar, po citoj disa vargje që rastësisht i lexova në Internet:
“Mik i dashur, na u dhimbse kur tregoje,
Si të kishin shtypur, marrë nëpër këmbë...
Liria erdhi...
Dhimbjen në piedestal ta vumë, të ngritëm lart.
Na le pa mend:
Sa shumë i ngjave shtypësit tënd!”  
-Këto vargje i ka shkruajtur me siguri një bijë sigurimsash.
Si përgjigje e poezisë, në emër të gjithë atyre që diktatura komuniste, më e egra e njerëzimit, u mohoi jetën, që trupat e tyre lastar plehëruan këneta, miniera, kanale, atyre të rinjëve që i murosën në pallate, aerodrome dhe në rrugët e ndërtuara me punën e papaguar të tyre, duke e mbushur këtë vend-burg me varre pa emër, po u kushtoj këtë ESSE
    “ Ej, ti …që na përçmon dhe na përbuz…         
    *Ti nuk e di se ç'do të thotë të të vrasin djalin e vetëm  pa asnjë shkak, vetëm se ishte bir i një familjeje fisnike. Vdekja me plumb është e ëmbël. Por ç’mund të thuash për të riun 18 vjeçar që e mori mushka zvarrë dhe nënës në shtëpi i çoi vetëm njërën këmbë? Këtë plagë të Sigurimit të Shtetit nuk mund ta harrojë jo familja, por as bashkëkohësit .
*A ka drejtësi, kur dikë e burgosën për agjitacion dhe propagandë vetëm se s’ piu dollinë për mustaqet e Stalinit?!
* Nuk di si ta emërtojë dënimin me burgim të përjetshëm të qindra e mijëra të pafajshmëve, vetëm se nuk ishin në gjendje të shlyenin tatimet e jashtëzakonshme.
*Në ç’vend të botës është vrarë ideali i femrës, apo nëna shtatzënë si në Shqipërinë komuniste? U zhduk inteligjenca e arsimuar në Perëndim, kur shumë emra të tyre, ende ruhen me gërma të arta “Elita të Shekullit XX-të”?
* Si do ta quaje dënimin kolektiv, 70 burra lidhur këmbë e duar me zinxhirë dhe në qafë mbanin varur një parrullë: "Kriminelët në litar!"dhe pas shpine:"Kështu do ta pësojnë armiqtë e klasës"?!
*Ti nuk e ke provuar që të mos thotë kurrë goja “Baba” dhe s’e di se ç’do të thotë të rritesh jetim me baba gjallë!
*Ti nuk e imagjinon dot, të të zhvasin mundin dhe djersën e qindra viteve dhe të të lënë me gisht në gojë, aq sa nuk ke me çfarë i mbledh fëmijët.
*Si mund ta merrni me mend se urrejtja e komunizmit arriti deri aty, sa vrau barbarisht kafshën që s'ka gojë, vetëm se i përkiste një  fisniku. A mund t'i shtypësh kokën barbarisht një qeni të bardhë si bora vetëm pse e kishin sjellë nga Austria?
*Si do të ndiheshe kur të sekuestrojnë gjithçka dhe të nxjerrin në rrugën e madhe? Pastaj” bamirësit komunist ", të dhurojnë një barakë në kënetë, ku të  internojnë si fis dhe si shtresë ?!
*Ti nuk e kupton sa vragë lë tek fëmija, të cilit i pëlqen libri, kur sheh se i rrëmbejnë bibliotekën qindravjeçare dhe i hedhin librat në kamion si plehëra dhe jo si burim kulture apo dijeje.
*Ti nuk e njeh vuajtjen dhe urinë, si mund të të dhembset një nënë që gjithë ditën i bie bretku në ish ullinjtë e saj, dhe në darkë i mbledh fëmijët me lakra pa vaj?
*E di ti se trastat, tok me fëmijët ,në supet e grave e nënave tona, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve ?
*Nuk të kanë thënë ndonjëherë: “Ti nuk ke të drejtë të diplomohesh se i përket një bote tjetër, botës së mohimit të vlerave dhe vuajtjes çnjerëzore” ..
*A  mund ta besosh se një nënë me fëmijë,gjeti dritare të rënies së luftës së klasave, diplomohet denjësisht, dhe kur Dekanata për aftësi, e propozon për punë, Kryetari i Kom. Ekzekutiv e pyet: “A e bën dot luftën e klasave? Dhe kujt? Asaj që e kishte hequr mbi supe atë luftë klasore, barbare dhe më çnjerëzore. "I madhi" thotë: "Pushtetin tonë komunist e ndan një hendek i thellë me interesat e klasës tuaj. Ne u përkasim 2 botëve të kundërta, armike,ndaj ti s'ke vend në shoqërinë tonë.
*A e di se mijëra të rinjëve iu mohuan të drejtën e studimit dhe sa të tjerëve u shkoi talenti dëm?!
*Ke provuar ndonjëherë kur komunistët festojnë themelimin e "nënës parti", dhe  fëmijët e tu të t'i nxjerrin nga shtëpia në shi, në të ftohtë, prej aty ku të kanë rënë brinjët në ndërtimin e pallatit, vetëm për një metër kub ajër më shumë, sepse ti nuk ke të drejtë të jetosh në pallat?
*Ti nuk e di se ç'është vrasja morale. Eshtë një dhunë psiko-fizike që të vret gradualisht. Eshtë një vdekje e ngadaltë.
*Ti nuk e njeh mbijetesën. Ajo është virtyt i fisnikërisë. Nuk dhurohet, nuk blihet me para dhe as me kulturë. Fisnikëria trashëgohet në gene brez pas brezi.Të persekutuarit e mbijetuar, si duket ruajnë në gjak, genet e ilirëve të pastër ( jo ata të përzier që kanë nxjerrë raca bastarde),sepse vetëm ilirët e kulluar u mbijetuan shekujve.
 Të nderuar politikanë dhe pushtetarë, shikojini këto portrete të heshtur, a nuk është një pamje rrëqethëse?Janë 1400 të rinj, gra dhe burra që u vranë, u dhunuan, u mohuan jetën, ëndrrat, profesionin, vetëm sepse luftuan për liri dhe demokraci, por jo për një Shqipëri-burg apo një atdhe të shndërruar në një varrezë mbushur me varre pa emër.
   Sot është DITA E RINGJALLJES së tyre dhe ata nuk duan asgjë. Nuk duan hakmarrje, sepse ajo sjellë dhunë dhe hasmëri. Ata kërkojnë paqe mes shpirtrave të lodhur e të sfilitur të shqiptarëve. Nga persekutorët, xhelatët që u morën jetën, u vranë shpresat dhe ëndrrat, ata kërkojnë vetëm një fjalë,”Falje”.Mjerisht xhelatët nuk njohin pendim,ndaj nuk dinë as të kërkojnë falje për krimet e bëra.
Këto portrete sot e në vazhdim këlthasin: ”Ne jemi pa varre, ndaj na gjeni një copëz dhomë ku të prehemi e të bisedojmë me brezat, që  të mos lejojmë të përsëriten tragjeditë, dramat e një kombi vital, që do të zilepsnin edhe tragjedianët më të mëdhenj të kohërave. Ata do të ringjalleshin për të shkruar tragjedinë më të kobshme, më rrëqethëse të njerëzimit, atë të vendit të shqiponjave. Përmes Faljes së Persekutorëve tanë, kërkojmë integrimin e bijëve, mbesave dhe nipave tanë në shoqërinë e re. Trajtoini ata sipas arsimimit, intelektit dhe profesionalizmit. Jepuni pronat pronarëve, ktheni identitetin legjitim të rrëmbyer dhe do të shihni se si do të ndryshojë kjo tokë e përgjakur me gjak të pafajshëm shqiptari. Atëherë ne do të prehemi të qetë, sepse do ta shohim realitet  ëndrrën tonë, që s’na lanë ta realizonim.” Kjo thirrje u drejtohet Politikës, Pushtetit dhe Drejtësisë për t’i rivlerësuar gjithë viktimat e komunizmit. Kjo ekspozitë kujtimore, si pjesè e historisè kombètare, duhet të ketë një ambient që të vizitohet vazhdimisht, sepse rinia duhet ta njohë luftën e klasave, genocidin shfarosës që u ndoq në Shqipëri, në Çamëri dhe Kosovë. Mes këtyre tre pavioneve, ata do të jenë në gjendje të përcakrtojnë se cilët kanë qenë persekutorët e secilës.trevë të Shqipërisë. Rinia le të jetë gjykatësja më e drejtë e së djeshmes së hidhur.Vetëm e vërteta  historike e Shqipërisë  sjellë paqen dhe mirëkuptimin mes shqiptarëve, gjë për të cilën kemi nevojë sot më shumë se kurrë.
Kjo ekspozitë është një memorie historie, e cila këlthet: “Ju të rinj që do të jeni politikanët, qeveritarët, gjyqtarët dhe prokurorët e së nesërmes, mos lejoni tragjeditë të përsëriten dhe mos harroni se të gjithë jemi shqiptarë, të një race, flasim një gjuhë,kemi një traditë dhe në gene kemi gjak ilir.”

Vlore, 21/07/2009 - Për ZSH: Këze (Kozeta) Zylo