E shtune, 04.04.2020, 12:40 PM (GMT+1)

Personalitete

Andrra e parealizueme e Luigj Gurakuqit

E shtune, 03.03.2007, 05:32 PM


ME RASËN E 80 VJETORIT TË VRASJES

Nga Ardian Ndreca

«Tjetërkund, njerzt e idealit, ne u mbytshin për së gjalli, nderohen per së dekuni.
Ndër né ata mbyten dy herë: edhe harrohen?
Nji komb qi lindet ká nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk
kan çë bâjn në nji komb qi i harron e i përbuzë?»

Át Gjon Shllaku, Hylli i Dritës, 1942.

Luigj Gurakuqi
Sot janë mbushë plot 80 vjet qysh se plumbat e trathtisë vranë në Bari njenin prej djemve mâ të mirë që pat nxjerrë ndonji herë Shqipnija: Luigj Gurakuqin.
Gurakuqi ka qenë nji figurë e domosdoshme në nji kohë që irracionalja sundonte mendjet e zemrat e shqiptarve. Irracionale âsht çdo gja që i përket interesave të ngushta dhe që pengon afirmimin e interesave kombtare.
Luigj Gurakuqi nuk ishte nji njerí që i ndezte nji qiri djallit e nji tjetër Zotit, ai i ndejti besnik deri në fund parimeve të veta edhe atëherë kur Ahmet Zogu deshti ta bante për vete me të mirë.
Gurakuqi ishte i bindun në fitoren e pushtetit me anën e mjeteve demokratike, kjo gja e shtye me drejtue në Shkodër së bashku me At Anton Harapin, Shuk Gurakuqin, At Gjergj Fishtën, dom Lazër Shantojën, gazetën e famshme «Ora e Maleve». Fitorja e grupit demokrat «Ora e Maleve» në zgjedhjet e 27 dhetorit 1923 e gëzoi pa masë Gurakuqin, ashtu siç e idhnoi fillimi i Revolucionit antizogist në Vlonë nji vjet mâ vonë.
Në mars të vitit 1924 si Zogu ashtu edhe Gurakuqi ishin të mbërthyem në shtrat, i dyti për shkak se i sëmurë, i pari mbasi ishte plagosë prej Beqir Walterit. Kur e pyetshin Avni Rustemin se çka po bân Opozita, si mendon me u sjellë në Parlament, ai përgjegjej me nervozizëm: “- Opozita âsht tue pushue: kemi Gurakuqin e smûet”.
Me vrasjen e Luigj Gurakuqit për vendin tonë merrte fund andrra e nji fillimi të mbarë si Shtet. Mjerisht krismat e asaj mbramje të trishtueshme në Bari, do të shungullojshin për shumë vjet me rradhë, tue përsëritë jehonën e trathtisë edhe për nji gjysmë shekulli tjetër në Shqipni.
Kur ra qeverija e Fan Nolit, tregon Anton Harapi në kujtimet e veta, e takova Luigjin dhe i bana dy pyetje të thata por të forta:
“- Si me falimentue kështu, Luigj? si me dalë me hikë Ju tash prej Shqipnije? – Kishte vdekë në kambë burri i dheut; me e pasë pré gjak s’kishte qitë. U kuq, i u muer goja, shtërngoj buzët e i dha vehtes:
- P. Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik të Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndêja unë këtu, e dij se derdhet gjak, e derdhet kot. Të kishte pse, nuk po shikojshem fort për gjak qi derdhet, se mâ për vehte jo se jo, por po më vjen si trathtí t’a marr në qafë popullin e shkretë”.
Çka dëshironte zemra e Luigj Gurakuqit për atdheun e vet:
“Nji Shqipní të drejtë, të plotë, të bashkueme, ku biri mos të dahet nga Nana, deshti Gurakuqi. Nji Shqipní të mirë, ku vllau mos të jetë shërbtori as gjaksori i vllaut, nji Shqipní jetese e jo nji Shqipní zije, nji Shqipní drite e jo nji Shqipní t’errët – lypi Gurakuqi” – kështu shkruente në vitin 1944 Zef Pali prej shtyllave të «Hyllit të Dritës».
Nxansi i De Radës në Shën Mitër Koronë, pjesmarrsi në shpalljen e Pamvarsisë, ideologu i Shtetit modern shqiptar – kur u vra në Bari hante vetëm nji herë në ditë e veshte pantallona të shkyeme. Në xhepat e ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira, prej të cilave atë mbramje kishte dijtë me heqë aq sa duhej për me i blé nji kukull vajzës së mikut të vet: patriotit Sotir Gjika.
Autoritetet italiane nuk lejuen që funerali të mbahej në qytet, por vetëm mbrenda mureve të vorrezës. N’ato çasa tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruejti veshjen me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dborë” për t’ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zojës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Walterit etj.
Të gjithë e njohim vendimin e turpshëm të gjyqit të Tranit, dijmë edhe reagimet e ashpra që patën miqtë e Gurakuqit: Salih Hoxha, Mustafa Kruja, Lazër Shantoja, Stavro Vinjau, Fan Noli, Ali Këlcyra etj.
“Gjyqi i Tranit, - shkruente Lazër Shantoja në vitin 1925, âsht - shêmbull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore—na difton sheshasit se diktatori i Romes desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranes, të Zogut.
Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësiës, Mussolini na e vrau me gjyqë... me armen e civilizimit e të drejtësiës!”
Megjithatë padrejtësija e gjyqit të Tranit do të ndreqej kur miqtë e Gurakuqit do të kthejshin në Shqipní mbas prillit 1939, vetëm atëherë vrasësi i tij do të merrte dënimin e merituem.
Sot mâ shumë se kurrë Luigj Gurakuqi ishte dashtë me i mësue diçka të gjithë shqiptarëve, por mâ fort e mâ atyne që duhet të ndiejshin paksa përgjegjsi përpara kombit e s’kanë përgjegjsi – si thonte Gj. Fishta – “msa kanë telat e telegrafit për fjalët që përshkohen ndër to”.
S’ka gja që shtëpija e Gurakuqit âsht shkatrrue, s’ka gja që te vorri i tij (i cili âsht afër vorrit të Pashko Vasës e Migjenit), digjen plehnat e treten stërvinat e nji qyteti që jep shpirt në pleh – s’paku nji gja të ndiejnë ata që ia kanë zanë vendin Gurakuqit e shokëve të tij. Të ndiejnë fjalët e Gurakuqit, kur thonte: “Kam dalë në shesh e jam me ballë t’hapët: nuk jam mësuem me u futun në thes”.
Nuk mund t’i kërkojmë politikanëve të sotshëm me bâ çka ka bâ Gurakuqi e as me vdekë me aq pare në xhep sa ka pasë Gurakuqi, por nji gja mundemi me ia kërkue: mos vazhdoni me mbytë sistematikisht andrrën e tij për nji Shtet të denjë shqiptar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT