Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Sikter

| E marte, 21.07.2009, 06:29 PM |


Sikter

Nga Edison Ypi

S’po kuptoja nga më vinte një interesim i shtuar ndaj disa sendeve si krëhëri, sita, shosha, kullorësja e makaro-nave. Por sidomos qëndrimi i zgjatur para pirgjeve të rraqeve në treg po më bënte nervoz sa s’thuhet. Erdh’ e u trash ky ankth i pashpjegueshëm duke u kthyer në një dëshpërim pafund që po të vazhdonte nuk do të ma largonte dot as një oqean me çaj kamomili trazuar me një kontinent sheqer. Ndoshta s’do ta kuptoja kurrë ç’po më ndodhte, dhe, një nga të dyja, ose do isha çmendur, ose mjetet seleksionuese me dhëmbë dhe brima, si dhe rrobat e vjetra, do të më binin sipër duke më lënë të vdekur. Por, për fat, tamam si ajo rrëkeja milimetrike e ujit, që po mori rrugë s’ka të ndalur, sepse, pasi zgjerohet me shpejtësi, pas pak shemb krejt digën miliona tonëshe, një episod në dukje i vogël u bë shkak që enigma të zbërthehej dhe problemi të zgjidhej.
Po llafosesha me një mik që e kam njohur vitet e fundit. S’ësht’ njeri i keq lum’ miku. Me shkollë të lartë, me punë të mirë, me rrogë të majme. Gjatë bisedës lidhur me filmat, në një moment, i thash’; Unë në jetën t’ime nuk kam parë kurrë një film shqiptar. Ngriti vetullat, mblodhi supet, ngushtoi dhe rrumbullakosi gojën si brimë, dhe tha; Jo, s’ka mundësi ! Po mor po, i thashë. Kam parë vetëm fragmente disa minutëshe ashtu si afrojmë hundën ndaj ndonjë ushqimi të prishur dhe e largojmë menjëherë me neveri, por kurrë një film të tërë. Jam gati që gjatë një milionë viteve të ardhëshme të gërryej me thonj në shkëmb katër tunele Kalimashi, dhjetë Semeringu, njëzet’ La Manshi, me nga katër kalime secilin, por një film shqiptar nga fillimi në fund kurrë s’kam për ta parë. Ndërkohë që miku vazhdonte të më kundërshtonte ndjeva se si diku në trup një qelizë u nda nga shoqet. Thash’ me vete; Ç’të bëj o un’ i mjeri unë që të mos më hallakaten të tjera qeliza dhe të arratisurat të gjejnë njëra tjetrën të formojnë atë lëmshin e zi që të shpje në varr ?! Dhe ika pa e përshëndetur. Tek ikja me tru të nxehur, vrit e vrit mëndjen si t’ja bëj dudallait mosbesues, më vajti mëndja tek teknologjia, posaçërisht tek mbipopullimi i celularit. Qëlloi që ato ditë j’a pata eksploruar aftësitë një celulari të ri që sapo e kisha blerë brenda të cilit kisha transferuar gati një mijë numura nga celulari i vjetër. Një tu ndarë nga miku, me duart që më dridheshin, gjeta emrin e tij në celularin t’im. E nxorra shpejt emrin e tij prej aty ku ishte dhe e futa në një listë të veçantë. Futja e cilitdo emër apo numur në këtë listë të re, të cilën atypëraty e pagëzova me emrin Sikter listë, bën atë që, sa herë miku të më thërrasë, telefoni im t’i dalë i zënë. E bëra këtë manovër perverse shpëtimtare të cilën celulari i ri e mundëson, me ngut dhe revoltim të madh, po ashtu si nxirret me shkelma një hajdut nga shtëpia. Por, duke e sikterisur mikun në këtë mënyrë, gjithsesi emri i tij në aparat mbeti. Pra u tregova i mëshirshëm, sepse nuk e flaka në rrugë, e lashë në oborr. Aty të rrijë ndyrësira, në shi e në breshër, në zheg e në acar, derisa të mësojë të besojë se ka edhe njerëz të cilëve të parët e soc-filmave u shkakton të vjella.
Pasuan raste të tjera. Por tashmë j’a kisha marrë dorën, isha i përgatitur, ilaçin e kisha gjetur, dhe sa herë më ndodhnin mënxyra si ajo me filma, viktimën e flakja direkt brenda sikter listës.
Tjetri mik kandidat për sikter, që s’e dinte aspak se mund të përfundonte në oborr pas dere dhe aty mund të mbetej duke trokitur gjithë jetën, më tha se do ikte të udhëtonte nëpër disa vende të bukura. Shko, i thashë, se andej nga do shkosh ka vërtet vënde të bukura, por të lutem pranomë një këshillë. Dhe nisa t’i flas për një itinerar të zgjedhur të atyre anëve gjatë të cilit mund të mahnitej buzë një liqeni ku është një Kishë aq e vogël sa brenda Saj mund t’i faleshin Perëndisë vetëm dy veta. Është më sugjestive se të gjitha pamjet dhe ëndërrat më të bukura që ke parë dhe do shohësh deri sa të vdesësh, i thashë. Por miku, me një ton sfidues, ma preu; S’kam nevojë për asnjë këshillë për rrugët, tha, para një muaji më sollën nga Greqia një vegël për makinën që më tregon gjithçka për rrugët, quhet Navigator. Aty mu bë sikur dikush më goditi befas me sëpatë pas kokës. Por, edhe ashtu mbytur në gjak s’e dhashë veten. Mir’ i thash, ik o dudalla ik, ik dhe duke ikur pyet Navigatorin se të tregon Navigatori hollësisht për të gjitha. Jo vetëm për Kishën e magjishme për dy, por edhe për një çoban pa gunë dhe pa fyell me nja tridhjet’ dhi’ nën shi’ që mban në dorë një bastun me bisht të gdhendur që j’a ka sjellë i biri nga Greqia njësoj si ty Navigatorin. Prandaj ik se s’i dihet, mbas navigatorit shtoje numurin e miqve edhe me çobanin. Lermë mua ta paksoj numurin e miqve duke të futur ty në listën e zezë. Dhe e hodha edhe atë në oborr, pra e ktheva në hije.
Pasuan disa raste më të thjeshta.
Shkelmova në oborrin virtual, pra u thashë të shkonin të jetonin në hije, katër a pesë prej atyre që t’i japin numurat pa ua kërkuar. Pastaj shtyva pa fare mëshirë në humnerën e errët të sikterit shpëtimtar numurat e celularëve të disa gazetarëve që i nisin shkrimet me “Siç dihet këto ditë...”. Fill pas tyre shkelmova drejt të njëjtit fat nja shtatë a tetë të tjerë që e mbajnë veten për djathtista. Secilit prej këtyre djathtistave u bëra pyetjen; A i do apo i urren, ata leckamanët e ngrehur, dudallenjtë e hazdisur, sherrmëdhenjtë e dikurshëm, puntorët e fabrikave dhe uzinave të kohës së Diktaturës ? Të gjithë u përgjigjën se, jo vetëm nuk kishin asnjë problem me përdoruesit e kominosheve të pista, por i kishin shumë xhan. Këta nuk harrova t’i porosis që atje do presin më kot t’u përgjigjem, të bëjnë edhe atje pak pluralizëm, mundësisht edhe ndonjë intrigë oborri. Mbas tyre pashë në televizor një si regjizor që po jepte një intervistë. Kur intervistuesja e pyeti; Çfarë pret ti nga jeta ?, menderregjizori u përgjigj; Jo shumë, sepse ne shqiptarët jemi popull modest. Pas regjizor mavrisë, duke u thënë të iknin të jetonin së bashku ku e kishin vëndin, degdisa me rradhë në greminë nja katër a pesë nga ata që dalin në foto delirante me dorë në mjekërr. Për ‘ta u betova se nuk do t’i nxjerr kurrë nga honet e harresës derisa të vinë në vete të bëjnë foto për së mbari. Mes tjerëve sikterosa edhe nja dy që kishin nisur të bënin diçka të pabesueshme, të shkruanin roman me ndihmën e një softueri !
Një rast tjetër që desh’ e harrova ishte ky; Lum miku, të cilin e pata marrë disa herë në makinë, kishte një huq; Sa herë zbriste nga makina përplaste fort derën. Ç’do herë që ma përplaste derën i thosha; Eja në vete o njeri’, mos ma përplas derën se më rrënqeth, mbase je mësuar me mekinat e shtetit, por kjo është e imja. Mirpo idioti, megjithse ç’do herë kërkonte falje, s’hoqi që s’hoqi dorë nga përplasja. Qëlloi që në një nga këto ditë behari vajta në shtëpinë e tij. I eturi për përplasje dere kishte qënë edhe i etur për ujë. Nxori disa herë nga frigoriferi një shishe ujë të gazuar të cilën e rrëkëllente me gup-gup fyti. Vura re se sa herë që mbaronte së piri, pasi gromësinte, tapën e shishes, e mbyllte për të mbyllur, por pa e shtrënguar. Mbasi e lash’ bartësin e simetrisë së përbindëshme me derë dhe tapë të fryhej mirë e mirë me ujë ç’do herë e më pak të gazuar, vajta e shtrëngova vet’ tapën, dhe menjëherë rrëmbeva celularin j’a futa edhe këtij emrin në listën e sikterit.
Pati edhe nga ata që nuk po i përmend këtu të cilët i flaka fare, pra nuk i hodha në oborr, por drejt në rrugë.
Pas kësaj, me anë të disa klikave, i thashë softuerit të celularit të sikteroste në oborr të gjithë numurat që s’i njihte. Kjo më lëhtësoi goxha. Dhe fill kësaj mora edhe masën tjetër, atë të lënies pas dere të të gjitha thirrjeve që nuk u çfaqet numuri.
Ende s’më është mbushur mendja të fus në brenda ndonjë nga ata të oborrit. Dhe tanipërtanbi nuk jam i sigurtë nëse kjo do ndodhë ndonjëherë. Por, sa duket, ngaqë ç’do trill e ka një cak, mosrespektimi i kodeve të mikpritjes tradicionale shqiptare ndihmuar nga teknologjia moderne, po nxjerr një problem. Populli i shurdhët, i verbër, dudalla, aestetik, me rendiment të ulët, i oborrit, për të cilët ngushtimi është zgjerim, paqja luftë, respekti nënshtrim, dashuria urrejtje, robëria liri, dhe të cilët tashmë pas çvendosjes në oborr nuk mundem t’i quaj më miq, por maq, moq, piq, qiq, qoq apo qyq, po shtohet përditë. Dhe kështu si ka nisur, me më tepër siktere se bujrume, s’po më duket e largët dita kur nuk do më mbetet asnjë brenda por  të gjithë do t’i shoh ose në oborr ose në rrugë. Eh ku ma gjen që kjo të ndodhë, që pak nga pak celularin ta flak.
edisonypi@gmail.com