Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: E kapa lirë...

| E merkure, 22.07.2009, 06:20 PM |


E kapa lirë...

Nga Agron TUFA

Shpesh na rrëmben dëshira për të filozofuar mbi gjërat e largëta, teorike apo abstrakte. E kapim veten gafil të dhënë pas ideve të përjetshme dhe përfundojmë duarthatë, pa i shtuar gjësend shterpësisë sonë të fillimit, pasi çështja, objekti a dukuria që morëm në shqyrtim me aq zjarr, mbetet edhe më e pasqaruar se ç’ishte.

Kjo përpjekje për t’i njohur natyrat në parim nuk na shpie më larg se zbulimi i konfuzionit tonë dhe na bën ta ndjejmë edhe më fort zbrazëtirën pas retorikës së entuziazmit fiktiv. Pse ndodh kështu? A mos kruarja e shpifur intelektuale na është shndërruar në ves? A mos duke i teorizuar çështjet ne kemi shpikur një zbavitje boshe, që më shumë e maskon se sa e shpalon thelbin?

Mendoj se në ligjërimin tonë ka zënë vend një traditë e mbrapshtë, që ka të bëjë me zgjedhjen e objektit “të denjë” për diskurs dhe se në ‘katalogët’ e modës objekti i diskursit është transferuar në gjëra sa më të largëta e abstrakte, duke rritur kësodore dhe vlerën konvencionale të përfshirjes në diskurs. Po kush është objekt i denjë dhe jo idenjë diskursiv dhe kush e përcakton apo kanonizon atë?

Di vetëm se në këto horizonte që shfaqin shterpësinë meditative mungon diskursi mbi dukuritë e thjeshta të përditës që na rrethojnë me bollëk brenda e jashtë pragut, që i kemi përpara hundës dhe na kanë zënë sytë në çdo hap. Ja, për shembull, një e njohura ime, Danjiela. Po a e njoh? Mesatarisht ndeshemi një ose disa herë në ditë. Në fakt ajo është një e njohura e time shoqje, por as ajo nuk e mban mend mirë në ç‘vit e në çfarë rrethanash janë njohur.

Diçka e turbullt? Si duket larmia e Danjielës është e tillë sa e ka eklipsuar përfare situatën kur janë njohur. Me Danjielën përshëndetemi, por a komunikojmë? S’e di. E shohim në disa studio periferike nëpër debate edhe më periferike se ato studio televizive, por tek-tuk edhe në ndonjë kanal shumë të shikueshëm. Për çfarë është thirrur, me ç‘rast, çfarë flet dhe çfarë funksioni luan ajo nëpër këto debate? Ja pra, enigma. E turpshme të mos e dish, se ajo të pyet: “Hë mo, a më ndoqët mbrëmë? Si dukesha?”.

Dhe Danjiela është shumë e bukur. Zoti i ka dhënë një hijeshi mbrësëlënëse dhe ajo është e ndërgjegjshme për të. Po edhe ajo u shërbën hireve të saj me gjithëfarë formash për t’i nxjerrë ato sa më në dukë. Ngjyra dhe modeli i flokëve të saj shpaloset, përgjatë pak muajsh, në trajtat më të larmishme, nga spektri i ylberit deri tek bishti i palloit. E sa për thelbin dhe funksionin e kontributit të saj nëpër studio, jashtë kësaj mbrese pamore, është e pamundur të kujtosh ndonjë gjë.

Danjiela ka një fëmijë kolopuç dhe me të përdore e ndeshim rëndom. Një fëmijë të ngjashëm me një kukull të shartuar me manar, lepurush apo personazh irreal multiplikativësh. Ajo krijesë e paqtë, e pellushtë e nxjerr më theksueshëm në pah Danjielën. Ajo e mban përdore, i përkëdhel flokët, ndërpret bisedën për ta mbuluar sakaq me rrëkza fjalësh të ëmbla, pastaj përshkon shëtitoren sipas një itinerari të pandryshueshëm, derisa arrin në dyqanin e së ëmës, të shitjes së rrobave me të lirë dhe aty vogëlushin e merr gjyshja.

Nuk e njohim të atin e vogëlushit, d.m.th., bashkëshortin e Danjielës. Nuk e dimë në ekziston. Me tej Danjiela mbetet e lirë. Nuk di në e pret makina e saj apo vijnë dhe e marrin. Më tutje nuk dimë asgjë për Danjielën, sepse kaq e shkurtër është trajektorja e shfaqjes dhe e zhdukjes së saj. Ne më shumë nuk dimë për Danjielën, ndaj e kemi vështirë ta gjykojmë. Ato dhjetra apo qindra episode pikëpjekjesh ku shkëmbehen informacione apo habira të rastësishme nuk përbëjnë një tërësi solide, por veçse detaje, fragmente, grimca, përshtypje të paqarta dialogjesh dhe mbresa të forta pamore.

Nuk mbaj mend të jemi ulur ndonjëherë në kafe me Danjielën dhe as të kemi biseduar mbi ndonjë temë. Dyshoj në mundësinë e Danjielës për ta mbajtur kuvendimin të përqendruar mbi dy-tre minuta; ajo me një lehtësi natyrale ka aftësinë të rrëkëllehet nga njëra temë në tjetrën, të shkapërcejë degë më degë nga njëra çudi te tjetra dhe të mos thellohet në asnjërën prej tyre. Mos ndoshta Danjiela është shumë e ndjeshme ndaj mërzisë së stilit? Ku ta dish...

Njëherë e pyeta time shoqe ku punon Danjiela. Me sforcim të dukshëm arriti të përmbledhë disa dhjetra vende pune ku ajo kishte patur vetëm fillime. Një curriculum mjaft i ngjeshur kaleidoskopik ku përfshiheshin dy-tre ministri, tre-katër firma, po aq televizione, disa shoqata ndërkombëtare dhe fondacione private, dy kompani celulare, disa punëra të tjera part-time, anëtare e dy bordeve, pjesëmarrje në disa projekte mediatike...

- A mund të thuash me saktësi se ku punon? – përfundoi ime shoqe.
Nga ana tjetër, Danjiela, - vijoi ajo, ka braktisur vetë një mori punësh, në disa syresh ka dështuar. E kanë pushuar për paaftësi prej disa postesh të rëndësishme në administratën shtetërore. Sigurisht, Danjiela i ka hedhur në gjyq dhe i ka fituar ato me lehtësi. Kështu që prej gjashtë vjetësh asj i paguhet rroga me vendime gjyqi.
- I paguhet paralelisht për disa vende pune të humbura gjatë një viti?
- Nganjëherë po.
- Kjo është e pamundur, - thashë i habitur.
- E pamundur, por jo për Danjielën...
- Po si ia del?
- Dhunti e saj... – thotë ime shoqe, duke ngritur supet.

Mbrëmë e ndeshëm sërish Danjielën. Pa vogëlushin. Rrezet e perëndimin ia përshkënditnin flokët e lyera me një ngjyrë të ndezur rubini. Në fytyrën e saj të bardhë e të freskët shquheshin dy nishane blu, njëri në mollzën e majtë, tjetri në çipin e djathtë të buzës së sipërme. Të bëra me laps, kuptohet. Shtatin e lartë e të derdhur e kishte mbërthyer me një fustan të hollë vishnje që hapej në trajtë kambane deri në gjunj. Dukej si një trupore antike. Sandalet me taka të larta kishin një kuqëlim shege.

- Për ku kështu moj shoqe?
- Lëre, lëre... sonte jem në studio me ca VIP-a, - tha, duke bërë ca ojna lozonjare e ironike.
- Ça po bën ti shpirti? Ndonjë plan të madh? – i tha sime shoqje me një zë të ëmbël e kinse të përmallur.
- Plan të madh...? S’jam e sigurt. Dua të vazhdoj Juridikun këtë vit... në distancë, natyrisht. Nuk jam e kënaqur me atë fakultet që mbarova...  Di gjë sa kushton pagesa për një vit?
- Këtu në Tiranë moj?
- Po ku tjetër!
- Budallaqe je ti? Shih ndonjë Vlorë, Elbasan apo Durrës... Ka plot.
- Po ti vetë, sa pagove vjet për Juridikun?
- Lëre mua ti, unë e kapa lirë fare.
- Lirë sa? A e mbylle vitin e parë?
- Ç’thua moj? – rrahu tëmthat ajo me gishtin tregues. – Unë po vazhdoj masterin tani.
- Ua, po si kështu? Ti vjet e fillove!
- Të thashë pra, lëre mua ti... unë e kapa lirë fare, në Fier... – tha ajo duke saktësuar inicialet e një universiteti privat.
- Po sa lirë moj, se na çmende!
- 4500 euro, motra... të tre vitet. Tani, të thashë, po vazhdoj masterin. Vitin tjetër e mbyll.
- Kaq shpejt?! E pamundur... mërmëriti e shashtisur ime shoqe.

- U kjo! Ça ka mo kjo që bo si e habitur? – m’u kthye mua Danjiela. – S’të besohet mi? – iu kthye ajo sërish sime shoqje, tashmë duke vënë një palë syze dielli në trajtë ovale, edhe ato ngjyrë vishnje, me një skelet të hollë, të bardhë. – E di ti mi goce çdo me thënë “e kapa lirë”? Hajde tani se ika, - tha, duke përshendetur me dorë: ça-ça, - teksa hapte derën e makinës së parkuar ndanë dyqanit të së ëmës ku shiteshin rroba me të lirë.
Pashë si shkau makina e saj, lehtë, pandjerë, drejt një bote të papërcaktuar, të cilën Danjiela, padyshim, do ta kapte lirë. 
Gazeta Start