E premte, 19.04.2024, 06:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Apel BE-së, mos e lini Kosovën geto

E marte, 21.07.2009, 06:49 PM


Nga Gazeta Express

Shoqëria Civile e Kosovës i ka drejtuar një apel parlamentarëve të Bashkimit Evropian që të shqyrtojnë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse në të kundërtën vendi mund të shndërrohet në një “geto vizash” pa kurrfarë rrugëdalje.

Në një konferencë me gazetarë, organizatorët treguan se apelin do ta dorëzojnë edhe në shumë institucione e media ndërkombëtare.

“Ne evropianët e brengosur që jetojmë në Kosovë, e mirëpresim propozimin e KE-së që t’i lejojë qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi të udhëtojnë pa viza në BE nga fillimi i vitit 2010. Së shpejti shpresojmë që edhe Shqipëria e Bosnja do ta gëzojnë një gjë të tillë, por shqetësohemi që Kosova ka mbetur jashtë këtyre proceseve”, tha Luan Shllaku, nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, i cili e lexoi apelin.

Sikur transmeton KosovaLive, Shllaku tha se janë të vetëdijshëm që shtetet anëtare të BE-së nuk pajtohen në lidhje me statusin e Kosovës, mirëpo lënia e qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh etninë, në një “geto vizash”, kur i gjithë Ballkani, nga Adriatiku e deri në Detin e Zi, do të mund të udhëtojnë lirshëm, atëherë është një politikë katastrofale.

Sipas tij, BE-ja duhet të ofrojë një udhërrëfyes që çon drejt liberalizimit të vizave për kosovarët. “Nëse nuk u dashka konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së për ta vendosur Kosovën në listën e zezë të Shengenit, atëherë nuk do të duhej konsensus as për ta futur atë në listën e bardhë të Shengenit. Natyrisht nëse Kosova i plotëson kushtet e nevojshme”, tha ai.

Kryetari i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha se liberalizimi i vizave është edhe çështje e lëvizjes së lirë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, ku Kosova, sipas tij, do të jetë e izoluar edhe në çështje tjera integrative.

Ai tha se mjafton një vizitë para ambasadave në Shkup apo këtu në Kosovë për të parë si ka degraduar qasja ndaj qytetarëve të Kosovës. “Sot jemi shumë më keq se para 10 apo 15 vjetësh”.

Çështje tjetër, sipas tij, është ajo e sigurisë. “Fakti që Kosova do të izolohet është një pasiguri, sepse vetëm ndjenja për një gjë të tillë krijon ndjenja negative, e po ashtu edhe ata që merren me krimin e organizuar në gjithë Ballkanin kanë viza për shumë hyrje, ndërkaq qytetarët e rëndomtë nuk mund ta gëzojnë këtë të drejtë. Me këtë arsyetim nuk mund të ndalet krimi i organizuar”, citon KosovaLive Surroin.

Verena Knaus, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, tha se është e vërtetë se procesi i liberalizimit të vizave është një proces që i shqetëson shumë njerëzit në rajon, por edhe në vendet anëtare të BE-së.

Ajo tha se ka pasur shqetësime se pse viktimat e luftës në Bosnjë dhe Kosovë nuk po përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa disa të tjerë që kanë bërë krime po përfshihen në këtë proces. Ajo potencoi se për të pasur një liberalizim të vizave, vendet duhet t'i plotësojnë kriteret teknike të Komisionit Evropian dhe fatkeqësisht Kosova dhe Bosnja nuk i kanë plotësuar.

Sipas saj, para liberalizimit të vizave duhet t'i marrim në konsideratë shqetësimet e banorëve të vendeve anëtare të BE-së të cilat kanë të bëjnë me migrimin ilegal, aspektin e sigurisë, dokumentet civile, pasaportat etj.

Ajo tha se mungesa e njohjes nga të gjitha vendet anëtare paraqet një problem tjetër për liberalizimin e vizave, mirëpo shfaqi shpresën se me vetë faktin që Kosova është vendosur në listën e zezë të vizave, me plotësimin e kritereve ajo mund të vendoset në listën e bardhë.

Apelin e sotëm drejtuar parlamentarëve evropianë, përveç shqiptarëve e kanë nënshkruar edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, përfshirë Rada Trajkovicin, nënkryetare e Këshillit Kombëtar të Serbëve të Kosovës.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora