E shtune, 20.04.2024, 12:54 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Biografia, i vetmi mbrojtës që frenonte Vasil Rucin

E hene, 03.09.2007, 07:17 PM


GëZIM LLOJDIA
 
Flamurtari i viteve ‘80 në kujtimet e Vasil Rucit

VLORE- Qyteti bregdetar e ka të gdhendur në “tenien e trurit”, figurën e një sportisti. Emri, Vasil Ruci. Profesioni, sportist i përjetshëm.

Në fakt, lidhja me profesionin është mësues. Kohërat si era ikin, muajt rrëzohen gati befasisht, ditët sikur sekonda të qenë, ai sportisti në jetën e qytetit erdhi qetësisht, do të ruhet si një ikonë e sportit të qytetit të Vlorës.

Trokitje të lehtë, te dera e sportit.

Shenjë e veçantë, goli, që rrëzoi Zubizaretën.

Dëshirë e fshehtë, gjunjëzimi i Barcelonës në Vlorë. Në "Kamp Nou", stadiumin gjigant gjunjëzimi erdhi vetiu, kur dielli po perëndonte. Nën drita të magjishëm, u panë sytë e barcelonasve të trishtë.

Një profesion tjetër dukej që po rilind te Vasili, me të cilin sërish ka prekur edhe suksesin e tij, trajnerllëkun.

Brenda një viti mori e lartësoi emrin e skuadrës ë tij të dikurshme midis të emrave, që bëjnë sport të luajnë në një tjetër ligë më sipër, pra e shqyrtuar duhej thirrur në "Superligë" skuadra që i dha dermën Barcelonës, dhe gjunjëzoi yjet e kohës si Linekerin, Butragenjon, Hjuxhin, Zubizaretën.

Emri i Barcelonës në librin e kësaj kohë ka të shënuar në vitet ’80, një 1-1 dhe 0-0, kur në Shqipërinë e atyre viteve Flamurtari i nisur për në qytetin e bukur të Barcelonës, mendohej se po e priste “bombardimin” nga yjet barcelonas dhe kushedi se çfarë humbje tmerruese ishte në mëndje dhe sytë e të gjithëve, dhe një sens humori, që lëvrinte gjithandej: ”Por shihni si do të rrihet Vlora në Barcelonë, si gomari në duhan, si do të mbushet porta jonë me gola, sa që thes nuk ka për ta nxënë”.

Sado të paparashikueshme gjërat, për këta djem vlonjatë në qytetin e bukur të largët katalanas mjaftonte pak kurajë brenda në gjigantin e madh për të tronditur shpresat, madje katalanasit për çdo minutë që ikte mendonin se rruga e tyre nuk ishte kaq e shtruar, por ishte e dhembshme. Kjo pasohej nga minuta në minutë me trishtimin ndër sy, kur rrjetat mbeteshin ende të paprekura, ndonëse për rrjetën tonë ishte parashikuar të çahej rëndshëm nga gjylet e barcelonave, që kurrë nuk mbërritën atë ditë.

Në një faqe interneti duke lodruar kërkova emrin e Flamurtarit dhe mu shfaq ndeshja Flamurtari-Partizani i Beogradit. Besoj se duhet të kenë qenë kosovarët, ata që e kanë hedhur, që e kanë ruajtur dhe kanë vlerësuar kaq shumë atë fitore, ku u rrëzua skuadra serbe e Beogradit në fillim në gjunjazi, më pas në tokë. Ishte më tepër se një çështje nderi... Ajo, ç’ka bëri skuadra me emrin e flamurit shqiptar dhe të qytetit të Flamurit ishte domethënëse për vëllazërinë tonë kosovare. Fjalët e tyre, mirënjohja, vlerësimet, nderimet mbetën pa kufi. Emrin e qytetit tonë, vëllazëria kosovare kishte vite që e praktikonte te shënjimi në emrat e vajzurinave të Kosovës me emrin “Vlora” dhe këtë për qytetin e flamurit shqiptar.

Vasili vetë më kishte rrëfyer me sinqeritetin e tij, por edhe sportistë të tjerë të skuadrës se kosovarët atë mbrëmje kur ngjau rrëzimi i “Partizani” të Beogradit kishin festuar këtë rrëzim. Kosovarët u munduan t’u bëjnë dhurata për fitoren e bukur sportistëve të një gjaku që kishin nderuar flamurin, porse në vendin e tyre përveç disa fjalëve të mira nga tifozeria e zjarrtë, do të kapërcenin pasojat, që u erdhi nga një humbje apo një mllef i mbledhur për të shkrirë fare skuadrën që kaloi turin në Evropë. Kështu i vrau shpirtërisht largimi dhe përjashtimi nga sporti i lodhi mendimi po përse të gjitha, veç tyre dhe punës së tyre të pavlerësuar asnjëherë.

Ky kampion i madh, brenda një viti, renditi një sukses të tijën, nxori Flamurtarin e rrëzuar, në "Superligën" shqiptare në sezonin 2005-2006. Në këtë shtator, Flamurtari do të jetë i rrethuar me skuadra të famshme të "Superligës" shqiptare.

Pikon nektar pena e Petros Markos...

Ai adhuron penën e Petro Markos. Petro fle tashmë përjetësisht në vendlindje në Dhërmi, pikërisht në shkuarjet atje, ai shikon varrin ku rri Petro, përkarshi detit të pastër. Adhuron te sporti Mishelin, porse problemi nuk gjendet gjetiu. Ai vallëzonte në një kohë si Platini dhe do të pushtonte sportin shqiptar me misteriozitetin e tij dhe me “begraundin” nga ku do të fshihej më pas dënimi nga sporti. Për të mos harruar harresën, ai për një vit ishte trajneri më pasionante, më i vendosur dhe më punëtor në ligën shqiptare, që ndryshe lexohej Kategoria e Parë.

Gjatë kësaj kohe shkarkimi blicave në fytyrë nuk e mërziste, por ajo që e bënte të vuante ishte dëshira që skuadra dhe fjala e dhënë ishte të rendiste te më të mirët.

Koha e ngjizjes dhe magjia e sportit

Bomberi i shquar i Flamurtarit, ai që rrëzoi në gjunjë radhën e portierëve shqiptarë të viteve ’80, quhet Vasil Ruci.

Ka lindur në Vreneze, kështu thirret edhe sot ajo, që përmendej si lagja pranë agjencisë. Vendlindja është regjistruar në muaj të brishtë, 17 shkurt 1958.

“Futbolli, krahasohet me artin, për nga bukuria. Gjithë ato ëndrra u pikëzuan në një ditë. Më mori një shok te Shtëpia e Pionierit dhe më dorëzoi te Shkënder Ibrahimi. Provoje, i tha, edhe këtë. Më dha një bluzë. Futu, më tha, por mos ki frikë”. Kështu e fillon prezantimin e tij Vasil Ruci...

Koha pas ëndrrës u bë realitet

... Dhe më tej vazhdon

“E kisha ëndërruar të bëhesha futbollist. Aty gjeta në një ditë të gjithë ata që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte Perlat Musta, Kreshnik Çipi, Hasan Lika, Kokalari, Mile, Kërçici, H. Gega, Agron Dauti. Ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët. Kishim humbur. Dridheshim në pushim, më saktë qanim... Kur hymë fituam 3–1. Kështu u bëra protagonist për ekipin e të rinjve. Dy vjet atu, rreth moshës, 15–17 vjeç kam kaluar me të rinjtë. Më kujtohet që në një kampionat kam shënuar 14 gola. Në konceptin e një sulmuesi, golat janë epiqendra e tij. Në fillim kam provuar mesfushën si lojtar, më vonë gjendem sulmues i Flamurtarit", kujton e tregon Vasil Ruci.

Guaskë e fortë,që u kapërdi...

"Me ndihmën e Bejkush Birçes kam luajtur ndeshjen e parë në vitin 1976 ku përballë ishte Kavaja. Bëra një gol, që më drodhi nga emocionet. Depërtova te sulmuesit që ishin hijerëndë me peshë në futbollin e Vlorës. Ishte një treshe. Sh. Zilja, S. Curri dhe P. Xhaho. Një ditë të ftohtë para përgatitjes, trajneri Birçe i thotë Agron Sulos, një sulmuesi potent, por që kishte pësuar rënie se do të qëndronte në stol. 'Po qe se do të qëndroj në stol, tha ai, do të largohem fare'. I madhi Agron, nga ajo ditë u largua, më vonë, aty rreth viteve ’78 u rikthye, tashmë si trajner i Vlorës", tregon Vasil Ruci.

Vallëzimi në fushë si një ekip rebel

Vitet ’80 do të konsiderohen si një hap cilësor i Flamurtarit. Askush nuk do të mendonte më vonë se ky ekip do të pëlqehej aq shumë, do të adhurohej, herë për golat, herë për vallëzimin në fushë, herë për rezultatet. Kur mbërrinin ditët "e ftohta", kur skuadra kërkonte gol, ai gol mbërrinte nga këmbët e Cilit, siç e thërrisnin të vegjlit që e kishin idhullin e tyre Vasil Rucin.

"Ekipet e qyteteve të tjera ishin të ngjashme me njëri–tjetrin, për nga mënyra se si luanin, si fitonin dhe si humbnin ndeshjet, kupat, apo kampionati, tregon Vasil Ruci. Në atë kohë kishte ekipe rebele, që fitonin një ndeshje dhe njëzet i humbnin.

Kështu në pamundësi për të thyer Tiranën (ish-17 Nëntori), në jo pak kohë, bëmë bllokimin e saj. Tek ajo ndrisnin dy sulmues Kola, dhe Minga", kujton Vasil Ruci.

Biografia, kartoni i kuq për Vasil Rucin

"Po atë kohë do të formonin vargonin e pafund të dhimbjes time, në mospjesëmarrjen me Flamurtarin në kupat e Ballkanit. Për herë të parë në këto vite, skuadra zbriti në vjeshtë në takimet me Aek të Athinës dhe Velezh të Mostratit. Nuk më lejuan të merrja pjesë në të dy takimet, duke u kthyer në një spektator të thjeshtë që vuan tragjedinë e popullit të tij, vuaja 'biografinë'. Agron Sulo më tha, 'Vasil ik bëj biografinë në Dhërmi dhe hajde pastaj'. Ekipi iku, dhe në vendin tim morën Kovaçin dhe ndonjë nga rrethet...

Ekipi i “fukarenjve”, që gjunjëzoi “ekipin e miliarderëve” në Kamp Nou

Triumfi ndaj Partizanit të Beogradit u pasua me persekutimin si shpërblim

Në Evropë, Barcelona ruan emrin e saj me autoritetin e ekipit të madh. Në Spanjë, por edhe në Evropë kishte formuar varganin e pafund të titujve.

Barcelona mbërriti në Vlorë, në vjeshtë të vitit 1987, në shtatorin e Kupave të Evropës.

"Në formacionin e saj yjet ishin prezent. Në portë Zubizareta i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Linekeri, ylli i Anglisë, lojtar i kombëtares. Ishin gjithashtu Hjuxh si dhe spanjollët e kombëtares Karasko, Alberto, Miguer, Viktor. Më kanë pyetur të gjithë, ndonëse kanë rrjedhur vite, 'Si e bëre golin?' Sot po e përmbledh me dy radhë. Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë, Barcelona vërtet u befasua, por e ka mbledhur veten. Na ndëshkuan me një gol", kujton e tregon më tej Vasil Ruci.

"Kur kemi zbritur në Kamp Nou për ne ishte ftohtësirë. Në stadium këndohej, dëgjohej ole, oshtima larg, përpara stadiumeve tona të vegjël, ai ishte hijerëndë. Me Barcelonën jemi ndarë të barabartë. Jemi ndeshur në vitet ’86–’87 dhe bilanci ka qenë i tillë: Një fitore ne, një fitore Barcelona, dy barazime. Në Kamp Nou përmes asaj zhaurime për herë të parë kemi dëgjuar edhe thirrjen shqip. Ishin ca djem kosovarë të shpërndarë nëpër Evropë, që na thërrisnin me emër", tregon Vasil Ruci.

Kërcënim i drejtpërdrejtë

"Në Barcelonë ekipi ynë shkoi pa portierin e tij Luan Birçe. Ishin shkaqet absurde të biografisë. Birçen nuk e futën fare në të dy takimet. Në fakt thuajse 70 për qind e ekipit ishte regjistruar me 'ftomë', siç i thonë vlonjatët biografisë. Nga kjo 'ftomë', jo pak kanë vuajtur te Flamurtari, L. Birce deri sa u detyrua largohet, por edhe F. Zijaj, Kreshnik Çipi, F. Ferko, V. Bifsha, Bubeqi, edhe unë. Kur shkonim jashtë na pyesin sa e kishim pagesën 2$? Ishte e pa imagjinueshme. Madje në shtypin e asaj kohe është thënë ekipi i fukarenjve mundi ekipin e miliarderëve. Në të gjitha ndeshjet na shoqëronin, 'komisarët e partisë'. Përpara se të shkonin jashtë, thërriteshim në Ministrinë e Jashtme. Aty porositeshim, 'dëgjoni do t’ju hedhin dollarë te këmbët, por ju s’duhet t’i pranoni'", tregon Vasil Ruci për "porositë" që merrnin para se të udhëtonin për ndeshje jashtë shtetit.

Ngrica pas Partizanit të Beogradit

"Partizani i Beogradit në atë kohë mbërrinte nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit. Në Vlorë, kjo skuadër gjeti një tjetër skuadër që ishte gati ta hante të gjallë. Ishte politika e kohës, që e konsideronte atë një lojë politike. Situata në Shqipëri ishte e ndezur. Kurse në Vlorë ishte ca gradë më tepër. Nuk flitej veç për fitore. Ishte harruar gruri e misri. Propaganda ishte drejtuar te Flamurtari. Presionet dhe trysnia ishte e jashtëzakonshme. Fitorja 2 – 0 në Vlorë me gol të Iliadhit, dhe një autogol. Temperatura u rrit përpara se të shkonim në Beograd. Përpara se të kapërcenim kufirin na thanë, 'Duhet të fitoni se kjo është një lojë politike'. Situata në Beograd ishte tjetër. Ata e konsideronin thjeshtë një lojë. Goli i Kushtës na çliroi nga dy përgjegjësi, ajo politike dhe ajo sportive. Pas minutës së ’72 kualifikimi ynë ishte i sigurt. U kualifikuam edhe pse në Beograd humbëm me 2 – 1. Kështu e rrëzuam 'Partizanin' e Beogradit, e cila mbante në skuadër emra të mëdhenj, Smajç, Xhurobski dhe Katanec. Ky i fundit është sot trajner i Sllovenisë, që zhvilloi ndeshje të mëdha në evropianin e fundit", tregon Vasil Ruci.

Si na zhveshën në Han të Hotit

"Si vajtja dhe kthimi u përshkruan me avion dhe autobusë. Në Han të Hotit kemi ndjerë për herë të parë reprezaljen e shtetit. Deri atëherë ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm 'fytyrën' e atij shteti. Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se me një urdhër të lart do të kontrollohej autobusi. Ferrko do të thërriste, 'përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta'. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sediljet për t’i kontrolluar. Tahos, Ziajt, Çipi, mua, na morën nga një TV që na i kishin dhuruar kosovarët. Ata kishin ardhur atë nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobusin dhe bëri festë sikur të ishim ekipi i tyre", tregon Vasil Ruci.

Rrethanat e mbërritjes së dridhmës

Disa anëtarë të KQ që në atë kohë ishin tifoz me Tiranën, menduan të godisnin Flamurtarin duke parë shkëlqimin e tij në Kupa e Evropës. Zemërimi i tyre u shfaq ngadalë. Gjetëm rastin ku u kthyem nga Polonia. Gjysma e skuadrës u përjashtua, Çipi, Taho, Ruci, etj. Atëherë një gazetar shkroi te “Zëri i Popullit" dhe gjetën sebepin. Kërkuan 3200–shin, një test, që asnjëherë nuk e kisha fituar. Kështu me zemër copë e braktisa sportin. Në 10 vjet të karrierës sime jam golashënuesi më i mirë shqiptar në Kupat e Evropës. Në 12 ndeshje 6 gola. Nga Kupat e Republikës nga 5 finale, kam shënua 4 gola. U largova nga sporti me një titull që e kanë të gjithë, 'Mjeshtër sporti'", kujton e tregon me nostalgji Vasil Ruci.

I pari ekip që dërgoi telegram solidariteti

Flamurtari, pro studentëve të dhjetorit të '90-ës

Nga të gjitha skuadrat, Flamurtari ishte i pari që i la lamtumirën regjimit. Telegrami i parë i drejtuar studentëve të urisë, në vitin '90 'Deri në fund do t’ju ndjekim'. Një fakt që pak veta e dinë, ekipi i Flamurtarit, mblodhi firmat në përkrahje të demokracisë. Ndërsa në 22 mars vendosi dhe bri thirrje që vota t’i jepej demokracisë.

Sot nuk dihet ku janë shpërndarë ata, por ekipi i viteve ’80 përbënte një skuadër dinjitoze, ishin P. Ruci, F. Ziai, E. Liçaj, A. Canaj, K. Cipi, Sh. Zilja, Xhaho, Taho.

Ndërkohë krahas tyre vijnë Ferko, Bubeqi, Gjondeda.

E përshkruar kjo rrugë është e tillë, ’82, ’93 nënkampion, ’83 dhe ’84 në finale, ’85, ’86 fitues. Mori dy kupa. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora